top of page

Fatmir Terziu: “Gjuha e Tretë e Heshtjes”

  • 3 hours ago
  • 2 min read

Fatmir Terziu: “Gjuha e Tretë e Heshtjes


(për Vilhelme Vranari- Haxhiraj „Mjeshtër i Madh“ (Kaninë, 8 dhjetor 1944) - Vlorë 29 Prill 2026)

 

A është kjo verë,

apo një stinë që ti e more me vete,

kur fjala jote u kthye në dritë

dhe drita në një heshtje?

 

Ti flisje me dashurinë

në një gjuhë të tretë,

atë që nuk mësohet në libra,

por lind mes plagës që u tret,

mes kujtesës dhe harrimit mbi dimra.

 

Nga Kanina deri në det,

era mban ende mesazhet e tua,

rreth pesëdhjetë herë e ke lindur botën

në libra që nuk vdesin,

në vargje që nuk plaken.

 

Ti ecje nëpër varreza të largëta,

por kurrë nuk ishe e huaj,

sepse i njihje të gjithë, në realitet,

me emrat e tyre të pathënë,

me heshtjet që i mbaje si amanet.

 

Çdo ditë, the, ndaj një sekret,

dhe pak nga pak prej heshtjes,

ia lehtësoje shpirtit peshën e vdekjes,

si një grua që di të ndajë bukën

edhe kur tavolina është bosh.

 

Ku je tani?

Në cilën anë të betejës?

Apo ke zgjedhur të mos jesh më në asnjërën,

por në atë hapësirë ku fjala nuk lufton,

vetëm kujton.

 

Qielli nuk uli flamuj për ty,

por deti i Vlorës i ngriti valët,

dhe era e gurëve të Kaninës

të thirri me emrin e parë:

Poete, shkrimtare, talente e paparë.

 

Vetëm heshtja, the, nuk tradhton,

dhe tani ajo të mban pranë,

si një shërbëtor besnik i kohës,

si një portë e hapur

ku askush nuk troket,

por të gjithë hyjnë.

 

Në fund, ti le vetëm një fjalë:

“Faleminderit.”

Dhe ajo u bë më e madhe se vepra,

më e thellë se çdo det,

më e gjallë se vetë jeta.

 

Sepse ti e dije:

dashuria nuk ka antonim.

Ajo vetëm ndryshon formë,

herë bëhet libër, zemër,

herë bëhet kujtim, normë,

herë bëhet dritë mbi një emër.

 

Dhe kështu mbetesh një përmendore

një grua si një grua, kur shkruhet

një vlerë si një arritje e çdo kohe

një yll që nuk shuhet.

1 Comment


Kadri Tarelli
34 minutes ago

Mirënjohje për këtë elegji kushtuar "Princeshës' Vilhelme Vrana Haxhiraj, e cila ndërroi jetë pra tri ditësh. Ajo nuk iku, por shkoi tek yjet. Aty ku rrinë të diturit dhe Perëndia. Vivra i bë dhe mbetet e Madhe, sepse njohu vuajtjet, pengesat dhe persekutimin e sistemit, dhe u ngrit për të thënë të vërtetën,  jo vetëm me fjalën e shqiptuar e të shkruar, por edhe me heshtjen e saj, siç thoni edhe ju i nderuar Prof Dr Fatmir.

Ju admiroj për këto fjalë shpirti, si mik. Poet, dhe njohës i dy kohëve, i dy jetëve të Princeshës sonë Vivra. Ajo i ngriti vetes jo vetëm piedestalin por edhe monumentin. Ne ledhatojmë  mermerin e ftohtë.

Edhe një herë falënderim dhe mirënjohje.

Miqësisht!

Like

Shkrimet e fundit

bottom of page