top of page

Timo Mërkuri: BETEJA E HESHTUR PËR VARGUN

  • 11 hours ago
  • 8 min read

Nga Timo Mërkuri

Në shkrimin  e tij“Beteja për poezinë”, Fatmir Terziu nuk ndërton një traktat teorik në kuptimin akademik të fjalës. Ai nuk flet nga katedra, por nga brenda përvojës së poetit. Mendimi kritik dhe krijimi poetik nuk ecin paralel; ata përplasen, ndërthuren, humbin kufijtë, derisa bëhen një rrjedhë e vetme ku nuk di më kush mendon dhe kush shkruan. Tezat që ai formulon në këtë shkrim nuk shfaqen si rregulla apo programe estetike. Në fakt ato lindin natyrshëm nga reflektimi mbi aktin e shkrimit. Janë nyje mendimi që lidhen mes tyre dhe krijojnë një vizion të vetëm: poezia si hapësirë lirie, si përpjekje për të mbetur e gjallë. Le të rilexojmë bashkërisht këtë shkrim, por këtë herë ta lexojmë pak ndryshe, duke zbërthyer tezat e tij. Por këtë lexim do ta bëjmë me një konçizitet të pranueshëm, që të jemi larg teorizimeve:

1. Poezia si identitet më vete

Qysh në fillim, Terziu vendos një ide themelore: poezia nuk mund të ekzistojë duke imituar. Ajo kërkon të qëndrojë më vete, si një qenie që merr frymë me mushkëritë e saj. Ndaj ai shkruan:“kjo poezi kërkon të qëndrojë më vete… nuk lidhet lehtësisht me modele të njohura… është pothuajse e pamundur të emërtosh ‘mësuesit’ e saj.”

Këtu identiteti poetik nuk paraqitet si zgjedhje estetike, por si mënyrë ekzistence. Poezia nuk lind nga dëshira për t’u ngjasuar; ajo del si një zë që çan heshtjen, pa kërkuar leje nga askush, sikur gjuha vetë të kishte vendosur të shpëtojë prej imitimit.. Kujtoni fjalën e Lasgush Poradecit : …të shkruash një poezi që të jetë e vetme, të mos e ketë shkruar askush më parë dhe askush të mos mundet ta imitojë.

2. Poezia si refuzim i përkufizimeve

Një nga lëvizjet më interesante të mendimit të tij është mënyra si e përkufizon poezinë përmes mohimit. Ai nuk përpiqet ta mbyllë në një formulë, pse:“ajo i reziston çdo përkufizimi të ngurtë dhe mund të kuptohet më mirë duke thënë se çfarë nuk është.”

Kjo qasje e mban poezinë në lëvizje. Ajo nuk ngurtësohet në teori, por mbetet e hapur si horizonti që largohet sa herë i afrohemi. Poezia nuk pranon të mbyllet në përkufizim. Sa herë përpiqesh ta kapësh, ajo zhvendoset pak më tej, si horizonti që ikën ndërsa ecën drejt tij.

3. Përtej rrëfimit dhe narracionit

Terziu vendos një kufi të qartë ndaj keqkuptimeve të zakonshme. Poezia moderne nuk është rrëfim, nuk është përshkrim dhe nuk është narracion në kuptimin klasik.“kjo nuk është poezi rrëfyese… nuk është poezi përshkruese… nuk është poezi narrative.”

Këtu ai mbron autonominë e gjuhës poetike. Ajo nuk rrëfen ngjarjen; ajo lë në ajër dridhjen që mbetet pasi ngjarja ka kaluar. Poezia nuk synon të tregojë një histori; ajo krijon një gjendje. Nuk shpjegon realitetin, por e përjeton atë. Vargu bëhet më shumë atmosferë sesa tregim, më shumë puls sesa kronikë. 

4. Artikullimi jokonvencional i fjalës

Në qendër të poetikës sipas tij qëndron mënyra si fjala çlirohet nga zakoni.: “Poezia ndërtohet mbi kthesa të papritura, mbi një artikulim jokonvencional të fjalës dhe të imazhit…”

Fjala nuk ecën drejt; ajo devijon, ndalet, kthehet, befason. Imazhi nuk shpjegon, por ndriçon për një çast si vetëtimë. Pikërisht në këtë thyerje lind individualiteti poetik. Poezia nuk kërkon qartësi lineare, por intensitet përjetimi.

5. Poezia si metodë ndërtimi

Terziu e zhvendos vëmendjen nga rezultati te procesi krijues. “Boshti i saj është një mënyrë unike ndërtimi, një metodë e veçantë…”

Kjo ide e çliron poezinë nga miti i spontanitetit absolut. Vargu nuk është rastësi. Ai ndërtohet ngadalë, si një shtëpi që ngrihet në errësirë, ku poeti vendos gurët pa e ditur ende dritaren nga do të hyjë drita. Poeti ndërton si një mjeshtër që punon në heshtje, duke ditur se forma lind nga kërkimi i gjatë dhe jo nga formula e gatshme.

6. Poezia si tërësi e pandashme

Në një kohë kur fragmenti shpesh konsumohet si citim i shpejtë, Terziu refuzon copëzimin e poezisë: “nuk ka struktura të ndara që mund të qëndrojnë më vete… as fraza të gatshme për t’u cituar si aforizma.”

Poezia kërkon lexim të plotë, ashtu si një organizëm që nuk mund të ndahet në pjesë  pa humbur jetën. Një varg jashtë trupit të poemës është vetëm jehonë; kuptimi lind nga bashkëjetesa e elementeve.

7. Poezia si akumulim

Një nga konceptet më origjinale të shkrimit është ideja e grumbullimit. “Ajo ndërtohet përmes grumbullimit… një akumulimi të vazhdueshëm fjalësh, imazhesh dhe situatash…

Poezia nuk ecën si një rrugë e drejtë, por si shtresë gjeologjike ku çdo përvojë mbetet e gjallë mbi tjetrën. Ndaj shpesh themi se x poezi është shumështresore. Kuptimi nuk shpallet menjëherë; ai formohet ngadalë, nga tensioni midis elementeve që bashkëjetojnë në tekst. Ai piqet në heshtje, si fruti që mbushet me diell pa bërë zhurmë.

8. Poezia si organizëm i gjallë

Metafora më përmbledhëse e mendimit të Terziut është kjo: “i ngjan një organizmi të gjallë, gjithmonë në lëvizje, gjithmonë në kërkim.”

Këtu poezia nuk është produkt i mbaruar. Ajo ndryshon me çdo lexim, me çdo kohë, me çdo sy që e prek. Si çdo qenie e gjallë, ajo rritet përtej autorit të saj.


9. “Beteja” si qëndresë poetike

Të gjitha këto ide bashkohen në metaforën qendrore: “Kjo është ‘beteja’ për poezinë: një përpjekje e pandërprerë për të mos u nënshtruar ndaj formave të gatshme…” Kjo “betejë” nuk është një konflikt i jashtëm, as një polemikë estetike me shkolla apo rryma letrare. Ajo zhvillohet në heshtje, brenda vetë aktit të shkrimit. Është çasti kur poeti refuzon ta lërë fjalën të bëhet zakon, kur vargu nuk pranon të ecë në gjurmë të sigurta, por zgjedh rrezikun e së panjohurës.

Në këtë kuptim, beteja është një formë qëndrese shpirtërore. Poezia mbrohet jo me deklarata, por me liri. Ajo kundërshton çdo komoditet estetik që kërkon ta stabilizojë, ta klasifikojë apo ta kthejë në formulë të ripërsëritshme. Çdo poezi e vërtetë lind si një fillim i ri, sikur gjuha të zgjohej për herë të parë.

Prandaj “beteja” nuk është kundër traditës, por kundër ngurtësimit të saj. Tradita mbetet frymë, jo kornizë; kujtesë, jo pengesë. Poeti nuk lufton të kaluarën- ai lufton rrezikun që fjala të humbasë gjallërinë dhe të shndërrohet në teknikë pa shpirt.

Në këtë përpjekje të vazhdueshme, poezia ngjan me një zjarr që duhet mbajtur ndezur. Nëse ndalet kërkimi, ajo shuhet; nëse përsërit vetveten, ajo ftohet. Ndaj beteja është e përhershme: një mbrojtje e ndjeshmërisë njerëzore përballë uniformitetit, një përpjekje që vargu të mbetet hapësirë zbulimi dhe jo vend rehatie.

Dhe ndoshta pikërisht këtu qëndron kuptimi më i thellë i metaforës së Terziut: poezia mbijeton vetëm atëherë kur vazhdon të luftojë për lirinë e saj - edhe pasi është shkruar, edhe pasi është lexuar, edhe pasi duket se gjithçka ka marrë fund. Sepse për poezinë, çdo fund është vetëm fillimi i një beteje tjetër të heshtur.

II. Konkretizimi i tezave në poezinë e Fatmir Terziut

Në shkrimin “Beteja për poezinë”, Fatmir Terziu nuk mbetet në nivelin e reflektimit teorik. Ai nuk është teoricien që ndërton një sistem dhe më pas kërkon shembuj. Përkundrazi, ai e lë poezinë të flasë vetë. Tri poezitë që shoqërojnë shkrimin janë prova më bindëse se teoria e tij nuk është menduar pas krijimit, por ka lindur nga vetë përvoja e vargut. Aty teoria pushon së shpjeguari dhe fillon të jetojë. Sikur mendimi kritik të hiqte petkun e argumentit dhe të hynte i gjallë në trupin e vargut.

1. Poezia si identitet më vete

Në poezinë “Të shikosh përtej perdes” poezia lind pa paralajmërim, pa hyrje klasike, pa një horizont të njohur poetik.

“Grimcë e pluhurit të purpurtë

vikaset në vargun tim…”

Nisja është minimale- një grimcë. Jo një ide madhore, jo një deklaratë poetike, por diçka thuajse e padukshme. Pikërisht këtu realizohet teza e identitetit: poezia nuk kërkon të duket e rëndësishme; ajo bëhet e tillë duke qenë vetvetja. Vargu nuk i referohet një modeli, as një tradite të lexueshme menjëherë. Ai ngjan me një frymëmarrje që sapo ka filluar. Identiteti poetik nuk shpallet- ai ndodh, si drita e një llambe që ndizet pa zhurmë në një dhomë të errët.

2. Poezia si refuzim i përkufizimeve

E njëjta poezi shmang çdo përkufizim të qëndrueshëm. Ajo nuk lejon të vendoset në kategori.

“me fjalë që bien si vargje të tëra,

refren që mbetet në mendje…”

Këtu poezia është njëkohësisht tingull, kujtesë, ndjesi dhe lëvizje. Nuk mund të thuhet nëse kemi një poezi lirike, meditative apo erotike. Ajo rrëshqet nga çdo emërtim. Siç sugjeron vetë Terziu në tezën e tij, poezia kuptohet më mirë duke parë çfarë nuk është. Ajo mbetet e hapur, e pakapshme, si horizonti që largohet sa më shumë i afrohemi.

3. Përtej rrëfimit dhe narracionit

Në vargjet:

“në sytë e tu

në ijë

ikanake e trosha mbi vijë.”

(“Të shikosh përtej perdes”)

nuk kemi histori, personazh apo ngjarje. Ka vetëm fragmente përjetimi. Poezia nuk tregon diçka që ka ndodhur; ajo krijon një gjendje të menjëhershme emocionale. Lexuesi nuk ndjek një rrëfim- ai futet brenda një pulsimi. Kjo është pikërisht ajo autonomi e gjuhës poetike për të cilën flet Terziu: Poezia nuk e fton lexuesin të dëgjojë një histori; ajo e përfshin si frymëmarrje brenda vetes.

4. Artikullimi jokonvencional i fjalës dhe imazhit

Në poeziznë “Rikthim trendi” gjuha çlirohet plotësisht nga logjika tradicionale e figurës poetike.

“si një karakafte pa emër,

si një penë pa bisht.

Si një kala pa gur.”

Imazhet janë të paplota, të çuditshme, madje të pamundura. Por pikërisht kjo mungesë krijon energjinë poetike. Fjala nuk shpjegon- ajo godet, hap çarje në perceptim. Ajo sillet si një dritë e papritur që nuk ndriçon rrugën, por na detyron të shohim ndryshe errësirën. Këtu realizohet ajo që Terziu e quan kthesë e papritur: kuptimi lind jo nga qartësia, por nga befasia.

5. Poezia si metodë ndërtimi

Në poezi “Rikthim trendi” shohim se vargu nuk është spontanitet i rastësishëm. Ai ndërtohet mbi një logjikë të brendshme tensioni.

“Dhe ky varg…

thjesht dashurohet.”

Këtu poezia reflekton mbi vetveten. Ajo tregon procesin e krijimit ndërsa ndodh. Vargu bëhet subjekt dhe objekt njëkohësisht. Kjo është metoda e veçantë ndërtuese për të cilën flet Terziu: poezia nuk lind nga formula, por nga një arkitekturë intime që ndërtohet gjatë shkrimit.

6. Poezia si tërësi e pandashme

Vargjet e “Rikthim trendi” nuk funksionojnë si citime të izoluara.

“Nuk ka libër mbi të cilin bie fija e flokut,

thjesht bie, prej vendi…”

Çdo varg merr kuptim vetëm në raport me të tjerët. I shkëputur, ai humbet tensionin e brendshëm. Poezia refuzon të bëhet aforizëm apo fragment i konsumueshëm. Këtu realizohet ideja e poezisë si organizëm i pandashëm: kuptimi është marrëdhënie, jo fjali e vetme.

7. Poezia si akumulim

Në “Shkumbin” poezia ndërtohet përmes shtresëzimit të imazheve:

“Hëna laget e plotë,

gjysëm,

çerek,

qielli ecën mbi ujë…”

Imazhet nuk shpjegojnë njëra-tjetrën; ato grumbullohen si valë. Çdo figurë shton një tension të ri. Kuptimi nuk jepet menjëherë - ai formohet gradualisht. Poezia këtu bëhet një terren ku përvojat mbivendosen si sedimentet e një lumi që mbart kohë të ndryshme në të njëjtën rrjedhë.

8. Poezia si organizëm i gjallë

Po te poezia  “Shkumbin” shfaqet qartë ideja e lëvizjes së pandërprerë:

“dhe hapat e tij ndërtojnë vetë,

aeroporte zogjsh.”

Figura nuk është statike. Ajo krijon, transformon, hap hapësira të reja. Poezia nuk përfundon në momentin e shkrimit; ajo vazhdon të ndërtohet në imagjinatën e lexuesit  Vargu merr frymë, lëviz, rritet sikur teksti të kishte një zemër të padukshme që rreh në heshtje pas çdo fjale.. Pikërisht si organizëm i gjallë.

9. “Beteja” si qëndresë poetike

Përmbyllja e “Shkumbin” e përmbledh më qartë gjithë filozofinë poetike të Terziut:

“Kemi frikë t’ia puthim hënën,

kur i fshihet tek retë.”

Kjo frikë është metafora e vetë “betejës”. Poezia nuk kërkon siguri; ajo jeton në pasiguri, në kërkim, në mosmbyllje. Ajo nuk dorëzohet para formave të gatshme. Nuk bëhet zakon. Nuk qetësohet. Mbetet gjithmonë në prag të një fillimi të ri.

Në këto tri poezi, teoria dhe krijimi nuk qëndrojnë përballë njëra-tjetrës. Ato janë i njëjti proces në dy forma të ndryshme. Tezat e “Betejës për poezinë” nuk janë ide të vendosura mbi tekstin; ato janë ligji i brendshëm i vetë vargut. Nuk duhet të mendojmë se këto tre poezi Fatmir Terziu I ka  krijuar thjeshtë për të  mbëshetut tezat e shkrimit të tij. Përkundrazi, mendoj se këto tre poezi janë frut i talentit, pas së vcilave është formuluar teoria apo teza. Si molla e Njutonit që u bë shkas për zbulimin e ligjit të famshëm të rëndesës.

Kështu “beteja” nuk është metaforë retorike. Ajo është frymëmarrja e vetë poezisë -ajo lëvizje e padukshme që vazhdon edhe kur faqja mbyllet dhe lexuesi mendon se gjithçka ka përfunduar. Në të vërtetë, aty poezia sapo ka filluar të jetojë. Sepse poezia nuk mbaron në faqet e librit; ajo vazhdon udhëtimin e saj në ndërgjegjen e lexuesit.


Sarandë, prill 2026


Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page