top of page

Fatmir Terziu: Kafsha që banon brenda ...

  • 1 day ago
  • 4 min read

TREGIM


Ai mbërriti në Londër pa mbërritur askund. Në aeroport, oficeri i kufirit nuk e pyeti kush ishte. Vetëm ia ktheu pasaportën greke me një buzëqeshje mekanike, si të ishte duke ia kthyer një fytyrë që nuk i përkiste. Damian Leshpreleshta e futi dokumentin në xhep dhe, për një çast, pati ndjesinë se nuk kishte futur një pasaportë, por vetveten në një varr të vogël prej lëkure. Ishte i fundit i skuadriljes së para-Brexit. Të gjithë të tjerët kishin kaluar më herët, me besimin se Mbretëria e Bashkuar do të ishte një strehë. Ai kishte ardhur nga Athina. Emrin e shqiptonte greqisht. E kishte stërvitur gjuhën që të mos e tradhtonte. Vetëm kujtesa e thërriste ende në shqip. Në dosjet e shtetit ishte grek. Në ëndrrat e tij ishte shqiptar. Në pasqyrë nuk ishte askush.

Doktor me profesion, por shumë më tepër kirurg i heshtjes sesa i trupit. Dikur kishte ndërtuar kukulla me një përpikëri të çuditshme. Kukulla që nuk buzëqeshnin. Ato vetëm prisnin. Nuk dihej çfarë prisnin. Ndoshta pronarin e tyre. Ndoshta fundin.

Një mëngjes kishte lënë shtëpinë pa zhurmë. Gruaja nuk kishte dëgjuar derën. Fëmijët nuk kishin dëgjuar hapat. Më vonë, kur kërkuan shpjegime, gjetën vetëm mungesën. Dhe mungesa kishte qenë letra më e gjatë që kishte shkruar ndonjëherë. Ai nuk iku prej tyre. Ai iku prej vetes, sepse brenda tij banonte një kafshë që nuk kishte emër. Në fillim mendoi se ishte zemërim. Pastaj mendoi se ishte dëshirë. Më vonë e quajti frikë. Por asnjë nga këto nuk i rrinte mirë. Ishte diçka më e lashtë, më e errët, më primitive. Një tërbim që nuk kishte nevojë për arsye. Jeta është tërbim. Tërbimi seksual. Tërbimi edipian. Tërbimi politik. Tërbimi magjik. Tërbimi brutal.

Qytetërimi, mendonte ai, nuk është veçse një kostum i marrë me qira për të fshehur kafshën që rri ulur nën lëkurën tonë. Ne ndërtojmë universitete, parlamente, spitale, kisha, muze, vetëm që askush të mos dëgjojë ulërimën që na ngrihet nga kraharori. Ne ngremë njëri-tjetrin drejt qiellit. Dhe, po me të njëjtat duar, shqyejmë njëri-tjetrin copë pas cope. Në Londër nuk gjeti paqen. Gjeti një qytet që sillej si një organizëm gjigant nervor. Taksistët mallkonin sikur çdo semafor të ishte një armik personal. Autobusët lëviznin si insekte metalike. Gazetat flisnin për një vrasës serial që vriste gra me një copë betoni. Askush nuk çuditej më. Vetëm ndryshonte faqen. Qyteti nuk e pyeti kurrë pse kishte ardhur. Vetëm e përfshiu.

Në rrugët e tij, Damiani ndjeu se Londra nuk ishte qytet. Ishte një gjykatë. Nuk kishte gjyqtarë. Nuk kishte akuza. Nuk kishte mbrojtje. Megjithatë të gjithë ishin fajtorë. Çdo mëngjes zgjohej me bindjen se dikush po e ndiqte. Çdo mbrëmje kuptonte se ai njeri ishte vetë.

Një ditë, në një stacion metroje, pa një vajzë me një kapuç modern. Ajo nuk foli. Vetëm e pa. Ishte një vështrim aq i gjatë, sa Damiani mendoi se ndoshta kishin jetuar të njëjtën jetë në dy trupa të ndryshëm. Herën tjetër e takoi një grua tjetër. Dashuria nuk erdhi. Erdhi një tërheqje që i ngjante gravitetit. Ajo mbante në sy një kontinent tjetër. Fjalët e saj vinin nga ana tjetër e botës. Por në heshtje flisnin të njëjtën gjuhë. Ai e deshi. Pastaj pati frikë prej saj. Pastaj pati frikë prej vetes.

I ngjante sikur çdo dashuri zgjonte të njëjtën bishë që ai kishte kaluar dete për ta humbur. Në netët pa gjumë, kukullat filluan ta vizitonin. Nuk ishin më prej druri. As prej pëlhure. Ishin njerëzit që kishte lënë pas. Gruaja. Fëmijët. Athina. Shqipja. Ore shqeto fare Gjuha Shqipe! Madje edhe emri i tij. Të gjithë rrinin ulur në fund të dhomës, pa lëvizur. Prisnin që ai të pranonte se nuk kishte ardhur në Londër për të shpëtuar, por për t'u zhdukur. Ai nuk ishte emigrant. Ishte dëshmitari i zhdukjes së vet. Një mëngjes lexoi në gazetë se vrasësi serial ishte arrestuar. Qyteti mori frymë i lehtësuar. Damiani jo. E dini pse? Sepse e kuptoi se njeriu që kërkonte policia nuk kishte qenë kurrë armiku i vetëm. Qyteti prodhonte çdo ditë mijëra të tjerë. Me kostume. Me kravata. Me buzëqeshje. Me diploma. Me pasaporta. Edhe ai kishte një pasaportë. Edhe ai kishte një diplomë. Edhe ai kishte një emër. Por asnjëra nuk e shpëtonte nga gjyqi i padukshëm.

Një mbrëmje u kthye te Ura e Westminsterit. Tamizi rridhte poshtë si një kujtesë që nuk falte. Ai mbylli sytë dhe pëshpëriti lutjen e vetme që kishte përsëritur që nga dita kur kishte zbritur nga avioni: - Më ha, Mbretëri e Bashkuar… dhe më jep paqe.

Londra nuk iu përgjigj. Qytetet nuk përgjigjen kurrë. Ato vetëm vazhdojnë të ecin përpara, duke mbajtur mbi shpinë njerëzit që besojnë se mund t'i shpëtojnë vetes. Dhe ndoshta ky është dënimi më i madh. Njeriu nuk mund të emigrojë prej vetvetes. Mund të ndërrojë shtet. Mund të ndërrojë gjuhë. Mund të ndërrojë emër. Madje edhe fytyrë. Por kafsha që banon brenda tij nuk njeh kufij, nuk njeh Brexit, nuk njeh pasaportë. Ajo kalon e para në çdo pikë kufitare. Dhe e pret gjithmonë në anën tjetër.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page