top of page

Fatmir Terziu: Ag përralle

ree

Ag përralle

Nga Fatmir Terziu

 

Ardhja e agut e ngul në mendje shijen e fustanit me varak

si një film i shkurtër me shije dhe kthehet në një ëndërr

bëhet një mbledhje e gjatë ku gjithë fjalimet janë qesharakë,

dashuria nuk ka arsye kaq të tendosur sa të mbaroj këngën.

 

Kështu ndërsa perdja lë diellin të hyj vetvetiu në lexim,

dita e re e përmbledh këngën në një tjetër pentagram

ky film shkëputet nga shiritat, e vazhdimi bëhet një trillim,

e më pas çdo lëvizje është një bekim me pak fjalë.

 

Dhe dita gurgullon në ujësinë e saj të bardhë

në perceptime si një mori filmash të tjerë misteriozë,

diku mendja vallëzon me një pemë një valle të ngadaltë,

e sytë mësyjnë si një gjarpër i dehur nën rrogoz.

 

Vetëm duart mbesin dëshmitar të prekjes së parë,

heshtin si uji që s'e hap kurë torbën e tij të lagtë,

albumet fotografike flasin vetëm me zërin përrallë,

historitë bëhen gri dhe fitojnë transparencë atje lart.

 

Kështu të gjithë agimet shfaqen, mësyjnë, treten,

e filmi i shkurtër bëhet me metrazh të gjatë,

si gjuha e luleve për të treguar se si humbën veten,

pa dalë nga agu i bardhë e i bukur atë natë.

 

Dhe sytë ngrejnë perdet në dritaren e shtëpisë së parë

masin vetveten me bardhësinë e virgjër të së tërës,

e udhëtojnë vetëm veten, e mbulojnë vetëm me fjalë

rininë, si fija e çliruar nga krahët e ngushtë të gjilpërës.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page