top of page

Fadil Maloku: Në Maqedoni; Nuk fitoi “Vleni”, por humbi Ali Ahmeti?

ree

1. Në teoritë e sociologjisë së zhvillimit ekziston një mori shpjegimesh që lidhen me fillimin e erozionit të liderëve të ndryshëm politikë, të cilët karizmën e tyre e ngritën në mënyrë meteorike — ose përmes kapitalit simbolik të luftës (Ahmeti, Thaçi, etj.), ose përmes atij të paqes (Rugova, Kurti, etj.). Këta tipe liderësh fillimisht nisin të “promovohen”, katapultohen apo edhe testohen përmes sfidave që lindin në sferat identitare (luftërat), sociale (kriza vlerore) apo ekonomike(kriza egzistenciale). Ali Ahmeti, është pikërisht shembull tipik i elitës politike që lindi nga kapitali i stërzgjatur moral i luftës dhe rezistencës kombëtare, por që, duke qëndruar gjatë në politikë dhe duke konsumuar të gjitha privilegjet e pushtetit, me fiaskon e pësuar në zgjedhjet e fundit në Maqedoni, vërtetoi tezën se perceptimi si elitë e konsumuar dhe e atrofuar e bën më të udhës që ta ruajë edhe atë pak “fytyrë” të mbetur dhe të pensionohet sa më shpejt që është e mundur. Kjo, duhet të ndodh edhe për arsye se gjenerata e re e nuk i duron as ofertat e as kerkesat me backgraund të mveshura me ikonografi e folklorizëm për t'i qeverisur. Kjo gjenerate, sikurse te kombet e shtetet tjera (kqyrne Serbiné, e "bllokaderave") nuk duron oferta që nuk kanë përmbajtje praktike e pragmatike po edhe që nuk lidhen me interesat e tyre. Qëndrimi i gjatë në pushtet i Ali Ahmetit, me skandale, nepotizëm, ideolatri e ikonografi të simboleve të luftës, bëri që Ai ta humb pérgjithëmon si karizmën (e ndértuar me sakrifica në luftë) e lidershipit të shqiptarëve, ashtu pushtetin politik (që e kompromitoj me koncesione) gjatë pushtetmbajtjes.

2. Shqiptarët e Maqedonisë, aktualisht gjenden anë një proces metamorfoze identitare, ku identiteti kolektiv (kombëtar) ngadalë, por sigurt, po lëvizë dhe po zëvendësohet me një identitet kritik qytetar (shtetëror). Dhe e gjithë kjo arkitekturë tranzicioni, që BDI-ja për gjykimin tim nuk është ka e kupton, po përkon edhe me ndryshimet e pandalura demografike, ato të urbanizimit, emigracionit dhe qasjet e reja në arsim e media digjitale. Ndryshime, këto që po ndodhin furishëm jo vetëm në Maqedoni, por në tërë rajonin e Ballkanit. Në këto zgjedhje u vërtetua praktikisht se të rinjtë shqiptarë nuk votojnë më mbi baza etnike, me ikonografi dhe folklorizëm të së kaluarës, por janë gjithnjë e më të prirur kah fuqizimi i standardeve të botës demokratike — meritokracisë, transparencës dhe llogaridhënies. BDI-ja pësoi fiasko zgjedhore pikërisht për shkak të këtij gabimi vleror. Ajo, në sytë, mendjen dhe bindjen e qytetarëve, pushoi së projektuari si forcë emancipimi politik dhe ekonomik. Po ashtu, do potencuar se qytetarët shqiptarë atje, me moszgjedhjen e opsionit që fuqizonte për dy dekada vlerat identitare, treguan se oferta e BDI-së ishte e gabuar dhe në kundërshtim me zhvillimet dhe proceset. Ose thënë më ndryshe, ndodhi ajo që kishte ndodhur më parë edhe në Kosovë në vitin 2021: stërngopja e qytetarëve me simbolikat e ikonografisë dhe folklorizmit që kur u shoqërua me pushtetmbajte të stërzgjatur korruptive, e përplotë skandale, të përmbyset.

3. Kur gjithë këtij mozaiku i shtohet edhe shndërrimi i BDI-së në një strukturë adhokratike*), ku vendimmarrja nuk zhvillohej si produkt i konsensusit të gjerë të akterëve, por si akt i centralizuar dhe joformal nga një udhëheqës i vetëm siç vepronte Ali Ahmeti, dështimi bëhet i pritshëm. Mungesa e deliberimit të brendshëm, bashkë me promovimin e klientelizmit, shuan pothuajse të gjitha kanalet e komunikimit dhe ndërveprimit me bazën qytetare dhe shkakton humbjen. BDI-ja kishte pushuar së qeni burim idesh, konceptesh dhe ofertash politike. Duke u strukur në areolën e vetëmjaftueshmërisë korruptive, nepotiste dhe poltroniste, si dhe duke bërë koncesione të njëpasnjëshme, ajo zbriti nga froni i pushtetit. Sjellja e tillë ndikoi që partia të reduktohej në një entitet administrativ, i kontrolluar nga klanet dhe grupet e interesit. Pra, BDI-ja, në vend që të evoluonte me kohën, u bë pengesë serioze për zhvillimin dhe emancipimin e shqiptarëve në Maqedoni...

*) Adhokracia, si formë dhe model i përkohshëm i organizimit dhe i ushtrimi të pushtetit, prejudikon një strukturë të përkohshme, fleksibile e shpeshherë reaktive, që krijohet për të adresuar një problematikë sociopolitike që gjendet jashtë "orbitës" institucionale të një shteti apo vendi të caktuar.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page