top of page

ESSE E LIRË PËR KRYEHEROIN


Agim Shehu, Gjenevë

Agim Shehu, Gjenevë

ESSE E LIRË PËR KRYEHEROIN

(Si mund të shpifet gjer te Skënderbeu)?!

Por edhe kjo ndodhka kur, në stinë krimbash, me «të drejtat e njeriut» i qepet qefini kombit. «Spjegimet» janë të ndryshme, arësyeja është një. Është një kryqëzatë në llojin e vet kundër kombit shqiptar. Për ta shuar, pastaj për ta coptuar, nisin me goditjen e Majave të shquara: ca i njollosin, ca i groposin, ca i shtrembërojnë, ca t’i përvetësojnë. Dramë me veshje komedie që po luhet gjatë. Që më 1636, Frang Bardhi boton polemikën e shkëlqyer ku mbron kombësinë shqiptare të Heroit të Madh kundër shpifësit sllav T. Maranoviç, dhe «Gjergj Kastrioti i rikthehet Atdheut e popullit të vet». 

Shqipëria ndodhet mes dy fqinjësh ende me ëndëra të fandaksura për Perandori Mesjete: Njemanie në Veri e Bizantine në Jug. Me kryqin e përbashkët «ortodoks» në ballë ata synojnë të puqen në Shkumbin. Po përballë zotërve të vëndit me rrënjë të thella, ndodh si në luftë mes kundërshtarëve: kush të kapë «kuotën» më të lartë për të zotëruar fushëluftën!

Në histori, kjo «Kuotë» është Heroi ynë i Madh. Kush merr atë, ka ngritur lart veten e ka lënë shkretë tjetrin për ta shtruar. Gjërat më tej rrokullisen vetë. Kjo i bëhet Shqipërisë edhe ngaqë shihet e vogël dhe shpesh mbrojtësit e saj janë me dy mëndje, sipas lëvizjes së hënës mbi qiellin e tyre. Frang Bardhi këtë dramë e pikaste që në kohë të vet kur u dejtohej përvehtësuesve të historisë se rrëmbimin e herojve të tjetrit (bie fjala Jul Qezari, Karli i Madh etj.) nuk do guxonin ta bënin te popujt e mëdhenj. (Në fjalëgrindjet Shkup Athinë një diplomat maqedon i sotëm tha mes të tjerash, se ju nuk kuptoni çfarë ‘çeku’ fshihet te përkatësia kombëtare e Aleksandrit të Madh)! Vlerësim shumë i saktë.

Fqinjët tanë të mbrapshtë nuk mund të pajtohen me gjykimin e dijetarit Carmen Moier për Shqipërinë: «Një vënd i vogël ku mund të takosh njerëz të mëdhenj», apo me atë të Hygoit: «Madhështia e një populli nuk matet me numurin e banorëve, ashtu si madhështia e një njeriu nuk matet me gjatësinë e trupit». Çabej e thoshte saktë se «Histori e një vëndi është histori e personaliteteve. Në pragun e kohës së re ia mbërrin Gjergj Kadstrioti të bashkojë fiset e shpërndara shqiptare e t’i fusë aktivisht në histori…». Në këtë gjykim është Profesori amerikan Bollduin: «Për të njohur një popull sa më mirë duhen studjuar cilësitë, veprimet dhe idealet e njerëzve më të shquar të atij kombi. Heronjtë janë majat më të larta ku janë drejtuar sytë e popujve. Tregoni heronjtë e një kombi që t’ju them se me ç’komb ke të bësh»! E më tej: «Skënderbeu, vigan nga trupi e nga mëndja, ish i zoti të luftonte si për lirinë e shqiptarëve, dhe të Europës».

Ripërtërijmë gjykimin - të dallosh Gjergj Kastriotin nga populli i Tij, është njëlloj si në lumin Drin të dallosh ujrat e njerës majë dëbore nga të majës tjetër. Historiania Josefine Dedet në librin «Mbretëresha Geraldinë» gjykon se «Për të kuptuar temperamentin e shqiptarit është e domosdoshme të njohësh historinë e të Madhit Skënderbe». Heronjtë ushqehen nga populli dhe populli lexohet te Heronjtë e tyre. 2300 vjet më parë Aristoteli thoshte: «Një qytet a një popull është fisnik kur është rrënjës; kur krerët e tij janë njerëz të shquar dhe kanë bërë vepra për të cilat t’u ketë zili tjetri». Në këtë vlerësim është De Rada: «Në botëkuptimin e shqiptarëve fisnikëria qëndron në mirësinë, kështu bijtë e fisnikëve thuhet se janë të lindur prej të mirësh».

Për Skënderbeun janë mbi 2000 botime. Vlerësimet pa fund përbëjnë një breshëri yjore përballë të cilave ata që njollosin Heroin e Madh ngjajnë krimba mbi letra.

Në «KUJTIME», Ismail Bej Vlora shënon: «Për 30 vjet Skënderbeu mbuloi Europën me zhurmën e armëve dhe me lavdinë e emrit të Tij, duke bërë luftë të pandërprerë kundër fuqive turke e cila gjer ahere quhej e pamposhtur». Por le të flasim sadopak me gjuhën e të huajve. Ronsari thotë: «Skënderbeu është nderi i shekullit…Shqipëria është Atdheu i kuajve të harbuar e i trimave». Dijetari Louis shkruan se shqiptarët «bashkohen nën flamurin e Skënderbeut e hyjnë denjësisht në histori». Me nderim të madh vlerësohet nga Prifti historian Zhan Klod Faverial: «Lufta e mahnitëshme që bëri Shqipëria nën udhëheqjen e Skënderbeut për ruajtjen e Pavarësisë së saj ». La Martini më tej: «…Vetëm një njeri kundërshtonte fitoret e otomanëve, e ky njeri ish një prijës malësorësh i panjohur gjer ahere nga bota; ky ish Skënderbeu. Për turqit Skënderbeu ish i padukshëm e i pathyeshëm. Emri i Tij u kish futur tmerrin në palcë». Studjuesi gjerman H. A. Bernatzik te «Shqipëria, vëndi i shqiptarëve» shkruan: «Që nga viti 1444 gjer më 1468 u zhvilluan 24 beteja të përgjakëshme në të cilat Skënderbeu, heroi gjenial i shqiptarëve, arriti t’i zmbrapste turqit të cilët, pa dyshim do kishin vërshuar në gjithë Europën». Në këtë gjykim Volteri vlerëson Gjergj Kastriotin: «Sikur Perandoria bizantine të kish patur njerëz si Skënderbeu, Perandoria e Lindjes do t’i kish shpëtuar pushtimit turk». Gjenerali anglez Uolf: «Ai (Skënderbeu) ua kalon gjithë komandantëve të vjetër e modernë, në taktikën mbrojtëse të një ushtrie të vogël». Gazeta «Le Petit Meridional», 19 maj 1897 botonte: «Instikti luftarak i këtij populli…nuk u dobësua gjatë shekujve, kurse në luftërat kundër pushtimit osman patën lavdinë të bëjnë qëndresën e fundit. Heroi i tyre, Skënderbeu, u bë legjendar…» Studjuesi Francisk Pal: «Në këtë periudhë të gjatë Shqipëria u bë pengesë e vërtetë që sulltanëve u ndalonte marshimin gjatë bregut lindor të Adriatikut, dtrejt Italisë, drejt Perëndimit». Pikolomini vlerësoi me kohë: «Me një grusht ushtarësh Skënderbeu dërmoi ushtrinë e madhe të osmanëve». Studjuesi i njohur Farlati shënon më tej për Skënderbeun: «Fill i vetëm ai i qëndroi furisë së osmanëve mizorë si një ledh i patundur, duke mos i lënë t’i afroheshin e t’i turreshin krishterimit». Historiani italian Biemmi më 1742 vlerëson mes të tjerash: «Ajo që të çudit më fort e të gëzon zemrën është kur sheh një Princ të një krahine të Shqipërisë shteti i të cilit nuk arrin një të qindën pjesë të Perandorisë Otomane, e ushtria e të cilit zakonisht nuk ish veç 10, 12, a shumë shumë 15 mijë burra; e me një numur kaq të vogël ushtrie, për 24 vjet resht të luftonte e të dilte fitues kundër asaj fuqie, para së cilës tërë bota dridhej e gjithëçka i përkulej; të arrinte mëse një herë, që i tmerrshmi Mehmet Fatihu i cili përditë rëzonte frone mbretërish e perandorësh, të lypte paqe e miqësi»! Raguza i shkruante Letër-lavdërimi: «Të vazhdoni luftën, duke qënë pasqyrë e shembull për gjithë princët e të krishterëve e për gjithë popujt. Emri juaj do kurorëzohet me lavdi të amëshuar ».

Më 1561 në Bazel botohet një Libër me vlerësim të veçantë për Skënderbeun: «Asnjë princ a Mbret i botës së krishterë s’i ka drejtuar armët më fuqishëm e më fatbardha kundër osmanëve se Gjergj Kastrioti. Asnjë si Ai nuk ka mbetur kaq shpesh i fituar në sheshin e luftës ». Në plotësim të lavdisë së pabesueshme, jepet dhe portreti i Heroit. 

Miss Durham shkruan: «Më 1403 kish lindur Burri i Madh i Shqipërisë, Gjergj Kastrioti i mbiquajtur Skënderbej…Suksesi i Gjergjit si Skënderbe, princ i Shqipërisë, qe fenomenal. Shqiptarët gjetën Njeriun e fortë, e tani qenë të pathyeshëm. Europa buçiste me emërin e Tij». Eseisti ushtarak anglez Sër V. Temple shkruan «Mbi virtytet heroikë» e aty thotë: «Skënderbeu mbetet ndër 7 mbretërit e pakurorëzuar të Europës». Dora D’Istria vlerëson: «Ashtu si Gustav Vasa në Suedi, dhe Skënderbeu në Shqipëri ka qënë një fenomen i veçantë». Falmerajer: «Gjergj Kastrioti është ndër kryeluftëtarët më të mbaruar, më fatbardhë e më të mëdhenj të botës». Më tej dhe më bukur: «Forcat fizike të Skënderbeut ishin të pashterëshme ndaj çdo lodhjeje e tejmundimi, ndërsa shpejtësia e lëvizjeve të tij ushtarake mund të krahasohej vetëm me «incredibilis celeritas» (shpejtësi e pabesueshme) të një Cezari, ose me vezullimin e rezeve të diellit». Duke vlerësuar shqiptarët «me vitalitet të tejzakontë» Milan Shuflaj thotë: «Luftëtari më i tmerrshëm që krijoi përgjithësisht përleshja me turqit është Gjergj Kastrioti Skënderbeu» e shton: «Shqipëria u bë e famëshme në atë kohë…Lufta e Skënderbeut qe një epope e një hapsire të shquar…që ngjalli në gjithë Europën idenë e Shqipërisë së mëvetësishme».

Profesori danez me prejardhje norvegjeze, Ludvig Holberg boton «Hyrje në historinë e shteteve më të mëdha të Europës» ku 32 faqe i ka për Skënderbeun. Mes të tjerash shkruan : «Bota e tërë po habitej nga fuqia e Turqisë e cila kish lemerisur Europën e Azinë; e kjo fuqi po thyhej nga një krahinë e vogël! Një rast habie se si vetitë dhe aftësitë e një njeriu, të një vëndi të vetëm t’i bënin ballë!..Për këtë Burrë mund të thuhet se ai qe Heroi më i madh dhe askush, as në historinë e vjetër as në të renë s’mund të krahasohej me Të…Me dorën e vet Ai shkatërroi plotësisht 20 ushtri të tejforta…Skënderbeu ishte luftëtari, prijësi e në të njejtën kohë - Heroi më i madh në histori». Në fund e mbyll me pohim të qetë prej zotnie nordik: «Dhuntia ime poetike është e varfër kur vjen rasti t’i këndoj një Burri të tillë të cilin të gjithë e mbajnë për të shkëlqyer».

Të kujton një rast tjetër të ngjashëm. Në bibliotekën e Padovës u gjet një Poemë për Skënderbeun» viti 1775; autori, nën madhështinë e Heroit që «e la pa mënd» dëshiron të mbetet pa emër. Skënderbeun e cilëson «Princi më luftëtar i atyre kohëve…Heroi më i lartë, Hero i pavdekshëm». Në fund e mbyll: « Këndoji, lexues i ndershëm, luftërat e këtij kampioni të pathyeshëm e mëshiro muzën time të varfër që, duke u skuqur para lexuesve, qëndron e fshehur, pa emër»!

Më 1596 në Angli për lexuesit botohet një libër tok me himnin për Skënderbeun, ku mes të tjerash thuhet: «Trim si Hektori, zemërgjerë e shpirtmadh si Cezari, mëshirëplotë si Trajani, i pakalueshëm si Akili». Fama «Skënderbe» hynte hijshëm dhe në sallat mbretërore të Anglisë. Që më 1559 mbretëresha Elisabetë në Lutësoren e saj lë shënimin me qetësi e nderim mbretëror: «Më 17 janar, si këtë ditë, vdiq Princi i mirë Skënderbeu, mbret i Epirit e ngadhnjimtar kundër turqve». Më 1564 në Krakov të Polonisë qe shkruar «Kronika e mbarë botës» e më pas studjuesi M. Bielski e pasuron me «Historia e Skënderbeut» që mungonte, duke shtuar: «Skënderbeu i Maqedonisë, princ arbëror». Më 1579 shkrimtari e historiani Lavardin shkruan «Historia e Gjergj Kastriotit të quajtur Skënderbe, mbret i Arbërisë…emri i pavdekshëm i të cilit meriton, pa dyshim, të përmëndet në tempullin e Kujtimit». Më 1620 në kështjellën Pjeshtan të Sllovakisë, seli e perandoreshës austro-hungare Marie Tereza, qe vënë tabloja me portretet e Aleksandrit të Madh, Hanibalit, Skënderbeut (me shpatën ngulur hijshëm në tokë) dhe Huniadit.

Mëse e çudiçme, për Skënderbeun këndohej gjer në Filipine. Në gjuhën tagalog tregohet se pas ripushtimit osman të Shqipërisë luftëtari Florantes vajton fatin kombëtar, (mesa duket si Filipinet pushtuesin e tyre). Citojmë për kureshtje nga zbulimi në anglisht prej studjuesit A. Tare: « Paalam Albamang/ pinama mayanan/, ng casama, t, lurit/ bangis ca lihulam/ a cong tangulan mo, i/ cusa mang pinatay/, sa iyo, i, malaavi/, ang panghi hinayang…» (Lamtumirë, Shqipëri/ tanimë mbretëri/ ku ra djalli mizor/, egërsi e pabesë./ Unë mbrojtësi yt/ që tek ti rashë fli/, fatin tënd kaq të zi/ do ta qaj sa të vdes »).

Fallmerajer shton si profet: «Skënderbeu qëndronte në kulmin e lavdisë, madhështisë e fatbardhësisë kurse Shqipëria ish mbështjellë me një si rè të mrekullueshme e të magjepsur, e cila qe dhe ngushëllim dhe shpërblim për tërë vuajtjet që kish hequr e do të hiqte më tej kësaj kohe të shkëlqyer». 

Është e kuptueshme pse për Të sulltan Murati tha: «Duhet të jetë vetë djalli, në mos, ndonjë magjistar»! Kur Heroi vdiq, sulltan Mehmeti shtoi gjithësesi i gjunjëzuar: «Europa dhe Azia janë të miat. Një luan të tillë s’do lindë më bota»!

Është një e vërtetë madhështore, e pohuar jo thjeshtë nga ne, shqiptarët, por nga dijetarë e dëshmitarë tejembanë botës, se qëndresa shqiptare me vetflijimin e saj shpëtoi Europën. Shqipëria dhe Perëndimi i qytetëruar qenë brënda një fati. Duan s’duan të verbërit apo shpifësit, Skënderbeu me shqiptarët skicuan me kohë (në formën e saj të Mesjetës) një lloj «NATO»-je mbrojtëse të përbashkët nga rrebeshi aziatik. Fallmerajer gjykon: «Skënderbeun e lavdëronin si kapitenin më të madh të shekullit dhe Kruja u bë vëndi ku mblidhej rinia luftarake nga tërë Perëndimi »…Në këto beteja kundër turqve, në verë e vjeshtë 1457 kalorësi anglez Xhon ov Njuport komandonte një grup harkëtarësh kundër osmanëve. Më vonë, si dëshmitar i afërt bëri një vlerësim të tillë: «Pushtimi i Europës është i sigurt pasi nuk ka fuqi tjetër t’i bëjë këtë qëndresë nëse bie kështjella shqiptare». La Martini e kish gjykuar saktë mbrojtjen e Europës pas vitit 1453: «Muret e Kostantinopojës u zëvendësuan me shkëmbenjtë e Ilirisë». Dr. Norbert Hëlkël plotëson: «Qëndresa e guximëshme dhe e vendosur e Skënderbeut ndaj sulmeve të Perandorisë osmane pengoi kërcënimin e drejtpërdrejtë të Italisë nga turqit që kishin ngritur një kryeurë në Otranto». Skënderbeu është i ndërgjegjshëm për këtë mision, kur te poema «Gjon Huniadi e Skënderbeu» e De Radës shprehet: «Dhe si rrugë të shpëtimit/ për të ardhmen, parashoh/: kombet tanë, sot të huaj/, rreth një flamuri të pastër/ tok e lirshëm të bashkuar». Të jep përfytyrimin e Bashkimit Europian e të mbrojtjes së përbashkët. Delegati i mbretit të Bosnjës, Stefani, i qan hallin Orbinit latin e ky citon fjalët e ti: «U jam lutur dhe hungarezëve, venetikasve e Gjergj Arbërorit, të kenë mirësinë të më vinë në ndihmë»! Në Muzeun e Danimarkës është që nga viti 1614 një vulë ovale e Skënderbeut. Në pjesën e poshtme të shqiponjës shkruhet: «Skënderbeu - mbret i Shqipërisë, Serbisë e Bullgarisë»! «Çudia»  vazhdon më tej. Më 1821 në Oborrin Vajmar të Gëtes, K. Sonderrchausen, prift ceremonial, paraqet dy poezi dramatike nën emërtimin: «Çlirimi i Greqisë» ku Skënderbeu jepet figurë qëndrore komanduese, cilësuar aty «Mbret i Moresë e i Shqipërisë». Kuptohet, këto hapsira jashtë Shqipërie për mbrojtës mbanin Skënderbeun, i cili «mbrojtje raketore» për fqinjët kish harkun e shpatës së Tij e të popullit të Tij. Francisko për Pal këtë të vërtetë pohon se Gjergj Kastrioti qe «Figura më e shquar në luftën e madhe të popujve të Europës Juglindore kundër zgjerimit të fuqishëm të perandorisë Otomane nga mesi sh. 15. Udhëheqës i një populli pa dyshim heroik…me forcë e madhështi të tejzakontë, me trimërinë e vet legjendare në këtë qëndresë kundër shtetit më të fuqishëm e më të rrezikshëm të Meslindjes». Më 1463 Peshkopi dhe Diplomati i Tij Pal Ëngjëlli i shkruan Skënderbeut me qortim për Letërkëmbimin me Sulltanin ku pranonte dhe një paqe të ndërsjelltë. Mes të tjerash i thotë: «Ty të kanë zgjedhur për Prijës, Komandant dhe Gjeneral të Përgjithshëm të gjithë ushtrisë së krishterë…Papa ka vendosur të ta besojë Ty drejtimin e kësaj lufte». Autori thotë se veç Vatikanit e Venetikut, Aleanca bashkëeuropiane përmbante dhe francezë, spanjollë, belgë, hungarezë, çekë, polakë, italianë…E tërë kjo mori popujsh të Europës vihej nën komandën shpëtimtare të Shqiptarit të Madh sepse, siç shkruan Shuflaj: «Shqipëria në Mesjetë, pothuaj gjithmonë, përbënte bazën operative të fuqive perëndimore kundër Bizantit (Perandorisë Osmane».

Te «Lufta e turqve kundër Skënderbeut», 1539, Dhimitër Frangu shkruan mes të tjerash për qëndresën e përbashkët europiane: «Papa Piu II u vu në krye të Kryqëzatës kundër turqve, kurse Skënderbeut t’i dhurohej Kurora e Mbretit të Epirit e të gjithë Shqipërisë, duke e emëruar Gjeneral të Kryqëzatës e cila do sillte shkatërrimin përfundimtar të fronit të sulltan Mehmetit» (e lexuar në «gjuhën» e sotme, Skënderbeu çmohej si Komandant i Përgjithshëm i NATO-s, kurse Papa - një lloj «komisari» i qetë si Z. Solana). Asnjë habi për kryerolin shqiptar në mbrojtje të Europës. Fallmerajer plotëson: «Shqipëria qe vatra, dhe pak a shumë qendra në të cilën përqëndrohej kundërshtimi i armatosur i krishterimit europian kundër madhështisë së dinastisë Osmane e cila kërcënonte tërë qenësitë e tjera politike. Dhe atë që Perëndimi nuk mundi ta arrinte me forcat e tij në Marica (1632), Kosovë (1389), Nikopojë (1396) e në Varnë (1444), shpresonte ta arrinte tani me aq sa mundej, nëpërmjet një dore të huaj. Skënderbeu qe Kapiteni i Përgjithshëm…Për 25 vjet resht Skënderbeu mbajti pezull fatin e kontinentit Ilirik në këtë epokë të shkëlqyer të shqiptarëve dhe Prijësit të tyre të madh». Dijetari Tunman vlerëson më tej: «Shqiptarët në atë kohë luajtën rolin më të shkëlqyer. Duke luftuar për Atdheun dhe lirinë e tyre e të frymëzuar nga heroizmi i Prijësit të tyre, ata u bënë edhe vetë heronj. U bënë mburojë e princave të pafat europianë të dëbuar, aleatë të dashur të mbretërve më të mëdhenj si dhe pritë kundër gjithë armëve tmerruese të osmanëve» (mendoj janë lexime me vënd sidomos në prag të hyrjes së Shqipërisë në NATO).

Mirëpo monarkët e Europës qenë shumë të vegjël për misionin e madh të Skënderbeut. Miss Durham shkruan se Gjergj Kastrioti «i bëri thirrje Papës për ndihmë, dhe po të kish marrë ndihmën e kërkuar, ndoshta historia e Gadishullit do qe shkruar ndryshe..Skënderbeu vazhdoi luftën i pandihmuar». Fallmerajer po ashtu: «Sikur, si për një mrekulli (gjë që s’kish ndodhur e s’do ndodhte kurrë) tërë popujt - shqiptarë, grekë, vllehë, serbo-bullgarë…të kishin rrëmbyer armët, e me të njejtën zjarrmi gëzimi e dashuri lirie të qenë bashkuar me Skënderbeun..,një kryengritje e tillë me një mbështetje prej të paktën 2 milionë frymëve e me një Prijës si biri i Gjon Kastriotit do kish arritur një përfundim të mbarë e do siguronte një shpëtim të qëndrueshëm nga zgjedha osmane».

Flores Cresten, fisnik e dijetar francez i kohës së Skënderbeut, pas vdekjes së kryeheroit, i thërret Europës me hijen e Tij të pavdekshme: «O francezë të mjerë, duke mësuar historinë e Skënderbeut kthejeni në lumturi fatkeqësinë tuaj! Merrni shembull Skënderbeun dhe kini pak turp që po ju shtyp pabesia e barbarëve»! 

Front kryesor të luftrave Skënderbeu kish sulltanët osmanë. Po kur ia desh liria e vëndit apo thirrja e miqve, ai luftoi dhe kundër dinastisë franceze katolike në Itali, dhe kundër Venetikut katolik në pabesitë e tij, edhe kundër Brankoviçit ortodoks serb që i pengoi fushatën në Veri krah aleatëve. Papa Kalisti III (i pakursyer në lavdërime të cilat nuk kushtojnë gjë) i thotë Gjergj Kastriotit: «Me trimërinë e shkëlqyer dhe me veprat e Tua të paharrueshme ne shohim që ke fituar merita shumë të mëdha ndaj besimit dhe fesë së krishterë, përmbi tërë princët katolikë…e një tjetër të bëhet një Skënderbe i dytë». La Martini, duke kundërshtuar vlerësimin e Skënderbeut në korniza kishtare, thotë se luftërat e Tij qenë së pari kombëtare, për lirinë e vëndit të vet. Sigurisht Ai s’e ka mohuar dhe e kish për nder besimin katolik, por në luftrat e Tij liria e Atdheut qe shkaku parësor, mbrojtja e krishterimit qe pasojë. Fetih Pasha, ish ministër i Turqisë në Beograd, spjegon se «kur me vdekjen e të atit, Sulltani ia dha një tjetri Principatën e Krujës, Skënderbeu u bashkua fshehur me Kishën romane që të gjënte mjetet për plotësimin e qëllimeve të Tij». Historiani Edvin Zhak tregon rastin kuptimplotë: «Në luftën me Venetikun për Danjën, Skënderbeu vuri re se ushtarët e Tij qenë më pak të zellshëm kundër të krishterëve se kundër turqve. Ahere Ai u foli, se ata duhej ta ndanin fenë nga armiqtë me kërkesa të padrejta; armiqtë nuk duheshin luftuar si të krishterë por si pushtues». Miqtë në nevojë Skënderbeu nuk i ndihmon thjeshtë si të krishterë, por si mirënjohës në besë. Kërkesës për ndihmë të Mbretit Ferdinand Skënderbeu i përgjigjet: «Ne që kemi parë kaq të mira nga Naltmadhnia e Tij, i ndjeri Mbret Alfons, do bëheshim me turp e do na nxihej faqja si të pabesë mosmirënjohës po mos i shtrinim dorën të birit në ditën që ka nevojë». Në këtë frymë i shkruan më 1461 dhe duka F. Sforca i Milanos: «Ne kemi po atë detyrim ndaj Madhërisë Suaj siç e ka dhe madhëria Ferdinand, e që tani e përgjithmonë po afrohemi për të gjitha kënaqësitë, nevojat dhe nderet, si te një vëlla i mirë, i përzemërt». Në Letrën e tij Pal Engjëlli i kujton se «duke bërë paqe me Sulltanin, shkel fenë e krishterë»! Kur duhej, krishterimin katolik Skënderbeu natyrshëm e pohonte dhe e nderonte. Por largimi madhështor nga Sulltani nuk kish as motive islame, as krishtere. Qe së pari thirrje e lirisë së Atdheut të Tij. Me kulturë sovrani e mprehtësi malsori sulltanit i spjegohet në përgjigje: «Çdo njeri ka zemrën e vet, orën e vet e fatin e vet, o Prijësi im, të cilën na e kanë caktuar Perënditë…Pse talleni kaq fort me perënditë e me njerëzit»!? (motivohet si të parët paganë - me shumë perëndi). Më tej: «Mirësitë tuaja aq të shumta çduken nga faqja e dheut para mbrapshtive aq të mëdha…Principatën atërore ma rrëmbyet, më ndatë nga vëllezërit…durova shumë, shumë tepër nga sa duhej!»  

Gjergj Kastrioti qe para kohe vizionar i madh Rilindas dhe qe po ashtu larg mëndjes së lajthitur, që në Flamurin e Tij të vinte kryqin për shqiponjën pelazge. E. Zhak shton: «Skënderbeu madhështor…me shqiptarët e Tij të paepur për një çerek shekulli u bënë mburojë kundër pushtimit të Europës nga gjigandi turk. Kështu Ai bëri të mundur lulëzimin e Rilindjes europiane». Në shtratin e vdekjes të birit i la amanet: «…Mbro filozofët në shtetin tënd kundër zellit të tepëruar të fetarëve e priftërinjve dyfytyrë»! Rezatimi i këtij gjenialiteti të herët të Heroit tonë të Madh lindi fenomenin e pashëmbullt në botë, vëllazërimin kombëtar të feve tona. Tri veprat kulmore për Të janë shkruar prej një katoliku (Barleti), një myslimani (Naim Frashëri) dhe një ortodoksi (Noli).

Tërë kjo trimëri buzë legjendës e Skënderbeut shoqërohej dhe me një mirësi po aq e rrallë. Ai kish zjarrin e diellit te shpata sa dhe butësinë e hënës te shpirti. Jo më kot Naimi poemën e nis «Këndo, ëngjëll urtësinë/ edhe gjithë mirësitë…», e pastaj vazhdon për «trimërinë». «Jam mik i virtytit e nuk lakmoj begatinë» i shkruan Princit të Tarantos. Komandantit italian Piçinino i thotë: «Ne shqiptarët e kemi zakon që robërve nuk u rrëmejmë as jetën, as lirinë. Unë nuk e harroj kurrë bujarinë e pakrahasuar që bëri kundrejt romakëve Pirrua ynë i famshëm, paraardhësi ynë, mbret i Epirit» (Delegati romak i kërkoi Pirros që t’i blinte me parà robërit e tyre. Ky iu përgjegj: «Nuk kërkoj ar e as dua shpërblim se nuk jam tregëtar, por luftëtar. Le të luftojmë me hekur, jo me ar»!

De Rada citon fjalët e Skënderbeut para pushtuesit otoman: «Nëse do rrimë mënjanë, kjo do të thotë se vëndi ynë s’është yni, por i të huajit». Në Lidhjen e Lezhës po ashtu (nga Barleti): «Unë, nuk flas o princër, me njerëz që mohojnë luftërat e drejta». Më tej këshillon: «Largoiu rreptësisë së tepëruar dhe egërsisë e cila u ka hije vetëm bishave…Largoju dredhisë e dhelpërive të të pabesëve»! Në Letrën e vet, 7 maj 1463, Sulltan Fatihu i thotë kërcënueshëm: «Ju kurrë nuk do jeni në gjëndje t’i qëndroni zemërimit tim», dhe përgjigja: «Unë do ta mbroj veten, edhe pse jo pa lëndime, por jo pa ju sjellë dhe juve turpin»! Një cilësim të bukur i bën Dora D’Istria: «Në vënd që t’u dorëzohej pasioneve si një Aleksandër apo Henriku 4, Gjergji shihte vetëpërmbajtjen si parim, të cilin shqiptarët vazhdojnë ta ruajnë si virtytin e parë të një ushtari. Shpata të cilën e mbante poshtë nënkrejes qe shoqja e zgjedhur e netëve të Tij. Ai i dëbonte gratë nga ushtria dhe në paqe nuk kish dëfrime të tjera veç ushtrimeve burrërore, si gjuetinë dhe dyluftimet».

Shkrimtari francez Montanji citon rrëfimin magjik të Dh. Frangut: Një malsor ardhur luftëtar bëri me kokëfortësi një shthurje të rëndë rregulli e Skënderbeu iu turr pas me shpatë. Si vrapoi ca i lemerisur, pa pritur malsori ndali e i nxjerr shpatën përpara dhe ai. I habitur e më shumë i gëzuar nga burrëria, Skënderbeu i rrahu supet përzemërsisht dhe e gradoi në krah të Tij.

Është e njohur lidhja e Gjergj Kastriotit me paraardhësit e Tij të Mëdhenj, gjë qe e pohonte vetë me krenari e zyrtarisht. Ata janë vazhdimësi gjenetike e historike që prodhojnë dhe trashëgojnë njera tjetrën. Naimi thotë për shqiptarët: «Ju, stërnipër të të Madhit Aleksandër e të Pirros/, ju, o bij të Skënderbeut…». Dora D’Istria shkruan: «Populli shqiptar ka nxjerrë luftëtarë që kanë mrekulluar botën me trimëritë e tyre si Pirro, Aleksandri i Madh, Diokleciani, Skënderbeu e të tjerë». La Martini thotë se shqiptarët «i gjejmë nën emrin e ilirëve, në kështjellat e tyre ku kanë lindur para grekëve, hungarezëve, gjermanëve, venecianëve, turqve» (për sllavët as që bën fjalë), e më tej: «Ne pranojmë (siç thosh F. Zhylien-a.sh.) se Homeri aty gjeti Akilin, Greqia Aleksandrin e Madh, Turqia Skënderbeun, njerëz këta të së njejtës racë, të të njejtit gjak e të së njejtës gjeni». Francezi Viktor Berard më 1893 thotë: «Në Siujdhesën ballkanike gjëndet një popull i cili vetë nuk ka jetuar kurrë për vetveten. Ai vënd është ngritur lart dhe është personifikuar kurdoherë nga një njeri i Madh si Pirro, Skënderbe, Mehmet Ali e Ali Pashë Tepelena dora e të cilëve ka tronditur një pjesë të botës dhe mbi popujt e ulur la vulën e gjenisë së vet». Është mbresëlënëse se prifti historian Zh. Klod Faverial, Gjergj Kastriotin e quan «Aleksandër Beu». Poeti i verbër Luigji Groto poemën për Skënderbeun e quajti «Aleksandri i Ri». Akademiku Hudar de la Mote vdiq në punë e sipër duke i diktuar nipit libretin e tragjedisë për Skënderbeun.

Thuhet se emërtimin e dyzuar «Skënderbe» Heroit ia vuri Sulltani. Spjegimi është i thjeshtëzuar. Ka një qartësim të çuditshëm, zbuluar kohët e fundit nga një libër i fshehur. Në veri të Pakistanit, Karakum, dikur Aleksandri i Madh sulmoi mbi mure qytezën e Ostreas, Nikomedi. Banorët mbroheshin rreptësisht me shigjeta, por Heroi edhe pse mori shigjetë në trup, çau përpara. Të rrethuarit u hutuan, e quajtën Perëndi e i ranë në gjunjë si një shënjtori prej qielli. I tillë mbeti legjendë në kujtesën e tyre.

Të njejtën gjë bëri aty pas 1600 vjetësh Gjergj Kastrioti 19 vjeçar, kryetrim e i bukur, ahere prijës tabori të Sulltanit. Banorët e qëllonin me shigjetë, Ai çante përpara e përmbi mure u lëshua mes tyre. Banorët përsëri u habitën e i ranë në gjunjë si një shënjtori, duke përshpëritur se qe ringjallur nga legjenda e kish ardhur prapë në histori para syve të tyre «Ai…Iskandari…» i largët të cilin nuk e harronin brezpasbrezi! Fjala i vajti Sulltanit, e ai i la emërin «Skender-Bej» (Iskanderi i Madh). Bajroni me talent e kulturë jo më kot këndoi: «O Shqipëri, ku lindi Iskanderi (Aleksandri)/ këngë e rinisë, fanar i të urtëve/, dhe Iskanderi tjetër (Skënderbeu) që i dërmoi/ përherë armiqtë me shpatën kreshnike». Duke pranuar me nderim tërë jetën emërtimin «Skënderbe», Gjergj Kastrioti nuk ledhatonte vlerësimin e Sulltanit, por vlerën e Paraardhësit të Tij të Madh. Te Vepra «Comentari» Papa Piu II citon Letrën e Skënderbeut për Princin e Tarantos: «Në thua se Arbëria është pjesë e Maqedonisë, ti pranon të parët tanë shumë fisnikë, se ata nën Aleksandrin e Madh u futën gjer në Indi duke i nënshtruar tërë fiset që u kundërshtonin. Prej atyre kanë zbritur këta njerëz, gjer te vetë Skënderbeu». Papa Kalisti III e çmon: «I shenjtë si Shën Luizi, diplomat si Talejrandi, trim si Aleksandri i Madh » Shkrimtari arab Azis Hanki që e njihte mirë historinë mbi vëndin e tij, vlerësonte: «Ataturku me baba shqiptar e nënën maqedone (shqiptare-çame - a.sh.) prej nga mori vullnet, liri, sedër e rreptësi. Mustafa Qemalit i ziente në dej gjaku i Lekës së Madh e i Mehmet Ali Pashë Kavallës ». Studjuesi francez E. M. Vognjè më tej: «Shqiptari është epirot i Pirros e i falangave maqedone. Aleksandri e çoi atë gjer në thellësi të Azisë…» Historiani tjetër francez De la Jonquiere shkruan: «Gjer kohët e fundit në rojet e mbretërve të Napolit gjëndet një regjiment shqiptarësh që quhej ‘Real Macedonie’ (Maqedonia mbretërore) ».  (E. Doduell thotë se «Gratë shqiptare mblidhnin monedhat me fytyrën e Aleksandrit të Madh e i varnin si nuska»).

Me kalimin e kohës bëmat e historisë kanë prirje të hollohen. Për të mos u shuar krejt, historisë i vjen në ndihmë legjenda. Gjergj Kastrioti u bë tepër i madh për ta ngarkuar vetëm historia. Dijetari Hahn e thotë bukur: «Emri i Tij do qe harruar nëse mbi Të nuk do kish shtrirë duart e saj legjenda». Flitet për majat e relievit të historisë së popujve ku figurat e shquara tokësore marrin dhe tis disi qiellor. Falmerajer gjykon: «Njeriu mund ta kuptonte më lehtë apoteozën e Skënderbeut nga bashkohësit e Tij nëse, pa përmëndur Aleksandrin dhe Cezarin, dhe vetë luftëtari i madh i sh.19 (Napoleon) ka dhënë të kuptohet mjaft qartë, se dhe Ai e quante veten si një rezatim të forcës hyjnore». Dijetari gjenial Lajbnic vlerëson: «Zoti, duke njohur kuptimin vetjak të Aleksandrit të Madh, e shihte Atë në të njejtën kohë si krijuesin dhe shkakun e tërë të vërtetave». Dora D’Istria më tej: «Gjergj Kastrioti të cilit zakonisht i japin emrin e Maqedonit të Madh meritonte shumë më tepër se Marko Krajleviçi që të frymëzonte poezinë popullore. Ai s’është si Markoja, trimi i idealizuar mbi fantazi, por më shumë i idealizuar në histori se në këngët popullore. Ai s’kish nevojë për t’i rritur madhështinë, as për mitet me të cilat bardët shqiptarë kanë zbukuruar legjendat e Tij». Miss Durham kujton se «Krutanët këndonin një këngë pa mbarim për Skënderbeun, e cila me ndërprerje vazhdonte tërë ditën. Skënderbeu është Heroi i Madh i vëndit të tyre». (Më 1928 Mbreti Zog i jep M. Durhamit pikërisht « Urdhërin e Skënderbeut»). Autorët anglezë Hanibal e Scipio vlerësonin bukur se Skënderbeun: «Zoti e kish krijuar më parë si pasqyrë që bota vetëm të habitej dhe jo që dikush mund të barazohej me të». 

Janë këto arësye që njerëzit, siç thotë Hammer: «çvarrosën eshtrat e Tij me nderim Perëndie…i futnin në kutiza të arta a të argjënta e i varnin hajmali në qafë».

Fijet e legjendës qarkullojnë nga Njeri te Tjetri në vazhdimësi gjenetike e historike. Dora D’Istria thotë për Skënderbeun: «Nëna e Tij shtatzanë me Të pa ëndër sikur kish lindur një dragua i cili me trupin e madh mbulonte Shqipërinë dhe e mbronte me guackën si armaturë; bishti i Tij kridhej në Adriatik kurse gryka e zjarrtë gëlltiste otomanë të tërë». Për Aleksandrin e Madh: «Nëna dhe shqiptarja Olimbi…deshi t’i jepte të birit prejardhje mbinjerëzore, e për këtë pohonte se në shtrat e kish vizituar gjarpëri hyjnor». Në dokumente të tjera Aleksandri i Madh quhej dhe Kaleksandri Imathi, e spjeguar se Ai «Ka-le-kso-andre») e mbiemri i Ti «Imathi» lidhet me Matin. Hahn shkruan se «Në gjuhën kishtare Mati vazhdon të quhet Macedonia». Konsulli Balerini kish një hartë të madhe të kësaj krahine e rrënjët e Pellas si vëndlindje e Aleksandrit të Madh janë shënuar në mes të Matit. Në Iliada Patrokli i thotë Akilit se «për ty babë e nënë nuk qe as Peleu, as Tetida, por deti i zi të lindi nga shkëmbi»! Euripidi sqaron më tej  «Teti detare u bashkua me Peleun, e nga martesa e asaj hyjneshe thesalët e kanë quajtur vëndin ‘Teti-De’» (Deti e Dheu). Pele është «Pylli» në mal.

Fusha e vjedhjes së Heronjve ka qënë e hapur qysh herët. Çudia e pabesueshme është se ndërsa shovenët fqinjë vjedhin pa cipë Heronjtë tanë, shqiptarët me kompleksin e përjetshëm të turpit druhen të mbrojnë të Vetët. Na del në mbrojtje si bukëngrënë historiani Viktor Berard i cili te vepra «Turqia dhe helenizmi bashkëkohor» shkruan: «Kur shqiptarët e quajnë të vetin Aleksandrin, Akilin…tepërimi është vetëm në formë, ndërsa ‘paradoksi’ përmban një të vërtetë». Te «Skënderbeu i Pafat» De Rada shkruan se Skënderbeu hyri mes Princave mbi kalin e Tij e po meditonte me sy nga hapsira: «Këto male plot fërshëllima/ i dëgjon Aqilehti (Akili)/ dhe që këndej ngriti sytë drejt yjeve Lisëndri (Aleksandri)/, dy prijësa të njerëzimit të të gjitha kohëve».

Legjenda vazhdon: Pirron e vogël po e sulmonte një ujk, dhe e shpëtuan dy shqiponja. Plutarku shton: Kur do i sulej Maqedonisë pa ëndër sikur e thirrte Leka i Madh. Ky i vajti te shtrati ku Ai i foli me zë të ëmbël se do ta ndihmonte: «Mbret, ti je i sëmurë, si do më ndihmosh»? pyeti Pirroja. «Me anën e emrit tim» tha Mësuesi dhe u çua, ia hipi kalit e ecte para Pirros duke i treguar rrugën (ndoshta këtu e ka fillin fantazia e Dantes, të cilit në Ferr i printe përpara hija e Virgjilit)! Në luftimin përballë, maqedonët e njohën Pirron nga penda e ndritëshme e brirët prej dhie si te Leka i Madh, dhe vrapuan vanë me Të duke e njohur Prijës. Komandanti i tyre iku me thes në kokë. (Dy Brirët legjendarë e kanë prejardhjen nga Dhija Amaltea që ushqente fshehur Zeusin fëmijë. «Amaltea» = «T’amli»-qumështi gegënisht). Jo rastësisht dy Brirët, simbol pelazg, i mbanin të Tre - Aleksandri, Pirroja e Skënderbeu. Dijetari P. Franke shkruan se Skënderbeu «mban një helmetë me dy brirë cjapi të mëdhenj që nuk ndeshen gjëkund në tablotë bashkëkohore. Stolisja e helmetës lidhet me një model të lashtë, simbol i derës së lashtë mbretërore maqedone». Dybrirët, «Dhulkarne» arabisht, i citon dhe Kurani mbetur herët gjurmë në Lindje. (Nuk di sa lidhje kanë këto ëndëra të ngjashme me atë të Hekubës te Iliada, të cilës kur qe shtatzanë me Paridin, iu duk se në bark kish një zjarr që do duigjte Trojën)!

Skënderbeut të ri larg i vete hija e të atit e, sipas Naimit «U ngrit fat’ i Shqipërisë/ si i vdekuri nga varri/ mori rrugën e Azisë..: -Fle, i tha, o jetëgjatë/, nuk e di se ç’është bërë/, ç’e gjet të zinë tët atë/ e Shqipërinë të tërë?- ».

Me merak Shqipërie para kryengritjes (sipas Mjedës) endet ngado më pas dhe «hija» e Heroit: «…Lek Dukagjini e Skanderbeg Fatosi lëvizin n’vorre eshtra të shpuplueme». Ismail Qemal Beu ngriti Flamurin e u shpreh: «…U duk sikur shpirti i Heroit të pavdekshëm kaloi si një zjarr i shenjtë mbi krye të njerëzve që brohorisnin».

Në tri ditët e Pashkës arbëreshet vallzonin me këngë në mënyrë të veçantë, e Dora D’Istria spjegon: «Duket që, për këta të mërguar triumfi i Krishtit mbi vdekjen është barazuar me kujtimin e ndonjë fitoreje të arritur nga Skënderbeu mbi Gjysmëhënën». Zef Skiroi shënon te libri i tij: «Lexoje arbërishten, bir! Është si të kuvendosh me Skënderbeun»! Dora D’Istria shkruan gjetkë: «Kujtimi i Tij do ngrihet në qiell sa kohë që dhe një zemër shqiptare do rrahë në dy Siujdhesat motra»! J.V.Hahn gjykon më tej: «Historia po vendos vazhdimisht kurora të reja dafine mbi kokën e Ngadhnjyesit i cili, për 20 vjet me radhë dijti t’i bëjë ballë dyndjes prej mizorie të Gjysmëhënës». Duke i bërë një krahasim me figurat e adhurueshme prej tij, Pirros dhe Ali Pashë Tepelenës, Fallmerajer gjykon për Gjergj Kastriotin: «Veç madhështisë morale, para këtyre dy Figurave Ai pati epërsinë e lakmueshme të largohej nga skena e bëmave të veta në shkëlqimin më të pastër të lavdisë, dhe të tërhiqej vetëm para fatit». Humanisti Enea Pikolomini shton: «Nuk qenë shekujt që e zbehën këtë Figurë të madhe; përkundrazi, Gjergj Kastrioti i zbehu shekujt».

Në Kongresin e Orientalistëve Lui Benlou tha për Skënderbeun: «Më në fund dhe shqiptarët kanë Iliadën e tyre». (Mos vallë dhe për Iliadën horrat tanë të shtypit, sidomos gjakhuajt që s’u dhimbset kombi shqiptar, do qëmtojnë të meta, bie fjala «Homeri u verbua se qe nxitës i parë i luftrave…se Akili u godit pas në thembër nga që iku si frikac…se Paridi që rrëmbeu Elenën e martuar është çpikësi i prostitucionit !..) Një i tillë arrin të lëshojë fjalë rruge si rrugaçë mbi letra, se «Skënderbeu thotë vetë diku që është bullgar»(!). Shkrimtari maqedono-bullgar Dragi Mihajllovski i përgjigjet te vepra e tij: «Skënderbeu luftoi edhe për lirinë e populli të vet, popullit shqiptar, dhe për çlirimin e popullit të krishterë…në mënyrë të natyrëshme sot në Shqipëri është ngritur në rrafshin e një legjende dhe simboli kombëtar». Shpifësve tanë fytyrerrët Konica u është përgjigjur me kohë: «Ca mëndje të klasës IV e përmbysin të vërtetën dhe e kthejnë në të sharë atë që është një lavdi». Umberto Eko i bën përgjithësimin edhe për qetësi shpirtërore e fisnike të fitimtarëve: «Shpesh ka ndodhur që përparësia të kthjehet ‘nënçmim’ ndaj të tjerëve».

Historiani i madh Zef Valentini gjykon: «Kush dyshon se do qe jo vetëm mëkat por e pamundur zbehja e figurës së shkëlqyer të Skënderbeut..! Skënderbeun e ka gjithë Europa, e ka bota të vetin e nëpër Të e vetëm nëpër shpirt të Tij njeh vlerën e meritat e herëta edhe të Shqipërisë». Më 1870 Kamarda citon Revistën «Europa»: «Një komb që në kohën tonë ka nxjerrë atë kryevepër të gjallë si Prinvesha Dora D’Istria, ai komb nuk mund të quhet i vdekur, as të dënohet me çdukje. Dhe Ju, që me të drejtë Ju përkasin këto fjalë, nga gjiri i njerëzve tuaj nxorët në çdo kohë edhe më pas të pavdekshmin Skënderbe, njerëz shumë të shquar të cilët Europa me padrejtësi jo të zakontë i kaloi pothuaj në heshtje ose i vuri pak në dukje…» Shtohet natyrshëm mendimi i Prof. francez Zhak Burkar: «Sidoqë të ndodhë, Atdheu i Skënderbeut nuk do të çduket kurrë se ai ka njohur ditë më të errëta e më të vështira, sepse e ardhmja është me ata që nuk dëshpërohen, që nuk e humbin shpresën kurrë». Te gjykimi i fundit mbresëlënës i kongresmenit të nderuar amerikan Z. Dana Rohrbaker shqiptarët përjetojnë mendimin e Shteteve të Bashkuara: «Skënderbeu udhëhoqi popullin shqiptar kundër pushtimin osman të Europës duke e shpëtuar Perëndimin, e për këtë ne na takon t’i shpërblejmë shqiptarët…Pa luftërat e Skënderbeut tërë bota perëndimore do qe ndryshe, dhe SHBA do qe një vënd i ndryshëm po të mos qe guximi që Ai tregoi 600 vjet më parë». 

Është koha për rimëkëmbjen shpirtërore të popullit shqiptar rënë disi në gjunjë nga varfëria e çgënjimi, e te Biri i Madh i tij gjen gjithëçka për ripërtëritje. Vlejnë fjalët e Gëtes: «Kur kombi ndjen nevojë të vërtetë për ripërtëritje të madhe është dhe Perëndia me të, e qëllimi arrihet».


22 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page