top of page

Fatmir Terziu: A ka sy turisti?

  • Jun 29
  • 3 min read

 

Udhëtoj në Elbasan. Herë-herë si vendas. Herë-herë si vizitor. Këto janë dy udhëtime krejt të ndryshme, edhe pse zhvillohen në të njëjtat rrugë, nën të njëjtin qiell dhe mes të njëjtave ndërtesa. Vendasi ecën me kujtesën. Turisti ecën me sytë. Pikërisht këtu lind pyetja: A ka sy turisti, apo ne kemi humbur aftësinë ta shohim qytetin me sytë e tij? Në qytete të ngjashme me Elbasanin, si Berat, Gjirokastër, Mostar, Ohër, apo Strugë, nuk janë vetëm monumentet që mbeten në kujtesën e vizitorit. Janë detajet. Një stol i vendosur me shije. Një mur i restauruar pa e vrarë historinë. Një shesh ku arti bashkëjeton me jetën e përditshme. Një dritare që nuk flet vetëm për arkitekturën, por për shpirtin e qytetit.

Edhe Elbasani ka shumë për të treguar. Ka kalanë, rrugët me histori, mjeshtërinë e njerëzve të tij, traditën, zanatet, skulpturat dhe punët artistike që janë krijuar ndër vite. Por shpesh ato shihen vetëm si objekte funksionale ose si pjesë e zakonshme e peizazhit urban. Vendasi kalon pranë tyre pa u ndalur. Turisti ndalet. Ai kërkon kuptimin. Kërkon historinë. Kërkon atë që e bën një qytet të dallueshëm nga të gjithë të tjerët.

Kjo më shtyn të pyes: A ekzistojnë vërtet “artet e pastra” dhe “artet e aplikuara”, apo ekziston vetëm Arti? Sepse kur një skulpturë bëhet pjesë organike e një sheshi, kur një parmak hekuri është punuar me elegancë, kur një fasadë flet me gjuhën e mjeshtërisë, kufijtë akademikë humbasin. Për turistin nuk ka rëndësi emërtimi. Ai sheh bukurinë ose mungesën e saj. Ai nuk pyet nëse një vepër është dekorative apo monumentale. Ai pyet vetëm nëse qyteti i flet. Qyteti vetë është një ekspozitë e hapur. Nuk ka mure që kufizojnë galerinë. Çdo rrugë është një korridor. Çdo shesh është një sallë. Çdo ndërtesë është një objekt ekspozimi. Atëherë lind pyetja tjetër: A është qyteti një salon apo një muze?

Ndoshta nuk është as njëri, as tjetri. Sepse si në salon, ashtu edhe në muze, arti shpesh ndahet nga jeta. Në qytet ai duhet të marrë frymë bashkë me njerëzit. Një qytet që jeton nuk e ekspozon artin si relike, por e bën atë pjesë të përditshmërisë. Pikërisht aty qyteti fiton identitet. Thuhet se në muze dhe në salon “njeriu i gjallë merr frymë me vështirësi”. Ndoshta sepse aty gjithçka është e ngrirë. Por një qytet nuk duhet të jetë kurrë i ngrirë. Ai duhet të ndryshojë pa humbur kujtesën, të modernizohet pa fshirë gjurmët dhe të mirëpresë të renë pa dëbuar historinë.

Në këtë këndvështrim, arti nuk është luks estetik. Ai është mënyra se si qyteti komunikon me të panjohurin. Është gjuha e parë që lexon një turist, shumë përpara se të dëgjojë një fjalë në gjuhën shqipe. Prandaj “Arti dhe Stili” nuk mund të jenë një horoskop i qytetit, diçka rastësore që varet nga fati apo moda. Ato janë rezultat i kulturës qytetare, i vizionit dhe i punëtorisë së qytetit.

Çdo brez lë gjurmën e vet në gur, në dru, në hekur, në bronz, në dritë, në gjelbërim. Kjo është punëtoria e vërtetë e qytetit. Nuk prodhon vetëm objekte; prodhon identitet. Nuk ndërton vetëm rrugë, ndërton kujtesë. Nuk zbukuron vetëm fasada; edukon syrin. Dhe kështu rikthehem në pyetjen fillestare. A ka sy turisti? Po. Ai ka sy, sepse nuk ka kujtime që t’ia mbulojnë pamjen. Ai sheh atë që ne nuk e shohim më. Ai dallon harmoninë dhe çrregullimin, kujdesin dhe neglizhencën, artin dhe rastësinë. Pyetja e vërtetë nuk është nëse turisti ka sy. Pyetja është nëse ne, që jetojmë me Elbasanin në zemër, kemi ende sytë për ta parë qytetin tonë me të njëjtën habi, me të njëjtin respekt dhe me të njëjtën dashuri si ai që e zbulon për herë të parë.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page