Fatmir Terziu: ENIGMA
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 7 hours ago
- 1 min read

DASHURIA
Nga Fatmir Terziu
Për të rikujtuar puthjen e parë
mbyllja e syve
hap kapakë të një Libri të Shenjtë
na e lexon të dyve
me fjalë që bien si poezi të prushta shpuzë,
proverba që ndizen mbi plazmën,
në buzë.
ENIGMA
Dhe ja,
ja ku jam para pasqyrës
me një mik të panjohur
(kjo është e vetmja mënyrë që e lexoj në fytyrë)
çdo ditë
e pastroj nga zbardhjet, veset
me disa gramë rudhash
pastroj dhe sekretet.
SHTESA
Tavolina
me më pak
lugë e pjata të shtruara në të.
(Ku shkuan duart që zbrasnin çdo pjatë).
E mendimet e palosura shuhen pa zë
si të një pike shiu në vend të thatë.
KAQ SHUMË LUFTRA TË NDYRA
Kravata nuk ndryshoi asgjë,
pasqyra po ajo, krehëri po rrebel,
vetëm disa ëndrra të sulmuara,
rroba me tegel.
Ndërsa zbardhej dita, errësohej fytyra,
për të ridimensionuar karrigen,
mbushej dhe zbrazej mendja me dokumente,
për të shuar përshtypjen.
Heshtje,
vetëm heshtje,
më shumë pëshpëritje me vete.
Më shumë qëndrim zyrtar
mbledhje,
në të cilat armiqtë të bëjnë thirrje
me një katalogim kalimtar
të pranosh frikën e tyre si varrin,
të harrosh se lutesh në ajër,
kur të kanë racionuar vetë ajrin.
Kaq shumë luftëra të ndyra
zyrtarisht vetëm në zyra!

_________________________________________
Nga vëllimi me poezi: „Rrëmujë dëshirash“ (Më lejoni të ju tregoj sekretin tim. E dua ekzistencën, ndaj ekzistoj pë Ju.)
Comments