top of page

Emfazë retorike


Gladiola Jorbus

Emfazë retorike për Ruzhdi Golen


Mund të themi se në panoramën çorientuese dhe trullosëse të eseistikës bashkëkohore, përfshirë këtu dhe aktualitetin shqiptar, frymon dhe ngrihet krenare, pena e poe - prozës së autorit Ruzhdi Gole.

Ndër veçantitë më të spikatura të këtij autori mbetet oksimoroni, i cili krijon marrëdhënie sintaksore me vdekjen, dashurinë, pikturën, qytetin, shqisat, braktisjen, jetën, limontinë dhe ka si qëllim parësor të transmetojë sensacione, ndjenja, impresione, deduktime e sentenca sofiste.

Ndërkohë që shfleton poe – prozën e poetit Ruzhdi Goles, ti ndihesh si një ortek në rrokullisje pasi diçka ka lëkundur ekuilibrin e brendshëm; në një pulitje sysh të shfaqet e tërë qenësia tokësore e hyjnore që - kur ke qenë një pikëz jete brenda në miter, e gjer në zhvillimin e deritashëm.

Nën ndikimin e veprës së tij, energjia që përthithim nga drita Goliane, herë na zhyt në dëshpërim, herë na hap dyert e parajsës, për t’u rrekur më pas në një spleen (alla Bodler) dyrrachian të epërm si një qiell mbi krye.

Eseistika e krijuesit Gole fsheh një botë të vogël, strehon aq shumë ndjesi dhe mbart aq emocione, sa të duket sikur po shfleton esse nga Artur Rembo, nobelistja Gabriela Mistral apo argjentinasja Alejandra Pizarnik.

Autori ynë shkruan në hapësira krijuese që tërheqin të vërtetën; ai e paraqet natyrën siç është, siç shihet, kurse botën, ashtu siç ndihet - nga kjo pikë ai ka të zhvilluar një karakter të fuqishëm përshkrues, me një fjalor që i jep jetë një kryevepre të ardhshme.

Ai e vesh Evën e tij dhe e zhvesh me vërtetësinë e gjykimeve të reja, dashuron thjeshtësinë njerëzore dhe provon në lëkurën e tij çdo muzg, çdo agim, çdo perëndim; çdo ëndërr, çdo moshë a çdo stinë.

Është e qartë se ekziston një kontradiktë, madje e papajtueshme, nëse i japim veprës një kuptim thjesht formal "prozë poetike", por duke kryer zgjerimin semantik të frazës, mund të arrihet në një përkufizim të tipit “ prozë që jeton në brendësi të vargut”.

Ky do të ishte deklamimi në një formë të pazakontë i një zhanri letrar që - pavarësisht nga varieteti i saj - ka ruajtur tradicionalisht kafazin formal të vargut në pasigurinë e frymimit prozaik. Prania e elementeve tërësisht estetike, revokimi i dyshimit në ekzistencën e një entiteti të dallueshëm nga joletrarja dhe joartistikja, mosshfaqja e ngërçeve strukturore të perceptimit do të thotë një kthesë ekspresioniste në fuqizimin e kohezionit ose konsistencës tekstuale në të këtillë vepër.

Dhe në finale emfaza retorike: Jeta që zhvillohet sot pareshtur, nën zhurmat shurdhuese, nën paqen e përgjakur, në qetësinë ushtuese të një bote klishe të amplifikuar nga mediat, a ia vlen vërtet të rrëfehet?! Gjithësia rrëkëllehet në meandret e meditimit, ndërsa autori Ruzhdi Gole me stoicizëm e talent, shkruan e përshkruan në një poe - prozë të harlisur dhe arrin të ruajë simultanisht, bukurinë e shëmtinë në faqet e saj.

63 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page