
P A R A D A
-tregim-
Zoti Eshref ishte gjykatës. Diplomuar diku në Europën Qendrore. Tërë jetës më pastaj kujtonte se, mbrëmjeve të atjeshme, duke dëgjuar muzikë, mbyllte sytë e ëndërronte që edhe vendi i tij, më në Jug, të lindej dhe të ngrihej me ligje.
E mbante veten me fat që shërbeu për Republikën e Lushnjës, pastaj iu bind detyrës kur e thirrën të bënte seancat në mungesë të të ikurve me Qershorin dhe, më pas, të atyre që ikën bashkë me Dhjetorin, por po ai fati bëri t’u mbetej korrekt tërë ç’kishte mësuar, deri në fund të Luftës së Dytë.
U gëzohej turmave të mëdha që braktisën armët për t’iu dorëzuar pa kushte paqes që vijoi pas kësaj gjakderdhjeje dhe priti që, si kudo në Evropë, ku fituesit dhe humbësit iu falën fundit të masakrës, kështu të ndodhte edhe në vendin e tij ku, më në fund do t’i shërbente ligjeve të njeriut në liri.
“Të Hënën që vjen, pas Paradës së Madhe që mbahet të Dielën, hapet Gjykata”, - i tha njëri nga Fituesit e Luftës.
“Atëherë shihemi të Hënën…”, tha ai.
“Më parë është e Diela!”, e kujtoi tjetri. “Në Paradë duhet të dalim si për festë. Në Tribunë do ngjitet Qeveria e Re...”.
“Si gjyqtarë, nuk na lejohet të nderojmë publikisht zyrtarët që, nesër-pasnesër, mund të jenë të pandehurit tanë.”
Tjetri sikur nuk e dëgjoi. Nëse e dëgjoi nuk e kuptoi ose ia mori fjalët tjetër për tjetër...
Atë të shtunë, vonë, kur ende s’kishte vendosur se si do bënte të Dielën e Paradës, trokitën në derën e tij dhe i komunikuan urdhër-arrestin.
Të Dielën paradite, i dëgjoi tërë marcialet e Paradës prej vend-izolimit, në pritje të vendimit të Gjykatës, që ende nuk ishte krijuar.
Saktësisht sipas planit paraprak, me hapjen e Gjykatës, të Hënën pasdite, ia komunikuan ndalimin me burg, për aludime politike që binin në kundërshtim me profesionin si zbatues i pavarur i Ligjit...
Pasi kreu dënimin, punoi në hapjen e veprave të mëdha vaditëse, gjer në moshën kur doli në pension. Ato ditë mori vesh se ia kishin hequr të drejtën për pension pleqërie, për shkak se ishte dënuar me heqje lirie politike.
Aty ku i ra hera të prehej, deri në fund të jetës, vazhdoi të dëgjonte muzikën klasike të viteve studentore në Evropën Qendrore.
Nën mrekullinë e asaj muzike, zoti Eshref mbyllte sytë dhe vazhdoi të ëndërronte, me bindjen e palëkundur se gjithë çfarë ëndërron njeriu, s’mund të mos i ndodhë.
(nga libri "Këpucë për Gjyqin e Fundit", 2018)
Comments