top of page

Emi Krosi: Transformimi i dashurisë

  • Feb 19
  • 13 min read

  Transformimi i dashurisë si transhendencë biblike, në poezinë e Gabriela Mujaj-t

 

Poezia femërore tashmë është fomësuar me formën e saj meritore dhe përmbajtësore, si një “konkurente” e vetëvetes përtej femërores.  Por, në ktë udhëtim poetik femëror, vjen një poete krejt ndyshe në tre dimensione:

a)     dimensioni i parë, se ajo është një poete e re,

b)    dimensioni i dytë, një penë e fortë dhe moderne femërore,

c)     dimensioni i tretë, sjell një unives bibliko-dashuror modern. Nëse mund të besojmë, se

disa shpirtra janë krijuar të ecin pranë nesh përgjithmonë, por ata vijnë si stinët, me qëllime dhe të mbështjella me dashuri, sfida ose ndryshim, prania e tyre kur zbulohet, është një dhuratë e shenjtë. Kështu e shenjta, rikrijon një figurë të përhershme, një “eternal feminine”, por jo në sensin e Goethe-s, këtu gruaja nuk “e shpëton botën”, por shpëton njeriun që dashuron, përmes dashurisë në librin: “I dashuni im zdrukthtar” (Mujaj: 2025). Poezia e Gabrielës ka një mesazh, që formëson rrugën e saj të  rritjes. Që kuptimëson qenien. Kuptimëson aftësinë për të dashur. Kuptimëson besimin. Poezia është dimension kohor. Ku një çast është përjetësi, por koha është e e pashtershme. Koha, na tregon dhe udhën që si të përmbushim misionin tonë. Një poezi përplot me spiritualitet. Një poezi përplot misticizëm.  Spiritualiteti dhe misticizmi, që e tejkalon njeriun. Tokësorja lidhet me qielloren dhe anasjelltas. Tokësorja vertikalisht lidhet me qiellin, përmes misticizmit të thellë që sundon poezinë e saj, në vargjet: ora 15:00, në tren. /Jam në moshën e Krishtit,/plot tridhetë e tre vjeç,/kudo nëpër çantë kërkova/ pasaportën vishnje për me e grisë/tridhetë e tri copash , nga poezia, "Tridhetë e tre, pra njesimi me moshën e Krishtit, bën dhe dallimin jo gjinor, jo fetar, por të “pastërtisë” dhe “ripërtëritjes”, përmes numrit 33 (numri fatsjellës), ku shenjon dhe botimin e parë, në moshën kur Krishti u kryqëzua, por jo arti /besimi /poezia. Fundja, dallimet gjinore bashkëjetojnë krah për krah me imazhet që pasqyrojnë çështjet më të mëdha: si feja, besimi, Zoti,  poezia e përdor religjionin si metaforë, jo si dogmë. Kjo poezi është post-sekulare: përdor Zotin, por jo si autoritet, por si pikë drite. Beteja gjinore, pranimet/përjashtimet, sendërtohen dhe shtresëzohen dhe mes rrjeshtave si shqetësim post/modern, ku arketipet janë përmbysur dhe shndërruar në homogjenitet. Por dashuria nuk është e përjetshme. Ajo realizohet përmes bashkimit dinamik të të kundërtave (Hart: 2010: 90). Nuk është tërësisht një topikë mistike, por hapëron qenësinë mitiko-biblike të krijimit të burrit dhe gruas, sepse si çifte kundërshtuese burrë/grua apo burrërore/femërore, ka një ekzistencë të pavarur, si variante të një force të vetme jetësore, që shumëfishohet në kohë dhe hapësirë, dhe në konfliktet mashkullore/femërore (çiftëzim/sterilitet). Alain Badiou e sheh dashurinë si “procedurë të së vërtetës”, por vetëm nëse ajo i reziston konsumit dhe instrumentalizimit modern. Megjithatë, këto qasje perëndimore mbeten të ankoruara në idenë e subjektit autonom që zgjedh, ku tradita orientale sipas Ibn Arabi, dashuria nuk është marrëdhënie mes dy individëve, por forca përmes së cilës Zoti e njeh veten në krijesë (Sadiku: 2026).

Risia që sjell kjo poete e re dhe e talentuar është, spiralizmi, lëvizja e re letrare shqiptare.

Spiralizmi (Lat. Spiralismo), është një lëvizje letrare e lindur në Shqipëri pas rënies së diktaturës komuniste në fillim të viteve 1990. Ai është një konceptim i tërë estetik dhe jo vetëm një çast i historisë letrare. Bën paraqitjen e veprës letrare, jo vetëm me fuqinë e fakteve, por edhe me lidhjen organike të zhvillimeve dialektike dhe historike të ndërthurur me vetëdijen e personazheve, që ndikohen nga prania e njëri-tjetrit dhe ajo e natyrës, kemi një spiralizëm psikologjik, një përshkrim që ndërthuret në formë spiraleje, bashkëveprimi i natyrës me ndijimet, perceptimet, ngacmimet, ndjenjat, mendimet, përsiatjet e vazhdueshme dhe gjendjet e brishta shpirtërore, që japin mesazhe të thella nga një personazh tek tjetri, por nuk mungon as Ens Realissimum (qenia më reale), pra Zoti. Spiralizmi ose trans/spiralizmi ndryshe nga realizmi, i cili është art demokratik, por hera- herës, bën theksim të tepruar të disa elementëve të realitetit.  Spiralizmi, është një lëvizje letrare që nuk e ndryshon ndjenjën e masës, apo të shtrembërojë realitetin, jo vetëm në poezi, por edhe në prozë. U takon estetëve shqiptarë, që ta studiojnë këtë lëvizje të lindur në mënyrë të vetvetishme, mbas rënies së diktaturës, por që shpreh një filozofi të re në lëvrimin e letrave, apo më mirë në paraqitjen e të vërtetave historike me anë të letrave shqipe. Megjithatë, si përfundim mund të themi pa mëdyshje, se në Shqipëri spiralizmi si lëvizje letrare i ka kaluar fillimet e tij dhe po merr trajtat e një lëvizjeje të përkorë sipas Laureta Petoshati/Emrije Krosi (Petoshati: 2013). Spiralizmi tani është në fazën ku ndodhet vetë shoqëria shqiptare, e cila është gati të bëjë hopin e madh, futjen në Europë dhe meqë Europa mbi të gjitha është një ndërgjegje, atëherë spiralizmi që pasqyron më së miri vetëdijen dhe ndryshimin cilësor të ndërgjegjes shoqërore në këto procese integruese është një lëvizje letrare integruese e ndërgjegjes së shqiptarëve me atë evropiane.

 

Teksti poetik na paraqet këto diskurse:

1.     diskursi bibliko-mitik si shenjë e një “simbolizmi të pastër”, vjen nga nocioni “diskurs” 

(nga lat. discursus), ka kuptimin e endjes, bredhjes, shpërndarjes, ky nocion konceptohet si bisedë, apo si shkoqitje logjike (Ndreca: 1986: 102), por shenjat e “diskursit biblik”, janë qartë të dallueshme, si simbole fetare. Një realitet transhedental, mes rrafshit moral dhe filozofik, ashtu si edhe “diskursi personal”. Interpretimi letrar në letërsinë shqipe ka shenja të elementeve të diskursit biblik (Ukaj: 2004: 3), që ndërlidhin sistemet e veçanta të interkomunikimit, jo vetëm si statut i veçantë shkrimore e letraritetit përmes frymëzimit kristian në letërsinë shqipe, i njohur në veprat që nga Meshari, Fishta dhe Noli, Kuteli etj. Këto energji, qëndrojnë më tepër në raport me unin e vetëdishëm racional, sipas disa traditave të mendimit të krishterë, nga tundimi i demonit, që zë të gjithë fabulën narratore brenda“Parajsës së humbur” (Milton: 2005:12). Këto energji, gjenerojnë tundim, në lidhje me shpirtin, në raport me vetëdijen racionale, sipas traditës së mendimit të krishterë, ka qenë e lidhur ngushtë me krijimtarinë poetike, që në kohët paraplatonine. Poetët, që të jetë në gjendje të zotërojnë demonin, atëherë ndoshta, përmes teksteve kanonike, të zëvendësojnë zbrazëtitë e lëna nga prishja e teologjisë kristiane, poezia me diskurs biblik, është një lloj teksti teologjik zëvendësues (Stenier: 1997: 4);

-       përmes trashendencës shpirtërore, kur simbolizmi i liturgjive fetare, u bë botëkuptimi i

diçkaje tjetër, diçkaje mes trashendencës shpirtërore, dhe besimit e laikes, në vargjet: lajmëroj se mbramë  ka dekë nji dashni!/Varrimi bëhet në shpirt/ ditën e tretë të javës,/të Yjtën, nga poezia, “Lajmërim”;

-       përmes diskurseve poetike përmes biblës, zotat olimpikë të Eneidës, tërhiqen nga

universi poetik i Dantes. Tek Dante, është forca poetike dhe energjia e një prej personaliteve absolute të letërisë botërore, që vepra e tij, na jep lexime dhe rilexime të pafundme. Talenti poetik dhe ndërthurja e elementeve biblike tek Dante si poet, u konsiderua për shumë shekuj lexuesish, si përcaktues i doktrinës së  katolicizmit. Për atë, “miti” i Beatriçes, të ishte sa herezi aq edhe gnostike. I ashtquajtur, si një zë "hyjnor", në tekstin poetik njerëzor, me shumë domethënie ekstratekstuale (Bloom: 1997: 49), lexuesi Universal i Komedisë hyjnore, ishte një “konsumator” i madh i tekstit, me citime biblike.

2.     Diskursi i marrëdhënies mes vetes dhe dashurisë, (që mund të ndahet në):

-       përballja mes vetes/përtejvetes, është amalgamë që fuqizon vetë femrat, përballë vetes

dhe realitetit, jo vetëm virtual por dhe atij real dhe surreal. Vargu: përqafova vetin fort!, f.49, besimi tek vetja, përmes vargut: i druhem veç frikës time, f.146, apo vargu: me u mbështjellë me vetminë time, f.69, ose vargu: i kallzue vetes nji prrallë f.70, vargu: tana herët që ia kam ba shah mat vetes time. Dashuria hyjnore, në poezinë e Gabrielës, ngjizet me shumë elemente mitologjike, sepse vetë emri Gabriela, është emri i ëngjëllit fatsjellës apo i mesazhit, është një mision dhe mesazhiere e dashurisë dhe jetës/besimit dhe Zotit/vetëvetes dhe vetëdijes/ të shkuarës dhe të ardhmes. Substanca eternike dhe elementi i besimit të Krishtërimit, na ndihmon të na kthjellojë dritën e besimit  brenda nesh, tokësores/ Universales dhe asaj Hyjnores. Gabri, është një poete e re, që duhet mbështeur, sepse poezia e saj është një poezi e stukturuar mirë estetikisht dhe poetikisht ku vargjet: të desha, të due/e mendja ma merr se kam me të dashtë/ tana stinët e dimnit- jetë/Ka me të shenjtue lutja ime e miklueme,/ ndjenjat e mia të solemta,/ në nji fron ku rrin Zoti i tan'zotave,/ zemra e dashunueme që zbut dhe gurin/Jam grueja e tana kohnave,/ pak Evë e pak Marie,/pak Rakelë e pak Lia,/pak Juditë e pak Ester,/pak Herodiadë e pak Anë/.../ty nuk dua me të lanë në Sodomë,/se ma don zemra shpirtin tand f.150-151 poezia  “Ma don zemra shpirtin tand" , ku [fjala: dashnia, i/e dashtuni; del 33 (tridhjetëetre herë)], ndoshta një koçidencë numri  (33), të moshës dhe dashnisë së saj.

-       përballja mes vetes dhe femërores, nuk është vetëm forma dhe mendimi poetik, por dhe

tradita e shkrimit poetik, përmes vetëdijes ku vetëdija autoriale për poezinë “nuk na lë të fle” përmes stilit të drejtpërdrejtë (Bloom: 2000: 103), janë pikërisht dilemat dhe vështirësitë e të qenit njëkohësisht grua dhe poete moderniste, që ato gjenerojnë dhe një kritikë serioze dhe të dobishme përtej kufizimeve femërore “tradicionale”, si dhe të një estetike moderniste “jopersonale”. Përballja mes modernizmit dhe feminizmit, janë të lidhura me njëra-tjetrën. Karakteri gjinor, nuk duhet ngatërruar me ndjeshmërinë romantike apo dhe sentimentalizmin e tyre si natyrë, pra me atë femëror. Empatia që ajo gjeneron përtej “përjashtimit të përvojës femërore” (Clark:1991: 88), përmes zërit që flet, në të vërtetë, pretendon një “Unë” e vetme, është e qartë se nuk është “Unë” e përvojës personale, por më tepër “vëzhguesi” i syrit jopersonal, vëzhgues dhe distancues që skanon dhe regjistron jetën dhe ëndrrat e grave.

-       përballja me veten dhe letërsinë, nga ana tjetër poetët shqiptarë, më shumë se

prozatorët, kanë nevojë për një lexues, pasi poezia është shpesh “fëmija ilegjitim” për shtëpitë botuese, brenda e jashtë vendit. Me justifikimin se poezia nuk lexohet, pra “nuk shitet”. Ndaj ç’duhet të bëjnë poetët/poetet? Në agorà-n shqiptare bërtitet shumë, por flitet pak (Dones: 2021: 2), sidomos për letërsinë/poezinë femrore. Gratë shqiptare, si shkruese, janë dhe lexuese të shkrimtarëve burra, që nëpër shkrimet e tyre u drejtohen grave me steriotipe të gabuara, duke ndërtuar personazhe për femrat, si qenie të brishta dhe jashtë dinamikës së absurdit të jetës. Kurse gratë shkrimtare, kanë tjetër kënvështrim për gratë lexuese, se universi letrar njëjtëzohet me dinamikat e lëvizjeve të seksit të njëjtë, madje femrat janë më të sinqerta në raport me veten dhe moralin kolektiv, si dhe me tragjizmin socio-personal

-       përballja me ikjen dhe atdheun, nuk tejkalon harresën e të qenin brenda dhe jashtë

atdheut. Se dhe brenda “është e huaj”, ku nuk flitet gegnisht; Atdheu i paketuem në valixhen e saj poetike, deri në Vjenën ku jeton, edhe pse i shkapetun dhe i deformuem prej rrugës së gjatë , shpesh e ma shpesh vjen dhe paraqitet me një ambalazh të ri, gjithnji e ma të përkorë, e të parfumosun dashnie...(Çapaliku: 2025).

 

3.     Diskursi mes trup/shpirtit dhe Zotit (besimit), mbartja e temës është ngjizjes me

elemente kristiane dhe misticizmit, për “çlirimin” e njeriu që jeton në terr, si sinonim me mitologjinë kristiane, Zoti më "dënoj" me dashtë. Një zdrukthtar që plazmon /laton /formon drunin me dashuri, përmes elementeve mistike, na formëson dhe dashurinë tonë, që nga gjeneza njerëzore. Perceptimi i njohjes së besimit, qëkur bota shqiptare e braktisi me dhunë shtetare besimin. Elementet kishtare janë rruzazat e besimit të poetes, që hijeshojnë poezinë e saj me një gjuhë të veçantë, përmes një realizmi hyjnor, ku ka brendësuar pjesën e brendshme, bashkë me të gjitha ligjësitë e dashurisë tokësore/trupore/erotike. Vargjet: ngaqë kam mendue përherë/ma shumë se ç’duhet,/Zoti më dënoj me ndjeshmëni,/i bindun që po më shpëton/Për hakmarrje,/i dashtuni im zdrukthtar më gdhendi një zemër drunit/.../Un’kam dash përherë ma shumë/se ç’duhet, e Zoti më dënoi me dashni, f.48, nga poezia “I dashtuni im zdrukthtar”, na lidhin dhe me shenjimin e [fjalës çerdheformuese: Zot/ Perëndi/ Krishti/ Ati/ Hyji; del 47 (dyzeteshtatë herë)]. Poezitë që ndërthurin, mitin biblik, feminizmin modern, një subjekt femëror të fuqishëm, dhe gjuhën dialektore, janë tejet të dashura për kritikën europiane bashkëkohore. Bashkëjetesën e Evës me Marinë, që është strukturë postmoderne, deheroizimin i fatalitetit pagan, si gjest filozofik, bën transformimin e dashurisë në akt shpëtimi, jo sentimental, se trupi femëror nuk është viktimë e simbolit; ai është element transformues (Sadiku: Iden: 2026). Duke u bazuar në teltin poetiko-lirik të  Gabriela Mujaj-t, do ta lexonim atë si një ndërthurje të fuqishme të mitologjisë ballkanike me modernitetin, ku gruaja/femra, shërbejnë si simbole të identitetit dhe ringjalljes njerëzore. Lirizmi i saj, do të vlerësohej për kthimin në rrënjët mitike përmes një gjuhe poetike bashkëkohore, duke e bërë atë të aksesueshme dhe të ndjeshme për lexuesin shqiptar dhe atë europian përmes:

·      mitologjia dhe arketipet; (rikthimi i fuqishëm tek arketipet e gruas dhe lirisë, si

shëmbëllesë e Lilith(gruaja e parë biblike e Adamit)

·      lirizmi modern; ( poezia do të vlerësohej për stilin e saj ndijor, ku miti gërshetohet me

jetën e përditshme),

·      identiteti Ballkanik; ( si një zë që përcjell elemente unike kulturore, duke i filtruar

mitologjitë përmes një lirizmi të përzier me elemente kulturore/urbane/historike),

·      funksioni i tipologjisë metafizike, (Vjena dhe Perëndimi si tipologji në ekzilet, ashtu si

mitologjia e mitit të ujit si Drini, Buna, Shkodra, Tirana etj.);

·      shkrirja e mitit, ekzilit dhe intimitetit,  përmes shenjimit të [fjalës: shpirt, që del 37

(tridhjetëeshtatë herë)]. Në poezinë e librit, e cila tenton t’i devijojë nga norma e paralelizmit më shumë sesa poezia e njohur biblike, duke u dhënë njëfarë graviteti emfatik vargjeve. Paralelizmi semantik, ose paralelizmi i kuptimit, ka qenë forma më e lehtë e identifikueshme e paralelizmit biblik, duke marrë vëmendje më të madhe. Dashuria, dhe sidomos dashuria erotike, janë të pranishme, saora duhet të kuptohen sinonimikisht. Në këtë kuptim, Erosi është një forcë e egër, e paparashikueshme dhe e papërmbajtshme për shkatërrim; është gjithashtu një forcë e egër, e paparashikueshme dhe e papërmbajtshme për jetën. Poetja e lashtë greke Safo shpiku një fjalë për të përshkruar këtë natyrë kontradiktore të Erosit: glukupikron, "i hidhur dhe i ëmbël" , aq sa të përdorim gjuhën e dashurive tona të turpshme për të na ndezur zemrën "me një dashuri të shenjtë" (Alter:1985 :288). Dashuria mishërore, nuk është më e madhe se dashuria hyjnore, duke pohuar se është pikërisht pasiguria e dëshirës, fakti që ajo "nuk është e mbrojtur" që përbën dëshirueshmërinë e saj, dashurinë mishërore superiore ndaj dashurisë hyjnore (Bataille: ; 236), një përzierjeje totale të dy qenieve, një vazhdimësi midis qenieve të ndërprera. Po sikur hyjnorja të mos kuptohej si përsosmëri, por, përkundrazi, e lidhur gjithashtu me ndryshimet e dëshirës, ​​me gjithë ankthin dhe ekstazën që ajo nënkupton në rendin e dytë, mbi natyrën dhe metafizikën e dashurisë. Rreziku nuk ekziston në mishërimin e dashurisë, dhe nëse të dashuruarit e Zotit janë në rrezik, përkundrazi natyra erotike e dashurisë i lidh të dyja bashkë: dashurinë dhe Zoti (Berlin:1985:234), të dyja janë të lidhura ngushtë, por jo të njëtrajtshme; eroticizmi mund të fillojë me faktin mishëror të seksualitetit, por nuk mbaron aty. Dashuria duhet të fillojë tek ne me mishin, sepse ajo që është shpirtërore nuk parashikon atë që është shtazore; përkundrazi, shpirtërorja vjen vetëm në vendin e dytë (Kristeva:1987 :341). Megjithatë, ne jemi ende në sferën e poezisë lirike dhe jo të filozofisë. Një shprehje e nënkuptuar e vazhdimësisë mund të shihet në reciprocitetin thelbësor midis të dashuruarve që vazhdon edhe në zgjedhjen e metaforës përshkruese.

 

4.     Diskursi i gjuhës poetike: mbartja e një gjuhe kaq poetike falë dhe gegnishtes që i jep një

tjetër trajtë në ligjërimit poetik, duke ëmbëlsuar si fjalën dhe vargun, qasja poetiko-estetike përroket dhe me fugura letrare por dhe ndonjë përsëritje brendavargore me një timbër të veçantë poetik përmes elementeve:

-       elementet e përdorimit të gegnishtes si mbartje e shenjtërimit të gjuhës,

-       elementi gjuhësor si vetëdije nga materia,

-       gjuha si element që krijon metafizikën e të padukshmes dhe të pranishmes,

-       gegnishtja si gjuhë që lidh natyrën me lashtësinë,

-       gjuha si pjesë e shtresëzimeve kohore; e tashme/e shkuara,

-       gegnishtja mes miteve dhe riteve (faljet/ lutjet/vdekjet/ besimet etj.),

-       gegnishtja si element që lidh arketipet me tragjiken dhe sakralen. 

- Fjalëformimet:

shtatëqind/turravrap/pavdekshme/patretshme/kurgja/gjithçka/kryemfsheftas/dikund/bajraktarit/bojgjaku/përngjate/asokohe/ngashnjyes/zavendsim/gjithnji/ndërhymje/përdridhet/lulkuqja/përballë/ngurtsueme/përhumbun/pamunduna/polidhimbë/fotografi/vajdhimbjet/pathanun/epiqendra/përnjimend/pavdeksinë/turravrap/përvuejtja/përjetësisht/mbinjeriun/përnjimend/përditë/gjithmonë/ paligjshëm/pashlyeme/përngja/buzkuq/përveçse/nënshtrimin/paburrni/përgjon/bojkaf/njiqindvjeçare/hakmarrje/atëbotë/pazakonta/panjohun/përjeshëm/pabamë/krahëthyer/pardje/tjetërkënd/përlyhet/bojtoke/fundvjeshte/ndërkryem/fishekzjarre/luledimnat/pamposhtun/fundvjeshtë/krishtlindje/lulebora/përsosmërisht/shtatzanë/shtakrenash/palumturinë/kundërvunë/rrobaqepsja/nandajës/zemërgjanë/përngjashmi/dritëhije/zemëthyem/t'pasosuna/ gojëhapun/ frymëmarrje /mesnate /njëqind /përjetoj /përditë /besëpremhe/kryemsheftas /dymbëdhetë /kryevepër/ shumëkand /papritë/fatlum/përditshmëni/riprodhim/moskuptimi/dorëhjekë/ kundërshtari/paskajtë.

-Trope metaforike: një gojë za-bukur, atë rrasë ku shkruhen shumë sende, gjethet dhanë shpirt ndër kambët. përditë e marr vetin në shpinë,  vajin e shelgut të vetmuen, zemra rrin në qosh e heshtun, tundimet luajnë me shamia të kuqe,  mitrën e shpirtit, boshi sillej nëpër ajër si shpirt i zi,  e mbështillen dy flutura të bardha, nji kërthi i kthyem në kangë, prej mallit të ndërkryem, një shi psikopat lajmron dimnin, ti hyn si shtriga për vrimën e zemres, që u mbështjell në vetminë time, shaminë e bardhë prej reje, qielli asht nji burrë i ndjeshëm, kena me e shqye mëkatin me tërbim,  asnji ngjyrë për harrimi, përditë e marr në xhep të qeshurën tande, me ua vu shkelmin mënive,…i ka dalë liria për hundësh.

- Fjalë me vizë në mes: njani-tjetri/dega-degën/lule-fëminia/roza-rozina/ dita-ditës/ njani-tjetrin.

- Enumeracionet: dashnia, deka, lindja, dhimba, andrra/ Eva, Maria, Teuta, Helena.

- Metaforë fantazmagorike: mora thikën me ther të kaluenen. 

-pak Evë e pak Marie,

pak Rakelë e pak Lia,

pak Juditë e pak Ester,

pak Herodiadë e pak Anë                   përsëritja +epifora 

 

Sëfundmi: poezia e G. Mujaj-t dhe gjuha e saj poetike na fton në një botë të magjishme mitike dhe mistike, simbolike dhe metafizike, përmes ringjalljes së miteve dhe besimeve. Besimi nuk është një sakrilegj bizar, por një ndenjë përtej të shenjtës dhe njerëzores. Një poete, me të ardhme në korpusin e letërsisë moderne dhe post/moderne shqipe. Estetët dhe kritikët duhet të zgjohen. Një model poetik për lexuesit e rinj, ato pak lexues që dashurojnë librin dhe janë kundër rrymës, duke sfiduar rrjetet sociale dhe teknologjinë.   

 

 

BIBLIOGRAFIA:

 

1.      Alter, Robert. (1985): The Art of Biblical Poetry. New York: Basic Books.

2.      Bataille, Georges. (1986): Erotism: Death and Sensuality. Trans. by Mary Dalwood. San Francisco: City Lights.

3.      Berlin, Adele . (1985): The Dynamics of Biblical Parallelism. Bloomington: 1985 Indiana University Press.

4.      Bloom, Harold. (1997): The anxiety of influence, a theory of poetry: Preface, The Anguish of Contamination. New York, Oxford: Oxford University Press

5.      Bloom, Harold. (2000): How to Read and Why. New York London Toronto Sydney Singapore.

6.      Clark, Suzanne. (1991): Sentimental Modernism. Bloomington: Indiana University Press.

7.      Çapaliku, Stefan. (2025): I dashtuni im drukthtar, (parathania), “Onufri”, Tiranë.

8.      Dones, Elvira. (2021): Në agorà-në shqiptare bërtitet shumë, por flitet pak... “ExLibris”, nr. 123, Tiranë; https://exlibris.al/wp-content/uploads/2021/03/EXLIBRIS_123.pdf.

9.      Hart, Matthew. (2010): Nations of Nothing but Poetry. Oxford University Press.

10.    Kristeva, Julia . (1987): Tales of Love. Trans. by Leon S. Roudiez. New York: 1987 Columbia University Press.

11.    Milton, John. (2005): Paradise Lost, ed. Gordon Teskey, New York: Norton.

12.    Mujaj, Gabriela. (2025): I dashtuni im zdrukthtar, “Onufri”, Tiranë.

13.    Ndreca, Mikel. (1986): Fjalor fjalësh e shprehjesh të huaja, “Rilindja”, Prishtinë.

14.    Ndue Ukaj. (2004): Diskursi biblik në letërsinë shqipe, “AIKD”, Prishtinë.

15.    Petoshati, Laureta. (2013): Spiralizmi, lëvizja e re letrare shqiptare, “Illiria”; https://www.illyria.com/spiralizmi-levizja-e-re-letrare-shqiptare/

16.    Sadiku, Teuta. (2026): Një këndvështrim  mbi  poezinë e Gabriela Mujaj, “fjalaelirë.com”; https://www.fjalaelire.com/post/teuta-sadiku-nje-kendveshtrim-mbi-poezinë e-gabriela-mujaj.

17.    Steiner, George. (1997):  Nostalgia for the absolute, Canada: House of Anansi Press.

 
 
 

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page