Fatmir Terziu: ATDHEUN NGA LAJMET
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 13 minutes ago
- 1 min read

ATDHEUN NGA LAJMET
Nga Fatmir Terziu
Lajmet e vendit tim i pashë të mbledhura tufë
flisnin me veten. Pëshpërisnin në një gjuhë të tretë,
edhe në mal, edhe në fushë,
lexonin skupe nga një libër i fshehtë:
Ai në të vetën. Ajo në të sajën.
Gjithnjë i dëgjonin njerëzit e zbehtë
ndërsa shfaqeshin nëpër varreza në një vend të largët,
dhe kështu ndodhte me ditë, me javë, me muaj,
askush nuk i njihte më të parët,
të huajt i kishin zëvendësuar në të huaj.
Direkë midis lajmeve, fjala, ndërtonte mure në hava.
Një engjëll i lodhur mblidhte meloditë e zogjve aty pranë,
Po ata, pse po nxitonin, ku po iknin Ata?
KËPUTJA NGA EKRANI
Të ftohtën zor se e gjen në Gusht,
për të kuptuar ngricën dua të shprehem sinqerisht,
gjithnjë pikturoja frigoriferin me një kusht:
brendisë të mos i bëja bisht!
Dy gjendje. Dy nivele.
Dy mendësi në nevojë,
Më pyesnin, pastaj më vbënin për vete
gjithnjë e më shpesh përgjigjesha me „Nuk e kuptoj“.
Ndërsa këputesha nga ekrani si ndonjë gjethe
e largoja habinë me thonj,
me perceptimet e kota të reve,
përulësinë: me konceptin e rëndomtë,
këputjen: me ekranin që na ftohte neve.
Comments