Fatmir Terziu: Arjana Fetahu Gaba flet poetikisht kaq shkurt dhe qartë
- Prof Dr Fatmir Terziu
- May 9
- 10 min read

Sytë e gruas
Prof. Dr. Fatmir Terziu
Arjana Fetahu Gaba (New Jersey, USA) nuk bën surprizë poetike. Ajo është poete. Është poete, e dedikuar si e tillë. Jeton me vargun, ushqehet me poezinë. Është një ndjesi dhe një shprehje verbale në këtë lidhje. Shprehja verbale e dashurisë për të, si për çdo grua është një mjet i lashtë për të mishëruar ndjenjat më intime njerëzore. Ajo i zbërthen, i kodon dhe i dekodon dhe u jep muzikalitet ndjenjave dhe dashurive. Muzikaliteti i vargut dhe poezisë së saj i paraprin fjalës poetike. Mes të dyjave, janë aedët që artikulojnë poezinë dhe muzikalitetin në një harmoni kaq të rëndësishme për një shprehje krijuese të plotë. Kjo formë është degëzuar në shumë vargje, në mjaft poezi të autores, dhe vjen si një formë fisnike-potenciale, që fuqizon shijen e artit, ndaj ajo nuk harron kurrë në vargjet e saj, se baza e frymëzimit është dashuria.
Dashuria ka qenë gjithmonë një temë kryesore. Dhe megjithëse vuan shkallë të ndryshme të popullaritetit gjatë periudhave individuale të zhvillimit njerëzor, mbetet gjithmonë një prirje kryesore në jetën poetike. Dhe duket sikur temat e rëndësishme të shkruara dyqind vjet më parë të jenë të njëjtat që na lëvizin zemrat edhe sot. Ne mrekullohemi nga depërtimi i kësaj teme, por në fakt gjithçka nuk është kaq e thjeshtë. Dashuria është ndoshta një nga gjërat e përjetshme, që as koha dhe as vendi, nuk mund ta ndryshojnë, sikurse nënkuptohet tek fragmenti nga poezia e mëposhtme: „I dashur gjysma ime më e mirë,/Çerek shekulli i mbushëm sot në kalendar,/Dy të panjohur në të njëjtin stacion,/Dy bashkëudhëtarë.“ (Fetahu Gaba: I dashur gjysma ime).
Në këtë paragraf, duke qenë se lidhja e përshkrimeve gjuhësore me interpretimin e poezisë është në thelb të kuptimit aktual, dalin parasysh disa veçori gjuhësore të cilat janë stilistikisht domethënëse dhe për rrjedhojë janë të vendosura në plan të parë përmes regjistrit, leksikut, devijimit, paralelizmit dhe metaforës. Në bazë të veçorive stilistike të poezive të poetes Arjana Fetahu Gaba, kuptohet gjithashtu se vetë poetja ka njohuri poetike të ndjeshme, dhe ka bërë një përpjekje për të ndërtuar poezi të mirëfillta, jo thjesht vargje, që natyrshëm ne na bie për detyrë për ti shpjeguar se si këto tipare stilistike kontribuojnë në kuptimet e tyre të përgjithshme.
Parë në këtë kënd, po shpjegojmë me anë të rrigjistrit, atë që është kryesore tek poezia e kësaj poete. Në thelbin e mesazhit tek poezia „Pyeta ndërgjegjen“, ne kemi një gjuhë poetike të qartë, të futur në një kornizë stilistike dhe aestetike, ku ndërgjegjja është vetë simbolika me të cilin lexuesi kupton dhe kujton vlerat njerëzore, „Pyeta ndërgjegjen se kush isha unë,/Se si të njihja veten mësova një ditë,/Dhe pse kam gabuar me miliona herë,/Në shkëmbinj lumenjsh më kthyen stuhitë.“ (Po aty)
Llogoret e shumta dhe të siqerta të lidhjeve mes ndërgjegjes dhe formave të saj perceptuese siguruan temën për poezinë e poetes Fetahu Gaba. Në poezinë „Ajo që shkoi le të jetë e harruar“ poetja thotë se „nuk do të doja të ndryshoja të shkuarën/sepse sikurse Zoti e di, nuk mundem dot“. Në këtë poezi ne kemi vëzhgime të fuqishme spontane të poetes dhe ajo portretizon vuajtjet e shkaktuara në të shkuarën ashtu edhe mbi një brez nga insinuatat, njeri me njeri, por „E shkuara nuk ka asnjë shans të rikthehet“ dhe „e e tashmja ka vlerat e një themeli të fortë“. Meqenëse Fetahu Gaba është e bindur se komenti i tepërt nuk kishte më asnjë kuptim, ajo vendosi të përcjell një mesazh kaq të qartë e të bukur në një mënyrë spektakolare përmes poezisë së saj. Përgjatë „Jo çdo plagë mund të shërohet“, ajo përdor një regjistër faktesh për të shënuar skenat e mundshme që ndjen në këtë pikë dhe emocionet që përjeton, sikurse shënohet nga fjalë „me ngutje“; „punë ilaçi“; „punë lutje“; „dhembin“; „që s'janë aty“; „janë të padukshme“; „sheh me sy“; „deftere“ apo dhe „të rishkruante fatin tënd“.

Në poezinë e saj, Arjana Fetahu Gaba e shndërron regjistrin e përvojës së vijës së parë në një ton bisedor dhe shpjegimtar. Në „Ah sa të dua“, kërkon lumturinë në një tunel të kapur nga dashuria, është errësirë, por ka dhe dritë dhe ajo sheh edhe „stuhitë dhe pranverat që aty“. Në poezinë tjetër „Ti më eja, si vjen reja“, shohim një regjistër që ndryshon marrëdhëniet me stuhitë, stolitë, puset ku s'kanë ujë dhe me vetë poezinë.
Meqenëse poetja, që në moshë të re ka ekspozuar njohuri të mira e të ndjeshme ndaj gjuhës së simbolikës dhe vetë vargut poetik dhe kjo i hapi asaj një fushë të gjerë të një diskursi (temat dhe profilin e vetë) që ajo përdor në poezitë e këtij vëllimi të ri poetik. Ashtu si mjaft poete të tjera gjithashtu merret me agonitë dhe lumturitë, gjendjen dhe situatën, familjen dhe kompleksitetin rreth saj dhe ajo plotëson një stil të vetin. Ajo është me të vërtetë që po bën emër me thjeshtësinë dhe simbolikën e saj në këtë prizëm, dhe gjuha e poezisë së saj është tematikisht e spikatur, ajo ka ushqim të shëndoshë metaforik në poezitë e saj më të njohura pasi ato trajtojnë jetën dhe vetë formën jetike, që ndërlidhet me dashurinë. Në „Kuptoje atë vajzë...“ ajo shkruan me një rregjistër shpirti, me një timbër zemre dhe simbolika e bën këtë rregjistër mjaft të afërt me kuptimet më të ndjeshme poetike: „Kuptoje thellë në sy atë vajzë,/Ndoshta mijëra puthje në lëkurë ajo mban,/Në shpirt të saj ka po aq trishtime,/Sa i ngjan një oqeani kur qan./Një oqeani kur sillet cikloni,/Ku dhe thellësinë ja ngre përpjetë,/Ndaj kurrë mos e pyesni për rrugën, /Nga e shpunë përrenjtë./Mos u bë naiv të prekësh buzët e saj,/Ajo dëshpërimet di ti fsheh fare mirë,/Dhe dielli s'do guxonte se zihet në faj,/Ndaj ti s'mund t'ja shkelësh kufinjtë e saj“. Në një kontekst të tillë Arjana Fetahu Gaba përdor si ligjërimin e përditësisë ashtu edhe atë të dashurisë për të zbuluar thelbin, agonitë e heshtjes dhe vetë heshtjen e një aspektualiteti që të shpie tek thelbi i një dashurie, i një familjeje në pikëllimin e ndjesisë së qetë me ato që i mbart jeta.
Gjëja e parë që më goditi gjatë leximit të këtyre poezive, janë faktet që nuk qëndrojnë të paanshëm kur bëhet fjalë për dashurinë. Dhe megjithëse poezia e saj përkufizohet si e tillë, a është edhe patriotike, poezitë kushtuar të dashurit janë jashtëzakonisht të mira, sikurse dhe ato që i këndon Çamërisë dhe rrjedhës e gjakut të saj. Shumica e teksteve të saj të tregojnë më së miri se dashuria më e madhe e saj është Çamëria, por pavarësisht gjithçkaje, një zonjë simpatike, sikurse është, nënë dhe grua, bashkoshorte dhe aktiviste, Arjana Fetahu Gaba gjeti për pak kohë një vend në jetën e saj të na rizgjoj vlera poetike. Sidoqoftë, poetja shkon edhe përtej këtyre dy pikave. Në vëllimin e saj poetik poetja tregon për mallin e fortë që dashuria krijon në zemrat e njerëzve dhe dëshirën e furishme për të fituar të dashurin. Natyrisht, poetja e thotë këtë me fjalë shumë të ndryshme. Në fund të fundit, poezia e saj është shkruar në vite dhe mbetet adekuate.
Nuk mund të na mungojë tashmë thelbi poetik i poetes. Në të, dallohen dy qarqe kuptimore, natyra dhe dashuria. Qëllimi im është t'ju prezantoj dashurinë përmes syve të vetë diskursit. Dhe diskursi i tillë është i butë dhe gjithëpërfshirës. Imazhi i të dashurit në shumicën e miniaturave është thjesht shpirtëror. Ajo është edhe një “fëmijë i ngushtë”, por është edhe motër, shoqe e sikurse e cituam edhe nënë e bashkëshorte. Dashuria në poezinë e saj është një ndjenjë e qetë dhe e lehtë. Por ajo thjesht vërehet sepse është e qëllimshme në disa vargje. Ashtu si lumturia është një ide utopike në vargun e saj, dashuria që sjell lumturi është e simbolizuar. Dhe kjo ide shpaloset si në poezinë „Ke ende kohë të bëhesh burrë“; „Mos ma trazo detin„ e shumë të tjera.
Nuk kam fjalë të tjera më të forta për të shprehur admirimin tim për këtë poete. Ajo flet kaq shkurt dhe qartë, me fjalë kaq të forta dhe të sakta. Ndoshta për shkak se dashurinë e ka takuar në personin e duhur, sikurse është bashkëshorti i saj i talentuar, Alban Gaba, e shpreh aq mirë ndjenjën e dashurisë, që bazohet në rrënjë të shënodosha e mjaft të bukura njerëzore. Patosi i ndjenjave në poezinë e saj vërtetë është mahnitës. Dashuria si fuqi supreme dhe kuptimi i vetëm i jetës shpaloset në të gjitha simbolikat dhe me tërë arsenalin e figuracionit. Një poete e tillë e kompletuar shkruan për dashurinë e vërtetë dhe më tepër për lumturinë dhe jetën me praninë e ndjenjës më të madhe njerëzore. Kjo është vërtetë poetja që shkruan me një stil të bukur e mendjebetuar ndaj fatit, aspak pesimiste, aspak e shkëputur, autorja i kushton hapësirë të gjithë diskursit të dashurisë, siç e sheh ajo „dashurinë mbretëreshë, dashuria nuk ma lidh rrugën”. Dhe mbi këto fjalë u shkrua një nga poezitë e saj më të shkëlqyera, pikërisht „Sytë e gruas“. Dashuria e jetës së saj nuk është askushi, që në fakt nuk është një imazh iluzion, sepse poetja flet me zërin si një grua e vërtetë. Dhe kjo është arsyeja pse ajo është i talentuar: „Sytë e gruas,/momenti kur fillon ylberi të marrë trajtën harkore,/Momenti që nis frymëmarrja e thellë e të mbush me jetë./Sytë e gruas,/momenti kur dëshpërimi vdes botës së saj nga pafuqia,/e s'nxjerr me zë./Momenti ku rrezet depërtojnë e mposhtin retë gri, duke ngrohur me puthje./Sytë e gruas,/pasqyra më e pastër në momentin kur i sheh i zhvirgjëruar nga djallëzia jote mashkullore./Janë lumenj dashurish ku engjëjt lajnë sytë./Jepu kohe të të njohin dhe ty!“
Tek poezitë e këtij vëllimi të ri poetik të poetes Arjana Fetahu Gaba vihet re gjithashtu paraqitja përmes devijimit, paralelizmit dhe metaforës. Devijimi, siç përcaktohet nga studiuesit është një dukuri gjuhësore dhe ka një efekt të rëndësishëm psikologjik te lexuesit e kësaj poezie. Në çdo poezi, ku një pjesë është e devijuar, ajo bëhet veçanërisht e dukshme, ose e spikatur në perceptim. Ky efekt psikologjik quhet pararendësi. Duke qenë se elementët “të parë” në çdo tekst të caktuar kanë rëndësi jetike për të kuptuar mesazhin(et) e përcjellë, do të ndalem në pjesët e poezive të cilat janë në plan të parë përmes paralelizmit, metaforës, devijimeve semantike, sintaksore apo grafologjike. Këto fusha të gjuhës janë, në një farë mënyre në kufirin midis gramatikës dhe kuptimit.
Poezia e Arjana Fetahu Gaba „Fieri im i dashur“ fillon me një devijim. Pak para rreshtit të parë të poemës, vargu (këmbë fëmije ta brodha çdo cep) është një devijim i jashtëm dhe është grafologjikisht i devijuar nga normat e zhanrit. Poetja, duke dhënë mjedisin dhe kohën e saktë, pra të fëmijërisë, thekson se gjithçka që do të tregojë në poezi ka të bëjë me përvojat dhe vëzhgimet e saj personale, më e rëndësishmja “reale”. Ajo të jep përshtypjen e një personi që regjistron gjithçka në ditarin e saj dhe ky fakt i paraparë shërben për ta bërë lexuesin të besojë në besueshmërinë e poetes dhe realitetin e poezisë. Për më tepër, ky plan i parë përforcon faktin e përmendur më parë se në poezitë e saj shprehen skenat që ka parë dhe emocionet që ka përjetuar në qytetin. Esaj të dashur, Fierin, aty ku thotë „Natën ma shtroje me ëndrra përrallash,/Me ditë të diellta mëngjesit m'i zgjoje,/Unë ndrija si hënëz e re qiellit tënd,/Ashtu sikur ti dëshiroje.“
Një linjë tjetër devijuese në strofën e parë të kësaj poezi janë vargu i dytë dhe i tretë i poezisë: „Dhe gurët e rrugës i kishe të çmuar,/Tek ti dhe ylberët kishin tjetër jetë“. Në këtë linjë gurët e rrugës është një shprehje metaforike e rrugës përdoret si mbiemër për ecurinë, udhën e jetës, dhe ky nuk është një përdorim i duhur për një situatë të udhës jetike të vetë moshës dhe për këtë arsye është i devijuar. Nga ana tjetër, arnimi i kuptimit të ylberëve është semantikisht i devijuar pasi arnimi normalisht nuk lidhet me shkëlqimin e tyre në çdo kohë, se dihet që ato dalin pas shiut në një sfond me diell. Nëpërmjet këtyre elementëve devijues, poetja nxjerr në pah idenë se ajo do të ndriçojë realitetet e udhës me ndihmën e „Me ditë të diellta mëngjesit m'i zgjoje“. Si poete e lindur në këtë qytet, ajo është e vetëdijshme për konfliktin mes indiferencës së kohërave dhe memorjeve të ndryshme. Poetja gjithashtu dëshiron që të gjithë të kuptojnë dhe të shohin qartë se çfarë po ndodh në memorjen e saj për një qytet të dashur. Nëse njerëzit e tjerë do të mund të shikonin gjërat në këtë kontekst dhe të përpiqeshin të kuptonin realitetet pa asnjë "arnim" në sytë e tyre, gjithçka do të ishte e dukshme si shkëlqim metaforik, „ndrija si hënëz e re qiellit tënd“.
Në rreshtin e parafundit të strofës së parë tek poezia tjetër „Mall“ kemi një devijim tjetër: „Qëndisa me lot të syrit etjen“. Në këtë rresht, qëndisa përdoret si folje për të përcaktuar veprimin me lotin e mallit. „Qëndisa“ (folje jokalimtare) leksikisht do të thotë e zbukuroj diçka duke bërë me gjilpërë lule e figura të ndryshme. „Me lot“, nga ana tjetër, i referohet veprimit të pamundshëm, por në sensin figurativ me një ndjenjë trishtimi dhe dedikimi. Normalisht, ne nuk përdorim një veprim të tillë që ka qartë konotacione diktuese. Prandaj, malli i dashurrisë është një devijim semantik. Poetaj thekson shpresën e saj të mirëkuptimit se njerëzit e tjerë mund të marrin një shembull nga „më kish përvëluar shpirtin/një mall dashurie“. Nëse njerëzit, të cilët në dukje janë indiferentë ndaj fenomeveve në ikje, bëhen më të ndjeshëm dhe kuptojnë anën e pakuptimtë dhe të dhimbshme, kjo “gjilpërë më gjilpërë”, nuk duhet zgjatur që malli të shuhet, por mund të kthehet në një të ardhme “shprese”.
Megjithatë, struktura poetike e poetes është gjithashtu në plan të parë përmes një devijimi të brendshëm sintaksor. Kur shikojmë rreshtat e mjaft poezive të saj sikurse janë „Me qindra "përleshje"; „Me shpresë“; „Më merr malli për ato agime“; „Kjo tokë e latë me gjak prej burri“ e të tjera shohim se ekziston një paralelizëm midis rreshtit (1) dhe (8), por rreshti i parë i strofës së fundit devijon së brendshmi nga këto rreshta duke shfrytëzuar një mbiemër në vend të një gerundi. Si rezultat, ne e ndjejmë këtë edhe më shumë në rreshtat në vazhdim ku kemi një tjetër devijim të brendshëm. Në këto rreshta poetja përdor një gjuhë bisedore në një ton bisedor. Është e qartë se gjuha bisedore tregon menjëhershmërinë e poezisë. Këtë e bën shumë mirë Arjana Fetahu Gaba.
Duke konkluduar poetja Arjana Fetahu Gaba është sa me një stil e me një sen romantik, por dhe ëndërrimtar. Unë e përkufizoj atë si një poete të dashurisë sublime, sepse është tema kryesore e poezisë së saj. Tekstet e saj janë shumë mbresëlënëse. Por për të, dashuria dhe malli, respekti dhe familja, jeta dhe udha e saj, është diku në të kaluarën dhe po aq edhe në të ardhmen. Ajo është ideale dhe bartëse e vlerave të larta. Imazhi i të dashurit është jashtëzakonisht eterik dhe në të njëjtën kohë tokësor dhe fizikisht i prekshëm.
Natyrshem , nuk e ndjek me kersheri poezine . Kjo analize e thelle , e ketij vellimi poetik te ben te ndiesh i emocionuar , ne te tera planet shpirterore . Poetesha eshte ne qender te ciklonit jetesor , duke vecuar perkatesine came . Kjo poete e re na ben pjese te Atdheut , sepse poezia e saj eshte burimore . Analiza e thelle e Terziurt , verteton kete diskrs profesional . Analiza e hollesishme na i ka prure poezine ne tavolinen e punes dhe ne ndergjegjen e lexusit vrojtus . Ka shenjen e barazimit emocional , poezia me analizen e diskursit profesional . Veshtire se do na i sillte kaq afer kete poez…