top of page

Faruk Myrtaj: Fjalë të kursyera për jetë e autorë...

  • 2 hours ago
  • 3 min read

“Ti nuk di ç’është dashuria” e Abas Veizit

Faruk Myrtaj

Letërsitë janë kthyer në domosdo leximi në investime afatgjata autorësh të heshtur prej dhunës së tërëfarëllojshme, prej të cilave dolën qartësisht të mëvetshëm, me lexues të vetëdijshëm në gjuhë të shkruar.

Përmendesh se edhe letërsia shqipe ka nisur të plotërohet. Merret vesh, s’është punë çmimesh të fituar, të fituar paraprakisht, të pretenduar, dhuruar prej klanesh sezonalë a përvjetorësh festivë.

“Ti nuk di ç’është dashuria”, i Abas Veizit është hap në këtë kahje. Po të rrekesha të rrëfeja kahjen, apo ta merrja me mend një të tillë, do përftoja nënqeshjen e autorit. Tërë këto shënime, në të vërtetë, janë të viteve më parë, kur të gjithë kemi qenë Tjetër Gjë.

Mjetet e thirrura në ndihmë në këtë “roman”, harmonia mes realitetit letrar dhe estetikës si filozofi jete dhe njëkohësia e bashkëjetesës në faqet e librit të njeriut real dhe personazhit letrar, përsiatjet  zotëruar admirueshëm për zanafillën, lidhjet/shkak/pasojë Dashuri/ Zot, ftesa bërë Robit/njeriut për të kërkuar sekush realitetin e vet e për të bërë jetën e vetë, janë në këtë këndvështrim të pandodhura më parë në këtë letërsi të paplotë, siç vazhdon të mbetet tabloja letrare në shqipen që provon të fitojë lirinë e marrë peng së paku prej Kongresit të Drejtëshkrimit, paçka se goxha vite pasi përdoruesit e saj besojnë se e kanë fituar përpara saj, thjesht me dekretimin e shndërrimti të Partisë së Vetme, në amebë të pluhur-alizmit..

Pse ta fsheh, u ndjeva i llastuar teksa vura re inicialet e mia (fm, për “dhunën e sfungjertë”), por mbeta pa gojë më tej teksa kolegë të mi, natyrisht shkrimtarë, edhe nëse kanë për të “mbetur” në këtë histori letrash qoftë edhe thjesht prej përmendjes e jetëbërjes si personazhe të kësaj proze...(kam idenë se autori nis e buzëqesh tashmë, për përdorimin e njëjësit për shumës!)

Po ta kisha ditur këtë jetë të dyfishtë, gjatë ditëve të mbrame të atyshme, do kisha arritur të cmoja ca gjeste të pazakonshme të Kelmendit dhe ca kthjellime të befta të Kokonozit, për të mos thënë se do kisha gjetur pak kohë të këmbeja një cikë më shumë dialog me Cen Sinanin, po ta dija përplasjen tejet kalorsiake me Diseun...

Qenka më e kollajshme bërja i famshëm në librat e shkruar prej të tjerëve, se në librimet origjinale...

Pas leximit te “Kurvës së Pushtetit”, të po këtij autori, qe padyshim ka substratin e nje kryevepre gjithe-aq origjinale- e munguar-edhe ajo në letrat e Shqipërisë londineze, “Ti s’di ç’është dashuria”,  erdhi si përplotje harmonike e asaj rastësie që ka shtyrë për njohje nga lexuesi disa grë kilometrikë të letersise qe do duhej te shkruhet (tashme bindem- edhe sikur te mos shkruhet kurre, s’prish dot pune më) nën ideimin e autorit në fjalë. (Meqë shumë shumë pak e kanë përmendur, këtij rregull po i bindem edhe unë.)

Subjekti, mbase për shkak të titullit të zgjedhur, “Ti s’di ç’është dashuria”, përdritet papushim si skenë ku shpërfaqet platforma artistike ku merret me mend se sa gjë e rrallë ka qenë e mbetet ajo, dashuria. Personazhet, iniciale jetësh të konceptuara ndryshe, si pjesë e nja drame të madhe gazmore; fatet e personazheve: krejt të pavarur nga vetet pra edhe nga autori, por jo nga ruajtja e pashmangshme  e ekuilibreve të artit që ngjizet për shkak të jetës së pamundur si e tillë.

Roman? Pak rëndësi ka teksa gjinia është po aq rastësore sa sistemi ku rrojtën këta personazhe që e kërkojnë lirinë me ca vonesë.

A është ky libër fiction? Përgjigjen mund ta marrësh thjesht e vetëm përgjatë leximit, por pa asnjë mëdyshje lloji perceptohet pas fundleximit. Fill paskësaj lexuesi nis e mediton për jetët e vetave në roman si për jetë të njohura, që nuk ua kemi ditur arësyen përse jetuan ndryshe e ndryshe sillen kësisoj në faqe libri.

(Fjala e Lirë- Londër 2016)

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page