Faruk Myrtaj: VARRIMIN VETËM
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Oct 30, 2025
- 4 min read

-tregim-
Njeriu më i madh nga ai fshat, ndër më të mëdhenjtë në vend, kishte kërkuar nga drejtuesit e vendlindjes ta prisnin vetëm ata të zyrave, pa njoftuar të tjerët, d. m. th. popullin.
Vetëm kur makina e tij, me një tjetër përpara dhe një të tretë mbas, arritën në qendër, panë se tërë fshati qe mbledhur te sheshi i gjelbër i fushës së sportit.
“Kaq shumë njerëz s’mund të na duan, aq më pak në vendlindje!"
Ky lloj njeriu lëshonte hera-herës rrufe të tilla. Ia dinin këtë, ata që vdisnin për të, por edhe ata që ia kishin drojën. Ndonjëherë thuhej se edhe ata që e urrenin, ia çmonin këtë shpengim fjale, edhe pse menjëherë shtonin se kjo vinte nga fuqia e tij.
“Kur njeriu vjen në shtëpinë e vetë, nuk troket!” i tha tërë asaj mase njerëzish që mezi priste të befasohej prej ligjëratës së tij. “Edhe pse, kur vjen, njeriu i gjen aty tërë robtë e shtëpisë!”
Dinte të ulej edhe këmbëkryq. Kishin sjellë një shilte, që ia vendosën mbi bar. Nisi të këmbente shpoti me më të njohurit, duke e lënë hapur -siç bënte vetëm ai, edhe shtegun fjalës së tyre.
Sidomos kohëve të fundit, i qe shtuar frikshëm dëshira për shkrepje fjale, pa e pritur dot atë që ndodhi, një çast më pas, diçka që e përmbysi pritjen fshatçe…
***
Një e qarë, u ngrit si klithmë shpendi dhe u dëgjua gjer aty.
“Unë thashë se ju gëzoheni kur unë vij në fshat!”
Kësaj here nuk e ndoqën të qeshurat e tyre. Sytë e turmës s’ditën as t’i fshiheshin. Ai e njihte vendlindjen si lodrat e fëmijërisë, që i vetëtiu ndjesia se e qara po zbriste nga Lagjet e Sipërme. Ende kështu thirreshin, edhe pse ata atje e kishin humbur luftën, po atë luftë që atë vet e kishte bërë me pushtet të madh.
E qara me kujë mori qiellin, si të mos donte të bënte me ata aty, por s’vonoi të ndjehej frymëmarrja e ngutur, si hakërrimë. Plakën e Lenicëve, atë mendoi, dhe ajo u dha në krye të rrugicës që zbriste nga ajo lagje te rruga anës fushës së sportit.
Vetëm vdekja, ajo nuk llogarit kurrgjë të jetëve të kësaj bote, mendoi ai.
Dukej se s’kishte asnjë rëndësi për ata aty, rreth tij. Ata do bënin sikur nuk ia dëgjonin vajin dhe as e shikonin ardhjen e saj, madje ata do bënin gjithçka ta siguronin atë, si më të madhin prej tyre në qeveri, se s’donin t’ia dinin fare për vdekjet e Lenicëve.
Mjaftoi vetulla e ngritur e Tij, për andej nga vinte e qara, si për të verifikuar parandjenjën, që gjithçka e atyshme të përmbysej.
Ajo grua- e Lenicëve, prej motesh e moshuar, e tëra në të zeza, me siguri tërhiqte një meit njeriu, ç’tjetër veçse një meit të vdekuri. E kishte ujdisur mbi një batanije, velenxë apo thjesht mushama si shtromë, si arkivol, për ta çuar e vetme në varrezat…
E rrëmbeu vetëtimthi përunjien dhe bindjen pa kushte të tërë krye-ulurve aty.
Vdekjen e ndodhur, sigurisht e dinin këta që kishin dalë edhe e prisnin të gëzuar si për festë. E bluajti në vet-vete idenë se pikërisht madhështia e pushtetit të tij, bënte që këta njerëz të mos dinin se si ta donin. Duke ia fshehur këtë vdekje, bënin të kundërtën: provonin që kjo skenë e rëndë kishte lidhje pikërisht me të. Nëse jo drejtpërdrejtë me ardhjen e tij të pa lajmëruar, sigurisht për çfarë ai kishte qenë dhe mbetej, në raportin me Fshatin dhe të tërëve së bashku me të humbësit e atyshëm të Luftës, Lenicët.
Edhe pse rrekej të dukej sa më i vërtetë- me tërë ata aty, në këtë rast edhe me Lenicët, pra që kësaj dite kishte ardhur krejt rastësisht, këtë orë me vdekje në ta, rastësia kishte ngritur kurth të rëndë ndaj tij. Nuk i kishte fshehur raportet me Lenicët: kishin këmbyer fjalë e pushkë në luftë. E kishte fituar Ai, luftën me Ta.
Në paqen e vendosur - sipas kushteve të tij, si fitues, me rregullin e vetëm: fituesit të gjitha, atyre u duhej të rrinin urtë dhe ashtu kishin bërë. Po ta kishin fituar luftën ata, Lenicët, ai vet besonte se do ndodhte thjesht e kundërta.
“I kapërceu të nëntëdhjetat, plaku!”, nxitoi ta shërbente fjalën, njeri nga të fshatit.
“Ka vdekur, dhe ju e keni lënë vetëm? Edhe në vdekje e keni lënë vetëm?!”
Ata përqark, s’po dinin: të qeshnin, pra të rrëfenin se vazhdonin të ishin me të, kundër Lenicëve, kundër Lenicës luftë-humbur, aq më shumë kur ai kishte marrë rrugën për Andej nga askush s’kthehej më, apo...
“E keni lënë të vetme atë grua, ta çojë osh e zvarrë njeriun e saj në varreza? Po më thoni se paskemi mbaruar me të gjitha ne?”
Ishte ngritur më këmbë, pra më këmbë ishin ngritur tërë të tjerët pas tij.
“Shkoni more…përcilleni njeriun për Andej, se mua këtu më kini…”
Një tufë e vogël prej të vetëve, kryeulur arritën te plaka Lenicë, teksa Ai vet, bëri për nga makinat. Tërë shoqëruesit e vet, u shfaqën si milingonat dhe, për pak minuta, ishte në udhë…
***
Me askënd në kryeqytet, as në bisedat me bashkëfshatarët që takoi më pas, deri në fund të asaj vjeshte të tretë, kurrë s’i zuri ngoje Lenicët, as vdekjen e fundit të tyre.
Këtë gjë e mbajnë mend mirë ata të fshatit, po aq të paharrueshme atë që tërë kryesia e fshatit u shkarkua me urdhër gojor të Tij. Vetëm se e kishin mbledhur fshatin përkundër fjalës së tij.
Njerëzia, sot e kësaj dite e rrëfejnë të ngjarën tjetër, të më në fundmen e Tij.
Dyzetë ditë pas vizitës në fshatin e vet, vizitë që kurrkush s’e mendoi të ishte e fundit, vendosi të nisej vet për Andej.
As ai s’e kishte shkuar ndër mend që askush prej bashkëfshatarëve s’do kishte rast as mundësi të merrte pjesë në varrimin e tij. Vetëm shtatë-tetë vetë i qenë përcjellës të fundit, për detyrë.
Po t’i numëroje kryeulurit pas arkivolit të tij, gjithë-gjithë bëheshin më pak se ata që përcollën plakun e Lenicëve.









Comments