Fatmir Terziu: Haga mes drejtësisë penale dhe gjykimit të historisë
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 10 hours ago
- 2 min read

Haga mes drejtësisë penale dhe gjykimit të historisë
Nga Fatmir Terziu
Akuza e fundit e Prokurorisë Speciale në Hagë, sipas së cilës Hashim Thaçi ka “manipuluar” diplomatët ndërkombëtarë që dëshmuan në favor të tij, hap një debat që shkon përtej individit dhe prek vetë natyrën e drejtësisë ndërkombëtare kur ajo përballet me luftëra çlirimtare. Në thelb, nuk është më fjala vetëm për krime të supozuara lufte, por për një rishkrim të marrëdhënies mes politikës, diplomacisë dhe konfliktit të armatosur në Kosovë. Prokuroria pretendon se figura si James Rubin, apo Wesley Clark nuk e kanë kuptuar “realitetin” e funksionimit të UÇK-së, sepse janë mashtruar nga aftësia politike e Thaçit për të “maskuar” të vërtetën. Kjo tezë, më shumë sesa akuzë ndaj të pandehurit, është një akt i drejtpërdrejtë mosbesimi ndaj vetë diplomacisë perëndimore të viteve ’90. Nëse pranohet logjika e Prokurorisë, atëherë del se arkitektët politikë dhe ushtarakë të ndërhyrjes së NATO-s kanë qenë ose naivë, ose të painteresuar për të kuptuar realitetin në terren. Kjo nuk është thjesht një çështje prove penale; është një akuzë politike ndaj një epoke të tërë vendimmarrjeje ndërkombëtare.
Përpjekja për ta rrëzuar argumentin e mbrojtjes se Thaçi kishte rol politik, duke e paraqitur atë si pjesë të një “qëllimi të përbashkët kriminal”, e zhvendos procesin nga analiza e veprimeve individuale në ndërtimin e një narrative kolektive faji. Kjo është një strategji e njohur në tribunalet ndërkombëtare: kur zinxhiri i urdhrave nuk provohet qartë, përgjegjësia shpërndahet si abstraksion strukturor. Por pikërisht këtu lind paradoksi: sa më kolektiv të bëhet faji, aq më i paqartë bëhet autori konkret i krimit. Kërkesa për 45 vite burg për secilin nga krerët e UÇK-së nuk u perceptua nga opinioni publik vetëm si masë ndëshkuese, por si sinjal simbolik. Reagimet e forta nuk lidhen thjesht me mbrojtjen e individëve, por me frikën se drejtësia ndërkombëtare po barazon një lëvizje çlirimtare me struktura kriminale të organizuara, duke e zhveshur kontekstin historik nga domosdoshmëria morale e rezistencës ndaj represionit.
Në këtë proces, Haga duket se ndodhet në një tension të vazhdueshëm, të ruajë standardet penale formale dhe njëkohësisht të mos gjykojë historinë me instrumente të ftohta juridike. Por kur prokuroria sulmon besueshmërinë e dëshmitarëve ndërkombëtarë që vetë kanë qenë pjesë e formësimit të realitetit politik të kohës, lind pyetja thelbësore: a po kërkohet drejtësi, apo po ndërtohet një version alternativ i historisë së Kosovës? Seancat përfundimtare që do të zgjasin deri më 18 shkurt pritet të jenë më shumë se një akt procedural. Fjala e fundit e të akuzuarve do të jetë, në të vërtetë, një përballje mes dy narrativave: asaj juridike që kërkon përgjegjësi individuale dhe asaj historike që kërkon kuptim kolektiv. Dhe pikërisht në këtë hendek, drejtësia ndërkombëtare rrezikon të humbasë jo legjitimitetin formal, por besimin moral të një shoqërie që ende e sheh luftën e saj si akt mbijetese, jo si projekt kriminal.









Comments