top of page

Fatmir Terziu: Kadri Çopja – intelektuali i dy periudhave, shembull i qytetarisë elbasanase

Kadri Çopja – intelektuali i dy periudhave, shembull i qytetarisë elbasanase

 

Jeta dhe veprimtaria e Kadri Çopjes përfaqësojnë shembullin e rrallë të intelektualit elbasanas që arriti të ruajë dinjitetin, korrektësinë dhe vlerat qytetare në dy periudha të ndryshme historike të Shqipërisë. Ai mbetet një figurë e respektuar, jo vetëm për formimin e tij arsimor dhe profesional, por mbi të gjitha për karakterin njerëzor, përkushtimin ndaj punës dhe mirësjelljen që e shoqëroi në çdo etapë të jetës.

Figura e Kadri Çopjes nuk mund të shkëputet nga jeta familjare dhe traditat. Një moment i veçantë është fotografia e çiftit Çopja, realizuar më 30.03.1973, ku bashkëshortja e tij fisnike, Gjyliana, shfaqet e veshur me takëm shqiptarçe, me rrobat e nënës së Kadriut, Fatush Ahmedaj, të porositura e qepura në Stamboll në vitin 1938. Kjo pamje simbolizon lidhjen e fortë me rrënjët, kulturën dhe trashëgiminë familjare.

Kadri Çopja mbetet elbasanlliu i ndershëm, punëtor dhe i respektuar nga të gjithë: në Parkun e Mallrave, në Drejtorinë e Rimbursimit të Barnave në Elbasan, si dhe në rrethin e gjerë të të afërmve, shokëve e miqve. Ai ruan me mall kujtimet për gjyshen e mrekullueshme Shahe, për prindërit Fatush e Hajdar, për xhaxhallarët Halit e Kamber dhe për momdajat Sabire e Nashiferi, duke dëshmuar se njeriu i vërtetë nuk harron kurrë rrënjët e tij.

Më herët, një pjesë e rëndësishme e jetës së tij profesionale lidhet me Parkun Automobilistik të Mallrave në Elbasan. Në vitin 1982, si Shef i Financës, ai punonte me devotshmëri krah Zyrdije Ibrahimit në Degën e Kuadrit, Bukurie Trungut – llogaritare e parë, Manushaqe Çakallit – shefe e kuadrit, Andon Kristos – revizor dhe Tomorr Palloshit – shef i planit. Edhe në vitin 1985, Kadri Çopja vijonte punën në këtë institucion përkrah elbasanasve të njohur si Durim Arapi, Shyqyri Kaçuli, Naim Shypheja, Met Tusha, Ahmet Sefa, Kadri Hazballa, Thoma Nika, Bardhul Kruja dhe Lutfi Çota, duke lënë pas një emër të mirë dhe kujtime pozitive.

Pas viteve ’90, në një realitet të ri shoqëror e institucional, Kadri Çopja vijoi të kontribuojë me të njëjtën ndershmëri dhe profesionalizëm, duke punuar në Këshillin e Rrethit Elbasan. Ai gëzonte respekt të gjerë dhe shquhej për korrektësi, qetësi dhe seriozitet në marrëdhëniet profesionale, duke dëshmuar se vlerat e vërteta nuk varen nga koha apo sistemi, por nga njeriu.

Më 7 qershor 2025, Kadri Çopja festoi 60-vjetorin e Maturës së Gjimnazit “Qamil Guranjaku” në Elbasan, një ngjarje simbolike që riktheu kujtimet e një brezi nxënësish dhe mësuesish të shquar, të cilët hodhën themelet e formimit intelektual dhe qytetar të tij. Klasa e XI-të, para provimeve të Maturës së vitit 1965, përbënte një mozaik emrash që sot përmenden me respekt: drejtori Dr. Jovan Beça dhe mësuesit Nexhi Bordi, Karmelina Papleka, Asamble Kagjini, Ferdinand Shkalla, Xhavit Saraçi, Nazif Shmili, Kosta Hyka, Sytki Cerekja, Agim Sherra, Xhevit Belshaku, Agim Gjini, si dhe shumë nxënës që më pas do të linin gjurmë në jetën shoqërore dhe profesionale të qytetit.

Kujtimi i këtyre mësuesve të nderuar – Dr. Jovan Beça, Nexhi Bordi, Asamble Kagjini, Nazif Shmili, Kosta Hyka, Xhevit Saraçi, Xhevit Belshaku, Agim Sherra e Agim Gjini – mbetet i paharruar, sepse ata formësuan jo vetëm dije, por edhe karakter. Po aq i paharruar është edhe kujtimi i shokëve dhe shoqeve të klasës si Flora Gjini (Llanaj), Arta Xhaxho (Musai), Cvetan Kavaja, Hysen Xhaja, Agim Lazareni, Hasan Peqini, Agron Gani, Lumni Lufta e shumë të tjerë, me të cilët Kadriu ndau vitet më të bukura të rinisë.

Në përmbledhje, Kadri Çopja është një intelektual i dy periudhave, një qytetar me vlera të qëndrueshme, që i shërbeu shoqërisë me ndershmëri dhe dinjitet. Jeta e tij është një dëshmi se respekti fitohet me punë, korrektësi dhe njerëzi, vlera që mbeten të përjetshme. Ai përfaqëson modelin e intelektualit të heshtur, që nuk kërkoi kurrë protagonizëm, por fitoi respektin e të gjithëve përmes punës dhe njerëzisë.

Në një kohë kur shoqëria shqiptare ka nevojë për modele pozitive, figura e Kadri Çopjes mbetet dëshmi se qytetaria, ndershmëria dhe profesionalizmi janë vlera që i rezistojnë kohës dhe ndryshimeve.

1 Comment


Hasan Duka
Dec 21, 2025

Z Fatmir nje e vertete per kete zotri ke dhene me shume virtytet e qytetarine e z.Copja KAM pas njohuri edhe përpara por kam respekt te vecante per periudhën qe kemi punuar ne k.sh.rrethit e mbi te gjitha korrektësia e bashkepunimi e tjera JU pershendes e shendet

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page