Esat Braçe, jo vetëm drejtues komuniteti, por edhe në shërbim të jetës në NHS
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 14 hours ago
- 2 min read

Ka njerëz që e udhëheqin komunitetin me fjalë, dhe ka të tjerë që e udhëheqin me shembull. Esat Braçe i përket kësaj të dytës. I njohur si drejtues i Shoqatës dhe Shkollës Plotësuese të Arsimit Shqip “Nënë Tereza”, ai nuk është vetëm organizator i palodhur i jetës kulturore e arsimore shqiptare në diasporë, por edhe një profesionist aktiv në NHS, në shërbim të drejtpërdrejtë të jetës dhe shëndetit të njerëzve.
Në një nga takimet më domethënëse me nxënësit e shkollës që ai drejton, z. Braçe ndau me ta përvojën e tij nga puna në shërbimin e emergjencës. Me një gjuhë të thjeshtë, të kuptueshme për moshën e tyre, por me seriozitetin që kërkon tema, ai u shpjegoi se si funksionojnë ambulancat në raste emergjente.

“Ambulanca vjen shpejt kur dikush ka nevojë për ndihmë,” – u tha ai fëmijëve, – “dhe brenda saj punojnë njerëz të trajnuar për të shpëtuar jetë.”
Ai u tregoi se si sirena nuk është thjesht një zhurmë në rrugë, por një thirrje urgjente për hapjen e rrugës, një sinjal që çdo sekondë ka vlerë. Fëmijët dëgjonin me kureshtje e sy të hapur, duke kuptuar për herë të parë se pas atij tingulli që shpesh e dëgjojnë në qytet, fshihet një betejë e heshtur me kohën.

Biseda nuk mbeti vetëm në shpjegime. Nxënësit bënë pyetje, kërkuan të dinin si duhet të reagojnë kur dikush është në rrezik, çfarë duhet të thonë kur telefonojnë numrin e emergjencës dhe pse është kaq e rëndësishme të qëndrojnë të qetë. Përmes këtij bashkëbisedimi, ata mësuan jo vetëm për funksionimin e sistemit të emergjencës, por edhe për përgjegjësinë qytetare, për qetësinë dhe guximin në momente të vështira.
Atmosfera ishte e ngrohtë dhe frymëzuese. Të gjithë nxënësit u treguan të vëmendshëm dhe të interesuar për këtë profesion kaq të rëndësishëm. Për ta, ajo orë mësimi ishte më shumë se një ligjëratë; ishte një dritare drejt një bote ku shërbimi ndaj tjetrit është mision.
Esat Braçe dëshmon se identiteti dhe integrimi nuk janë dy rrugë të ndara. Ai ruan dhe kultivon gjuhën shqipe te brezi i ri, ndërkohë që kontribuon me profesionalizëm në një nga institucionet më të rëndësishme të Britanisë, NHS. Në figurën e tij bashkohen edukatori dashamirës, drejtuesi komunitar dhe profesionisti i emergjencës, një shembull i gjallë se si mund t’i shërbehet njëkohësisht komunitetit dhe shoqërisë ku jeton.









Comments