V A R R I M I N V E T Ë M
-tregim-
Njeriu më i madh që kishte dalë nga ai fshat, ndër më të mëdhenjtë në kryeqytet, kishte kërkuar nga drejtuesit e atjeshëm ta prisnin vetëm ata, pa njoftuar të tjerët, d.m.th. popullin. Makina e tij, me një tjetër përpara dhe një të tretë mbas, arritën në qendër dhe vetëm kur zbritën, panë thyerjen e porosisë: tërë fshati e priste i mbledhur te sheshi i gjelbër i fushës së sportit.
“Kaq shumë njerëz, s’mund të më duan, as të më presin. Aq më pak në vendlindje!”
Ky lloj njeriu lëshonte hera-herës rrufe të tilla. Ia dinin këtë ata që vdisnin për të. Dhe ata që ia kishin drojën.
“Ju e dini se kur njeriu shkon në shtëpinë e vetë, s’ka nevojë të trokas!” i tha asaj mase njerëzish që pëlqente të befasohej prej tij. “Edhe pse ndonjëri do më thotë se, kur kthehet në shtëpi njeriu, i gjen të tërë robtë e shtëpisë aty!”
Ai dinte dhe pëlqente të ulej këmbëkryq, dhe ia kishin sjellë një shilte. Ia shtruan mbi bar. Po merrte e jepte shpoti fjalësh me një varg të njohurish, gjithnjë duke e lënë hapur shtegun edhe të ironisë së tyre. Sidomos kohëve të fundit, i qe shtuar frikshëm kjo dëshirë, gati si mani.
Megjithatë, s’e kishte pritur të ndodhte ajo që ndodhi, në çastin tjetër, diçka që ia përmbysi atë pritje fshatçe, jo pse ndodhte pa lejen e Tij.
Një e qarë, u ngrit si klithmë shpendi nëpër natë, erdhi dhe u dëgjua gjer aty.
“Thashë se gëzoheni kur vij unë në fshat!”
Kësaj here nuk e ndoqën të qeshurat e turmës. Sytë e saj s’ditën t’i fshiheshin.
E njihte vendlindjen si lodër fëmije, që ndjeu se e qara qe ngritur në Lagjet e Sipërme-ende kështu vazhdonin të thirreshin, edhe pse fitorja e pushtetit prej tij qe vjetruar!
Në krye e qara si kujë mori qiellin, thirravajë e largët që s’kishte lidhje me ata aty, por s’vonoi të arrinte. Plaka e Lenicëve, atë që mendoi edhe ai, u dha në fund të rrugicës që zbriste prej andej, pa llogaritur kurrgjë përtej vdekjes në këtë lloj bote.
S’kishte asnjë rëndësi nëse ata aty, në fushë, do bënin sikur s’e shikonin apo që s’donin t’ia dinin fare për të.
Mjaftoi një vetull e ngritur e Tij për andej nga vinte e qara, të verifikonte parandjenjën, që ajo grua- prej motesh e moshuar, e tëra në të zeza, tërhiqte një trup njeriu, ç’tjetër veçse një meit të vdekuri, vendosur mbi një batanije, velenxë apo thjesht mushama si shtromë, për ta çuar e vetme në varrezat…
E rrëmbeu domethënien e tërë krye-ulurve aty.
Atë që kishte ndodhur, këta që kishin dalë ta prisnin jashtë-fjale, sigurisht e dinin. Mes të tjerave, që këta njerëz nuk ia rrëfenin, ishte shtuar edhe kjo e ndodhur e fundit. Duke dashur t’ia fshihnin, provonin të kundërtën: që kjo skenë e rëndë kishte lidhje me të.
Nëse jo me ardhjen e tij të pa lajmëruar kësaj dite, sigurisht me Të, për çfarë ai kishte qenë dhe mbetej në jetën e punët e tij, në raportin e Tij me Fshatin, të Fshatit me Të dhe të tërëve së bashku me të Ndëshkuarit e atyshëm, Lenicët..
Edhe pse i vërtetë- me veten dhe me tërë ata aty, po pra edhe me Lenicët, pra që kishte ardhur krejt rastësisht kësaj dite, kësaj ore me vdekje në ta, rastësia kishte ngritur pusi të rreptë ndaj tij.
Kurrë nuk i kishte fshehur raportet me Lenicët: kishin këmbyer fjalë dhe pushkë në luftë. E kishte fituar Ai, luftën me Ta. Në paqen sipas kushteve të tij, ata duhej të rrinin urtë dhe ashtu kishin bërë. Po ta kishin fituar luftën Lenicët, do ndodhte thjesht e kundërta.
“Vrasje apo vdekje kanë ata andej?”
Vrenjtej si ai, në këto raste. Vinte bubullima, vetëtima. Ndodhte që ia shkrepte ndonjë si diell që i linte të tërë pa gojë.
“Vdekje kanë. I kapërceu të nëntëdhjetat, plaku!”, nxitoi të shërbente fjalën, njeri nga të mëdhijtë e fshatit.
“Ka vdekur dhe ju e keni lënë vetëm? Edhe në vdekje vetëm?!”
Tërë ata përqark, s’po dinin: të qeshnin, d.m.th. të rrëfenin se vazhdonin të ishin me të, kundër Lenicëve, aq më shumë kur ai kishte marrë rrugën për Andej nga askush s’kthehej më, apo...?
“E keni lënë të vetme atë grua, ta çojë osh e zvarrë njeriun e saj në varreza? Pse s’thoni se paskemi mbaruar, ju! Paskemi marrë fund me të gjitha, ne…”
Ishte ngritur më këmbë, pra më këmbë edhe tërë të tjerët pas tij.
“Shkoni more…përcilleni njeriun për Andej, se mua këtu më kini…”
Ai vet, nuk shkoi ndërmend të ngushëllonte kënd aty, as plakën e Lenicëve që u duk sikur e mori në mbrojtje pak më parë, por të priste aty s’bënte asnjë lezet. Bëri për nga makinat, me tërë ata shoqërues që dolën si milingona nga dheu dhe për pak minuta ishte në udhë.
Plaka e Lenicëve kishte ngrirë pranë të vdekurit të saj, sapo kishte marrë vesh se njeriu me të cilin ishte grindur tërë jetën zoti i shtëpisë së saj, tashmë sy-mbyllur, ishte aty, në fshat.
Iu bë se vdekja e të shoqtë kishte ardhur nga kryeqyteti një natë më parë, por kur pa tufën e njerëzve që u shkëputën prej të tijëve dhe iu gjendën asaj dhe të vdekurit të saj, e kuptoi se askush nuk e di kur i vjen fundi.
Të ardhurit sajuan aty për aty një si vig dhe, ngaqë kurrë s’ndodhte të kthehej pas i vdekur që ka dalë nga shtëpia, nuk mbetej veçse ta shoqëronin në heshtje për në varreza.
Aty, plaka e Lenicëve u kërkoi ndjesë, nëse e kishte zemëruar të Madhin e tyre, edhe pse dukej shkoqur që tjetër kishte ndërmend tu thoshte.
***
Në kryeqytet, dhe as në bisedat me bashkëfshatarët ato kohë që u branisën deri në fund të asaj vjeshte të tretë, kurrë s’i zuri ngoje Lenicët. Mbahet mend mirë se tërë kryesia e fshatit u shkarkua drejtpërdrejtë me urdhër gojor të Tij. “Le të mblidhet fshati në atë sheshin ku më pritët mua, dhe zgjidhni ata që mbajnë fjalën…!”
Njerëzia, nuk e ka harruar dot, sot e kësaj dite e rrëfejnë në një mijë variante, ngjarjen tjetër, të më në fundmen e Tij. Mbase dyzetë ditë pas asaj vizite në fshatin e vet, që kurrkush s’e mendoi se do të ishte e fundit, vendosi të nisej edhe vet për Andej.
Mbase në atë lloj fund-jete që mbërriti si ferman i zi për të, as ai vet s’e kishte shkuar ndër mend që askush prej bashkëfshatarëve s’do kishte dot rast të merrte pjesë në varrimin e tij.
Vetëm shtatë-tetë vetë qenë përcjellës të fundit, të shumtët prej tyre shoqërues në detyrë.
Edhe po të numëroje buzëplasurit e tij, gjithë-gjithë bëheshin më pak seç ata që përcollën plakun e Lenicëve.
(Nga "Nudo Zyrtare")
Comments