Fatmir Terziu (Intervista): NJË KRIJUES SOT, MUND TË LIND NGA PASIONI I LEXIMIT
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 5 hours ago
- 16 min read

NJË KRIJUES SOT, MUND TË LIND NGA PASIONI I LEXIMIT
(Intervistë me shkrimtarin, studiuesin, kritikun, Profesorin e nderuar Nehas Sopaj)
Intervistoi Fatmir Terziu
Kanë kaluar thuajse tre dekada e gjysëm nga periudha kur edhe letërsia e trojeve shqiptare pati disi pikëtakime të ndryshme, që shërbyen të kenë frymë tjetër. Këto takime natyrshëm kanë dhënë dhe japin dhe një lloj funksioni tjetër legjitimues.
Sigurisht, funksioni legjitimues i letërsisë nuk është një patentë dhe zbulim i shtetit totalitar të shekullit të njëzetë, as i shtetit modern në përgjithësi. Që nga kohërat e lashta, monarkët dhe tiranët despotikë kanë qenë shumë shpesh patronë të jashtëzakonshëm të arteve. I gjithë arti monumental vizual i Egjiptit të Lashtë, Mesopotamisë dhe Persisë fillimisht kishte për qëllim të përjetësonte figura specifike historike të sundimtarëve në pushtet në atë kohë, por gjithashtu, paralelisht, të ngjallte një frymë adhurimi për aparatin shtetëror në përgjithësi. Nëse në rastin e parë arti ndërton një kult të sundimtarit, atëherë në të dytin ai legjitimon pushtetin si të tillë. Ky tekst nuk merret me aktet specifike letrare të kultit të personalitetit (ekuivalentët modernë të monumentalizimit antik), por më tepër me funksionin legjitimues të letërsisë. Ne e shohim letërsinë në shoqëritë totalitare jo thjesht si të nënshtruar ndaj kërkesave subjektive-voluntariste, por si të organizuar në rregulla të paracaktuara që rrjedhin nga drejtimi i përgjithshëm i procesit ideologjik. Një tekst mund të legjitimojë një ideologji specifike, një vendim specifik qeveritar ose autoritetin e institucioneve në përgjithësi, në një numër mënyrash. Këto metoda mund të ndahen gjerësisht në dy kategori: legjitimitet i drejtpërdrejtë dhe i tërthortë. Në legjitimimin e drejtpërdrejtë, teksti i përmbahet hapur një pozicioni të caktuar ideologjik dhe madje mund të diskutojë ngjarje specifike politike nga perspektiva e atij pozicioni. Letërsia shqiptare nga koha e totalitarizmit është plot me shembuj të tillë. Në fakt, janë pikërisht këto shembuj që korrespondojnë më ngushtë me formulimet kritike të realizmit socialist. Lufta e klasave, lëvizja partizane dhe ndërtimi i një lloji të ri shoqërie janë tema tipike për autorë të cilët zunë vende dhe ende mbajnë vende të tilla.

Këto tema trajtohen në një mënyrë të diktuar nga doktrina zyrtare ideologjike dhe interpretimi zyrtar i historisë. Personazhet janë stereotipikë (komunisti është “i mirë”, kapitalisti dhe „ballisti“, „kulaku“, oficeri i xhandarmërisë janë “të këqij”), përdoren skema shumë specifike të komplotit, në të cilat janë të pranishme veprime dhe situata të caktuara simbolike. Këto vepra synojnë të rishkruajnë historinë nga perspektiva e ideologjisë dominuese, të paraqesin problemet e modernitetit ashtu siç i shohin autoritetet (për shembull, të luftojnë kundër “kulakëve”) dhe të ndërtojnë një imazh pozitiv të kudondodhur të komunistit. Këto janë rastet më flagrante të legjitimimit të drejtpërdrejtë të pushtetit. Por dhe pas vitit 1990 pak është bërë për këtë, dhe madje ka shumë dilema të tjera, për disa arsye, të cilat janë shumë e shumë, e ne do ti trajtojmë më pas.
Për këtë e për shumë të tjera ne i drejtuam disa pyetje disa emrave të njohur të letrave shqipe anembanë territorit krijues shqiptar, pa parë aspektualitetin gjeografik dhe atë të ndarjes kufitare… Sot e nisim me shkrimtarin, kritikun, studiuesin, profesorin e mirënjohur Nehas Sopaj.
Kush është Nehas Sopaj?
Nehas Sopaj, lindi në vitin 1954 në Sllupçan të Kumanovës. Filloren e kryen në Opajë, të mesmen në Kumanovë, kurse studimet, gjuhë dhe letërsi shqipe në Shkup.
Studimet postdiplomike (dy vite) në Prishtinë, kurse magjistraturën e mbron më 1983.
Doktoraturën me titull “Rrëfimi në romanin monologjik shqiptar” e nis në Prishtinë, por e mbron në Shkup, më 1994. Duke filluar nga viti 1977, punon në gazetën “Flaka” si përkthyes, ndërkaq duke filluar nga janari i vitit 1980, punon në Katedrën e Albanologjisë në Shkup.
Veprat e botuara:
1. Këngët e blerta, përmbledhje poetike, Flaka, Shkup, 1973,
2. Algje, përmbledhje poetike, NGBG Rilindja, Prishtinë, 1973,
3. Të fala prej hënës, përmbledhje poetike, NGBG Rilindja, Prishtinë, 1975,
4. Në rreth, përmbledhje poetike, NGBG Rilindja, Prishtinë, 1979,
5. Gjysmëhëna, përmbledhje poetike, në Flaka, Shkup, 1980,
6. Gjëmat e gjëmisë, prozë (tregime e novela), Flaka, Shkup, 1985,
7. Kolonelit s’ka kush t’i shkruajë, përkthim nga kroatishtja, Rilindja, në vazhdime,
Prishtinë 1985.
8. Antologjia e poezisë erotike maqedonase, përkthim nga maqedonishtja, bot. Flaka
e Vëllazërimit, në vazhdime, Shkup, 1985.
9. Letër Lirijes, prozë (tregime dhe novela), NGBG Rilindja, Prishtinë, 1987,
10. Himeret e harbuara, përmbledhje poetike, Flaka, Shkup, 1988,
11. A. Pushkin - Përralla për peshkun dhe peshkatarin, përkthim nga maqedonishtja në
shqipe, Mislla, 1988.
12. B. Bojaxhiski: Lulet e para, përkthim nga maqedonishtja, Makedonska kniga,1988,
13. Në fund të Akeronit, prozë (tregime dhe novela), bot. Flaka, 1993, Shkup,
14. Rrëfimi në romanin monologjik shqiptar (disertacion doktoran-ture), gjendet në
fondin e Fakultetetit Filologjik në Shkup, 1994,
15. Kazani magjik dhe përralla të tjera (nga maq.) Shkup, 1996,
16. Lulet e verdha, poezi, Flaka, Shkup, l996,
17. Çapini, dramë-groteskë, Jehona, 1996, nr. 2-3,
Panoramë e poezisë kumanovare 75
18. Rrëfimi në romanin shqiptar, studim, bot. Shkupi, Shkup, 1996,
19. Letërsia moderne, doracak për vitin e IV të shkollave të mesme, Prosvetno delo,
Shkup, 1996,
20. Fluturimi mbi Sllupçan, roman për fëmijë, ShShShM, Shkup, 1997,
21. Paralelet letrare (studime: Purolirika shqipe dhe Rrëfimi në romanin shqiptar), bot. Shkupi, Shkup, 1998,
22. Rruga e gaforres, roman, Jehona e Karadakut, Kumanovë, 2000,
23. Letërsia për fëmijë (tekst universitar), bot. Fakulteti Filologjik, Shkup, 2000,
24. Alga e dalë nga deti, K.Sh., (zgjedhje nga poezia), bot. Jehona e Karadakut, Kumanovë, 2001,
25. Antologjia e poezisë së pastër shqipe, (prezentim antologjik - 24 autorë me parathënie), bot. K.Sh. Jehona e Karadakut, Kumanovë, 2002.
26. Unaza e humbur, roman, Jehona e Karadakut, Kumanovë, 2003,
27. Алги - Algjet (botim bilingual shqip - maqedonisht), bot. Макавеj, Скопjе,
28. Gjuhë shqipe dhe letërsi (në koautorësi me A. Hamitin), tekst për vitin IV të gjimnazit të reformuar, bot. Prosvetno Delo, 2004,
29. Energjia negative (Novela ose kallëzime lirike); poezi, prozë, dramë dhe intervistë,
bot. Jehona e Karadakut, 2006,
30. Letërsia për fëmijë, tekst universitar (i ripunuar dhe plotësuar); bot. Fak. Filologjik,
Shkup, 2007,
31. Alga e dalë nga deti, kolanë botimesh të tjera të letërsisë shqipe dhe maqedonase
(parathënie: A. Aliu), Manastir, 2008
32. Shpalimi i herbariumit (studime letrare); bot. Jehona e Karadakut, Kumanovë, 2008,
33. Individualitete letrare I – Beqir Musliu (studim), bot. Rozafa, Prishtinë 2008,
34. Dragi Mihajllovski: Skënderbeu im, roman (nga maqedonishtja përkth. Nehas
Sopaj), Jehona e Karadakut, Kumanovë, 2008,
35. Larg, zgjedhje nga poezia, me parathënie të F. Terziut, bot. Jehona e Karadakut,
Kumanovë, 2009,
36. Poeti dhe poezia (Interpretim dhe prezantim), bot. Jehona e Karadakut, Kumanovë, 2009,
Panoramë e poezisë kumanovare 76
37. Algae of the Sea, zgjedhje nga poezia, (shqip: Alga e dalë nga deti), kolanë botimesh të tjera të letërsisë shqipe dhe maqedonase përkth. Dorian Koçi, bot. Mikena,Manastir, 2010,
38. Далеку, избор од поезиjата, изд. Макавеj, Скопjе, 2012,
39. Individualitete letrare II - Teki Dërvishi (studim) bot. Lidhja e Shkrimtarëve Shqiptarë, Shkup, 2013,
40. Çapini, dramë, bot. LShSh, 2015,
41. Zjarri që ha dhe pi veten, zgjedhje nga vepra letrare e autorit, bot. Logos A, Shkup, 2016.
Anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Maqedonisë që nga 1979; anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve Shqiptarë të Maqedonisë (themelues) që nga vëllimi 1995, anëtar nderi
i Shoqatës Drita të Athinës, anëtar nderi i Shoqatës Haiku në Elbasan. Pos pjesëmarrjeve të shumta në vend, në trojet shqiptare, pjesëmarrje aktive në simpoziume e seminare të gjuhësisë, letërsisë dhe kulturës shqiptare si dhe në manifestime kombëtare dhe ndërkombëtare, mes tjerash, veçojmë:
-Mbrëmjet Poetike të Strugës, (shumë herë që nga 1974 – 2012),
-Takimet poetike ballkanike në qytetin Gërxheli, R. e Bullgarisë (2007),
-Takimet poetike në Lodėve të Francës (2007), etj.
Shpërblime:
-Vendi i parë, për poezinë Paralele; rev. letrare “Zëri i Rinisë”, 1972, Prishtinë;
-Vendi i parë, për ese, rev. letrare “Zëri i Rinisë”, 1973, Prishtinë;
-Vendi i parë, për tregimin “Rënia e lirë”, te rev. letrare “Jehona”, Shkup,1985;
-Vendi i dytë, për tregimin “Janusi me dy fytyra”, te gazeta “Rilindja”, Prishtinë,1986;
-Vendi i parë, për poezinë “Kataraktet” te rev. letrare “Pegasi”, Athinë, 2004.
Panoramë e poezisë kumanovare 77
Çmime:
1. Çmimi i parë për poezi në "TAKIMET POETIKE TË KARADAKUT", Kumanovë, 2006
2. Çmimi “SHËN JERONIMI”, akorduar nga “Takimet poetike të Mikel Tarabulluzit”, në
Stubëll të Vitisë, 2012,
3. Çmimi “BEQIR MUSLIU” për vepër letrare të vitit 2014, akorduar nga Kuvendi Komunal i Gjilanit,
4. Çmimi “PENA E ANTON PASHKUT”, Zym të Hasit, Prizren, 2018.
INTERVISTA:
1. Do të filloj me librat tuaj të fundit të botuar. Cila është gjëja më e rëndësishme që ideoet në librat tuaj? Mediat theksojnë se këto botime përbëjnë një ngjarje të veçantë kulturore dhe letrare, duke ndriçuar më tej veprën tuaj me kontribut të jashtëzakonshëm në fushën e poezisë, prozës, dhe kritikës shqiptare. Ju si mendoni me pak fjali?
- Të falënderoj shumë mik për konsideratën që ke për mua, miqësia jonë e moçme, sa po më “ledhaton”, nga ana tjetër kjo gjë po më bën paksa të ndjehem keq për shkaqe të ndryshme. Sepse, të krijosh letërsi dhe studime si rasti im, nuk është ndonjë privilegj si mund ta mendoj dikush, sepse sot të krijosh në vendlindje, i tërhequr nga opinioni, kjo nuk do të thotë se e ke gjetur qetësinë për krijimtari, po përkundrazi, kjo do të thotë të kesh më shumë armiq se sa miq, të të bëjnë “helaqe” mu ata që s’i ke ditur për të tillë. Sepse, në atmosferën përherë nebuloze dhe të disekuilibruar kulturore shqiptare te ne, veprat e krijuesve vazhdojnë të mbeten të pavërejtura nga opinion publik relevant. Sa u përket veprave të mia, duhet thënë se lexuesit e dinë se brenda këtyre dy dekadave të fundit, në planin e veprave artistike, unë në fakt nuk kam sjellë gjë të re, por thjesht i kam “ritushuar”, ripunuar dhe rikrijuar temat dhe motivet e dikurshme që gjithë jetës i kam bërë, kështu që tre romanet me titull “Vallja e vdekjes së verdhë”, lexuesi mund ta gjejë si një fakturë e re të shkrimit të veprave të tjera, parake, pra ato janë shkrimet e mia të dikurshme, të bëra në fizionomi të re. Nga ana tjetër, e re për lexuesit, është vepra Individualitete letrare 1 - 30, që është teksti në të cilin është mbarështruar letërsia bashkëkohore shqipe; kjo është lënda e leksioneve të cilët i kam zhvilluar para studentëve të mi me dekada derisa u pensionova.
2. Si duken sot me njëra-tjetrën letërsitë e krijuara në territoret e banuara me shqiptarë? Si e shihni Shqipërinë dhe letërsinë e saj nga disa kilometra larg, që në fakt nuk duhet konsideruar si largësi?
- Përgjigjen mund ta them në dy planëshe, në fillim në cilësi të krijuesit letrar dhe së dyti në cilësi të profesorit të lëndës letërsi bashkëkohore shqipe. Natyrisht, më me ëndje do të dëshiroja t'i përgjigjem pyetjes së parë, por meqë kësaj pyetjeje mund të pasojnë pyetjet e tjera që mund të pasojnë e që do të m'i shtrosh, le të përgjigjem kësaj të dytës. Letërsia shqipe e krijuar në të gjitha hapësirat shqipe, është një dhe e njëjtë, kudo që të zhvillohet ajo. Për më tepër se gjysëm shekulli, ç'prej se ekziston letërsia shqipe, ajo është zhvilluar e njëjtë si në Shqipëri, në Kosovë, ashtu edhe në Maqedoni. Shkrimi shqip ka qenë i njëjtë, pa marrë parasysh fizionomitë e tyre gjuhësore, me idioma të caktuara stilistike që nuk ia prishin shijen lexuesit. Hiq elementet e theksuar të soc-realizmit të periudhës komuniste, letërsia shqipe është po ajo, me fare pak dallime, por kjo, jo vetëm sepse është shkruar në një gjuhë të njëjtë. Sa larg të jetë kjo letërsi, si psh. ajo tek Arbëreshët e përtej Adriatikut, pa marrë parasysh idiomat e theksura dialektore (disa madje e quajnë dialekt më vete), ajo është e njëjtë, sepse ështe shqipe edhe ajo.
3. Si e shohin kolegët tuaj dhe studentët letërsinë shqiptare sot? A është dukshmëria e dëmtuar në ndonjë këndvështrim dypalësh?
- Nuk jam shumë i sigurtë për mendim kolektiv, sepse secili mund të mendoj si të dojë, por mesa ma merr mendja mua, besoj se edhe ata duhet ta mendojnë njëlloj si edhe unë... Pyetjen më poshtë mund ta vëzhgojnë individët si të dojë akëcili.
4. Meqenëse kombinoni perspektivën e një shkrimtari me emër, një studiuesi dhe kritiku letrar dhe një poeti të mirënjohur, a vini re ndonjë të metë të pakapërcyeshme në letërsinë shqiptare që përsëritet periodikisht në epoka të ndryshme?
- Nuk e kam fort të qartë se ç'doni të thoni me fjalën si të metë të pakapërcyeshme, por nëse e ke fjalën për karakterin gjuhësor të akëcilit krijues, ose ndonjë fenomen të caktuar të ndonjë krijuesi, atëherë unë do të orvatem të them se çka mendoj për çështjen. Gjuha shqipe është gjuhë e rrallë dhe ndër ato gjuhë që nuk ka simotër në botë dhe si e këtillë ka forcën e unikalitetit që me të tjerët komunikon dhe mund të vejë koleracion me mjetet e saj që po, ashtu është e veçantë dhe se si e tillë, ajo mund të komunikojë si edhe të gjitha gjuhët e tjera të botës. Pastaj, kahmot, është thënë se disa krijues është vështirë të përkthehen, dhe nëse edhe ndodh edhe të përkthehen, përkthimi i tyre o bëhet i dobët, o humbin shumë nga origjinaliteti. Si shembull, studiuesit e kanë marrë për ilustrim Lasgush Poradecin. Ka mendime të ndryshme për të njëjtin kuptim, por ka edhe shkrimtarë, të cilët, thjesht nuk përkthehen. I këtillë është psh. Beqir Musliu, thjesht, për shkak të formacionit stilistik në të cilin është shkruar vepra e tij; secili lexues i cili e di stilin surrealist të Beqirit, e di se në përkthim surrealizmi i tij do një ndërbartje që vështirë se mund të bartet në qarkun tjetër gjuhësor tjetër, më saktë si mund të tingëllojnë mjetet e reja gjuhësore.
5. Çfarë mendoni për gjendjen letrare të sotme? A duhet fajësuar tranzicioni dhe e shkuara për diçka, për shembull?
- Si po e përfytyroj pyetjen unë, me frazën „gjendje e sotme letrare“ e ke fjalën te zhvillimi i letërsisë sonë bashkëkohore që me solucionin „fajësim“ tek tranzicioni dhe e shkuara, që dmth., se a ka ndodhur diçka në procesin normal të zhvillimit gjatë kontinuitetit. Me këtë pyetje, ma kujtove një moment të kohës së para tre dekadave kur ne në Katedër të Albanologjisë në Shkup, organizuam një simpozium të cilin e pagëzuam Kontinuitete (letrare, gjuhësore, folklorike, pedagogjike e tj.), një kohë kur sapo kish rënë komunizmi si ideologji, dhe, sado që akoma e gjallë ishte miniperandoria jugosllave dhe kur ne me kaq entusiazëm po e përqafonim tranzicionin... „Gjendja“ për ne që ishim nën tutelën e jugosllavizmit, tek sivëllezërit tanë të Shqipërisë merrej krejt ndryshe nga ne „këtej“, gjersa ne po merrnim frymë se po çliroheshim nga robëria e mirëfilltë millosheviçiane, i shihja te pala tjetër, të Shqipërisë pra, tek filluan të flisnin kundër soc-realizmit me shumë entusiazëm dhe patos... Kjo kohë tashmë ka kaluar, ka kaluar, por nuk ka ndodhur ajo që ne të njihemi definitivisht deri në fund si jemi, deri në palcë; mendoj se do të na duhet akoma kohë deri sa ta njohim mirë njeri-tjetrin. A, akoma nuk po i shihni kolegët e mi të punës, të katedrave të ndryshme të gjuhë-letërsisë shqipe (të Tiranës, të Shkodrës, të Elbasanit etj...), të cilët akoma nuk dinë asgjë për Teki Dërvishin, Beqir Musliun, Musa Ramadanin, etj, e tj... Nuk i fajësoj kolegët e mi, sepse ata të thonë se ku t'i gjejnë këta shkrimtarë dhe këto vepra që ata kanë dëgjuar se janë dikund, por ne nuk i kemi lexuar! Megjithtë, e gjithë ajo oligarki botuesish, që janë të gatshëm të botojnë lloj-lloj porno literaturësh, por jo edhe kryeveprat e letërsisë shqipe të cilët akoma nuk janë botuar në Tiranë, në kryeqendrën shqiptare! Kanë shkuar mëse tre dekada që shoqata shkrimtarësh, botues, institute, akademi, katedra e lloj-lloj institucione kulturore, që nuk e bëjnë detyrën e tyre intelektuale kombëtare!
6. Ju keni një seri prej tre librash rreth krijimtarisë shqiptare në vite. A rrjedhin këto vite, apo dekada, në njëra-tjetrën, apo ka ndarje të qarta midis tyre?
- I dashur Fatmir, ju po më pyetni për gjëra që unë thjesht kam harruar krejt që kam bërë në jetë; në të vërtetë, i izoluar me më shumë se gjysma e jesës sime, kaq shumë kam harruar si duket itinerari im letrar profesional. Ti po më flet për tri libra, tre individualitete letrare, tek të cilët kam punuar shumë vite, Martin Camaj, Teki Dërvishi dhe Beqir Musliu... Nuk janë vetëm ata me të cilët kam kaluar duke i lexuar, analizuar dhe studiuar, edhe vetë si krijues unë kam bashkëkrijuar me të gjithë shkrimtarët bashkëkohorë shqiptarë; unë kam bashkëjetuar edhe me shumë shkrimtarë të cilët as që kam patur shans t'i njoh por të cilët i kam lexuar dhe depërtuar në shpirtërat e tyre, natyrisht disa më pak, disa më shumë, varësisht nga pasioni që kam patur për ta. Beqir Musliu për shembull, ka qenë pasioni im i filleve të mia letrare, kohësisht nuk di si ta ndaj, sepse fillet e mia letrare kanë nisur shumë herët që më 1970, në vitin e parë të gjimnazit, kurse Beqir Musliu në tru m'u ngjiz që me fillesë, për të m'u hequr pas tre vitesh, për të m'i rikthyer që nga viti 1983 për të mos m'u hequr kurrë, duke e lexuar fillim e fund, pjesë të caktur duke i rilexuar nga disa herë, edhe sot... Mendoj se një krijues sot, mund të lind nga pasioni i leximit, kurse sa më përket mua personalisht, mendoj se më shumë se krijues, veten e vlerësoj si lexues i mirë... Mendoj se një krijues, në atë moment kur e humb pasionin e lexuesit, pushon që qeni shkrimtar. Jo, as vetë nuk i kam të qarta të gjitha fazat e lindjes, zhvillimit dhe pjekurisë krijuese, shumë gjëra nuk i mbaj mend, kur dikur edhe kam përjetuar një emboli ç'prej kur edhe kam filluar ta humb pasionin e leximit!
7. Meqë ra fjala, cila është dekada "më interesante" nga të treja?
- Nëse e ke fjalën pra për krijuesin i cili paraqet si „më interesant“, atëherë po e përsëris se ky është Beqir Musliu. Ai është më interesanti, ai definitivisht më intigron me shfaqjen e tij si fenomen. I është më „rëndi“, më abstrakti, më i papërsëritshmi. E di se para tij zbrapsen edhe gjenia kolektive shqiptare. Ja po e them për së pari, se, nëse e gjithë vepra letrare e I. Kadaresë kohën e ravijëzon horizontalisht me karakterin historik që ka, që dmth. veprat e tij tematikisht lidhen që nga periudha parahistorike e deri në bashkëkohësi (shih pra Piramida, Keopsi, Kush e solli Duruntinën, Pallati i ëndrrave... e deri te Gjenerali i ushtrisë së vdekur), te B. Musliu koha ravijëzohet vertikalisht. Gjersa te I. Kadare koha është reale, dmth. e karakerit historik, te B. Musliu koha shndërrohet nis e sos në mite dhe në metafizikë. Koha gjendet në librat e shenjta, Bibla, Kurani,Talmudi e tj., kurse realizimi i tyre gjendet në figurat mitologjike, biblike, shpesh zoomorfe etj.
8. Dhe a keni arritur në ndonjë përgjigje për pyetjen se si sqarimi letraro-historik balancon vlerën "e brendshme" të një vepre dhe mekanizmat për afirmimin e saj publik?
- Le të përpiqem të sqaroj. Unë fillet e mia postdiplomike i kam nxënë në Prishtinë, kurse mentor e kam patur profesor Rexhep Qosjen dhe ajo që unë patjetër duhet t'i falënderoj atij përherë, është orientimi që më bëri ai drejt formalistëve rusë, më saktë te Mihail Bahtini. Vepra e M. Bahtinit „Poetika e dialogut Dostojevskit“, ka qenë model imi preferuar për t'i filluar njohuritë fillestare për poststrukturalizmin që më udhëzonte pastaj drejt posmodernizmit. Pastaj, Abati Henri Bremond, për mua m'i krijoi bindjet për artin letrar, tek e cila, poezia e pastër ose purolirika, do të jetë idetë se e gjithë lufta e fjalës dhe të mendimit është rruga e përhershme e artistëve drejt përsosjes së fjalës, lidhjes së fjalës së menduar drejt dritave të shpirtit njerëzor. Poezia është kulmi i ndërlidhmësrisë së muzikës së fjalëve, ngjyrërave të saj, dridhshmëritë e shpirtit, pasionet e mimezisit dhe katarsës poetike. Detyra e interpretuesve të artit kurrë nuk guxojnë të bien në zgafellën e ideologjive të të gjitha ngjyrave, kanoni i poezisë (mos harroni, të poezisë në kuptimin e gjerë të fjalës, pra poezi, prozë e dramë tok) është fjala e zgjedhur artistike, fjala, leksiku i zgjedhur, forca e saj e pafund.
9. Në fund të fundit, a mund të riorganizohet, apo edhe riorganizohet kanuni letrar sot? Apo mund të rregullohet vetëm pak?
- Gjuha e zgjedhur e shkrimtarit është mjeshtria e zotimit të saj dhe vetëm mjeshtrit që dinë ta bëjnë sa më unike gjuhën, të mëvetësishme, sa më unikale, vetëm ata mund të jenë zot të atij që sot ne mund ta quajmë kanun letrar. Në mesjetë, Nikola Boalo e krijoi veprën „L'art poetique“ që në fakt është autori i kanonit klasicizmit të ri, që disa e quajnë pseudoklasicizëm. Mjeshtrit, maestrot. Në kohë të midis dy luftave botërore, Gjergj Fishta me „Lahutën e Malciis“, por edhe me gjithë veprat e tij letrare, e kodoi gegënishten, si normë e shkrimit; ju e dini sa toskë filluan të shkruajnë sipas modelit të shkrimeve të Fishtës. Gjuha e Ismail Kadare, sikur e normoi, kodifikoi dhe e vulosi gjuhën e sotme, e bëri të aftë që ajo të komunikojë me të gjithë lexuesit e botës. Jo vetëm që ajo i drejtohet lexuesit joshqiptar, lirshëm dhe pa kurrfarë problemi, por edhe sepse ajo e parallogarit secilin element të gjuhës, sidomos sintaktën, të gjitha elementet fonologjike të saj. E di, e di edhe më shumë, sepse unë kam qenë në fazën e lexuesëve të cilët viti 1972, i zu në hall me normën e re letrare, me „panatyrshmërinë“ e saj, sa kisha filluar të kënaqem me gegënishten time amtare, me veprat e përkthyera të stërpërkthimit gegënisht, norma e re që u fut shkollën fillore kaq më vinte mbrapsht, sa që m'u deshën vite deri sa u mësova me normën unike të shqipes. Por sot? A mund ta tejkalojmë normën e Kadaresë?
10. Kur krahasoni letërsinë shqiptare para dhe pas vitit 1990-të, çfarë ngjashmërish dhe ndryshimesh dalloni midis tyre?
- Dallime kardinale. Në fillim, është shlyer ideologjizma si një fluskulë artificiale, tematika e shkrimtarëve është zgjeruar, është begatuar stilematikisht, fuqitë e gjuhës që ajo vetë të depërtojë në brenditë e lexuesëve, që i bëjnë vetë shkrimtarët... Pra, edhe formalisht gjuha e shkrimtarëve është tjetërsuar...
11. Dhe meqenëse ju jeni mjaft i lidhur me Tiranën, dua të dëgjoj se si lidheni me idetë e kryeqytetit shqiptar të Shqipërisë dhe kryeqyetetit të Kosovës në letërsi dhe kulturë. Dhe gjithashtu: a ka ndonjë problem me rajonalizmin në jetën letrare sot?
- Mjerisht, në Tiranë ka shumë vite që nuk kam qenë, sado që po shoh e po dëgjoj se kryeqyteti shqiptar gjithnjë e më shumë po u ngjet metropoleve botërore. Unë vazhdoj të jem i izoluar, kurse këto vite të para të dekadës sime të viteve shtatëdhjetë, nuk besoj se do të kem kohë më të ndryshoj gjë në ritmin tim jetësor. Nuk jam ndër ata që dinë të depërtojnë, nëse dikush më thërret, unë i përgjigjem, nëse jo, hesht, nuk bëhem i gjallë. I urrej kasnecës që turren pas gjahut të huaj, jam mësuar t'i duroj të gjitha poshtërsitë e tgyre që m'i bëjnë të tjerët, sado që nuk ua harroj kurrë të keqen. Dikur, në vitet e para të postkomunizmit kur për herë të parë e pamë Tiranën, në takimet e ndryshme letrare, shkencore e takime të tjera, isha i pranishëm, por sot kur tri metropolet shqiptare, Tiranë, Prishtinë e Shkup, po vlojnë me politikë, promovime, shpesh pa vlera, ju thashë se vazhdoj të jem larg tyre. Jo që po e dua të dal nga kjo gjendje apatie dhe angështie kulturore, por ja që sot po vazhdon avazi i së keqes si në kohë të robërisë klasike.
12. Çfarë nuk po shohim, çfarë po humbasim në letërsinë bashkëkohore? Diçka që ende nuk e kemi kuptuar, ose vlerësuar?
- A ta them, a mos ta them? Po ja që po ua shploj vetëm një nga xhevahirët e kësaj „fitoreje“ timen: teksti im „Individulitete letrare 1 – 30 (Letërsia bashkëkohore shqiptare)“ i botuar nga Instituti për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve të Maqedonisë në Shkup në vitin 2023, është botuar, është „promovuar“ pa më ftuar fare mua si autor. E pra jo, nuk është ky kurrfarë xhevahiri që po dëgjon ti miku im tash: po pra, mu teksti Letërsia bashkëkohore shqiptare, para të cilit janë shtruar studentët e Katedrës së Albanologjisë në Shkup, në promovim të librit në fjalë, mezi ma zë emrin në fjalë studenti im të cilit ia kam dhënë dhjetë!. Do të kish qenë vetëm barcoletë rasti dhe si një nga xhevahirët e këtij sihariqi që do të ishte për Ginis, nëse krejt kjo farsë një ditë do t'u përplaset faqeve jo vetëm një nga akterët e maskaradave të përditshme, por edhe shumë e shumë pionëve më të ndotur të Republikës së Maqedonisë së Veriut!
13. A mund të më jepni ndonjë këshillë, në fakt dy këshilla. Së pari, si mund të vazhdojmë gjatë një periudhe të tillë kur i kemi mundësitë të bëhemi një edhe në Letërsi, sikurse dhe në Gjuhë? Dhe së dyti, çfarë duhet të bëjmë pasi të shtrohet ideja publike për këtë qëllim?
- Fatmir, sa po të kuptoj, gjuha dhe letërsia shqipe është një dhe e njëjtë, e këtillë është si në Tiranë, ashtu edhe në Prishtinë e në Shkup. Nuk desha ta përmend rastin e një libri timin, sepse raste të këtilla ka shumë, ka shumë edhe më drastikë dhe të pafund; i kemi dhe do t'i gjejmë vazhdimisht në rrugë për të ardhmen që na pret të gjithëve sot.
Shënim sqarues:
Intervista është eksluzive për revistën „Albanian Post“ në Londër, dhe për www.fjalaelire.com Nuk lejohet as shpërndarja, as kopjimi dhe publikimi në rrjetet e tjera, mediume apo blogje, apo dhe në gazeta e revista. Nuk lejohet publiku i plotë në rrjetet sociale, përveç idjes tek origjinali. Në të gjitha rastet do të veprohet sipas ligjit.
Comments