Fatmir Terziu: DUKE PREKUR ËNDRRËN
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Apr 1
- 2 min read

DUKE PREKUR ËNDRRËN
Nga Fatmir Terziu
Ëndrra
… si shtëpi e braktisur
në levandon e mykur të gëlqeres u merr frymën mureve,
duke u kacavjerr me jone kujtimesh
pozon në lotin e patharë të viteve,
duhet të ketë qenë aty shekuj më parë,
mbi plakjen në të gjelbër,
e vetmja e mbetur gjallë,
e vetmja me një emër,
ecën ngadalë,
në çdo hap ha mikroorganizma të kithëta
për të mbajtur kujtimet pa fjalë
në grima, rudha dhe vegime si drita.
Pirgje merimangash të etura
diversante.
Kanë kaluar kufinj, klone, libra, rafte
duke lënë pas klipe
mbyllje në rrjeta enigme që shkëmbejnë shenja
të pakuptimta
pëshpëritje që i shuan erësira
buzqëqeshje që i zbraps dita
dendur në disa qoshe të rrënda
nga frika
se i merr me vete ëndrra.
Në sitën e terrur të prekjes
lakuriqësitë nemin cekjet të pjerrëta
përtej zverdhjes
dielli hyn në pore të serta
sirtarëve që mbajnë siparin e gjendjes
gjendje të harruara të thjeshta
në qendër të syve përtej vëmendjes
të gjitha bien, e bien si gjethet nga vjeshta.
Sa hapet dera një gjendje e lehtë bie në koma
narciziste mes lotit si një shenjë,
e burgosjes së dritës ku aroma
shpërthen si një fryrje e pompuar në venë
duke prekur ëndrrën
që ikën tinëz si një renë.
REPORTAZH NGA SHESHI I HEROIT KOMBËTAR
Një thashëthem i vjetër mbjell Sheshin mes për mes
gjurmë fosilesh të shkëputura nga Muzeu Historik
fshijnë ADN-të e tyre me një thes,
dhe pllakat e mermerta në kuadratet e sheshta
e mbushin zhurmën më me nge,
në veshët e Kalit të Heroit Kombëtar -
Gjergj Kastrioti - Skënderbe.
Nuk ka fotograf. Fotografët kanë vdekur…
janë vetëm virtualë, apo të huaj,
ndërsa trokthet nga kuajt e tërbuar po rishfaqen
secila pluhuramë bën gropën e saj me duar,
fiksohen pas blicave, dhe rrëmujës
nuk ka ndryshim midis aromës së fiksuar
dhe erës së hudhrës.
Comments