top of page

Faruk Myrtaj: MBAJTJA MEND E USHTRIVE TË HUAJA

1 day ago
5 min read

-tregim nga libri “Luftëtarët vriten në paqe”, Dukagjini, 2003-

 

Jetonin në cep të fshatit, në një cep korije, njëzetë minuta më këmbë mes ca ullishtave e vreshtave, pronë e tyre edhe këto, për të dalë në rrugën e qytetit më të afërt.

Melanët rrallë merrnin e jepnin me bashkëfshatarët, kurrë me qeveritë. Asnjë lodhjeje apo halli s’i druheshin, asnjë vështirësie e andralle, por kurrë s’mendonin punë në shtet.

As i vdekur s’quhet njeriu, pa u çregjistruar në defterët e Guvernës, thoshte Melani i Madh.

Qeveritë kishin fatin e tyre, shfaqeshin e shuheshin si hëna në qiell: mezi-mbusheshin, pastaj  holloheshin, treteshin e zhdukeshin fare, për tu shfaqur sërish, sipas motit, klimës dhe stinëve.

Për Melanët, shtetit nuk i rrihet dot përballë, as borxh. Vula e shtetit në shkresat për taksat e paguara, ruheshin në vendin më të thatë e më të sigurt të shtëpisë, në një kamare në dhomën ku flinte zoti i shtëpisë. Edhe po të përmbytej bota, me të shtatë shtëpitë e Melanëve, të përcëllohej në flakë tërë dynjaja, shkresat për taksat e shlyera shpëtonin.

Ndjente hera-herës një dëshirë të çuditshme, Melani i Madh: i hapte përdhe tërë dëftesat dhe tërë shkresat që i ishin lëshuar nga qeveritë e shteteve që kishin shkuar aty pari, dukej sikur falej kur binte përmbys mbi to, dhe s’dinte të ngrihej. Një i etur që s’nginjej. Kur ishte në nge të madhe, krahasonte dëftesat e shkresat e kohëve të ndryshme me njera-tjetrën. Këqyrte edhe llojin e letrës së përdorur, bojën e mbetur pashlyeshëm në to, shkrimin në gjuhën e përdorur dhe nënshkrimin e njerëzve të parë dhe të nëpunësve në zyrat. Thjesht prej sigurisë në dorë-shkrimet, ua ndjente qetësinë e mendjes, por edhe të shtetit që i paguante, teksa në faqen e pasme të fletës së fundit të shkresave, sqaroheshin edhe uljet e rastit, kur ndodhte që shlyerja të bëhej përpara afatit, në kohë apo me kamatë-vonesë. Prej shkresave, kuptonte dhe ndjente moshën e shteteve në vakt të vetë, por edhe inercinë e qëndrimit më pastaj aty.

Të gjitha perandoritë e mbretëritë, që kishin ardhur dhe ikur, i plotësonin shkresat në gjuhën e tyre, por numrat ishin të njëjtë, në të gjitha gjuhët. Ngaqë llogaria e shtetit, një gjuhë kishte: Për shtetin, të tërë popujt qenë ca numra që dikush duhet t’i fuste në një defter. Perandoritë e mëdha, edhe defterët i kishin të mëdhenj. Shtetet e vegjël, nga kjo rrezikohen: ngrenë në krye të qeverive të veta individë që mbajnë llogari në blloqe të vegjël xhepi. Edhe pse Vula e Shtetit nuk humbte, kurrë. Edhe kur shteti vet shkonte në shkërmoqje. Shfaqej një forcë, mbase hyjnore, që ua rrëmbente tërë palëve dhe e kthente kur zyra e parë hapej sërish.

Ca kohë më herët, si për të kujtuar një shenjë të harruar në këtë vend, kishin sjellë një princ. Princ të huaj, kështu u fol. Melani e quante princ, ndonjëherë princ gjerman, kurrë nuk e quajti të huaj. Qe nisur menjëherë t’i jepte taksat. Koha që u desh sa lajmi për Princin të vinte në fshat, e pastaj deri në cepin e fshatit ku jetonin Melanët, shto kohën për rrugën deri te Pallati, doli më e gjatë se vetë koha e qëndrimit të princit në krye të këtij vendi. E kishim humbur edhe një shans tjetër. Evropa mezi arrin në këto troje, tha Melani me vete. Më shpejt gjendemi ne në Evropë. se ajo arrin këtu! Gjermania është tjetër gjë…Gjermanisë ia kanë zgjatur udhën për këtu, por edhe ne vet, e kemi lënë pa fjalë. Mbase ngaqë e marrim bërjen e shtetit me shaka, teksa shteti është më shumë luftë, luftë me veten…

 ***

Lloj-llojet e ushtrive të huaja, Memo Melani i dallonte nga ajo që s’thuhej në libra. Të huaja ishin të gjitha, të gjithave u vjen dita të kthehen nga kanë ardhur, por i huaji që ikën duke e lënë ngritur shtetin, harrohet më shpejt si pushtues. I shante ca më ndryshe, Memo Melani ushtritë e huaja që i mblidhnin taksat me firmë, dëftesë e vulë. Mbase ushtria e ikur mbahej mend si një  grua e pa-fat që, ndonëse ndahej prej burrit, e lë ngritur shtëpinë.

Gjatë atij dimri të rreptë qe ndjerë keq Memo Melani, i lodhur dhe i pashpresë sa i bëri gati paratë për detyrimet e taksat dhe u tha djemve porosi, për kur të mos ishte.

“Vjen njeriu i shtetit, dhe ia jepni. Jo pa marrë prej tij dëftesën, dëgjuat? Se, ndryshe na ha mortja, të tërëve, të gjallë e të vdekur!

 ***

Po shkërmoqej perandoria e mbrame. Memo Melani s’ndjehej mirë.

Perandoritë kështu e kanë, vijnë e ikin por, sa herë zgjatet lëngata e tyre, kalbet edhe njerëzia, bëhen kënetë edhe trojet, uji nuk rrjedh, myket e kalbet. Zë cipë, nuk pihet, as lahesh dot në të. Njeriu me qeveri të sëmurë i hynë në borxh edhe vetes. Dhe, kur borxhi zë borxhin e vjetër, vetëm me turp paguhet.

Tërë kohën në ballkonin e sipërm me pamje nga shtegu i karvanëve, Melani mbante vesh. Më në fund, nëpërmjet Gegë Hallvaxhiut që shfaqej çdo vjeshtë në sokakun e fshatit për të gëzuar kalamajtë me sheqerllëke, llokume me arra dhe toronat e tij të bekuara, erdhi haberi se në një ballkon tjetër, me pamje nga deti, qe ngritur flamuri. Aty kishte qenë por i erdhi hera të dukej në sy të botës që herë pas here kthehej në kufijtë e vjetër...

Si për tu dalë habereve përpara, për tua shkurtuar rrugën, i hodhi haje mushkës së kuqe. Pa zbardhur mirë, e shaloi, i grahu dhe arriti atje ku i thanë, te ajo shtëpia me ballkon ndanë detit që farfuriste diellin në ujërat e tij. Si të tjerë aty rrotull, mori një sy gjumë në një cep pylli dhe, kur qyteti qe zgjuar i tëri, kërkoi Njeriun e Flamurit.

I zgjati dorën, i erdhi mirë që e pa të thinjur, u kujtua se të thinjurve u besohej kollaj, edhe pse, duke e kundruar në heshtje, ndjeu keqardhje: në këtë vend, do kërkoheshin edhe më tej njerëz të gatshëm për tu thinjur shpejt.

“Edhe shpirtin ta bëjmë helm ne, po ti ruaje një çikë veten, hë bir!”

Më tej, ngriti sytë për nga qielli, si për ta nisur atje lutjen e sapo bërë dhe, si provë për këshillë të dëgjuar, kërkoi emrin e Njeriut të ngarkuar për të mbajtur qesen e Qeverisë së re.

Atij ia pagoi, aty për aty, në sy të Të Parit, tërë detyrimet, edhe ato që nuk ia kishte paguar dot perandorisë së mbrame për shkak të shkrehjes së saj: një për një, për aq kokë bagëtie që kishte, për të mbjellat, livadhet dhe korijet, hardhitë, pemët frutore…

Më në fund, Memo Melani shtoi një grusht florinjsh më shumë.

"Këto janë për Flamurin...", i tha nëpunësit.

I ngarkuari për Taksën ndaj Shtetit, hodhi sytë nga i Pari i Qeverisë.

“Për florinjtë e flamurit s’dua dëftesë. Për të tjerat dua shkresë, me firmë e me vulë.”

Dukej se Memo Melani sa po e kishte njohur dhe pranuar personalisht qeverinë e re.

Sa herë që zbriti prej mushkës së kuqe, gjatë rrugës së kthimit, për t’i dhënë ujë apo për ta kullotur një copë herë rrëpirave, nxirrte e vështronte vulën fringo të shtetit të vet.

2 Comments


Fatmir Terziu
a day ago

I dashur Faruk,

Urime për këtë rikthim te një tregim që, si gjithnjë, mban aq bukur firmën Myrtaj. Edhe pas disa vitesh, teksti nuk e humbet aspak freskinë, sepse ajo që e bën letërsinë të qëndrojë nuk është data e botimit, por mendimi që vazhdon të të ndjekë edhe pasi ke mbyllur faqen. Ky tregim dhe, në tërësi, vëllimi ku ai është përfshirë, mbeten një model i atij stili tënd të veçantë, i qetë në rrëfim, por i mprehtë në mendim, i lidhur me realitetin, por gjithnjë duke kërkuar të shkojë përtej tij. Më pëlqeu edhe mënyra si e sjell historinë e këtij libri dhe të kontratës profesionale, sidomos lidhjen që bën mes Kosovës, Tiranës, shtetit dhe respektimit të shkresës…

Like

Faruk Myrtaj
a day ago

Inteligjenca artificiale, sado iluzionistë që është, nuk se është krijuar nga hiçi!

Ma solli sapo ballinën/kopertinën e këtij libri -të më-në-fundit sa isha në Shqipëri, dhe mu kujtua se ishte i vetmi libër në “lirinë e dekretuar nga sipër të Tiranës” për të cilën kisha nënshkruar kontratë. Madje isha paguar paraprakisht. Në Tiranë zakonisht duhet paguar të botosh, nëse nuk ke privilegj që as të mos paguash as të presësh shpërblim prej librit tënd!

Eqrem Basha, në emër të Rozafë/Dukagjinit e kishte bërë këtë. Si fat edhe për kur arrita në Kanada:

Në aplikimin që nënshkrova për tu pranuar në Unionin e Shkrimtarëve këtu, njeri nga kriteret ishte kontrata profesionale e librit të fundit botuar në vendlindje!

Kosova ende e…

Like

Shkrimet e fundit

bottom of page