top of page

Fahri Dahri: MIRËNJOHJE TË PËRJETSHME ALFABETIT TË MANASTIRIT DHE JO VETËM!

ree

Një shekull më parë dhe më tutje, kombit shqiptar, kudo ishte, të gjithë sunduesit perandorakë, i kishin lidhur gojën dhe duart për të mos folur e shkruar shqip.    As shkolla shqipe. Atëhere ku do kishte njerës me shkollë që të shkruanin e lexonin shqip? 

Si në fshatrat dhe qytetet shqiptare njerëzit që shkruanin dhe lexonin ishin priftërinjtë dhe hoxhallarët. Ata ishin intelektualët, por me shkrim e lexim të gjuhës së kishës dhe arabisht. Pra në çdo fshat një njeri dinte shkrim në gjuhë të huaj, ose prifti ose hoxha. Kështu që ata mbajtën gjallë dashurinë për Atdheun dhe gjuhën tonë.

Ndihmesë të madhe kanë dhënë edhe shqiptarët që kanë shkuar në shtete të tjera ku ndoqën shkollat në ato vende.  

Kjo është një temë tepër e rëndësishme që duhet shkruar dhe vlerësuar. A nuk janë ata personalitete të larta të kombit tonë që punuan me penë e pushkë për Atdheun dhe gjuhë që ishin shkolluar në Francë, në Itali, në Turqi, në Rumani, Bullgari, Janinë e gjetkë, pavarësisht nga besimi fetar? Kujtoni intelektualët e Rilindjes Kombëtare të gjithë të arsimuar jashtë vendit të tyre, sepse vëndi i tyre ishte i shtypur, i censuruar dhe i mallkuar për tu folur e shkruar.  Ecim më këndej në kohë dhe vjen Kongresi i gjuhës shqipe në Manastir ku u vendos alfabeti që kemi sot dhe që parapriu pavarësinë e Shqipërisë, ku shkrimi ishte kusht i domosdoshëm me të cilin duhej të shkruhej Pavarësia!.

Sot dhe mot nderimi për 'ta duhet të zërë vendin e merituar. Fatkeqësisht ka dhe mercenarë, të shitur që herë pas here hedhin baltë ndaj tyre. Ose duke i hequr identitetin, ose i nënvlerësojnë apo anashkalojnë. Shteti shqiptar, shteti Kosovës dhe struktura të caktuara shoqërore në RMV, në Greqi, Mal të Zi, në Bosnjë, Kroaci, etj, të marrin shembull nga arbëreshët në Itali. Mungesa e shkollave, ndalesa e të shkruarit dhe e të folurit në gjuhën shqipe, që kanë vepruar me ligësi të huajt, (të gjitha perandoritë dhe shtetet fqinje) ndaj gjuhës së folur shqipe apo të shkruarit shqip kanë ndikuar shumë rëndë ndaj kombit tonë. Këto masa drastike i shërbenin strategjisë asimiluese të etnisë shqiptare. Ata nuk kuptonin se bijtë dhe bijat e Shqipërisë natyrore që arsimoheshin në ato vende, me dijet e tyre e mbanin popullin tonë në “dorë”, tregonin vlerat evyera të këtij kombi, krahas brumosjes së ndërgjegjes kombëtare, ata shkëlqenin edhe në fushat e dijes që i shërbenin njerëzimit. 

Në krijimin e qëllimshëm të atyre situatave, perandorë, sulltanë, klerikët greko-serbë, me fermane, ligje e predikime ndalonin shkrimin dhe këndimin në gjuhën shqipe, përdorën mashtrimet, shpifjet, sajonin epitete të shumëllojshme deri edhe në përfoljen e etnisë. Epitete të cilat me pa turpësi i përdorin edhe sot si: turkoshakë, qitapsëzë (kupto: popull pa libra), anadollak, tradhëtarë të kombit që ndërruan besimin fetar, ka të tillë që na tregojnë se edhe gjuhën e kemi të sajuar, plot të thëna të pavërteta, vetëm e vetëm për të na zhveshur nga historia jonë e lashtë me plot fakte dhe të vlerësuara shkencërisht që të tjerëve u lind zilia negative sepse këto veçori u mungojnë, nuk i kanë patur dhe as që arrijnë ti kenë. 

Rregjimet që thamë, nuk na lejuan të shkruanim gjuhën tonë dhe pas saj na akuzojnë se nuk kemi libra shqip, nuk dinim të shkruanim gjuhën tonë, nuk kishim alfabet si të tillë na vendosën cene, na quanin popull me bisht, popull bari, popull pa etnitet, të egër e shpellarë.

Shekujt ikën, bashkë me ‘ta ikën epitetet, fermanet ditëzi, mallkimet me temjanë, lutjet për zhdukjen tonë, të gjitha ligësitë morën porropinë.

Vërtet u mposhtën disa mbrapshti, por mllefet dhe çmenduritë e tyre që nga mesjeta e në vazhdim, qendrojnë në ndërgjegjen e ligësisë së tyre, ndaj tek njerëzit e etnisë tonë është rrënjosur kujdesi dhe vigjilenca e shtuar, pavarësisht demagogjisë fqinjësore, përfshi dhe disa institucione përkatëse të Brukselit, etj.

 Fahri Dahri. Tiranë 

      më 12/12/2025

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page