Prend BUZHALA: KOKRRAT QË S’I NUMËROVA
- 4 hours ago
- 3 min read

(Kryeradhë vargjesh)
Kur më pyesin tani
ç’do të bëhesha sërish,
nuk them: mbret a shenjtor,
as emër nëpër gurë;
nën hijen e një mani
do t’i kërkoja shqipërisht
ato rrugë pa lule e kurorë
e jo veç zë në mur.
Kam bartur ditë të rënda,
kam mbjellë pa bërë zhurmë,
kam ngritur pak nga pak
ç’të mundja mbi rrënim;
kam humbur e pritur si në gjëmba
kam ecur pa kthim pa gjurmë
e mësova se çdo hap
ka peshë në një udhëtim.
Më ndodhi të kem fjalë
që s’i thashë në kohë,
e njerëz që më deshën
kur vetë s’e dija pse;
kam parë lavdinë si valë
vjen e ikën si borë
kurse buka e ndarë ngeshëm
mbetet më gjatë se ne.
Desha të shkruaj dikur,
jo që të më mbajnë mend,
por që të mos i braktisje
ato çaste pa emër;
nëse lashë ndonjë gjurmë,
le të mbetet në vend
si hije e një drite
që kaloi nëpër zemër.
Dhe sot, kur hesht më shumë
se dikur në rini,
nuk pyes ç’fitova vallë
as ç’humba nëpër mot;
mbledh kokrrat e jetës-lumë
si bujku pas korrjes së tij:
ca i mori era me mall,
ca ende më ushqejnë sot.
(maj 2026)
----------------------------------------
Ç’MË MBETI NGA JETA
(Kryeradhë vargjesh)
Mos më pyesni ç’kam qenë,
as ç’emër kam kërkuar,
kam ndërruar stinë e rrugë
si lumi gurët e vet;
e çdo ditë më ka lënë
më shumë se ç’kam fituar,
kam mësuar duke humbur,
një pyetje, një amanet.
Kam qenë në pragje motesh,
ku nata s’kishte fund,
kam pritur një fjalë të thjeshtë
më shumë se një lavdi;
e pashë kur ritesh e mbrohesh
jo kur bëhesh më i mundur,
por kur ruan të ndershmen
edhe në vetmi.
Kam pasur duar të lodhura,
po jo zemër të varfër,
kam lënë pas ndonjë hije
dhe ndonjë dritë pa zë;
e ka një çmim si e njohura
në ecje e nesërmja e qashtër
e askush s’e merr me vete
rrugën që e lë.
Desha të jem i urtë,
po mbeta njeri më shumë,
me gabime e me shpresa,
me një këngë përbrenda;
tash s’i numëroj vitet e gurtë,
as ditët që vijnë s lumë,
mbledh vetëm ato çaste
si në të zbrazëtat ëndrra.
Në fund, nëse më mbeti
diçka që s’e mori era,
nuk është emri im
as ndonjë fjalë lavdie;
është një shpirt si deti
sytë që më deshën nga hera,
janë kokrrat e jetës shqim
si mësime njerëzie.
(maj 20226)
-------------------------------
GURI SIZIFIAN
(Kryeradhë vargjesh)
Çdo mëngjes e ngre
atë gur të rënduar,
në shpatet e jetës
ku fryn një erë e ftohtë,
me duar të lodhura
e shpirt të sprovuar,
si njeri që pyet
ç’mbetet nga kjo botë.
Eh, s’qenka veç gur,
por barrë kujtimesh,
fjalësh të pathëna,
ëndrrash pa strehim,
e rrëzohet dikur
nëpër humbje pritjesh,
prapë e ngre zemra
në heshtje pa ankim.
Si Sizif në mal
e shtyn përpjetë fatin,
kur dita bëhet natë
e nata s’ka agim,
njeriu mëson ngadalë
ta durojë vrapin,
e gurin e jetës së gjatë
e kthen në qëllim.
Dhe ndodhin ato çaste
kur s’lodhesh më prej barrës,
kur shkëmb bëhet shpirtërorja
që s’e tund as stuhia,
atëherë kupton ç’barte
nëpër tatëpjetat e natës,
maja s’është te fitorja,
por te forca e dashuria.
Guri sizifian
s’të mposht më për dhé,
kur si mësim e sheh
e jo si mundim,
kur stuhinë e çan
kur rrëzohesh mbi re,
bëhesh dritë e vetes
në secilin përjetim.
(maj 2026)








Comments