top of page

Vepra letrare e Shefki Karadakut...


81-vjetori i lindjes së shkrimtarit të vlerësuar nga Dritëroi, Marko, Siliqi e Zeqo


Vepra letrare e Shefki Karadakut në

librin e ri, monografi nga Halil Rama

Sakip CAMI


· “Të kujtonte një Esenin shqiptar të ndrojtur” apo “Khajamin e ditëve tona- Nga Dritëroi, te Llazar Siliqi, Petro Marko, Moikom Zeqo e Lutfi Turkeshi, si e vlerësuan Shefki Karadakun

Studimin e thelluar, gati dhjetëvjeçar, të veprës letrare të poetit dhe prozatorit Shefki Karadaku, Halil Rama e ka finalizuar me monografinë letrare “AND-ja e pandryshuar e Shefki Karadakut”.

Nëse para tre muajsh (në Akademinë Përkujtimore që organizoi në 1-vjetorin e ndarjes nga jeta të shkrimtarit të mirënjohur) u prezantua para publikut me dokumentarin televiziv me të njentin titull, të shfaqur edhe nga Radiotelevizioni Publik Shqiptar në kanalin RTSH 3, në 81-vjetorin e lindjes, Halil Rama, (autor i 21 librave me monografi, profile e kritikë letrare), prezanton sot librin e sapobotuar “AND-ja e pandryshuar e Shefki Karadakut”.

Personalitete të botës së letrave e artit, si Artistja e Popullit Margarita Xhepa – Nderi i Kombit, Prof.Bujar Kapexhiu – Nderi i Kombit, regjisor, skenarist dhe aktor i mirënjohur shqiptar, si dhe poetët e prozatorët e shquar Dr.Mujë Buçpapaj, Adriatike Lami, Andon Andoni, Agim Pipa, Josif Daja etj, vlerësojnë nivelin e lartë artistik të kësaj monografie, në të cilën Shefki Karadaku vjen thuajse i plotë me një arsenal veprash krijuese.

Në profilin e tij, që hap monografinë, autori, ndër të tjera nënvizon faktin se që nga libri i parë Kënga e karrove të drithit” (poezi - 1967) te “TORAKS” (2020), Shefki Karadaku, si krijues brilant prodhon emocione të freskëta, me origjinalitet të këndshëm e të besueshëm që gjelbërojnë humanizëm, me mesazhe befasuese, të ndjeshme e me sens dashurie njerëzore.

Dhe për të qenë sa më i besueshëm në këtë konkluzion autori sjell referenca nga të mëdhenjtë e letrave shqipe, si Dritëroi, Petro Marko, Llazar Siliqi, Adriatik Kallulli, Moikom Zeqo, Dr.Lutfi Turkeshi, etj. Kështu, në këtë libër (fq.12-15) H.Rama shkruan se: “Nëse patriarku i letrave shqipe, Dritëro Agolli vlerëson konceptimin popullor të realitetit në përmbledhjen „Meloditë e Shkumbinit” të Shefki Karadakut, ku evidenton gjuhën e pasur të vargjeve të tij të ngjashme me motivet popullore, si “Vajza e mullixhiut”, “Nata e fundit e aksionit” e të tjera, Kallulli shprehet për pleksjen bukur e me forcë të ngjyrave, e heroikes me tragjiken, të fëlligështisë e dobësisë morale të armiqve të egër. Adriatik Kallulli për një nga poezitë më të njohura shkruan se poezia e Shefki Karadakut është në shumë raste një poezi pikturë, ai e ndien që lexuesit i duhet shprehur në një mënyrë të tillë që të parafytyrojë me kthjelltësi atë që ka parë njëherë poeti. Shembulli tipik për këtë është poezia “Kënga e karrove të drithit”, ku gëzimi për korrjen, për bollëkun e grurit shprehet me një kuadër plot lëvizje: “Kur të fillojë të bredhë nesër dielli,/Në largësinë e fushës, si lejlek,/Atëherë, pas karrove të drithit,/Udhën e kaltër të arave do ndjek…..” Më tej autori perifrazon poetin Llazar Siliqi: “...kur më 1967 Shefki Karadaku doli me vëllimin e tij të parë, ‘Këngën e karrove të drithit’, ne u gëzuem që radhët e poetëve shqiptarë u shtuan me një poet të ri, me një lirik të qetë e të ambël, me ndjenja të holla, me dorë piktori të akuarelit”, për të vijuar me vlerësimin e shkrimtarit të madh Petro Marko, i cili pasi ka lexuar novelën e Shefki Karadakut, të titulluar Rrugët e para” shprehet: “Sikur ta kishte këtë botim në vargje dhe ta kishte pagëzuar po me këtë emër, ne përnjëherësh do të thoshim: poeti, pasi njeh rrugët e para të jetës, ka zbuluar në to fenomene dhe tinguj, ose ngjyra të reja dhe tani po na i dhuron me dashuri….”

Dr.Lutfi Turkeshi, gazetar&studjues nga Republika e Maqedonisë së Veriut, jo më kot, e vlerëson Shefki Karadakun siKhajamin e ditëve tona”, shkruan H.Rama në këtë libër. Kjo sipas tij për faktin se në këtë konkluzion ai arrin pasi ka lexuar romanet “Puthja e ngrirë”, “Njëmijë vjet dashuri”, “Vila e magjepsur”, “Salamandrat”, “Filantropi”, “Panagjerikus” e të tjerë, dhe vëllimet poetike “Kënga e korrave të drithit”, “Melodi të Shkumbinit”, “Ylberi”. “Lumi me njëqind zemra” e “Feniks” të poetit e shkrimtarit Shefki Karadaku, i cili asnjëherë nuk do t’i nënshtrohej jetës edhe pse e vuante atë…


“Si feniks, shkëlqen me ide kuarci duke ndërtuar “udhë betoni”... I tillë është poeti Shefki Karadaku. Tërë vargjet e poemës ‘Feniks’ janë të harmonizuara estetikisht në të gjitha nivelet e të shprehurit emocional, individual, stilit origjinal dhe figuracionit. Këto poezi janë shprehje e një personaliteti poetik jo të zakonshëm... Ka poeti edhe idilin e vet të vendlindjes që është “... me çuka, rrape-qiparisa dhe subtropiku mund t’i flasë qershisë, por jo ajsbergë...”. Por, ka poeti edhe dashurinë e shprehur si Naimi e Çajupi: ‘Të këndoj ty bukuroshe si alku, unë s’jam poet i vjetër melik, po zemra po aq e lashtë sa dheu, përpara teje rreh si det antik...’, që pastaj të vijojë: ‘Po zemra e kërkon nudon e bukur, le të jetë ajo si mbretëreshë, që nëpër gjoksin e saj malli i shkurtër si tajfun floride të përqeshë.... Si përfundim ai e quan të veçantë, të jashtëzakonshme e të bukur poezinë Shefki Karadakut. Referuar dr.Turkeshit, autori nënvizon faktin se poezia e karadakut është shumë refleksive dhe sa më shpesh ta lexosh e rilexosh, gjithnjë do të nxjerrësh ndonjë ndriçim nga qielli me plot yje lirike të poetit të madh. Pra, kjo lirikë është identiteti poetik si katarzë.

Në librin e ri të H.Ramës, profilin krijues të Sh.Karadakut e bëjnë më të besueshëm edhe referimet nga Petraq Risto, i cili si redaktor i romanit “Puthja e ngrirë” vlerëson ndërthurjen plot dritë dhe hije, si një afresk bardh e zi nga autori, të lirizmit, heshtjes, frikës, rebelimit, ankthit, jetës, dashurisë, ndërkohë që edhe Moikom Zeqo nuk e ka patur të vështirë për të deklaruar se Shefki Karadaku është një poet nga të spikaturit në lirikën shqiptare, madje du ke cilësuar si „një Esenin shqiptar „.

Halil Rama që e ka studjuar në detaje veprën e Shefki Karadakut, me të drejtë konkludon për krijimtarinë letrare mjaft cilësore të këtij poeti dhe prozatori që shkruan prej pesë dekadash, si romanet: “Puthja e ngrirë”, “Njëmijë vjet dashuri”, “Argonautët”, “Vila e magjepsur”, “Salamandrat”, “Gjergj Elez Alia”, si dhe disa novela e vëllime me poezi.

Koorpusi letrar i Sh.Karadakut, sipas H.Ramës përbën një thesar të çmuar që rrezaton dritën e artë. Ai evidenton gjetjet metaforike, forcën krijuese, gjuhën e pasur e shpesh poetike, përdorimin mjeshtëror të fakteve, kronikat, përshkrimin e heronjve, legjendat dhe episodet që bëjnë të këndshme prozën e këtij shkrimtari.

Një tablo më të plotë veprës së këtij shkrimtari e japin në këtë monografi edhe intervista e bashkëshortes nadire Karadaku si dhe reçensat e mbajtura në Akademinë përkujtimore të datës 16 mars 2021, në 1-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta, nga Dr.Mujo Buçpapaj, prozatori Andon Andoni, poeti Agim Pipa si dhe nga analiza që poetja Adriatike Lami i bën vëllimin poetik „Toraks“të këtij autori.

Krijimtaria e Shefki Karadakut është botuar edhe në gjuhë të tjera europiane. Revista letrare gjermane “Literatura Nr. 11 ndërmjet 20 autorëve nga Gjermania dhe vendet e tjera të Europës dhe Ballkanit boton edhe fragmente nga krijimtaria e shkrimtarit shqiptar Shefki Karadaku. Revista është botuar nga shoqëria letrare “Marburg” e Universitetit të Marburgut. Kopjet e saj ruhen në bibliotekën gjermane sipas ISSN.

Para pak kohësh, me kontributin e familjes u botua në anglisht romani i Shefki Karadakut “PUTHJA E NGRIRE”, nga një kopje e të cilit ju dhurua selive te huaja diplomatike në Tiranë. Dhe menjëherë vjen vlerësimi i ambasadorit gjerman Peter ZINGRAF për këtë roman tejet të arrirë që me të drejtë është mirëpritur e vlerësuar në botën letrare të kryeqytetit.

Nuk është rastësi që poeti e prozatori Shefki Karadaku mirërpritej e botohej kudo në trevat shqipfolëse, si në Prishtinë, Dibër të Madhe, Ulqin, Strugë etj. Madje në vitet ‘73-74 gazeta prestigjioze “RILINDJA” e Prishtinës botoi në 6 muaj radhazi novelën e tij “Kur kërcasin boçet e pishave”.

E kompozuar në katër kapituj (Profili & Reportazhi&Intervista –Akademia përkujtimore – Pjesë të zgjedhura nga krijimtaria e tij dhe Kritika letrare për veprën e Sh.Karadakut) kjo monografi sjell në vëmendje të lexuesit trashëgiminë letare që na la Shefki Karadaku me 13 vëllime me poezi dhe 12 romane e 10 libra me tregime e novela, që të gjithë me subjekt të zgjedhur e të arrirë artistikisht qw nuk është pak. Ato, sipas autorit Rama: „... janë një kontribut i çmuar për të sotmen dhe për të nesërmen që të mos ketë “Puthje të ngrirë”, që fjala e lirë të rrjedhë si “Ujëvarë”, që “Gjergj Elez Alia” t’u transmetohet brezave si njeri trim dhe i besës, si njeri i zgjuar dhe i ditur, që respekton njerëzit e tij, por edhe vizitorët e huaj të rajonit e të botës, që “Shkumbini” të mos shkatërrojë tokat, por të përmirësojë ekologjinë tonë, që “Elbasani i bukur” të çlirohet nga ndotja dhe të shndërrohet në turizmin tradicional shekullor. Ky është mesazhi që përcjell vepra e Shefki Karadakut.

Ndaj, shkrimtarë të tillë si Ai, që kanë sjellë risi në letërsinë tonë, meritojnë vëmendje nga kritika letrare dhe, në mungesë të Lidhjes së Shkrimtarëve, nga Ministria e Kulturës e nga Presidenti i Republikës. Personalitete si Ai, meritojnë vëmendje, sepse janë truri i kombit „.

78 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page