top of page

Halil RAMA: Promovohen dy poetë me zërin e tyre poetik për vendlindjen

ree

PROMOVIMI

Shoqata Atdhetare Kulturore “Bulqiza”, promovon dy poetë që frymojnë njëherazi me zërin e tyre poetik për vendlindjen

 

Arben Alliu  dhe Anxhela Topalli Alliu, dy poetë në një familje

 

Halil RAMA – Mjeshtër i Madh


·      Prof.dr. ISLAM DAUTI: “Arben Alliu vjen në botën e poezisë me lirikat e tij që mbartin në vetvete motive që marrin shtysë nga vetë përjetimet e tij, por edhe nga imazhet dhe mbresat nga jeta në vendlindje….”

 

 

Dyzet vjet më parë, në konkurset letrare që organizoja si metodist i punës kulturore në ish-Shtëpinë e ushtarakëve të ish- Divizionit të Bulqizës, mes dhjetra krijuesve ushtarakë spikaste edhe poeti Arben Alliu, si fitues i çmimeve të para e të dyta, ndërkohë që disa poezi të tij afishoheshin në këndin letrar të këtij institucioni.

Dyzet vjet më pas (6 dhjetor 2025) ai promovoi librin e tij të tretë me poezi, me titullin sinjifikativ “Frymoj me ty Vendlindje”. Dhe nuk erdhi i vetëm në këtë promovim.

Rreth një muaj më parë, teksa më kërkoj moderimin e këtij promovimi, më bëri të ditur se shkruan poezi edhe Anxhela Topalli (Alliu) që tre muaj më parë iu shtua familjes si tij si bashkëshortja e djalit, Mikelit – boksierit kampion që na ka bërë krenar me trofetë e fituara në ndeshjet e zhvilluara në disa vende të Europës. U magjepsa me poezitë e saj dhe i kërkova Benit që edhe ato të botoheshin në një libër më vete që ti promovonim në të njejtën ditë, dhe ashtu ndodhi.

Dy poetë në një familje. Çfarë koinçidence kjo, për familjen e Arben Alliut dhe për komunitetin letraro-artistik të Bulqizës, që paraditen e 6 dhjetorit do të përjetonin me gëzim promovimin e këtyre dy librave në kinema “Maks Velo”, Laprakë – Tiranë, në praninë e qindra pjesëmarrësve, dhjetra prej të cilëve personalitete akademike dhe të letrave.

 

RRËFIM NARRATIV ME NDJESI TË KËNDSHME

DHE EMOCIONE TË FORTA I POETES ANXHELA TOPALLI ALLIU


ree

 

 

Ngaqë Benin e kam shok e mik të hershëm (dhe e di që nuk më zemërohet) po e nis me Anxhelën. Ashtu siç e ka titulluar librin e  saj të parë, ajo vjen për lexuesin me “Ngjyrat e shpirtit”. Dhe askush më mirë se sa redaktorja e këtij libri, mësuesja e gjimnazit të Bulqizës Nafie Jella (autore e historikut të e këtij gjimanzi) dhe që ka nxjerrë dhjetra talente nga ky gjimnaz, nuk mund ta vlerësonte poezinë e Anxhelës. Sepse ndjeshmëria lirike e shpirtit të saj ndjehet në çdo varg e poezi që i jep ngjyra vargut…

“Poezia e Anxhelës është një panoramë poetike duke treguar se si jepen: forca mbi dhimbjen, natyra, shpresa dhe reflektimi mbi jetën, kontrastet e  jetës, drita dhe shpresa, ndjenjat dhe shpresa, duke kombinuar elementët poetikë dhe simbolikë në poezitë: “Nënës sime”, “Tek ty”, “Shpirti i bardhë”, “Lulja e verdhë”,  “Në krahët e babait”, “Deti”, “Gjyshit”, e të tjera poezi që ajo i ka ndërtuar bukur”, shkruan ndër të tjera në parathënien e këtij libri mësuese Nafija. E kësisoj, sipas saj, “Anxhela është një zë premtues në fushën e poezisë. Në shpirtin e saj poetik, qëndrojnë bashkë piktura dhe poezia, si shprehësi e botës së saj të brendëshme”.

Anxhela Topalli Alliu, ka lindur në Korçë ku kreu shkollën fillore për të vijuar 9-vjeçaren në Tiranë dhe gimnazin po në kryeqytet në shkollën e mesme “Sandër Prosi”. Më pas vazhdoi studimet e larta dhe u diplomua në Fakultetin e Shkencave Mjekësore Teknike. Aktualisht punon në profesionin e saj tek një spital privat në Tiranë.

Krahas profesionalizmit në punë, Anxhela ka brenda shpirtit të saj magjinë e artit të poezisë dhe atë të pikturës, të konkretizuara këto edhe në librin e saj të parë me poezi “Ngjyrat e shpirtit”.

Nga një vështrim i përgjithshëm i librit të saj mund të them se poetja Anxhela Topalli Alliu,  vjen jashtë çdo skeme dhe jashtë çdo maniere poetike. Ajo shfaqet si një njohëse e mirë e figurës dhe ngjyrimit emocional të fjalës duke i dhënë asaj ngarkesën e duhur semantike me sens e masë dhe me një ngjyrim magjie brenda.

Libri i parë i poetës Anxhela Topalli Alliu me titullin sinjifikativ “NGJYRAT E SHPIRTIT” vjen për lexuesin si rikonfigurim i imazhit, perceptim dhe memorie, nga strukturimi poetik me ritëm e rima të zgjedhura, ku simboli dhe metafora pasurojnë dukshëm figuracionin,  gjuhën poetike, si dhe ngërthejnë dritëhijet e një bote, nganjëherë, imagjinative që të kënaqin me rrëfimin narrativ plot ndjesi të këndshme dhe emocione të forta.

 

PERSONALITETE AKADEMIKE DHE TË LETRAVE

VLERËSOJNË POEZINË E ARBEN ALLIUT             

Organizatore e promovimit të librave me poezi të poetëve Arben Alliu dhe Anxhela Topalli Alliu ishte Shoqata Atdhetare Kulturore “Bulqiza”, me kryetar  mësuesin e pasionuar Bashkim Lami, i cili i ka dhënë frymëmarrje dhe e ka dinamizuar atë duke e bërë evidentuesen dhe promovuesen më të mirë të vlerave njerëzore, intelektuale e krijuese të Bulqizës. E në këtë kontekst, moderimin e promovimit të tyre nuk e pata aspak të vështirë.

Takimi filloi me ekzekutimin e hymnit tonë kombëtar, ku pjesmarrësit u ngritën në këmbë. Më pas u mbajt një minutë heshtje për nderimin e 15 vjeçarit bulqizak Erion Boba, që humbi jetën këto ditë, pas goditjes me thikë në zemër nga bashkëmoshatari i tij, nxënës në shkollën “Dom Nikollë Kaçorri” në Durrës.

Dhe nëse për librin e Anxhelës shkrova pak radhë më sipër, poezia e Arbenit, në këndvështrimin tim është jetësore, e ndjerë, e kthjellët dhe të befason. Përvoja krijuese me dy librat e parë “Me ty, për ty Bulqizë” dhe “Nën hijen e trojeve të mia” ja ka mprehur shikimin, e ka bërë të jetë më jetësor e ta përqendrojë vëmendjen në thelbin filozofik të dukurive.

Si të tillë e vlerëoi atë edhe redaktorja e librit të tij të tretë Frymoj me ty Vendlindje”, Znj. Nafie Jella, duke evidentuar mes të tjerash një lidhje të veçantë mes njeriut dhe tokës së tij, një frymëmarrje të përbashkët me rrënjët, gjurmët dhe heronjtë që bënë historinë e atyre viseve.

Në vijim të kësaj ideje, Kryetari i Shoqatës Atdhetare Kulturore “Bulqiza”, z.Bashkim Lami foli për familjen “Alliu”, që në disa breza ka ndërtuar jetën me punë e djersë dhe ka qenë pjesë e qëndresës kundër pushtuesve të huaj.

Më detajisht për poezinë e Arben Alliut foli Prof. dr. Jashar Demiri, që si një nga doktorët psikologë më të mirë që ka vendi evidentoi forcën shpirtërore dhe frymëzimin e këtij poeti tashmë të njohur, nga resurset e shumta mbi e nëntokësore të vendlindjes së tij, Bulqizës. Profesor Demiri, drejtor i departamentit të letërsisë e arteve pranë Shoqatës Atdhetare Kulturore “Bulqiza”, vlerësoi vendosmërinë e poetit Arben Alliu për të shpalosur publikisht idetë e tij nëpërmjet poezive, që aq bukur e paraqet vendlindjen me të mirat dhe problemet, që shqetësojnë atë popull fisnik. “Duke i nderuar poetet tanë si Arben Alliu, ne nderojmë traditat, kulturën, vlerat, qytetarinë, shkurt: Vendlindjen!”, tha ndër të tjera prof. Demiri.

Qindra pjesëmarrësit në këtë takim festiv promovues mirëpritën gjithsahtu vlerësimet e profesionistëve për poezinë e Arben Alliut. Kështu, nëse poetja dhe prozatorja Emmy Krosi, ndër zërat më të spikatur të kritikës letrare u ndal te stili, metaforat, ndjeshmëria dhe rrëfimi emocional i autorit, Z. Nexhbedin Basha (poet, kritik letrar dhe gazetar profesionist) ndër të tjera tha se “Poezia e Arben Alliut është një udhëtim i ndjerë mes kujtimeve, vendlindjes, natyrës, familjes dhe reflektimeve shoqërore. Ajo është ditar i gjallë i përjetimeve personale, ku çdo detaj përçon emocione”. Ai vlerësoi se dashuria për vendlindjen është shtylla kryesore në poezinë e këtij poeti tashmë të sprovuar, ku malet, liqenet, bjeshkët, mulliri i fshatit, vijnë jo si skena natyrore, por simbole të pastërtisë, lirisë dhe kujtimeve të paharrueshme.

Vlerësim kualitativ dhe profesional bëri gjithashtu shkrimtari (poeti, publicisti dhe analisti i miërnjohur) Sakip Cami, autor i disa vëllimeve poetike, në prozë dhe studime historike.

Po ashtu u mirëpritën diskutimet krijuese rreth librit të Arben Alliut nga poetët Sanie Dëgjoni Ndreka e Perikli Shuli si dhe nga studjuesit Azis Keta e Aqif Puca, si dhe kolegu i tij shembullor në organet ligjzbatuese Z. Nikolin Kola. Gjithsesi mua më mbeti në mendje diskutimi i veçantë i Prof. Dr. Islam Dautit-President i Shoqatës Atdhetare Kulturore “Bulqiza”, të cilin edhe po e veçoj më poshtë.

 

 

Prof.dr. Islam DAUTI: ZËRI I TREVAVE TË BULQIZËS

NË POEZINË E ARBEN ALLIUT

 

“Jam njohur me poezitë e Benit qysh në vitin 2019 me librin e parë, që e ka titulluar “Me ty, për ty Bulqizë”, ku vjen në botën e poezisë me lirikat e tij, që mbartin në vetvete motive që marrin shtysë nga vetë përjetimet e tij, por edhe nga vetë imazhet dhe mbresat nga jeta në vendlindje.

Dhe ja në vitin 2021, Beni publikoi librin e dytë me poezi që e titulloi “ Në hijen e trojeve të mia”. Edhe këtu në epiqendër të të gjitha poezive paraqet një mozaik të bukur për vendlindjen, atdhedashurinë, patriotizmin, historinë e figura të shquara të këtyre trevave e probleme të tjera sociale.

Vëllimin e tretë me poezi që Beni po na e paraqet sot e ka titulluar “Frymoj me ty vendlindje”. Autori frymëzimin e merr nga vendlindja që së shumti prej ngjarjeve i ka përjetuar vetë por dhe nga lidhjet e vazhdueshme që mban me vendlindjen ku jeton me hallet e sukseset e kësaj treve.

Të gjitha këto ndjehen në poezitë e këtij libri, ashtu siç ndjehet dhe urtësia, dashuria dhe respekti për njerëzit e kësaj krahine.

Këtë vëllim poetik, si në dy botimet e para, autori ja ka kushtuar vëndlindjes së tij.

Në vargjet e autorit merr jetë zëri i trevave të Bulqizës. Ai nuk hesht kurrë, por vjen si një thirrje e butë por e pathyeshme, një kujtesë për aq kohë sa zëri i saj këndohet.

Në këtë vëllim poetik janë përmbledhur rreth 260 poezi ku Beni flet: flet për dituri, flet për dashuri, flet për mençuri, flet për ligësi, flet për njerëzi, flet për të keqen, flet për të mirën, flet për ndjenjën, flet dhe për politikën, për historinë e kësaj treve dhe më gjerë.

Të gjitha këto Beni i paraqet me shumë ndjenjë dhe profesionalizëm që lexohen me shumë kënaqësi, sa bukur e përshkruan poezinë “ Aroma e tunelit” për rrugën e Arbërit ku thotë:

-       Së shpejti mbrrin Tirana dhe Bulqiza bëhen komshinj,

-       kjo është si arterie që zemrën frymëzon,

-       rruga e Arbërit me Shkupin na afron.

Në shumë vargje flet për dashurinë për Nanën:

-       Unë të kam Nanë

-       Dhe ti mua fëmi.

Beni me shumë krenari flet për bujarinë Bulqizake, për kurbetin, për heronjtë e rënë në minierat e Bulqizës e shumë e shumë episode të tjera.

Duke e njohur dhe personalisht autorin kam bindjen se Arbeni ka një talent mjaft të mirë dhe premtues.

Unë e përgëzoj Benin për këtë vëllim poetik mjaft të arrirë dhe i uroj suksese të mëtejshme në rrugën e bukur të poezisë”.

 

ZËRI MAGJIK I LIRI RASHËS JA RRITI

MADHËSHTINË FESTËS POETIKE

 

Të gjitha këngët e kënduara prej Liri Rashës (dekoruar me titujt: Artist i Merituar”, “Mjeshtër i Madh”dhe me Urdhërin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”) janë bërë hite dhe kanë udhëtuar e udhëtojnë me kujtesën e njerëzve, që e duan këngëtaren e shquar dhe impresionohen nga magjia e shpirtit të saj të bukur artistik, që dallohet jo vetëm në interpretimin e lirikave dibrane, por duke u shfaqur në skena të vendit e ato të Europës e Amerikës edhe si orteku i këngës epike shqiptare. Edhe në këtë promovim ajo erdhi si pasaporta artistike e Dibrës duke përshëndetur pjesëmarrësit me dy këngë të zgjedhura nga repertori i saj.

Ndërkohë, larmi i dhanë kësaj feste poetike edhe  poetet Anila Kodra, Moza Shehi, Miranda Troci dhe studentja e Fakultetit Juridik Megi Musaj, me interetimin mjeshtëror të disa poezive të poetëve Arben Alliu dhe Anxhela Topalli Alliu.

Të pranishmit mirëpritën gjithashtu vlerësimet që ju bënë librave me poezi të poetëve Arben Alliu dhe Anxhela Topalli Alliu, Shoqaata Kulturore Atdhetare Bulqiza dhe Organizata e Bashkuar e Veteranëve të LANÇ dhe pasardhësve (OBVLP).

Kështu, kryetari i Shoqatës Bulqiza, Bashkim Lami dhe Prof. Jashar Demiri, iu dorëzuan Çertifikata Mirënjohje, poetëve Aben Alliu dhe Anxhela Topalli Alliu.

Ndërsa, kryetarja e Organizatës së Bashkuar të Veteranëve të LANÇ, Znj. Tatjana Parllaku Çarkaxhiu dhe  zv/kryetari OBVLP-së, Muharrem Gjoka (“Mjeshtër i Madh”, “Qytetar Nderi” i Qarkut Dibër dhe President i Ansamblit Aristik “Hazis Ndreu – “Nderi i Kombit”), në vijim të traditës së nderimit të pasardhësve të denjë të familjeve atdhetare, i dorëzoi poetit Arben Alliu titullin “Nderi i OBVLP”, duke vlerësuar kontributin e tij qytetar dhe krijimtarinë me ndjeshmëri të thellë kombëtare.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page