top of page

Fatmir Terziu: Dashuritë 'e copëtuara' tresh

17 hours ago
6 min read

 

Duke iu rikthyer një libri, njeriu rrallë i kthehet vetëm librit. Natyrisht kjo ndodh jo pak herë, pasi gjithnjë ka libra që, sa herë hapen, e ndryshojnë vendin ku i ke lënë dhe, bashkë me të, ndryshojnë edhe mënyrën se si ti vetë e sheh kohën. “Argjendi i Gurit” i Agim Shehut është një prej atyre librave që nuk qëndrojnë të mbyllur në kopertina. Ai ka diçka prej një qyteti të ndërtuar me gur, e hap një derë dhe pas saj gjen një tjetër; prek një kujtim dhe të del përpara një histori; kërkon një njeri dhe befas ndesh një epokë. Ndoshta kjo është arsyeja pse rikthimi te ky libër ka gjithnjë një arsye tjetër diskursi të leximit. Në të nuk kemi thjesht Gjirokastrën e një shkrimtari që e ka njohur që në moshën trembëdhjetëvjeçare. Kemi një Gjirokastër që bëhet gradualisht metaforë e jetës së tij. Qyteti nuk është vetëm vendi ku ka kaluar fëmijëria, shkolla, rinia dhe vitet e formimit. Ai është një gur i madh kujtese, ku janë gdhendur dashuritë, humbjet, frikërat, miqësitë, poezia, politika dhe ajo pjesë e historisë që nuk mund të ndahet nga biografia e një brezi.

Agim Shehu e ka jetuar këtë qytet në mënyrën që vetëm një shkrimtar mund ta jetojë: jo duke e parë vetëm nga jashtë, por duke hyrë në të. Në atë botë guri ku njeriu dhe arkitektura duket sikur shkëmbejnë vendet, qyteti bëhet personazh. Guri merr frymë, kalldrëmi ruan hapa, dritarja ruan një fytyrë, një odë ruan një zë. Dhe mbi këtë botë të fortë, të sertë e të lashtë, autori ndërton mbretërinë e gjelbër të kujtesës. Por “Argjendi i Gurit” nuk është vetëm një libër për një qytet. Është një libër për atë që qyteti i ka bërë njeriut dhe për atë që njeriu ka marrë me vete kur është larguar prej tij. Agim Shehu jetoi në Gjenevë, larg Gjirokastrës, larg Shqipërisë së përditshme, por largësia nuk e shkëputi dot nga vendi i formimit. Përkundrazi, mërgimi e bëri kujtesën më të mprehtë. Sa më larg të jesh nga një vend që e ke dashur, aq më shumë ai vend fillon të të jetojë brenda. Këtu nis ajo që mund ta quajmë dashuria e parë, dashuria për Shqipërinë. Jo Shqipërinë si emër në hartë, por si një fat shpirtëror. Atdheu, te Shehu, është një kujtesë e gjatë, një shqetësim, një dhimbje, një detyrim. Është Shqipëria e kufijve të historisë, e Kosovës, e Çamërisë, e plagëve kombëtare, por edhe e gjuhës që mbetet e pandarë nga njeriu edhe kur ai ndodhet përtej oqeanit. Dashuria e dytë është Gjirokastra. Dhe kjo dashuri është ndoshta më intime, sepse atdheu mund të jetë një koncept i madh, ndërsa qyteti është një kujtim me adresë. Ka një rrugë ku ke ecur, një shkollë ku ke hyrë, një gur që e ke prekur, një dritare nga e cila ke parë dikë, një zë që të ka thirrur në oborr. Në këtë kuptim, Gjirokastra e Shehut nuk është vetëm Gjirokastra që njohim nga historia, arkitektura apo turizmi. Është Gjirokastra e brendshme. Ajo është qyteti ku një djalë i ardhur nga mali mëson të lexojë jo vetëm librat, por edhe gurët. Është qyteti i shkollës, i miqësive, i profesorëve, i atyre viteve kur njeriu ende nuk e di se cilat prej ditëve të tij do të bëhen më vonë kujtime të shtrenjta. Shkolla “Asim Zeneli”, me njerëzit dhe brezat që kaluan nëpër të, shfaqet si një prej hapësirave ku qyteti nuk prodhonte vetëm nxënës, por një kulturë të tërë. Por pikërisht këtu libri fillon të marrë edhe një hije tjetër. Sepse qyteti i bukur nuk ishte jashtë historisë së frikshme të kohës. Në të njëjtat rrugë ku kalonin nxënësit, ku guri bëhej art, ekzistonte edhe institucioni i kontrollit dhe i frikës. Në një prej figurave më të fuqishme të librit, mulliri dhe Dega e Punëve të Brendshme shfaqen pothuajse si dy fqinjë simbolikë: njëri bluante grurin, tjetri bluante jetët njerëzore. Ky është një nga paradokset më të forta të kujtesës shqiptare: qytetet mund të jenë të bukura edhe kur koha që i ka përshkuar ka qenë e egër. Kalldrëmi nuk është fajtor për hapat që janë bërë mbi të. Shkolla nuk është fajtore për ideologjinë që mund të ketë hyrë në klasë. Guri nuk është fajtor për zyrat që janë ndërtuar pranë tij. Por shkrimtari është ai që i vendos këto gjëra në të njëjtën faqe dhe i detyron të bashkëjetojnë në kujtesë. Dhe pastaj vjen dashuria e tretë, Zana.

Nëse Shqipëria është dashuria e madhe, Gjirokastra dashuria e vendit dhe kujtesës, Zana është dashuria e njeriut. Ajo nuk qëndron në libër si një figurë dekorative e jetës së autorit. Ajo është pjesë e qëndresës së tij. Një bashkëshorte, një frymëzim, një prani që merr mbi vete edhe dhimbjen e kohës. Në këtë pikë, historia private nuk mund të ndahet më nga historia publike. Sepse njeriu mund të përballojë një pjesë të historisë për shkak të një dore që i qëndron pranë. Këto tri dashuri nuk janë të ndara plotësisht. Përkundrazi, ato ndërthuren dhe e shpjegojnë njëra-tjetrën. Dashuria për atdheun kalon në dashurinë për qytetin. Dashuria për qytetin kalon në kujtimin e njerëzve. Dashuria për njeriun rikthehet përsëri te vendi. Dhe kështu krijohet një rreth ku jeta personale dhe ajo kombëtare nuk kanë më një kufi të qartë. Prandaj “Argjendi i Gurit” mund të lexohet si një libër me tri zemra. Njëra rreh për Shqipërinë. Tjetra për Gjirokastrën. E treta për Zanën. Por çudia është se të tria rrahin në të njëjtin kraharor. Kjo e bën titullin “Dashuritë e copëtuara tresh” më shumë se një lojë fjalësh. Dashuritë janë “tresh” sepse kanë tri drejtime, por janë “të copëtuara” sepse jeta e autorit nuk i lejoi të qëndronin gjithmonë bashkë. Shqipëria mbeti larg. Gjirokastra mbeti kujtim. Mërgimi e ndau njeriun nga vendi. Koha mori njerëzit. Dhe megjithatë, ajo që nuk mundi të copëtohej ishte kujtesa. Në këtë kuptim, mërgimi i Agim Shehut nuk ishte vetëm një zhvendosje gjeografike. Ishte një mënyrë tjetër e të jetuarit me atdheun. Gjeneva mund të ishte qyteti ku jetonte, por Gjirokastra ishte qyteti ku vazhdonte të jetonte brenda tij. Prandaj libri u deshën vite të piqej. Ai nuk është shkruar vetëm me bojë, por me distancë, mall, rikthim dhe kërkim. Vetë autori e përshkruante projektin si një ese filozofike e kujtimesh, si një letër që kapërcente oqeanin drejt mikut të djalërisë, por që njëkohësisht ishte edhe një borxh ndaj qytetit ku ishte rritur. Kjo është ndoshta edhe arsyeja pse në faqet e librit poezia nuk qëndron e ndarë nga publicistika, historia nga kujtimi, humori nga dhimbja. Të gjitha rrjedhin në të njëjtin shtrat. Libri i mban pranë njëri-tjetrit jetën, historinë, folklorin, politikën, artin dhe poezinë.

Dhe kjo mënyrë e të shkruarit është karakteristike për një autor që nuk e ka parë kurrë letërsinë si dhomë të mbyllur. Agim Shehu ka qenë poet, shkrimtar, publicist, por edhe një dëshmitar i kohës së tij. Prandaj në të njëjtën vepër mund të kalosh nga një kujtim gjimnazist te një dhimbje kombëtare, nga një dashuri rinore te një refleksion politik, nga një kalldrëm te një plagë historike. Ndoshta këtu qëndron edhe “argjendi” i vërtetë i gurit. Jo te guri vetë, por te ajo që guri ka ruajtur, pasi qytetet harrojnë vetëm nëse nuk ka kush t'i tregojë. Njerëzit humbin dy herë: një herë kur largohen nga kjo jetë dhe një herë kur nuk mbetet më askush që t'i kujtojë. Librat e kujtesës janë një mënyrë për t'i shpëtuar këtij harrese të dytë. Agim Shehu e ka kthyer Gjirokastrën në një arkiv të gjallë. Ka futur në të njerëzit, shkollën, kalldrëmet, këngët, dashuritë, frikërat, plagët dhe krenarinë. Ka futur edhe veten. Dhe kur një shkrimtar e fut veten në historinë e një qyteti, ai nuk shkruan më vetëm autobiografi. Shkruan një copëz të biografisë së një brezi. Kështu, tri dashuritë mbeten të copëtuara vetëm në hapësirë dhe në kohë. Në letër ato ribashkohen. Shqipëria. Gjirokastra. Zana. Tri emra që, të marrë veçmas, mund të duken si tri histori të ndryshme. Por në “Argjendi i Gurit” (2012) ato janë tri mënyra për të thënë të njëjtën fjalë, përkatësi. Dhe ndoshta një shkrimtar nuk largohet kurrë plotësisht nga vendi i tij, as nga jeta. Mund të ndërrojë qytet, shtet, gjuhë të përditshme, adresë e horizont largohet lart në kaltërsi, por në një cep të kujtesës mbetet gjithmonë një gur. Mbi atë gur janë tri emra. Dhe sa herë kthehet te ai, edhe pas shumë vitesh, ai nuk po lexon më një libër. Po kthehet në shtëpi, mes nesh lexuesve të tij.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page