Fatmir Terziu: Aty ku udha e historisë prek udhën e integrimit shqiptar
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 1 day ago
- 4 min read

Tashmë vlerat shqiptare nuk janë thjesht hapësira shërbimi. Janë edhe memorje, janë vlera, janë kujtesë. Janë frymëzim. Janë urë e padukshme mes asaj që kemi qenë dhe asaj që synojmë të bëhemi. Pikërisht një vend i tillë është restoranti “Imperial”, një hapësirë ku shija e traditës shqiptare takon estetikën e kohës moderne dhe ku udha e historisë prek, natyrshëm e me dinjitet, udhën e integrimit shqiptar. “Imperial” ka bërë një zgjedhje të guximshme e të mençur. Drejtuesi dhe pronari i tij ka shtuar estetikën e tij funksionale duke sjellë figurat historike të kombit shqiptar në muret e tij anësore. Nuk janë thjesht portrete. Janë vepra murale që flasin. Janë piktura që nuk e zbukurojnë thjesht hapësirën, por e ngrenë atë në një dimension tjetër, në një lloj galerie të hapur, një muze real ku historia rri pranë përditshmërisë, pa zhurmë, pa imponim, por me madhështi.
Këto figura janë kujtesa e rrënjëve, heronj, poetë, prijës, nëna, gra të mençura, burra të përkushtuar, breza që sakrifikuan për një identitet që sot shqiptohet me krenari. Dhe ato u shërbejnë sa brezave, aq dhe të huajve. Në mesin e tyre gjenden edhe simbolet e feminitetit shqiptar, kostumografia e pasur, ngjyrat e traditës, bukuritë e kulturës shpirtërore dhe asaj materiale. Çdo vështrim që bie mbi ta, sikur të ndalet për një çast në një rrëfim të lashtë, por gjithmonë aktual. Në këtë hapësirë, elementi shqiptar nuk është i kufizuar vetëm në gatim, në shërbim apo në mikpritje, por dhe tek prania vizuale dhe estetike, elementë të cilët tashmë janë vlera të mirënjohura kombëtare. Ai shtrihet dhe në aspektin vizual, në artin që flet, në simbolet që prekin, në gjuhën që rri e pranishme në çdo cep. Gjuha shqipe, e vendosur me dinjitet në dekor, në komunikim e në mesazhe, i jep një dimension tjetër gjithë përvojës: ajo të bën të ndihesh pjesë e një rrëfimi më të madh se vetja.

Tek „Imperial“ është e mjaftueshme një kafe mes miqsh, një bisedë rastësore, një festë familjare, një ditëlindje, një dasmë, një mbledhje komunitare dhe “Imperial” shndërrohet në një skenë ku frymëzimi vjen natyrshëm. Nuk është rastësi që shumë prej atyre që e vizitojnë, dalin prej andej me një lloj qetësie të brendshme, sikur kanë prekur një copëz atdheu, edhe pse ndodhen në një realitet tjetër. Në Mbretërinë e Bashkuar, ku integrimi është një proces i përditshëm, “Imperial” është një shembull i bukur se si mund të bashkëjetojë tradita me modernitetin. Prania e figurave historike, nga rrënjët e ekzistencës sonë kombëtare deri te personalitetet e ditëve moderne, krijon një udhë paralele me rrugëtimin e shqiptarëve në diasporë. Ato kujtojnë se integrimi nuk është harrim i vetvetes, përkundrazi, është një ndërtim mbi vlera që na dallojnë dhe na pasurojnë si pjesë e një shoqërie më të gjerë.
Në këtë kuptim, “Imperial” nuk është vetëm restorant. Ai është një hapësirë dialogu, midis brezave, midis kulturave, midis kujtesës dhe aspiratës. Është një vend ku brezat shqiptarë rriten duke parë simbolika që u flasin për rrënjët e tyre, ndërsa miqtë e huaj mësojnë, kuptojnë, respektojnë dhe admirojnë një kulturë që nuk fshihet, por prezantohet me fisnikëri. Stafi i këtij vendi mbetet një nga shtyllat kryesore të përvojës së vizitorëve. Profesionalizmi i tyre, korrektesa, sjellja e përzemërt, të gjitha sikur plotësojnë tablonë që pikturat në mur nisin të rrëfejnë. Nën drejtimin e duhur, të familjes Çela, shërbimi kulinar shndërrohet në art më vete, ku çdo pjatë sjell një kujtim, një aromë, një histori nga trevat shqiptare.
Ndërkohë muzika, gjithmonë e zgjedhur me kujdes, shton një dimension emocional. Ajo nuk është thjesht sfond, por shoqëruese e momenteve, e bisedave, e festave. Një këngë e vjetër, një melodi e njohur, një rit i gëzueshëm, gjithçka ndërthuret për të krijuar një atmosferë që të përfshin dhe nuk të lë të largohesh pa marrë diçka me vete. Në fund të ditës, “Imperial” qëndron si dëshmi e një të vërtete të thjeshtë, se kultura është forca më e madhe integruese. Ajo nuk ka nevojë të bërtasë. Mjafton të shfaqet, të flasë butë, të kujtojë, të përfaqësojë me dinjitet atë që jemi. Dhe kur kjo kulturë vjen përmes artit, shijes, mikpritjes dhe respektit, ajo e fiton natyrshëm vendin e saj në çdo shoqëri.
Prandaj, “Imperial” nuk është thjesht një emër. Është një përvojë. Është një rrugë ku historia shqiptare ecën krah për krah me integrimin europian, duke dëshmuar se identiteti ynë nuk është pengesë dhe se është vlerë. Një vlerë që e pasuron jo vetëm komunitetin shqiptar, por edhe gjithë ata që hyjnë brenda këtij tempulli të vogël kulture dhe delikatesash, e cila është ndjerë edhe nga vizitat e dy Ambasadorëve të Shqipërisë dhe Kosovës nën shoqërinë e biznesmenit Aqif Neli, ku kanë parë natyrisht këtë investim të shkëlqyer .

Pra koha për „Imperial“ është prekje, frymëzim, ide, rrëfim. Dhe sa herë dikush zgjedh të ulet në një tavolinë aty, ndoshta pa e kuptuar, bëhet pjesë e këtij rrëfimi të bukur, rrëfimit të një kombi që di të kujtojë, të nderojë dhe njëkohësisht të ecë përpara, me dinjitet, besim dhe dashuri për jetën.
Në sallën e re moderne protagonisti më i ri i restorantit “Imperial”, Romeo Çela, e kremtoi ditëlindjen e tij në një atmosferë të mbushur me ngrohtësi familjare dhe surpriza të bukura. Mes prindërve, të afërmve dhe miqve, festa mori një domethënie të veçantë, së bashku me ditëlindjen u inaugurua edhe salla e re e “Imperial”-it, një investim që premton më shumë shërbim, elegancë dhe mikpritje. Por kulmi i gëzimit erdhi me “Princeshën” e vogël në duart e Gjysh Tanit, mbesën e tij, që solli një dritë tjetër në këtë ditë të paharrueshme. Të treja bashkë, ditëlindja, hapja e sallës dhe prania e më të voglës së familjes, e shndërruan festivitetin në simbol të vazhdimësisë, përkushtimit dhe shpresës për suksese të reja në “Imperial”.









Comments