Ervina Toptani: Mosrealizimi i një ëndrre
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 1 hour ago
- 2 min read

Mosrealizimi i një ëndrre
Nga Ervina Toptani
"Mosrealizimi i një ëndrre është më e fortë se vdekja", thoshte Gabriel García Márquez.
Ndoshta ngaqë vdekja i ve kapak të gjithave ndërsa mosrealizimi lë gjithçka të hapur. Lë jetën pezull si një fjali që nuk arrin kurrë pikën në fund të saj.
Brezi im dhe ata përpara nesh e kanë jetuar të qenit të lënë pezull si fatin tonë. Ne të lindurit në diktaturë që e njohëm botën përmes kufizimit kur gjuha jonë e parë nuk ishte shpresa siç duhet të ndodhte por ishte durimi. Dhe kur liria u shfaq në horizont si dritare shpëtimi, ajo u kthye shumë shpejt në një hapësirë të zbrazët, ku secili prej nesh duhej të shpikte vetveten pa busull, pa institucione, pa kujtesë të përbashkët. Liria na gjeti të papërgatitur sepse askush nuk na kishte mësuar deri atëherë si të ishim të lirë.
Tranzicioni pasues ishte thyerje tragjike. Viti ’97 ishte momenti ekzakt kur u kuptua se ëndrra kolektive ishte iluzion, se mbijetesa do të zinte përgjithmonë vendin e kuptimit e mendimit. Që prej asaj kohe, shumë prej nesh nuk jetuan më për të realizuar veten, por për të mos u shkatërruar përfundimisht. Emigrimi u bë forma e vetme e shpëtimit. Kështu, jeta u fragmentua me pak Atdhe në kujtesë, pak identitet në valixhe, pak shpresë e mbetur pezull midis dy, tre a katër gjuhëve e shumë ëndrra që u mbytën deteve e qiejve të largësisë.
Mosrealizimi i ëndrrave të brezit tim nuk është dështim personal, është plagë ontologjike. Është të jetosh me vetëdijen se në vendin tënd, potenciali yt u mohua drejtpërdrejt dhe u tret ngadalë në mungesë kohe, mundësish dhe mbi të gjitha drejtësie. Ne sot e gjejmë Shqipërinë sa herë vijmë nga larg me imagjinatën e gjallë si do të kishte qenë nëse ne nuk do të iknim të gjithë, si do të kishte qenë nëse ne do të luftonim së bashku krah njëri tjetrit e jo të gjithë të vetëm në fatin e tyre. Kjo është arsyeja pse kjo dhimbje nuk ulëret por hesht, dhe heshtja e saj është më e rëndë se çdo klithmë.
Vdekja është vërtet kufiri i fundit, por mosrealizimi është pafundësi kufinjsh të zhytur në errësirë të plotë. E pikërisht këtu qëndron paradoksi ynë, ne jemi brezi që nuk u lumturua dot kurrë plotësisht, por që fitoi një ndjeshmëri të rrallë ndaj të kuptuarit. Ne e dimë ndoshta më mirë se kushdo sesa kushton mungesa e ëndrrës, prandaj nuk e trajtojmë jetën si konsum. Ne e dimë se çfarë do të thotë humbje prandaj kujtesa për ne është kthyer në domosdoshmëri morale.
Nëse ende flasim për ëndrra, për dëshirën për të kapluar male siç kemi bërë deri mē sot, kjo do të thotë se nuk kemi vdekur shpirtërisht. Vetëm ai që ka ëndërruar thellë, vuan po kaq thellë nga mosrealizimi. Dhe ndoshta ky është misioni i heshtur i brezit tonë, të dëshmojë se jeta nuk matet me sukseset, por me intensitetin e vetëdijes.
Mosrealizimi i një ëndrre është më i fortë se vdekja thotë Markez, por një ndërgjegje që refuzon të harrojë është forma më e pastër e mbijetesës.









Një reflektim i thellë dhe i artikuluar me maturi intelektuale, ku Ervina Toptani e shndërron përvojën personale dhe breznore në një dëshmi universale mbi humbjen, emigrimin dhe pezullimin ekzistencial. Teksti ka forcë eseistike, gjuhë të përmbajtur e të saktë dhe një ndjeshmëri filozofike që e ngre dhimbjen nga niveli individual në atë ontologjik. “Mosrealizimi i një ëndrre” lexohet si akt kujtese dhe ndërgjegjeje, një shkrim që nuk kërkon mëshirë, por kuptim, dhe që dëshmon se reflektimi i thellë është forma më dinjitoze e rezistencës shpirtërore.