SEPSE E DIME: JEMI NE LOJE TASHME...
Në një skedë të hershme, të të ndodhurave në kontinentin e vjetër, kisha hedhur impresionet për një fotografi të Vaclav Havel, por i isha larguar aq shumë figurës së tij, mrekullisht të respektuar dhe të falenderuar prej meje se më kishte dhënë shkas meditimi...
Ç’mund të ishte duke menduar prej atje lart, teksa syri i tij rrëmbente atë masë qindramijëshe njerëzish atje poshtë; atë turmë ngjethëse, të cilën dikush tjetër e krijoi pa shkuar ndërmend se do ti bëhej rrënuesja? A thua e dinin ata njerëz çfarë kërkonin prej tij? Dhe çfarë mund ti kërkonin të nesërmen? A e dinin se ai smund tu jepte veç çfarë ata vetë e kishin në mendjen e zemrën e tyre? Si t’ua kumtonte, do ish më mirë të ëndërronin vet atë që do mund të gëzonin.Ai s’mund t’u dhuronte çfarë kërkonin në kor, në atë shesh ku sidosi ishte ca ngushtë për ëndrra të tilla...
A e shkojnë ndërmend se edhe unë, idhulli i sotëm i tyre, ndodhem këtu lart jo thjesht prej ngazëllimit të tyre, por edhe për shkak se jam i pranueshëm edhe prej atyre që endè vendosin? Për mua janë dakord edhe ata që sot po bien, a e dini këtë, ju atje poshtë?! Jeni dakord me mua, si lider i kadifejtë, por a e dini se çdo të thotë kjo? Nëse s’do isha i kadifejtë, s’do isha këtu lart, por mos mendoni se këtu mund të ish çdokush nga ju që, o Zot, ende na lejon të besojmë se në këtë botë ndodhin tërë gjërat që njeriu shpreson në momente ngazëllimi...
Nëse s’do isha unë, këtu mund të ish ndokush prej atyre gati të jepte urdhër për shpërndarjen tuaj, me çdo kusht, qoftë edhe me dhunë. Se, dihet, ata që e kanë marrë dhe mbajtur pushtetin me armë, s’mund ta dhurojnë me paqe. Hija e frikës që mbollën për të tjerët i ka përfshirë edhe ata vetë, pas kaq kohësh pushtetërimi ata nuk mund të besojnë më se janë njerëz të rëndmotë, të zakonshëm.
Ndaj dhe s’e kanë të lehtë dhe as ngè s’kanë të besojnë se ju përballë tyre, ju që do u mirrni pushtetin, mund të jeni të qetë e të paqëm me ta. Pushtetet e ngritura me revolucione, pushtetet e mbajtura për kohë të gjatë, vetiu janë të frikshëm, të dhunshëm, nuk bjen kurrë paqësisht, thuajse kurrë, miq të mi...
Por ata kanë kohë që mendojnë për këtë ditë, dmth për ngjitjen time në emrin tuaj, deri këtu lart, dhe mbetjen tuaj sërish atje poshtë...
As ata nuk janë këtu lart, me mua; ata janë atje poshtë mes jush, dhe duket se gëzojnë bashkë me ju, edhe pse ju gëzoni atë që ata ende s’e kanë humbur. Humbja pa dhunë, duket sikur i ngushëllon të gjithë, por nuk gëzon askënd deri në fund, askënd tërësisht: secili ka pjesë trishtimi në këtë fitore, ju, dhe ata dhe unë...
Asnjeri nuk është vetja që beson se është, vetja që di, vetja që do donte të ishte, askush...Këto janë revolucionet e kadifejta, që ne së bashku u gëzohemi...
Sigurisht është ditë për tu gëzuar, ja, edhe unë gëzohem bashkë me ju, ndonëse duke qenë më i trishtuari nga të gjithë ju: sepse unë di lojën. Rregullat e lojës do t’i mësojmë të gjithë, ditë pas dite, por qysh tani po ju paralajmëroj: nuk kemi për të qenë kaq të gëzuar sa sot, kurrë më, miqtë e mi...asnjëherë në këtë mënyrë...
Se, e thashë, jemi në lojë tashmë. Ngaqë s'donim revolucion tjetër për të rrëzuar një pushtet të ardhur nëpërmjet një revolucioni, zgjodhëm rrugë të mesme, të tolerancës, të kuqen e ndërruam nëpërmjet rozës, zgjodhëm jo përmbysjen por lojën, ndaj do të na duhet të mos jemi aq shumë seriozë me etalonin e moralit apo së drejtës historike! Le t’i marrim gjërat me të qeshur, sepse vjen ndonjë moment trishtimi, kur na shkon mendja se mbase do të qè më mirë sikur të ishte derdhur pak gjak, sa për t’u kujtuar bëmat e tyre...
Unë jam në mes të lojës, mes dy palëve, më i ndëshkueshmi, më delikati, skeleti i radhës, unë jam.
E shoh, si s’e shoh, jam i duartrokituri, i admiruari, nga ju deri dje të munduarit, por edhe nga ata deri sot shtypësit, të gjithë duke duartrokitur për mua...dhe kjo më trishton aq shumë...
Ngaqë e di se ju mendoni se, po të mos isha unë, nuk do ta merrnit dot pushtetin prej tyre, se ata do ishin gati të derdhnin gjak edhe më, s’do ta dorëzonin kurrë ndërtesën e qeverisë, idealin e tyre do ta mbronin deri në pikën e fundit të gjakut, dhe ka pse të mendoni e dyshoni kështu: ata kanë dhënë aq shumë prova për këtë...
Po, e marrë me mend, edhe ata, ngaqë mendojnë se po të mos isha ai që jam, Njeriu i Kadifejtë, po të mos kisha edhe besimin tuaj, s’do mund t’i shpëtoja nga hakmarrja juaj e mundshme...
Krimet që ata kanë bërë janë shumë më shumë se ç’i mendoni, ata kurrë s’na kanë folur për krimet e tyre, përkundrazi, i kanë fshehur ato, kurse ju vetëm sa i merrni me mend...duke i marrë me mend edhe mund t’i keni shtuar...
Qysh nesër, në padijeninë tuaj, miq të mi, do fillojë rënia e së Sotmes, në të njëjtën kohë me rënien e shpejtë të Së Djeshmes. Fill pasnesër, do nisin të merren vesh krimet e tyre dhe, në të njëjtën kohë, do fillojë të merret vesh që ju, duke më besuar mua, duke shpresuar nga unë, pa më njohur deri në fund, pa e ditur se ata kanë investuar kohë duke më përgatitur mua si të kadifejtë, do ndjeheni përditë e më zhgënjyer...
Ndaj më vjen keq, ndjehem në faj teksa ju shoh prej këndej lart, jam gati të hidhem prej këndej lart, të rrëzohem mes jush...të shpërbëhem aty, në këmbët dhe në sytë tuaj, të krisem e të thërmohem si qelqe në zemrën tuaj. Qoftë edhe sikur, duke u përpjekur të më shpëtoni mua, disa nga ju ta pësojnë bashkë me mua...Së paku kështu çmimi do jetë më i vogël nga ai që do shohim në faturën që do na sjellin vitet më pas...
[fragment, "Atdhe Tjetër", "Milosao", 2014]
Comments