top of page

Armela Hysi: Kosova në zemër të Athinës

  • 4 hours ago
  • 2 min read

Përlotje për luftën e Kosovës, respekt për popullin e saj! – kështu mund të kishte titullin aktiviteti i mes-majit, në lidhje me shfaqjen e filmit dokumentar “Kthimi në Kosovë” dhe bashkëbisedimin e të pranishmëve me dy nga personazhet e tij realë, Besnik Mulajn dhe Leman Kamberin, organizuar nga Zyra për Interesat e Kosovës, me vetë vëmendjen e prijësit të denjë të saj, z. Fitim Gllareva.

Kjo ngjarje, që mori jetë në ambientet qendrore të Forumit Helen të Emigrantëve, në vazhdën e gjithë takimeve dhe eventeve mbresëlënëse e me peshë që ka zhvilluar Zyra e Interesave të Kosovës përgjatë aktivitetit të saj disa¬vjeçar, është nga ato stacione historike

që hap pas hapi kanë sjellë Kosovën në Athinë: me vlerat e saj, me rilindjen e saj, dhe kanë bërë që të jenë të dukshme jo vetëm ndryshimet themelore të politikës së dy shteteve, por edhe qartësimi e përmirësimi i ndjenjave dhe përshtypjeve të popullit helen për atë kosovar, ndonëse as një dekadë më parë kjo do të dukej pothuajse utopi.

Me pjesëmarrjen e Ambasadores së Jashtëzakonshme dhe Fuqiplotë, znj. Luela Hajdaraga, dhe dhjetëra qytetarëve vendas e nga shtete të ndryshme të botës, që kishin mbushur sallën për të ndjekur filmin dhe bashkëbisedimin, ky aktivitet u moderua me zhdërvjelltësi, ndonëse me vështirësitë e një salle të prekur deri në përlotje, nga Presidentja e Komunitetit Shqiptar në Athinë, znj. Rovena Xhori.

“Duke të parë ty, ndjej se ka akoma shpresë për sa fëmijë që njoh edhe unë vetë dhe janë ndeshur me humbjen, sepse unë jam nga Palestina” – i tha e përlotur Besnik Mulajt një nga zonjat e pranishme, shikuese e dokumentarit “Kthimi në Kosovë”, pas shfaqjes, teksa kishim rastin e rrallë të përshëndeteshim me protagonistin e filmit.

Besniku i vogël, pesëvjeçar atëherë, u bë pjesë e historisë së madhe të Kosovës pa e pyetur njeri nëse do të mundte ta mbante këtë peshë: rëndesën shkallmuese të humbjes, vlerën e pamatë të heroizmit. Ai jo vetëm qëndroi i vërtetë dhe i gjallë, por u bë edhe një shembull i mbijetesës së popullit të vet. Siç dëshmon edhe filmi, jeta e tij e dëfton këtë më së miri: duke u bërë një njeri i mirë, një qytetar i nderuar, apo siç u përmend edhe gjatë takimit, një Atlas i vërtetë, titani që mban kupolën qiellore në duar. Besniku është nga ata persona që mbajnë qiellin e lirisë së Kosovës në duart e tyre.

Sot, i shfaqur në Athinë, ky film ka vlera të shumëfishuara. Është dëshmi e luftës dhe fitores së Kosovës, siç është dëshmi e njerëzve me shpirt, edhe pse të vuajtur, plot vizion, plot ndjenja të paqta, plot krijimtari jetike të së përditshmes. Siç është edhe një dëshmi e rëndësishme e hapave që janë bërë në Athinë për njohjen dhe përçimin e vlerave të Kosovës në të gjithë botën, dhe një thirrje kundër çdo lufte.

Maj 2026

Athinë

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page