Edmond Shallvari: Shkrimtar Kërmilli
- 8 minutes ago
- 3 min read

Shkrimtar Kërmilli mbylli laptopin i kënaqur dhe doli jashtë në kopshtin e tij, të çmpinte ca trupin dhe të thithte oksigjenin e pastër, rrëzë luleve shumëngjyrëshe.
Më në fund, dita e promovimit të librit të parë me histori të lavdishme nga jeta e tij jargëgjurmëlënëse, porsa ishte shpallur brenda dhe jashtë kopshtit.
Për këtë reklamë, të pandodhur më parë në botën e gjallesave, u vunë në lëvizjen më të shpejtë zvarritëse, gjithë shoqëria dhe soji i Kërmillit.
Më e veçanta nga e veçanta, ishte formimi i emrit të tij dhe titullit të librit, nga bashkimi në formën e gërmave, të qindra kërmijve të zgjedhur nga më të mëdhenjtë e të mëdhenjve për nga përmasat e guackës.
Në trungje e degë pemësh, fasada muresh dhe xhamesh, gardhesh, urbanësh, etj, etj, u përdorën për shkrimin e njoftimit, me dhjetra kile jargë, aq sa, siç flitej poshtë e lart, pati me dhjetra kërmij vullnetarë, që u flijuan, duke dhënë dhe pikën e fundit të jargës. Në nderim e kujtim të aktit heroik, me trupat e tyre u ngrit një lapidar madhështor guackash.
*
Për të arritur në Lëndinën mes pyllit, ku do bëhej promovimi, shkrimtar Kërmilli dhe soji i tij, u nisën dy ditë më parë.
Gjatë rrugës, e vetmja gjë që e mundonte, ishte hapësira e vogël e Lëndinës, që zor të mbante as çerekun e të ftuarve.
Organizatorët mundoheshin ta qetësonin me argumentin, se Lëndina tjetër, dhjetë herë më e madhe se kjo që zgjodhën, ishte aq larg, sa do t'i duheshin dhjetë jetë kërmilli për ta arritur.
Megjithatë, Kërmilli, në vetvete, më tepër se mundim dhe merak për Lëndinën e vogël, ndjente tjetër gjë, që e kënaqte dhe lumturonte. Gjallesat, që do e ndiqnin promovimin nga ekranet e kanalit televiz TV Kërmill, do çuditeshin kur të shikonin, që në atë Lëndinë, nuk mund të gjente vend bosh as milingona.
Lajmi i parë pompoz, "Pjesëmarrje e paparë ndonjëherë në promovime librash nga bota e gjallesave", do hapte siparin e lajmeve nga gjithë mediat kërmilliane.
Me imazhin e këtij lajmi, Kërmilli shpejtoi ecjen zvarritëse, duke lënë pas shenjat e jargës së fundit, në pragun e Lëndinës.
Për pak u tremb për jetën e tij. Mezi po mbushej me frymë, në trupin e mbetur si bar i thatë, por papritur u gjend mes barit të porsavaditur të Lëndinës.
Ajo që e çuditi më tepër, ishte, se për herë të parë shikonte të qëndronin në krah të njëri-tjetrit, dhelpra dhe lepuri, dreri dhe ujku, macja dhe miu ... dhe kjo pamje paqësore mes armiqsh për vdekje, do mbetej patjetër në analet e historisë së gjallesave, si suksesi më i madh i tij, sigurisht, pas suksesit të madh, si shkrimtari më mirë i të gjitha kohërave.
Kishte qenë, kohë më parë, në promovimin e librit të shkrimtar Qukapikut, kur ai as në ëndërr nuk e kishte parë veten si shkrimtar, por ç'i duhej ëndrra, para asaj dite të bukur me diell, fill pas shiut të rënë gjithë natën, kur një zë i brendshëm i tha:
"Ti ke aq jargë, sa gjynah mos i përdorësh për t'u bërë shkrimtar. Jargët e tua i ka zili gjithë soji i kërmijve. Shndërroi jargët në fjalë, fjalët në fjali dhe fjalitë në roman. Vetëm kështu, jargët e tua do lënë vërtet gjurmë, jo vetëm në historinë e kërmijve, por të gjitha gjallesave të planetit"
Dhe vërtet ashtu ndodhi, për të arritur më në fund kësaj dite, ku shkrimtar Qukapiku është si dikur ai, kurse ai, si dikur Qukapiku në promovimin e librit të tij.
E vazhdoi monologun e vetes me thënien bindëse, se tashmë ishte ai më i miri, duke e zbritur nga vendi i parë Qukapikun. Për ta mbyllur me thënien, "Me siguri, që nga zilia që ka për suksesin tim, nuk do ketë ardhur sot në promovim".
Por, trokitja e njohur, tak, tak, tak dhe rënia mbi guackën e tij, të një ashkle nga pema aty afër, ja prishi kënaqësinë e çastit.
"Dreqi ta marrë!", tha, duke jargëzuar, "kjo gjallesë mendjemadhe, ziliqare, grindavece dhe mediokre, do më ndjekë pas gjithë jetës sime, jashtë dhe brenda guackës dhe ç'është më e keqja, edhe brenda faqeve të librit tim"
Sado që ta fshinte nga kujtesa e tij, nuk mund ta fshinte dot emrin dhe penësqepin e Qukapikut nga çdo faqe e librit të tij.
E ndjente çukitjen e penësqepit Qukapikas, sa herë prekte librin me dorë.
Por, bota e gjallesave nuk duhej ta merrte kurrë vesh, që falë mijra çukitjeve qukapikase, ishte bërë i mundur pastrimi dhe fjalëzimi letrar i jargëfjalëve kërmilliane, në librin e parë të shkrimtar Kërmillit.
*
Pa arritur të mbushej mirë me frymë në podiumin e Lëndinës, nuk ju besoi dot syve të tij, kur nga gjithë të ftuarit, kishin mbetur vetëm milingonat, që vazhdonin hyrjedaljet nëpër vrimat e Lëndinës, të ngarkuara me rezervat ushqimore për stinën e dimrit.
Por, ajo që gati po e çmendte më tepër, ishte vazhdimi i trokitjes qukapikase, tak, tak, tak, ...
@Edmond Shallvari









Comments