Faruk Myrtaj: Dy fjalë që s’mund të mos thuhen për kontributin e Fahri Dahrit
- 1 hour ago
- 2 min read

Arkiva "Fjala e Lirë" Londër, Gusht 2018
Faruk Myrtaj: Dy fjalë që s’mund të mos thuhen për kontributin e Fahri Dahrit
Faruk Myrtaj
Kur vijnë urime dhe respektime prej autorëve me emra e mbiemra si më sipër, e të tjerë që, edhe pse do të donin ta bënin këtë gjest – respektimin e Et’hem Haxhiademit dhe të ngjashmëve me të, në atributin si Mëmëdhetarë të Kulturuar, që Dijën e përdorën për të ndriçuar Atdheun - fare pa të keq nuk e bënë këtë, pra, kur sheh midis këtyre emrave Fahri Dahri, Fatmir Terziu, sigurisht është ndier mirë...
Janë një varg i tërë prononcimesh të tij, të zotërisë së ditur Fahri Dahri: kurajoz dhe autoritar, jo thjesht prej subjektit që ai mëton të sqarojë, por për shkak të argumentit, logjikës shkencore dhe njohjes së praktikave e parimeve të ngjashme botërore. Mu për këtë, edhe “brave-man” dhe mendjehapur, ky emër ka bërë vend e nder jo vetëm te “Fjala e Lirë”, por, krejt natyrshëm, në këtë adresë. Një seri shkrimesh, artikulimesh e esesh mbi problemet kombëtare – ku privimet dhe plagët e Çamërisë e të Kosovës natyrshëm zënë një vend të veçantë – në të majtë të gjoksit, diku brenda tij, që s’mund të mos lexohen. Lexohen dhe janë kaq të plota, kaq të urta, kaq bindëse në kumtet e tyre, sa edhe komentin e dëshiruar si lexues për to sikur e bëjnë të tepërt...

Po, janë një antologji shkrimesh që, edhe pse formalisht duket sikur kalojnë mes Harkut të Heshtjes, përkundrazi, nderohen sikur të parakalonin nën Harkun e Triumfit të Fjalës së Lirë të qytetarit të Botës, duke hedhur hapin krenar edhe për Atdheun nga vjen.
Shqyrtimet, analizat, përballjet faktike e dokumentare të Fahri Dahrit bartin, pa fjalë, një përmendje, një kujtesë, një shkundje të bukur për secilin që ende nuk është i qartë përse duhet dashur ky Dhe, kjo histori – sado e shkruar e pasaktë – pse duhet rilexuar, përse duhet rilexuar e rikuptuar ajo që ka ndodhur me jetët e të shkruarit e këtyre të Vdekurve të Mëdhenj, që po provohet tashmë se nuk mund të ndërronin jetë ashtu siç u ndodhi: në heshtje, në mosnderim, në rrekje për t’u hapur vend ca të tjerëve që e identifikuan Atdheun me politikat apo privilegjet e tyre.
Aq më pak, s’mund të neglizhoheshin dot prej atyre që u munduan t’i nënçmonin, t’i linin mënjanë dhe, mos o Zot, t’i mbiquanin me terma të tjerë - krejt të përkundërt me mëmëdhetarinë, kontributin atdhetar apo sakrificën e pa asnjë interes.
Bashkohem me ata që besojnë e pranojnë se u jemi në borxh, si breza që nuk mund t’i dinim, t’i njihnim tërësisht, aq më vështirë t’i nderonim, por që edhe më pas, pas dekretimit të Pluhur-Alizmit, nuk ditëm, ende s’po dimë, t’i mëkëmbim në piedestalin brenda nesh...
Arkiva "Fjala e Lirë" Londër, Gusht 2018








Respekte. I nderuar Faruk. Konsideratat tuaja dhe dakortësia ndaj shkrimeve të.mia, janë një shtysë e fortë drejt onformimit të së vërtetës. Disa vite më parë, kur mu dha mundësia të shfaq të vërtetat historike të qendrimeve agresive të dy shteteve fqinje ndaj etnidë tonë, ishit ju dhe profesor Eshrefi që më dhatë kurajon për të vazhduar më tej në rrëfimin e ngjarjeve të rënda, të masakrave dhe gjenocidit të tyre ndaj nesh
Të them të drejtën fillimisht ndjehesha i ndrojtur përballë daljes në publik. Ishit ju, profesor Eshrefi dhe ptofesor Fatmiri që mu gjendët pranë. Më dhatë kurajo dhe unë si fillestar në rrugën e tregimit, ju lexoja juve dhe eca.
Ju falenderoj. Respekte.
Tiranë 12/08/2026