Fatmir Terziu: GRISJEN E NJË LIBRI
- 2 hours ago
- 2 min read

GRISJEN E NJË LIBRI
…ose ndoshta
thjesht
grisjen e një ditënate
që nuk pranoi të mbaronte.
Dritaret e qytetit rrinë zgjuar.
Ato kanë mësuar
ta fshehin lodhjen
brenda dritës.
Gratë kalojnë përsëri,
të hijshme
si një mendim që nuk ndalet dot.
Takat
e godasin trotuarin
me autoritetin e një ore zvicerane.
Asgjë nuk vonohet këtu.
As malli.
As vetmia.
Lumi rri i qetë
si një njeri
që ka vendosur
të mos tregojë më asgjë.
Dhe unë,
i ardhur nga një vend
ku dhimbja flet me zë të lartë,
mësoj heshtjen
si një gjuhë të huaj.
Ne vijmë gjithmonë
nga diku që digjet.
Edhe kur buzëqeshim.
Edhe kur mbajmë pallto elegante
dhe themi “faleminderit”
me shqiptim të kujdesshëm.
Një emigrant
është një valixhe
që ecën vetë.
Brenda saj,
një nënë,
një rrugë me pluhur,
dy ose tre dimra të pambyllur,
dhe aroma e bukës
që nuk piqet më askund tjetër.
Këtu
edhe pemët
duken të disiplinuara.
Edhe qentë.
Edhe trishtimi.
Burri në kioskë
më njeh tashmë nga fytyra.
Ai ma jep gazetën
si të më dorëzonte
një version të vogël të botës.
Ne nuk flasim shumë.
Njerëzit e qytetëruar
i kursejnë fjalët
si energjinë elektrike.
Vetëm ura
vazhdon të lidhë brigje
që s’e duan njëri-tjetrin plotësisht.
Vetëm lumi
nuk bindet.
Ai ikën.
Pa pyetur.
Pa kthyer kokën.
Dhe ndonjëherë
mendoj se njeriu
ngjan me një libër të lagur,
sa më shumë mundohet
të ruajë formën,
aq më tepër
i grisen faqet.
Republika e shpirtit tim
ka ende kufij të mbyllur.
Por sonte
dikush trokiti nga brenda.
Dhe për herë të parë
nuk pata frikë
ta hap.
NJË PËRPJEKJE PËR TU ZGJUAR
Është
si të dëgjosh
një dritare që kuis nga era.
Është
e ngadaltë,
si gjethet kur kuptojnë
se vjeshta nuk bën shaka.
Është
pak e turpshme,
njerëzit
e fshehin shpesh shpirtin
pas një filxhani kafeje.
Është
si të kërkosh emrin tënd
në një qytet
që nuk të mban mend.
Dhe prapë,
dikush zgjohet
çdo mëngjes
me fytyrën ende të thyer nga ëndrrat
dhe i thotë botës,
“edhe sot
do të provoj.”
Është e çuditshme
sa shumë zhurmë bëjnë
gjërat që vdesin brenda nesh
pa nxjerrë asnjë tingull.
Është
si të mbash ujë
në duar.
Si të bindësh errësirën
të mos hyjë.
Si të mësosh zemrën
të flejë pa frikë.
Ne dimë shumë pak
për mënyrën
si njeriu rikthehet tek vetja,
por disa thonë
se fillon kështu,
me një frymëmarrje të vogël,
me një dritë
që nuk bie në sy,
me një zog
që vazhdon të këndojë
edhe mbi telat e tensionit.
Ndoshta
zgjimi nuk është triumf.
Ndoshta është vetëm
ajo përpjekja e heshtur
për të mos u bërë gur.
Rreth, vetëm rreth kësaj bote,
që nga mungesa jote.









Comments