Faruk Myrtaj: “EDHE AVNI RUSTEMIN DO TA RRËZONI...?!”
- 2 hours ago
- 2 min read

-drama luhej në jetë, jo në Teatrin Popullor, as kur e quajtën Kombëtar-
Tirana e fillim-viteve ’90 ziente protestash. Kërkohej tjetër jetë, jo “tjetër teatër”, rrëzoheshin buste ende jo robëria e mendjeve dhe shpirtrave, që Fatos Sela më pyeti siç dinte të bente ai.
“Edhe Avni Rustemin do të na e rrëzoni, Faruk?!”
Mu drejtua mua, ngaqë i duhej dikush për ta dëgjuar. Me atë dhembshurinë e së qeshurës prej brenda syve që një kamerë dashamire ia arrinte kur shkëlqente në skenë.
“Po ti e di, s’ka pasur Avni, Fatos!”, ia prita unë. “Gjendet gjithnjë një individ që thirret me këtë apo me nj tjetër emër! Si rol që një aktor provon ta luaj në skenë me dukjen dhe furtunën brenda vetes së tij.”
Më mori përqafe, me dëshirën të më shihte nga sa më afër. O, të më kujtonte se kjo botë, ky Atdhe, në këtë gjuhë, s’ishte tjetër veçse pak-o-gjë që kurrkush s’e këmbente dot me tjetër-gjë.
***
Pas ardhjes së Fatos Selës në Selenicë, në nisje të viteve ’80, tek shtëpia e prindërve tanë, për dy net, mbase nga që u fol edhe për shpresën se një ditë do mund të shkoja në Universitet, isha unë që gati besoja se ndjehesha më afër me Fatosin se ç’ishte im vëlla Selimi(!).
(Për të qenë deri në një të vërtetë, atë kohë nuk i kuptova dot pse, të dy, më sugjeruan, mbase për të parë reagimin tim, o për të më ruajtur: më mirë të priresha nga Agolli, se nga ai Tjetri, Kadarea(!).
Pak më vonë dëgjova se Fatosin e kishin larguar, ‘përkohësisht’, nga Teatri i Fierit.
Diçka kishte ndodhur aty, mbase një keqkuptim fjale, o ishte grindur keq me dikë, njeri Partie.
Dhe...e kishin çuar as më shumë e as më pak...në një pikë për mbarështimin e derrave, në rrethinat e Fierit. Nuk ishin aq të rralla ‘dërgimi atje poshtë, në bazë”, i intelektualëve, për të njohur jetën e popullit.
Nuk fola me kurrkënd, as me tim vëlla, shkova pranë Teatrit të Fierit, pyeta një të njohur tjetër atje, ku e kishin “transferuar” dhe... e gjeta Fatos Selën, me të pyetur…
E pashë që së largu, siç e prisja të më shfaqej në atë lloj ndërmarrje: mbarë-shtuese për derrat, apo mbarë-shtruese për karakteret njerëzor?!
I përkulur pak, mbështetur në gardhin me listela dërrasash, sipas qasjes sime edhe në ato momente brente veten mendueshëm, për atë që kishte ndodhur. Fatosi i mirë, aktori brilant, njeriu i shkretë…
“Fatos…!” i fola, prej së largu.
Ktheu kryet, si i mbetur pa gojë. Nuk kishte absolutisht lidhje me mjeshtërinë aktoriale, rrotullimi I ngadaltë, i kokës, supeve dhe pastaj tërë trupit në kohë të sinkronizuar.
“Edhe këtu më gjete?!”
“Në Sahalin të shkoje, do të gjeja!”
***
Vite me vonë, kur ishte rikthyer në kryeqytet, në shkrimin për Fatos Selën dhe Ndriçim Xhepën te “Portreti i Dorian Grej”, (jo për rolin e Avni Rustemit) e pranoj, i mëshova qëllimisht peshores nga ana e Selës, por as-se-si për të ulur Xhepën. Nuk e prita, por do ta justifikoja, nëse do të më idhnohej paksa…
Fatos Sela ishte idhnuar aq gjatë, tërë jetën dhe, të mos lëndonte kurrkënd as me Ikjen e vet, kishte lënë amanet të mos e shfaqnin meit në Teatrin Kombëtar...








Comments