top of page

BUJAR QESJA: Si u shua familja e Niko Kuranit!

ree

Na iku një shok, na iku një mik, na u tha një shpirt

-Si u shua familja e Niko Kuranit!

BUJAR QESJA



Në këtë jetën time, ngarkesat janë të tilla saqë ditët nuk mund të më rrashqasin aq lehtë pa u takuar me miq dhe shokë, mbase edhe të panjohur. Është kapitulli më jetësor i imi, i mbushur me adrenalinën e nevojshme që quhet Durrës. Kujtimet më lagin shpirtin, veçanërisht për miqtë, që nuk do të kem mundësi ti shikoj më. Kohët e fundit kam ndjerë dukshëm largimin nga jeta të pjesës aktive, duke u takuar, duke u përmallur, e duke shkundur memorien, për kohën që kalonte dhe për të larguarit nga të gjallët.

Kështu kam qenë i shoqëruar dhe pjesë e imja aktive me Feruz Matajn, Gjergj Vlashin, Qemal Kërtushën, Sulejman Maliqatin, Nexhip Xhenetin, Niko Hercekun, Iliaz Elezin, Fatos Hykën, e të tjerë më pak të njohur. Zemra më është tronditur dhe mezi jam munduar të kap veten dhe të kurajohem me hallet dhe ngarkesat e ditës.

Dukshëm tash së fundi kam ndjerë largimin e Niko Kuranit. Takohesha shpesh me të. Iu kushtua notit dhe në ujët i sosi minutat e fundit. Dashuria e Niko Kuranit për Currilat, pika më e dobët dhe më sentimantale për durrsakët, i kalontë kufijtë. Ky gji deti ishte taksur vetëm për durrsakët dhe fëmijëria e jonë e ka emrin Currilat.

Kurani mezi priste të zbardhte dita dhe i drejtohej Currilave dimër, verë, në të ngrohtë e në të ftohtë. Dhe për ta shijuar më shumë kohën e rinisë, që zemra i përvëlonte nga historia dhe lavdia e pamposhtur e notit të zadrave, fuste këmbët në det dhe uji i ftohtë i bashkohej gjakut të ngrohtë të 85 vjeçarit.

I kishte djegur largimi i papritur nga jeta, me 20 maj të vitit 1997 i djalit të vetëm, i Arbenit të bukur, notar shumë i fortë si i jati. E përvëluar  në çdo qelizë, Verushja, e mira jonë durrsake, sportistja e famshme e topit të vogël, njerëzorja e pa cak e qytetarisë tonë. Takoheshim gati çdo ditë. Nikoja e mbante në krah Verushen dhe së bashku kalonin kohën, që gjithnjë ua merrte malli për djalin që 26 vjeçar strehohej thellë në tokën e përvëluar të vendlindes, Durrësit tonë të përbashkët.

Verushja 77 vjeçare. 10 dhjetor 2019. Kovidi kishte filluar të bënte kërdinë. Verushes i ishte tharë shpirti, shikimi gati e kishte lënë, por kjo ditë do të ishte e fundit.

Thonë që malli të djeg, të përvëlon, ta copëton zemrën dhe shpirtin. Aq më shumë Verushes tonë. Plot 22 vite kishte pritur nëna të takonte djalin e saj. Dhe me 10 dhjetor 2019, nuk ishte thjesht varrimi i Verushes Myshketës, i Verushe Kuranit, por i takimit të nënës me të birin. 22 vite pa u parë. Oh nëne, o nëne! Më10 dhjetor 2019! Lamtumira e fundit e Verusha Myshketës.

Hapu dhe të futem brenda! Mbase fati i buzëqeshi nënë Verushes, m’u në vdekjen e saj. Mos është një lumturi brenda hidhërimit!? Si duket po.

 

-Të priste nëna Arben dhe e dija që sdo të vije kurrë. Por isha me shpresë, se do të takoheshim një ditë. Dhe më në fund, kjo ditë erdhi. Më liro pak vënd Beni, që të flejmë krah për krah si dikur, kur të rritja dhe të përkundja në kënaqësinë e ëndërrave të tua! Shtyu edhe pak. Tani po. Jemi bashkë.

 

Dhe Niko Kurani, mjeshtri i notit, mjeshtri i urtësisë, trupi i bukur i notarit historik, muskujt e fuqishëm që kërcisnin mbi ujë si një elike motoskafi, na u largua. Iu bashkua Arbenit, iu bashkua Verushes dhe të tre së bashku jetojnë përjetësisht në përjetësinë e tyre.

Niko do të më mungosh së pari mua, së dyti miqve dhe shokëve dhe së treti Durrësit dhe durrsakëve. Ikje pa kthim dhe kujtesë e pazbehur, deri sa të jemi me frymë ne të tjerët, që e mbajmë qytetin  mbi shpatulla.

Arben Kurani, Verushe Kurani, Niko Kurani, trioja jonë e pazbehur, memoria e jonë e freskët, kujtesa e jonë e pacënueshme. Lamtumira jonë e gjithkohshme gjithnjë do të jetë me ju dhe pranë jush.


Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page