top of page

Erërat “makartiste”...


Erërat “makartiste” më së fundi po rreshtin.


Me kalimin e viteve duket se më së fundi po fashitet tymnaja e madhe dhe e stuhishme e gjykimeve për ndalimin në bllok të veprave artistike të krijuara në kohën totalitare që ato të mos shfaqen e ekspozohen më kurrë. Erërat makartiste po shuhen, filmat e Kinostudios po shfaqen dhe ndiqen me kërshëri për të njohur shoqërinë e asaj kohe, njeriun dhe botën e tij në një kohë të zymtë; veprat e piktorëve dhe skulptorëve po ekspozohen gjithnjë e më shumë, pa ndroje, është dëshmia e një epoke ku veç propogandës së dënueshme janë dhe vlerat e mëdha artistike të krijuara nga qindra e qindra artistë, të traditës dhe të gjeneratave pas çlirimit. Botime të shumta monografike për autorë apo mbi realizmin socialist në Shqipëri, emisione dhe debate të shumta janë zhvilluar në kanalet televizive ku fjalimet pasionante për mbyllje të artit të dikurshëm nëpër arkiva i janë përgjigjur kritikë të paqtë dhe realistë, pa ngarkesa politike, mllefe, shërbime partiake, duke pare tek veprat veçse vlerat dhe duke lënë mënjanë propagandën, një risi që ka ndodhur në gjithë botën komuniste pas luftës së Dytë Botërore veçanërisht në Europë. Ndryshe do behej e njëjta gjë e dënueshme siç u ndaluan shumë autorë të shquar pas lufte në Shqipëri vetëm pse ata kishin mendime të kundërta me regjimin dhe aspironin një shoqëri tjetër, perëndimore. Më së fundi është kuptuar se nuk mund ti bëhet luftë artit të një epoke pasi arti është pjesë e jetës. Ajo padyshim duhet analizuar dhe rreth tij duhet të nxirren mësime për të ardhmen, por gjithnjë vlerat artistike mbeten vlera. Forca poetike e Majakovskit mbetet e levduar, pavarësisht se në disa vepra ai u këndoi udhëheqësve të vendit të tij. Pra është e nevojshme padyshim që brezat e reja, sot e në të ardhmen, përmes artit të kësaj epoke të kuptojnë vetë ecurinë e shoqërisë shqiptare nga liria në diktaturë dhe sërish në liri, për të kuptuar se regjimet nuk mund ta mbysin plotësisht lirinë e krijimit, se arti është art dhe në një regjim totalitar. Vallë të gjithë artistët bënë artin-propagandë? A kishte liri krijimi ? A kishte art jashtë kornizave të përcaktuara, jashtë dogmatizmit dhe parullave, jashtë kërkesës politike? Sigurisht që kishte. Mendoj për atë kohë dhe kujtoj Odhise Paskalin i cili vuajti pse kishte bërë një portret për Skënderbeun dhe që me ndryshimet politike filluan ta përflasin pse kishte bërë portretin e Enver Hoxhës? E pastaj, kur ky skulptor i jashtëzakonshëm krijoi vepra të mrekullueshme si Skënderbeun, Luftëtarin e Pavarësisë, I urituri, etj.?... Kjo ka ndodhur dhe në letërsi nga autorë të shquar. Vallë duhet ti kryqëzojmë kur ata krijuan gjithashtu vlera të jashtëzakonshme. A mund të flaket emri i një artisti edhe kur ai ka krijuar në një nga veprat e tij një vepër emblematike për regjimin? E harrojnë analistët e sotëm “makartistë” se refuzimi i një kërkese nga politika ishte një lloj vetvrasje për autorin kur arti bëhej me komandë? Duke iu referuar një albumi mbi pikturën dhe skulpturën të Realizmit Socialist me tekst të Ermir Hoxhës vetë veprat flasin qartë për këtë mëtim të mësipërm, për atë se tek autorët më të mire gjen vepra ku i ashtuquajturi “realiëm socialist” është thjesht realizëm, madje shpesh, moderniste, kur presioni i politikës ndaj artit ka qene më I dobët siç ishte para vitit 1973. Le ti rikthehemi disa prej veprave të asaj kohe: më 1969 Maks Velo realizonte tablonë moderne “Selvitë”, çka ndonjë kritikë do ta vendoste menjëherë në kuadrin e “realizmit socialist”. Po kështu “Greva e urisë e Skënder Kamberit e vitit 1971 me një dinamizëm të jashtëzakonshëm e po ashtu dhe tabloja tjetër e tij “Buka e duarve tona”; Edison gjergo realizoi tablonë e madhe “Fondatori” kraas “Epika e yjeve të mëngjesit”; Isuf Sulovari “Yje të pashuar”, që të risjell imazhet e një Diego Rivera, Vilson Kilica me “Vajzat në biçikletë”, fytyrat e të cilave janë flu, diçka e paparanueshme për metodën e realizmit socialist; Sali Shijaku pikturonte tablonë “Njohja” me një çift te rinjsh gjatë fushatës së korrjeve dhe në një gjendje poetike. Pra repertori i tablove që s’kanë të bëjnë me këtë metodë recolucionare është tepër i gjatë dhe vetëm ky repertor të kujton që edhe në atë epokë, liria krijuese ekzistonte. II. Para disa ditësh isha në atelierin e Zamir Matit në Paris nuk ishte për tu habitur që në morinë e tablove të krijuara në atë kohë të pikasje një frymë moderne që shkonte në kundërshtim me kanonet e përcaktuara nga dogmatizmi apo zhdanovizmi i dikurshëm. Janë vepra të krijuara në vitet ’70 - ’80 të cilat janë apolitike, thjesht portrete, peizazhe, apo dhe gjendje psikologjike siç ishte dhe një tablo me minatorët, një vepër mjaft e realizuar. Ato janë vepra arti dhe ke dëshirë ti shohësh. Ndjen menjëherë që artisti ka qenë në korrent me modernitetin e kohës, kohë kur në Shqipëri vinin albumet e parë me veprat e impresionistëve dhe post-impresionistëve, të kubistëve, ekspresionistëve, futuristëve dhe korenteve të tjera artistike europiane. Rishoh krijimet e para 30-40 vjetëve dhe sigurisht, ashtu si dhe tek artistët e tjerë ka dhe tablo të realizmit socialist, por ajo që të bën përshtypje, janë ato që nuk i përkasin kësaj “shkolle”, që të shfaqen në mënyrë moderne dhe të influencuara disi nga impresionizmi apo kubizmi. Në ciklin e pikturave të Dardhës në Korçë ka tablo realiste mjaft spikatëse, të frymëzuara nga realiteti dhe jeta fshatare: një grup shtëpish majë kodrës në ditë dëbore, imazhe të fshatit natën, fshatarë, dhi, gomerë. Po kështu dhe cikli mbi Beratin krijuar gjatë disa viteve, punuar me tempera, akuarel, pastel apo guash; cikli i Nartës, ai i Zvërnecit, i Krujës, i Kaninës apo i Himarës me pamje mjaft delikate dhe origjinale. Po kështu tablo e mëdha punuar me vaj si “Lufta e Gjormit” apo “Lufta e Mushqetas” e vitit 1989, me tone të errta dhe një kompozim mjaft të bukur. Personazhet nuk kanë asgjë të përbashkët me “realizmin socialist”. Në tablonë “Vajza me laps” gjen njëherësh një frymë të mikut të tij të traditës Abdurrahim Buza por dhe një frymë të portreteve të Cezane. Por le të shohim tablotë e frymëzuara nga legjendat popollore dhe epika legjendare shqiptare, çka është një temë e rrahur gjerësish nga ai, siç ështa tabloja “Legjenda e urës së Artës”, ku dy kodrinat evokojnë gjinjtë e gruas së murrosur. Në ”Legjenda e Mokrës”, ai niset nga thënia popullore se kur del ylberi, shfaqet shpata e Skënderbeut, duke e zbërthyer kêtê në mënyrë figurative. Historia e ikjes së Skënderbeut në brigjet e Italisë jepet në tablotë “Në kepin e Rodonit” apo “Drejt Europës”, vështruar me një optikë mjaft moderne. Ku vallë është realizmi socialist në tablotë rreth legjendave apo kalave të shumta, siç është dhe cikli i Krujës? Po në tablotë “nature morte”, siç i shohim mbi tekstile ftonj apo shegë? Në vitin 1972 është eksperienca e tij me ngjyrat, duke krijuar në akuarele një botë kromatike abstrakte. Dhe po aq interesante janë kompozimet e tij me figurat gjeometrike të cilat janë në një frymë ekspresioniste. Janë ngjyrat dhe kundërvënia e tyre që shkaktojnë impresione të veçata siç i shohim ato në veprat e koloristëve dhe kubistëve francezë. Impresionizmi, kubizmi, ekspresionizmi, fovizmi, etj, nuk ishin të panjohura në gjeneratën e piktorëve të viteve ‘60- ’80. Edhe pse një vend i mbyllur dhe ksenofob ndaj një kulture perëndimore, artistët arrinin të njiheshin me merat më në zë të artit botëror. Në Institutin e Arteve në Tiranë zhvilloheshin debatet e hapura rreth shollës kubiste, apo shollës impresioniste etj. Modelet nudo pikturoheshin në mënyrë të lirë nëpër ateliere të institucionit apo ateliere private, edhe pse krahas kësaj, Partia kërkonte me ngulm heroin pozitiv, partishmërinë në letërsi e art, shpirtin vetmohues, etj. Më së fundi, pas më shumë se 30 vjetësh, erërat “makartiste” mbi dënimin dhe etiketimin në bllok të veprave gjatë epokës totalitare kanë rreshtur. Tashmë mund të flitet në mënyrë të paqtë dhe jo partizane për veprat e lira dhe ato të propagandës, ku bota e një krijuesi në ato kohë ishte diçka komplekse, jo “bardhe e zi”, here-herë tronditëse, çka disa i çoi në internime dhe burgje, edhe pse artisti, krahas një lloj kompromisi me pushtetin arrinte të krijonte artin e vërtetë të tij, atë çka ndjente shpirti i tij, artin modern edhe pse në një kohë të mbrapshtë. Në këto 30 vjet, lumturisht na janë rikthyer veprat letrare dhe të artistëve figurativë, pjesët teatrale dhe filmat, që epoka totalitare u përpoq ti mohojë, ti denigrojë dhe ti burgosë.

10 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page