Ermira Jusufi Avdiu: ME FLATRA TË ËNDRRËS
- 20 hours ago
- 4 min read

Cikli poetik i Ermira Jusufi Avdiut ndërtohet mbi një bosht ku ëndrra, kujtesa, heshtja dhe koha bashkëjetojnë si kategori poetike e filozofike. Këto poezi nuk synojnë të rrëfejnë ngjarje, por të krijojnë një atmosferë meditimi, ku lexuesi ftohet të ecë përmes peizazheve të shpirtit. Autorja ndërton një univers lirik të mbështetur mbi simbolin, duke e zhvendosur vazhdimisht vështrimin nga realja drejt metafizikes. Kjo prirje e bën poezinë e saj më shumë reflektuese sesa rrëfimtare.
Në poezinë "Me flatra të ëndrrës", ëndrra nuk paraqitet si strehë e qetë, por si një hapësirë ku zhvillohet përplasja midis kohës, kujtesës dhe historisë. Figuracioni është i pasur dhe shpesh i guximshëm: zogjtë, shtojzavallet, hëna, bedenat dhe hijet krijojnë një skenografi simbolike që i jep poezisë një frymëmarrje mitike. Këto elemente nuk funksionojnë si zbukurime stilistike, por si bartës të një tensioni të brendshëm që e mban të gjallë lëvizjen e vargut.
Po kështu, në "Këta tinguj fluturojnë në qiell", tingulli shndërrohet në metaforë të shpirtit dhe të mallit. Lëvizja vertikale drejt qiellit është kërkim i bekimit, por edhe dëshmi e dëshirës për ta kapërcyer kufirin njerëzor. Autorja e ndërton këtë poezi mbi një ritëm të qetë meditativ, ku muzikaliteti i vargut mbështet domethënien dhe jo anasjelltas.
Një nga poezitë më të arrira të ciklit është "Fjalët që s'i thashë kurrë", ku heshtja fiton peshën e një rrëfimi. Fjalët e pathëna nuk mbeten mungesë komunikimi, por shndërrohen në një ekzistencë paralele, në një libër të papërfunduar që vazhdon të shkruhet në kujtesë. Këtu autorja arrin një ekuilibër të mirë midis emocionit dhe reflektimit, duke shmangur sentimentalizmin e tepërt.
Edhe poezitë "Rrugët janë ëndrra të heshtura", "Kah lundrojnë këto gjethe" dhe "Për një fije floku" vazhdojnë të ndërtojnë të njëjtin sistem simbolesh. Rruga, gjethet, uji, vjeshta, acari dhe flokët nuk janë objekte të natyrës, por shenja të kalueshmërisë njerëzore. Në mënyrë të veçantë, motivi i rrugës drejt atdheut i jep ciklit një dimension identitar, duke e lidhur përvojën personale me kujtesën kolektive.
Nga pikëpamja stilistike, Ermira Jusufi Avdiu mbështetet te vargu i lirë, me një prirje të dukshme për metaforën dhe simbolin. Gjuha e saj është e pasur me imazhe dhe kërkon një lexim të ngadaltë, sepse kuptimi shpesh ndërtohet përmes asociacioneve dhe jo përmes rrëfimit linear. Pikërisht kjo e bën poezinë e saj të komunikojë më shumë me intuitën sesa me logjikën e drejtpërdrejtë.
Megjithatë, në disa raste vërehet një prirje për dendësi të madhe metaforike, ku figura pason figurën pa i lënë gjithmonë hapësirë lexuesit të ndalet mbi secilën. Një ekonomi më e madhe e figuracionit dhe një përqendrim më i fortë në disa imazhe kyçe do ta rriste edhe më shumë fuqinë shprehëse të vargut. Kjo nuk e zbeh vlerën e ciklit, por tregon një drejtim të mundshëm zhvillimi poetik.
Në tërësi, poezia e Ermira Jusufi Avdiut dëshmon një ndjeshmëri të kultivuar dhe një prirje të qartë drejt poezisë simbolike e meditative. Ajo ndërton një univers ku ëndrra, heshtja, malli, koha dhe kujtesa nuk janë vetëm tema, por kategori ekzistenciale që ndërthuren në një ligjërim poetik të veçantë. Ky cikël shfaq një zë lirik me identitet të dallueshëm dhe me potencial për t'u konsoliduar më tej në poezinë bashkëkohore shqipe, falë kërkimit të vazhdueshëm të një gjuhe që synon të depërtojë përtej reales dhe të prekë thellësitë e përvojës njerëzore. (F. T.)
ME FLATRA TË ËNDRRËS
Parakalojnë zogj e shtojzavalle
Ëndrrës ia shqyejnë çarçafin e natës
Nënkresë ia vënë një gur, rrokullisur shekujve
Dhe ndërtojnë bedena kështjellash prej hijeve.
Fuqishëm dëgjohen troke kauajsh
Derisa zbresin nga betejat me hënën
Që prishur ua ka melodinë e tërfëllimave
Dihatja dëgjohet larg, tepër larg
Deri në zhbirimin e veshëve të shurdhër
Verbëri kohe që njeriu dot s’e ças.
Me flatra të ëndrrës
Gjithçka parakalon nën ritmin e rizgjimit
Dhe merr udhë me ferkun e ditës.
KËTA TINGUJ FLUTUROJNË NË QIELL
Këta tinguj dalin prej afshit të shpirtit
E digjen qiejve të pafund
Deri në pafundësinë e tyre
Nga malli që nuk ndalon askund.
Tinguj që fluturojnë në qiell
Dhe atje kërkojnë bekim
Mëtojnë ta prekin pikën e qëllimit
Të bekuarit s’kanë tjetër kthim.
Burojnë nga malli i djegur
Në rrugë të përhershme hamenden
Tinguj që kaptojnë lartësitë
Dhe pehaten në loçkë të zemrës.
Këta tinguj burojnë nga shpirti
Dhe fluturojnë tutje
Në krah të kometës.
FJALËT QË S’I THASH KURRË
Fjalët që s’i thashë kurrë
Nuk janë thjesht veç fjalë
Janë copëza zëri që kanë humbur rrugës
Fjalë që i thashë me mendje, por nuk pata gojë
Në heshtje të pafund e mbyllëm këtë lojë.
Ky libër nuk është për të gjithë
Është për ata që kanë dashuruar në heshtje
Dhe i kanë pritur përgjigjet që s’u erdhën kurrë
Në vend të plotnisë janë ndierë të zbrazët
Vallë kësaj zbraztësire
Sërish do t’i ngrisim një urë.
Fjalët që s’i thashë kurrë
Janë libër i papërfunduar për ty
(Ndoshta ende shpreson në rilindje të dytë)
Ndonëse mund të ngushëllohesh në heshtje
Apo të zhgrehesh në vaj e lot
Tashmë gjithçka ka mbaruar
Dhe nuk kthehet dot.
RRUGËT JANË ËNDËRRA TË HESHTURA
Rrugët janë si ëndërrat
Gjithkah të shpiejnë në çast
Të kthejnë sa çel e mbyll sytë
Ende pa prek rrezja e parë
Ditën që adhuron.
Rrugët janë ëndërra të heshtura
Furtunë që përplasen me kohën
Askush nuk ua din fundin,
As fillimin nuk e kanë të sigurtë
Sa her nis një ecje
Rrugët të torturojnë gjithkah
Veç rruga e kthimit në atdhe
Të merr kaliboç në krah.
KAH LUNDROJNË KËTO GJETHE
Vjeshtë e vonë para acarit
Suprinë uji të trazuar
Kah lundrojnë këto gjethe,
Në farfurinë e erërave
Kahmot s’i kemi takuar.
Në rrugëtim me vjeshtën
Mbi shpatulla kohe lundrojnë
Përftojnë me erërat
Kohë e çoroditur
Shemb iluzione dite
Shtigjeve të ngatërruara.
Mbi lundrën e kohës
Nuk i ndalon asgjë
Kah lundrojnë këto gjethe
Herë qetas shtrijnë krahët
Herë mbi ujëra të rrëmbyeshëm
Acareve të harlisura
Pehaten pa ia nda.
PËR NJË FIJE FLOKU
Për një fije floku më iku edhe një ditë
Më iku sikur fluskë që era e përpinë
Natën e vara në qepalla të kujtimeve
Që palosur i ka koha
Në shekullin e harrimit.
Në vendpjekjen e dëshiruar
Nga malli i djegur i dashurisë
Mespërmes lojës së trillimit
U shemb edhe një ditë.
Për një fije floku
U tret Arka e kujtimeve
Në orbitë.







