Fatmir Terziu: Elbasani dhe rrjedha diskursive ndër shekuj
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 54m
- 4 min read

Elbasani dhe rrjedha diskursive ndër shekuj
Nga Fatmir Terziu
Abstrakt
Artikulli trajton formimin historik, kulturor dhe diskursiv të qytetit të Elbasanit nga mesjeta e hershme deri në shek. XX. Analiza ndërthur qasje historike, etnografike dhe antropologjike për të shqyrtuar proceset e migrimit, tregtisë, krijimit të identitetit urban dhe simbolikës kolektive. Diskurset popullore, si thënia e njohur “xhinës në Elbasan është vetëm rrapi i Bezistanit”—përdoren si element analitik për të kuptuar marrëdhënien mes autoktonisë dhe integrimit. Artikulli mbështetet në burime të njohura historiografike, dokumentacion arkivor dhe në dëshmi narrative urbane që përbëjnë pjesë të memories së qytetit.
1. Hyrje
Identitetet urbane në Shqipëri shpesh portretizohen si kategori të lindura: tiranas lind, nuk bëhesh; vlonjat lind, nuk bëhesh. Në diskursin elbasanas, ekuivalenti i kësaj thënieje është i njohur: “Në Elbasan xhinës është vetëm rrapi i Bezistanit.” Kjo thënie ironike përmban një logjikë të rëndësishme kulturore: e para, relativizon konceptin e autoktonisë së ngurtë; e dyta, nënvizon faktin se Elbasani historikisht ka qenë një hapësirë migracionesh, tregtie dhe integrimi kulturor (Muka, 2007).
Objektivi i këtij artikulli është të analizojë rrjedhën diskursive që ka modeluar identitetin elbasanas ndër shekuj, duke u fokusuar në tre fusha kryesore: strukturën historike dhe ekonomike të qytetit, proceset shoqërore dhe kulturore të integrimit, simbolikat dhe narrativat që prodhojnë identitetin urban.
2. Elbasani në kontekstin historik të Via Egnatia-s
Pozita e Elbasanit në qendrën e Shqipërisë dhe në boshtin e Via Egnatia-s e shndërroi atë në një nyje të rëndësishme të qarkullimit ekonomik dhe kulturor që nga antikiteti i vonë. Sipas Pulahës (1984), qyteti u zhvillua ndjeshëm në shekujt XIV–XVII si rezultat i intensifikimit të tregtisë. Regjistrat osmanë tregojnë se në shek. XVII Elbasani kishte rreth 2000 shtëpi dhe 900 dyqane, një tregues i fuqisë së tij ekonomike (Shuteriqi, 1966).
Zhvillimi i ekonomisë u mbështet në zeje si: punimi i drurit, punimi i lëkurës, mëndafshit dhe leshit, prodhimi i duhanit, mjeshtëria e metaleve të çmuara (Hoxha, 1977). Rruga ndërkombëtare e tregtisë solli lëvizje të vazhdueshme popullsie, duke e bërë Elbasanin një qytet heterogjen, ndërfetare dhe kulturor në strukturë.
3. Migrimi, toponimia dhe prodhimi i identitetit
Procesi i popullimit të Elbasanit pasqyrohet në mënyrë të qartë në sistemin e mbiemrave. Shumë familje ruanin si mbiemër prejardhjen gjeografike (Paprri, Plangarica, Belshaku, Shkodra, Kruja, Dibra), të tjerët zanatin (Saraçi, Meçja, Biçaku), të tjerët atribute fetare (Hoxha, Myftiu, Dervishi) (Dervishi, 2012). Në antropologji, kjo formë identifikimi lidhet me konceptin e “toponimisë së integrimit” (Verdery, 1991), ku identiteti nuk është një kategori biologjike, por një përkufizim që lind nga marrëdhënia individ–komunitet.
Shprehja popullore, që vetëm Rrapi i Bezistanit është autokton, shpërfytyron idenë e racave të pastra dhe nënvizon natyrën pluraliste të qytetit.
4. Traditat kulturore: Dita e Verës dhe panairet
Elbasani ka ruajtur tradita të lashta, ndër të cilat Dita e Verës është më emblematicja. Festa, me origjinë pagane dhe kult të ripërtëritjes së natyrës, dëshmon vazhdimësinë kulturore që kalon përtej pushtimeve dhe sistemeve politike (Kastrati, 1981). Panairët e Elbasanit, të dokumentuar që në 1381, ishin qendra të rëndësishme tregtarie. Në shek. XIX, prodhimet elbasanase u ekspozuan në panairet ndërkombëtare të Parisit (1867) dhe Çikagos (1894), duke dëshmuar nivel të lartë mjeshtërie (Selenica, 1928).
5. Arsimi dhe roli i Kongresit të Elbasanit (1909)
Kongresi i Elbasanit, mbajtur në dhjetor 1909, vendosi themelimin e Shkollës Normale, institucion që do të gjeneronte elitën pedagogjike të Shqipërisë. Normalja u bë “fidanishtja e mësuesve” (Frashëri, 2002), duke kontribuar në ngritjen e arsimit shqip në të gjitha trevat shqiptare. Mbyllja e saj e vonë, e diskutuar shpesh në nivele profesionale, shihet nga shumë studiues si një humbje e kapitalit kulturor të qytetit (Goga, 2014).
6. Kontribute politike dhe ushtarake
6.1. Çetat e Shpatit
Krahina e Shpatit njihet si zona që i rezistoi më së shumti pushtetit osman. Çetat e saj përbëjnë një kapitull të rëndësishëm të historisë lokale (Abazi, 1995).
6.2. Shpallja lokale e mëvetësisë (1912)
Më 25 nëntor 1912, Elbasani shpalli mëvetësinë nën drejtimin e Aqif Pashë Elbasanit, tre ditë para shpalljes së pavarësisë në Vlorë. Ky akt dëshmon rolin politik të qytetit në proceset kombëtare (Tirta, 2003).
6.3. Lufta Nacional-Çlirimtare
Kontributi i qytetit në Luftën Nacional-Çlirimtare është i dokumentuar gjerësisht. Familjet elbasanase dhanë figura të rëndësishme dhe shumë dëshmorë, duke e integruar qytetin në narrativën antifashiste të vendit (Noli, 1981).
7. Modernizimi i qytetit (1924–1939)
Periudha ndërmjet dy luftërave botërore shënoi një transformim të thellë urban të Elbasanit: ndërtimi i rrugëve automobilistike Elbasan–Tiranë, Elbasan–Durrës, Elbasan–Korçë, Elbasan - Dibër etj.; ngritja e çentralit elektrik dhe ujësjellësit të parë; themelimi i fabrikave të para të duhanit, alkoolit, vajit, sapunit, lëkurës dhe drithërave; hapja e bankave të para (Selenica, 1928). Këto zhvillime e shndërruan Elbasanin në një qendër të rëndësishme industriale dhe financiare.
8. Konkluzione
Elbasani përfaqëson një rast studimor tipik ku identiteti urban ndërtohet përmes diskurseve, jo përmes nocioneve të ngurta të autoktonisë. Migracioni historik, integrimi kulturor, traditat e lashta, arsimi, modernizimi dhe roli politik kanë krijuar një identitet kompleks, të hapur dhe dinamik. Thënia popullore se autokton është vetëm “Rrapi i Bezistanit” sintetizon këtë realitet dhe shërben si një metaforë për karakterin e qytetit: një qendër që pranon, integron dhe formëson identitetin e banorëve të vet. Në këtë kuptim, pohimi se “elbasanlli lind, por edhe bëhesh” nuk është vetëm folklor, është përmbledhje e historisë sociokulturore të qytetit.









Comments