Fatmir Terziu: Empatia dhe kognitiviteti i ndryshimit të botës te Vangjush Saro
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 17 hours ago
- 9 min read

Empatia dhe kognitiviteti i ndryshimit të botës te Vangjush Saro
Nga Fatmir Terziu
Në fragmentin “Vajza që donte të ‘ndreqte’ botën”, Vangjush Saro ndërton një narrativë ku empatia dhe kognitiviteti bashkëveprojnë si dy shtylla themelore të ndërgjegjësimit dhe rezistencës qytetare. Laura London Kruja, një fëmijë me ndjeshmëri të theksuar estetike dhe morale, bëhet figura përmes së cilës autori artikulon idenë se ndryshimi i botës nuk nis nga pushteti, por nga perceptimi, kujtesa dhe aftësia për të ndier dhimbjen kolektive. Empatia në këtë tekst nuk shfaqet si sentimentalizëm i thjeshtë, por si një formë e njohjes së thellë të realitetit. Laura e ndien degradimin e “Qytetit të vogël të ndritshëm” përmes shqisave: zhurma, smogu, plehrat, sjelljet e reja të njerëzve, humbja e përshëndetjes dhe e qetësisë. Ajo përjeton një empati të trashëguar, nga gjyshja Elisabeta dhe nga kujtesa e gjyshit, që i jep qytetit një dimension etik. Kështu, empatia bëhet akt rezistence ndaj normalizimit të shkatërrimit.
Në planin kognitiv, Laura nuk reagon me dhunë apo me retorikë politike. Mendimi i saj është intuitiv, por thellësisht racional në mënyrën e vet fëminore: ajo kupton se problemi kryesor nuk është vetëm shkatërrimi fizik i hapësirës, por humbja e kujtesës kolektive. Prandaj vendimi për të “vizatuar botën siç ishte më parë” përbën një akt njohës, një strategji kognitive që synon të rikrijojë krahasimin mes së kaluarës dhe së tashmes. Vizatimi shndërrohet nga art personal në mjet ndërgjegjësimi shoqëror. Ëndrra e Laurës është momenti ku empatia dhe kognitiviteti bashkohen plotësisht. Në gjumë, ajo gjen zgjidhjen më të thjeshtë dhe njëkohësisht më subversive: fuqinë e imazhit. Saro sugjeron se imagjinata nuk është arratisje, por një formë e lartë e të menduarit politik. Tablotë e Laurës, të postuara dhe të shpërndara, krijojnë një çarje në logjikën mekanike të shkatërrimit: ato “huton” kamionët, shoferët, madje edhe vetë sistemin e Starkut.
Kontrasti me milionerin Stark është thelbësor. Ai përfaqëson një kognitivitet të zbrazët nga empatia: mendim instrumental, i fokusuar vetëm te fitimi, i shkëputur nga pasojat njerëzore dhe mjedisore. Ndërsa Laura mendon për botën si hapësirë jetese, Stark e sheh atë si territor për t’u grëpitur. Ironikisht, pikërisht mungesa e empatisë e bën atë të cenueshëm ndaj një kundërshtari që ai nuk e kupton dot: një fëmijë me laps dhe kujtesë. Në këtë fragment, Saro artikulon një tezë të qartë: ndryshimi i botës nuk vjen domosdoshmërisht nga revolucione të mëdha, por nga akte të vogla kognitive të mbështetura në empati. Laura nuk e “ndreq” botën duke e rindërtuar fizikisht, por duke i rikthyer njerëzve aftësinë për të krahasuar, për të kujtuar dhe për t’u ndier fajtorë. Kjo është forma më e rrezikshme e rezistencës për pushtetin: ajo që zgjon ndërgjegjen.
Në përfundim, empatia te Vangjush Saro është një mënyrë e të menduarit, ndërsa kognitiviteti është një mënyrë e të ndierit të strukturuar. Bashkimi i tyre te figura e Laurës krijon një model të ri të heroit modern: jo luftëtar, jo politikan, por dëshmitar i kujtesës dhe mbrojtës i normales njerëzore. Botën nuk e ndreqin ata që thonë “Ne i bëjmë të gjitha!”, por ata që guxojnë të kujtojnë si ishte përpara se gjithçka të prishej. Në këtë kuptim, fragmenti i Vangjush Saros shkon përtej një narrative ekologjike apo sociale dhe shndërrohet në një reflektim të thellë mbi mënyrën se si formohet vetë vetëdija njerëzore për ndryshimin. Laura nuk është thjesht një figurë fëmijërore idealiste, por një paradigmë e re e subjektit që mendon dhe ndien njëkohësisht. Ajo mishëron idenë se empatia pa kognitivitet mbetet klithmë e pafuqishme, ndërsa kognitiviteti pa empati shndërrohet në mekanizëm shkatërrues, si ai që përfaqëson Stark.
Pikërisht këtu qëndron nyja konkludive e tekstit: bota nuk degradohet vetëm nga veprimet e pushtetit ekonomik, por nga mpirja graduale e aftësisë për të imagjinuar një alternativë. Laura e rikthen këtë aftësi përmes artit dhe kujtesës, duke treguar se ndryshimi nis në momentin kur njeriu ndalon së pranuari realitetin si të vetmen mundësi. Vizatimi, si akt i butë por këmbëngulës, kthehet në një formë politike të ndërgjegjes, që nuk sulmon drejtpërdrejt, por e çarmatos sistemin duke i treguar atë çfarë ka humbur. Kështu, përfundimisht, Saro sugjeron se “ndreqja” e botës nuk është një projekt totalitar apo utopik, por një proces i brendshëm dhe i vazhdueshëm i rikthimit të normales njerëzore. Nëse pushteti vepron duke fshirë gjurmët e së shkuarës, empatia dhe kognitiviteti veprojnë duke i rikthyer ato në vetëdijen kolektive. Dhe në këtë përballje të heshtur, lapsi i një fëmije rezulton më subversiv se makineritë e rënda të një perandorie ekonomike.
VANGJUSH SARO: VAJZA QË DONTE TË “NDREQTE” BOTËN
(Fragment nga romani në proces)
-Laura, ku po shkon?
Gjyshe Elisabeta e di fort mirë për ku është nisur e mbesa. Por nuk i shkon të mos pyesë fare; le që së fundmi, i ka shtuar fjalët dhe përkushtimin. E shikon atë teksa çapitet nëpër bar, si një drenushë, pa e shkelur dandelionin dhe ndjen se kështu dita ka edhe ndonjë çast të bukur.
-Laura London Kruja!
Se si iu duk, ndërsa e thërriste me emrin e plotë. Në shkollë, e kishin regjistruar pikërisht me emrin Laura London Kruja. Mbiemri i parë ishte i babait, i dyti i së ëmës, një shqiptare, violiniste. Elisabet shikonte veten tek e mbesa. Së paku, ashtu i pëlqente të mendonte.
-Do bëj një vizitë te gjyshi, - erdhi përgjigja e vajzës, ndërsa Maçoku i vogël i zgjuar deshi ta ndiqte, por ktheu mendje dhe u zdruq në këmbët e gjyshes. Ndodhte që edhe ai t’i shkonte pas, gjer lart, nëpër degët e rrapit, ku gjyshi pat ndërtuar një shtëpizë të vogël. Laura shpesh gjente prehje teksa kalonte atje ca orë, duke medituar apo duke vizatuar.
Tani ato e quanin shtëpizën “Te gjyshi”. Ai e kishte ndërtuar atë gjë të bukur kaherë, ndërkohë që ende ishte mirë, pa u sëmurur. Kur dalëngadalë u bë gjysma e asaj ç’kish qenë më parë dhe u nis lart në qiell, te engjëjt, Laura, e para, e quajti shtëpizën “Te gjyshi”. E pse jo, ishte njëfarë ngushëllimi aso kohe; pastaj iu bë gjithnjë më e afërt, çdo verë që vinte këtu për të kaluar disa javë.
Qyteti i vogël i ndritshëm kishte qenë më parë një oaz bukurie dhe qetësie. Në mënyrë të veçantë, lagjia ku jetonte gjyshja, ishte aq e qetë. Këtu ishte pastër, në qiell dhe në tokë; dhe banorët të gjithë e përshëndesnin njëri-tjetrin në rrugë; dhe borie makinash rrallëherë mund të dëgjoje. Por asgjë nuk është si më parë, vazhdoi të meditonte vajza teksa ngjiste shkallët me kutinë e vizatimeve në krah. Vizatimi ishte një nga pëlqimet e rëndësishme të saj; edhe pse kohët e fundit, motivet ishin rralluar pak. Po vërtet, Qyteti i vogël i ndritshëm nuk e ka më shkëlqimin e parë. Rrugët nuk janë aq të pastra si dikur dhe makinat sa vjen e shtohen; shtohet edhe zhurma që bëjnë ato. Dhe gjyshe Elisabeta mbeti duke u ankuar. Shpesh, teksa shikon TV, ajo ngre duart përpjetë; ngre edhe zërin: “Ata gënjejnë.” E ka fjalën për njerëzit që drejtojnë Bashkinë, por edhe për milionerët...
Vajza zuri vend dhe nxori nga kutia disa prej lapsave, ngjyrave dhe nja dy fletë. Çfarë i ndodhi Qytetit të vogël të ndritshëm? Ç’të thoshe më parë. Ja, kompania e madhe e milionerit Stark nuk gjen të ngopur. Kudo ndërtime dhe makineri të rënda; smog dhe zhurmë. Po çfarë u ka ndodhur ndërkaq vetë qytetarëve të Qytetit të vogël të ndritshëm? Sot, kushdo mund ta ndalojë makinën në cep të shtëpisë tënde. Ha atje ushqimet e fëlliqura të rosticerive, pi lëngje koti, pastaj cigare, në mos edhe hashash. Dhe të gjitha mbeturinat t’i hedh pothuajse te dera. Ose... bëhen bashkë pesë emigrantë dhe marrin një shtëpi me qira, për të kursyer. Tani, një gjë është e sigurt: përqark asaj shtëpie, plehrat dhe hedhurinat nuk do të mungojnë asnjëherë. Era i shpërndan ato ku të mundet. Për lëndinën dhe trotuarin, nuk kujdeset askush; sidomos në dimër, kur bën ngricë dhe mund të thyhesh kokën.
Laura pa qiellin. Gjyshja dhe miqtë e fqinjët e saj më të afërt ankohen se ajri ka ceduar, ngase makinat janë shtuar; qetësia është prishur. Pa le që njerëzit ecin në rrugë me sytë te celulari. O Zot! Dhe në çdo cep të globit, ka një luftë. Por inatin më të madh, ata e kanë me milionerin Stark; që ndoshta as e njohin për fytyrë. Tash duan t’ju marrin edhe Kopështin Publik; është një copë tokë, e ndarë në ngastra, ku banorët mbjellin lule, por edhe zarzavate. Z. Stark kërkon t’ua grëpë. Ka plasur vjedhja sheshit. Aq keq ka shkuar puna, saqë gjyshja dhe miqtë e saj kanë krijuar një si shoqatë, të cilën e kanë pagëzuar me emrin e madh “Të kthehemi në jetën normale!” Ata edhe vetë e dinë që po kërkojnë shumë. Por ja, i lamë plehrat, zhurmën dhe smogun... buka nuk është si më parë, grunjërat janë modifikuar dhe kjo do të thotë sëmundje. Kështu flasin miqtë e gjyshes Elisabet; shumëkush përpiqet ta bëjë bukën vetë. Ok, po qumështit si i bëhet? Mos duhet mbajtur në kopësht ndonjë dhi a lopë?
Laura sot ishte e mbushur. Më keq se gjyshja. Nuk po vendoste dot çfarë të vizatonte. Në mëngjes, përmbi lagje kishte flutuar një dron. Në fletët e tij plastike shkruhej: “Ne i bëjmë të gjitha!” Kjo fjali idote ishte edhe emri i kompanisë së z. Stark. Disa nga fqinjët thanë se droni ishte njëlloj paralajmërimi për lagjen: Domethënë, unë do ta xhvat atë kopështin tuaj publik, pa një pa dy! Dhe do bëj atje një grataçielë. Jo, një lavatriçe për zhavore. Jo jo, do ndërtoj një rrugë tjetër...
Vajzës po i vinte gjumë. Gjithë me fletën dhe lapsin ndër duar, ajo u mbështet te divani i vogël i shtëpisë së vogël; pa i hequr sytë nga dritarja e vogël. Dhe ndjeu se vërtet po bënte një dremkë...
Në gjumë dhe në ëndërr, gjithçka është më e lehtë. Kështu që, vogëlushja Laura London Kruja vendosi ta ndreqë këtë botë në shkatërrim e sipër. Dhe ja se si: Ajo do të vizatojë çdo gjë siç ishte më parë, kur Stark dhe partnerët e tij ende nuk ishin dukur në këto anë. Vizatimet do t’i postojë në faqet e saj nëpër rrjete, madje mund të tag-ë edhe shoqet e veta, shokët, pse jo edhe fqinjët e gjyshe Elisabetës. Pastaj do t’i dërgojë ato në gazeta e revista. TV-të gjithashtu do të jepnin gjithçka t’i kishin ato tablo. Se dalëngadalë vizatimet do të bëheshin tablo, me ngjyra, me kuptim. Dhe njerëzit do të thoshin: More, si paska qenë kjo më parë! Ja, kaq ishte, ata do ta kuptojnë sa larg ka shkuar e keqja. Dhe do kërkojnë siç thotë edhe shoqata e gjyshes... një jetë normale.
■
Shumë e shumë larg prej aty, në Vetëm Unë, ishulli i vogël i milionerit të madh Stark, ishte më shumë se qetësi. Asgjë nuk pipëtinte. Vetëm deti. Dhe tutje, dëgjohej ndonjë sirenë jahti. Ca shpendë vërtiteshin tutje-tëhu duke gjuajtur për drekën e tyre. Eh, z. Stark e kishte sosur atë. Tani ai po pinte diçka që t’ia honepste ç’kish ngrënë. Dhe po mendonte për të dashurën e tij, zonjushën Lu. Ajo ishte një aktore e njohur, të cilën ai e ëndërronte dhe e dëshironte; por ajo nuk i qe përgjigjur asnjëherë. Veç, z. Stark nuk i kishte humbur shpresat. Një ditë...
Befas, laptopi i tij këndoi atë melodinë që tregonte se dikush kishte diçka për t’i thënë. Në ekran u shfaq Asistenti i tij i parë, z. Kot.
-Bos, - hyri ai drejt e në thela - ka lëvizur rruga...
Uau! Për çka po fliste ky qypi?
-Ej, - i tha - merre shtruar! Cila rrugë?
-Ajo ka hutuar kamionët tanë dhe rruga u dëmtua.
-Cila ajo?
-Që ta kuptosh, bos... ishte një vizatim. Një tablo. Tani, kjo tabloja tregonte parkun që ish aty më parë.
Z. Stark nuk po kuptonte asgjë. Asistenti i Parë dukej aq i hutuar. Stark u nxeh pak:
-Do flasësh ti ç’ka bërë vaki me rrugën, apo të të flak në rrugë?
-Bos, a jemi ne duke bërë një rrugë në krah të Qytetit të vogël të ndritshëm? A ishte atje më parë një park? Tabloja e kësaj vajzës ua prishi mendjen shoferëve dhe manovratorëve; ata dolën nga rruga.
-Ma hape kokën: rruga, parku. Do pushohesh nga puna, o i pahir.
-Bos, mos u shqetëso, mblidhe veten; parku ishte i asaj lagjes ku dërguam sot dronin dhe që ka atë Kopështin Publik që ne duam ta grëpim. Kjo goca, që thua ti...
-Or budalla, ke pirë ti?
-Ç’thua ashtu, bos! Ne humbëm dy kamionë dhe një gërmues. Shoferët panë tablonë që kishte vizatuar kjo e paudha. I pari ia futi trungut, i dyti ia futi shokut të vet.
-Të futsha në dhe! - bërtiti z. Stark, që ende nuk po gjente asgjë në temë.
-Gërmuesi që ishte në anë, u bë copash... Por ne do t’i zhdukim ato tablotë.
-Sikur the që ishte vetëm një?
-Jo jo, ka bërë edhe një tjetër; dhe është botuar edhe në gazetën lokale... Po na hap ca telashe, por do t’ia tregojmë qejfin. Thjesht doja të të vë në dijeni.
Nga e gjithë kjo bisedë në tym, z. Stark kuptoi vetëm një gjë: Më ka dalë një kundërshtar i ri, mendoi ai. Dikush që dashka të më sfidojë. Nuk e doja këtë luftë, por do ta përball. Kjo ishte.
E mbylli lidhjen me Asistentin e Parë dhe vazhdoi të mendonte për të dashurën që nuk i kthente asnjëherë përgjigje. Jo për gjë, por në rrjete, zonjusha Lu ishte mjaft e nxehtë. Me atë sillej ftohtë. Botë e keqe! Oops!









Shkrimtari dhe kritiku letrar Fatmir Terziu, ne dashamirësi dhe profesionalizëm, e pajis kete prozë në ngjizje me 'pasaportën' e duhur... Shumë shumë mirënjohje. Shëndet e frymëzim i uroj.