Enver Isufi: LIBRI “VËRÇA, LEGJENDË DHE REALITET”
- 10 hours ago
- 10 min read

LIBRI “VËRÇA, LEGJENDË DHE REALITET” ME AUTOR MEÇAN HOXHËN, KËNAQ INTERESAT E NJË NUMRI TË MADH LEXUESISH.
Nga Enver Isufi
Librat, të cilët i kushtohen një treve të caktuar, gjithmonë janë tërheqës për t’u lexuar. Lexuesi është i etur të mësojë ngjashmëritë me vendlindjen e tij, me vendbanimin aktual ose me origjinën e tij të largët. Ai edhe lexon, edhe mendohet, edhe çmallet, kur shikon ngjashmëritë me vendin e vet.
Të tjerë lexues mësojnë stilin dhe metodën e shkrimit të librave me këtë temë. Një grup tjetër lexuesish të këtij libri, të cilët mund të jenë studiues, biologë, ekologë, historianë, etnografë, arkeologë marrin informacion dhe nxitje për të tjera studime të thelluara në këtë zonë.
Po e them qysh në fillim se, kur e kam lexuar këtë libër, më është dukur sikur ishte përshkruar një shtet më vehte dhe jo një krahinë në një qark të Shqipërisë.
Me faktet që ka përshkruar ky libër, të cilat unë po i përmbledh në pak faqe, besoj se do bindeni që nuk e zmadhoj krahasimin tim.
Libra me këtë temë janë shkruar dhe nuk është një fushë e re, por e veçanta është se të dhënat janë konsultuar me shumë fusha të ekspertizës, me shkencëtarë, me institucione shkencore shqiptare dhe ndërkombëtare, me studiues vendës dhe të huaj, me institucione publike dhe me burime gojore.
Të tillë libra gjejnë më shumë lexues se sa një roman apo përmbledhje poetike. Ata lexohen edhe nga banorë të thjeshtë të zonës, të cilët kanë kuriozitet të dinë më shumë, të ballafaqojnë dijet e tyre me ato që shkruhen në libër.
GJEOGRAFIA E KRAHINËS SË VËRÇËS DHE FQINJËT ME TË CILËT AJO KUFIZOHET
Libri e përshkruan VËRÇËN si një krahinë fiziko-gjeografike dhe entnokulturore, relativisht të madhe, në Shqipërinë Juglindore. Ajo ndodhet në rrethin e Gramshit dhe kufizohet me krahina të tjera të mëdha dhe të mirënjohura, si: me Shpatin, Mokrën, Gorën, Tomorricën dhe Sulovën. Ajo mbulon një sipërfaqe prej 39. 931 ha, nga të cilat 5.677 ha janë tokë bujqësore, 25.760 ha pyje dhe 8.494 ha kullota. Popullsia prej 27.722 banorësh jetojnë në 49 fshatra dhe në një qytet, që është Gramshi. Në fshatra banojnë 13 .622 banorë, ndërsa në qytet 14.100, ose 51 %.
ORIGJINA E EMRIT VËRÇË

Autori na këshillon që të jemi të qartë për termat gjeografikë, si: sektor, krahinë, zonë. Këto terma, thotë autori, janë të ndryshme , ndonëse shumica i quajnë si sinonime. Në këtë kuptim Vërça meriton të quhet nënzonë. Ajo shtrihet midis lumit Shkumbin dhe luginës së Devollit-
• Ka diskutime se emri rrjedh nga fjala «Vërshim i lumit”.
• Arkeologu Neritan Ceka ka mendimin se është emërtim me origjinë nga gjuha sllave.
• Studiuesi Kopi Kyçyku mendon se vjen nga bucela e ujit, që në sllavisht quhet Vërcka.
• Të tjerë autorë sjellin si argument fjalën “vërshë”, që është rrjetë peshku.
• Profesor Seit Mancaku e lidh me sllavishten e vjetër «vërçva», enë balte me dy vegje.
• Albanologu Gustav Majer ( Meyer), është dakort me origjinën sllave të fjalës “Vërsë”.
• Profesor Mark Tirka e lidh me një tjetër fjalë sllave “Vërcë”, që do të thotë lartësi, vend i lartë.
• Arkeologu dhe studiuesi Moikom Zeqo e lidh dhe fjalën “Varg”, nga vargjet e kodrave dhe maleve që atë e përbëjnë.
• Shkrimtari dhe studiuesi Nikolla Spathari hedh idenë se ky emërtim rrjedh nga fjala latine «verdis», e gjelbërt.
• Studiuesi Kolec Topalli mendonte se ky emërtim vinte nga sëmundja e verdhëzës, që kishte rënë në këto vise.
Përmendja e mjaft personaliteteve dhe argumentet e tyre rreth origjinës së emrit të kësaj krahine, tregon studimin e thelluar të historianit Meçan Hoxha, duke filluar që me emrin e krahinës së Vërçës.
PËRSHKRIMI I RELIEVIT ME GJITHË LARMINË E TIJ
Vërça ka pamjen e një pllaje të madhe me reliev të shumëllojshëm, që fillon nga kodrat me lartësi 200 metra e deri te mali i Valamares me 2374 metër lartësi mbi nivelin e detit. Në lidhje me strukturën e tokës, këtu gjen të gjitha llojet e tokave, nëntokave e shkëmbinjve që përshkruan shkenca e pedalogjisë, gjeofizikës dhe mineralogjisë.
PASURITË NËNTOKSORE
Diversiteti i madh fizik i territorit ka krijuar mikroklima, të cilat nga ana e tyre kanë mundësuar një biodiversitet të pasur barishtor, shkurror e pyjor.
• Këtu gjejmë malin e Gurit të Zi me lartësi 2072 metra.
• Këtu ndodhet mali Gurtop, me lartësi mesatare 1500 m dhe me majën më të lartë 2122 m.
•Mali i Lenies që ka një lartësi prej 1500-2013 m.
• Kujtojmë edhe malet e Kukurit (Bredhishtë, Rove, Mecë, Guri i Gegës)
• Në këtë krahinë gjenden shumë liqene.
• Gjejmë liqenin e Gjemthit, të Bratilës, liqenin e Zi, të Dushkut, të Lukovës e ata të Valamares.
• Ka burime ujore me pastërti, ku mund të ngrihen disa impiante të ujit të pijshëm
KANIONET DHE LUMEJT, PJESË E BUKURISË SË ZONËS
• Këtu gjejmë kanionin e Bratilës, Holtës, Roves, Gribës, Kopaçit
• Ka lumenj, si: ai i Holtës, Vërçës, Grabovës.
• Burimet e pasura ujore janë përdorur për disa hidrocentrale.
Nga ujërat e kësaj krahine furnizohet hidrocentrali i Banjës, me një basen të gjerë si një det, përgjatë bregut të të cilit po lind një turizëm cilësor. Ky liqen ka pasuruar peizazhin e Gramshit.
Përveç ujërave të kristalta për pirje, ka edhe ujëra të ngrohta të pasura me squfur, të cilat janë një potencial për bizneset e banjove shëruese. Pa dyshim, ndër pasuritë më të mëdha është fondi pyjor me 34.461 ha ose 63 % e territorit e zënë pyjet. Është kjo arsyeja, pse këtu është ngritur industria e lëndës së drurit. Ato i gjejmë të ngritura në Rovë, Gribë dhe Lukovë.
Të gjithë këtë trashgimi të madhe na e prezanton libri i Meçanit, që, kur i numëron të gjitha, të duket si të jetë gjysma e Shqipërisë.
Kur lexojmë të gjitha këto pasuri, autori i librit i jep të drejtë etnologut francez Zhak Burhar, i cili i shkeli këto zona në vitin 1918, në kohën e Luftës së Parë Botërore. Ai thotë se kjo zonë ka peizazhe mahnitëse që nuk mund t’i gjesh në një vend tjetër.
PASURITË E BLERTA MBITOKSORE
Si pasuri të nëntokës unë do ndalem vetëm në shpellat dhe mineralet që ka evidentuar autori në këtë krahinë. Numrin e madh të shpellave që ka aty, legjendat dhe të vërtetat rreth tyre, nuk i kemi lexuar për krahinat e tjera gjeografike, ashtu si këto që ka përshkruar autori Meçan Hoxha për Vërçën. Secila prej tyre ka parametrat e saj fizik dhe historik. Po përmendim vetëm disa prej tyre. Ato janë: shpella e Kabashit, shpella e Kecrit, Shpella e Avullit dhe Sinisë. Nëntoka e Vërçës është e pasur edhe me minerale. Ekspeditat, sipas autorit, kanë zbuluar 100 vendburime mineralesh me një potencial shumë të madh përdorimi në të ardhmen. Eshtë një pasuri e madhe ende e fshehur. Potencialin më të madh e zënë mineralet jo metalore. Ato kanë vlera të mëdha ndërtimore, siç janë magnezitet dhe tufitet.
TRASHIGIMIA HISTORIKE DHE ETNOKULTURORE E KOMUNITETIT TË VËRÇËS
E lashë për në fund trashigiminë njerëzore, historike, zakonore, religjoze e patriotike të kësaj krahine, pasi më parë nga libri ju prezantova pasuritë e mëdha që i ka dhënë natyra. Kjo pasuri, sipas autorit M.Hoxha, ka qenë dhe është burimi i pasurisë social - ekonomike të Vërçës në shekuj. Popullsia e kësaj krahine ka histori shumëshekullore, filluar me gjurmë nga njeriu i shpellës e në vazhdimësi deri më sot.
Ekspeditat italiane kanë zbuluar në shpellën e Kabashit gjurmë njerëzore 10 shekuj para Krishtit. Nga vëzhgimi i qeramikave të gjetura është konkluduar se krahina ka qenë e banuar 2500-3000 vite para Krishtit. Kësaj pjese të studimit autori i ka kushtuar shumë faqe, duke i dhënë këtij kapitulli natyrën e një arkeoligjie moderne, e cila të habit dhe të duket sikur po lexon për Durrësin, Komanin apo për Butrintin, aq emocionuese janë përshkrimet e objekteve të gjetura në të gjithë këtë zonë. Për arsye të mundësisë së kufizuar që ka një artikull për të përshkruar vlerat e një libri voluminoz, po kapërcej shekujt për të ardhur deri të shekulli i Skënderbeut.
SKËNDERBEU, TREVA E GRAMSHIT DHE ZONËS SË VËRÇËS
Në periudhën e Skënderbeut Vërça e Shpatit ishte në zotërimin e Aranitëve. Me këtë familje Skënderbeu lidhi miqësi duke marrë grua vajzën e Gjergj Aranitit, Donikën. Gjergj Araniti mori pjesë në Kuvendin e Lezhës më 2 mars 1444. Deri sa ishte gjallë Skënderbeu, Vërça ishte e lirë. Pas vdekjes së tij ra principata e Aranitëve dhe Vërça u pushtua përsëri nga turqit.
Gramshi të vërtetat dhe legjendat i përhapi edhe në Itali. Atje emigroi fisi i luftëtarit legjendar Antonio Gramshi, i cili mbiemrin e mori te rrënjët e tij, te Gramshi. Kësaj figure autori i librit M.Hoxha i kushton disa faqe, duke sjellë dokumente dhe argumenta të grumbulluara nga shumë studime.
HISTORIA E RE E VËRÇËS E DERI MË SOT
Popullsia e Vërçës është shumë e lashtë. Luftërat e saj për mbijetesë kanë histori shumë të hershme, por autori ndalet më gjatë në luftërat përballë regjimeve të pushtuesve osmanë, lëvizjeve para dhe pas Pavarësisë, në dy luftërat botërore e deri në ditët tona.
Autori, me dokumenta e shkrime të cituara, sjell jetën shumë të gjallë të kësaj treve për liri.
Nga autoritetet osmane u quajt zonë rebele. Ajo, në situata të vështira, u bashkua me atë që u quajt në atë kohë «Lufta e Shqipërisë së Jugut kunda Osmanëve». Sidomos e ashpër u bë kjo luftë kundra reformave famëkeqe të Tanzimatit. Në atë kohë, rezistenca u organizua mirë dhe u krijua «Besëlidhja» me qendër në Berat. Ishin shtatë krahina të mëdha, përfshirë Vërçën, të cilat u organizuan për rezistencë duke përcjellë ndikim patriotik deri në Çamëri. Kjo situatë revolte e gjërë e alarmoi Stambollin. Autoritet shkruanin: «Për të dobësuar këtë Lëvizje të Shqipërisë së Jugut, duhet të shkëputen prej kësaj lëvizjeje zonat rebele të Shpatit, Vërçës dhe Sulovës». Në qendër të pakënaqësive ishin mospagesat e taksave dhe rezistenca për të mos dërguar djemtë nizam. Theksojmë se në ngjarjet e viteve 1834-1835 krahina e Vërçës përmendet me emrin e saj, duke u shkëputur nga Shpati.
Një vlerë tjetër që autori evidenton në këtë krahinë është harmonia mes feve. Perandoria donte t’i përçante ortodoksit dhe myslimanët, por këtë nuk ia arriti kurrë. Vërçenjtë vendosën mbrojtjen e trojeve mbi besimin fetar.
PERIUDHA PARA LUFTËS SË DYTË BOTËRORE
Gjatë Luftës së Parë Botërore, sa më shumë dobësohej Perandoria, aq më i fortë bëhej organizimi i popullit tonë për bashkim. Mbahet mend thënia e kohës: « Për këtë Kuran dhe më vraftë Zoti, nuk e dua Sulltan Hamidin.»
Në ato kushte u gjallëruan lëvizjet për të organizuar mësimin masiv të gjuhës shqipe. Në vitin 1909 u krijua klubi « BASHKIMI », ku në qendër ishte gjuha shqipe. Për të treguar peshën e Vërçës në këtë lëvizje, autori përmend faktin se nga 17 anëtarë që kishte klubi, 9 prej tyre ishin nga Vërça. Madje, kryetari dhe sekretari i klubit ishin nga Vërça: Hysen Bej Shënepremtja dhe Asllan Shahini.
Jehona e Kongresit të Manastirit për alfabetin e gjuhës shqipe e gjeti zgjuar dhe të organizuar Vërçën për zgjerimin e arsimit në të tërë trevën. Për të ilustruar atmosferën gjuhëdashëse, autori përmend tubimin e gjerë që u organizua në Elbasan për zgjerimin e arsimit shqip ku morën pjesë shumë zona, mes të shumtëve kishin zbritur nga Vërça , Shpati, Sulova. Kjo ndodhi në vitin 1910. Reagimi i fortë në mbrojtje të gjuhës shqipe të shumë krahinave, përfshirë Vërçën, bëri bujë, e cila u pasqyrua në shtypin e kohës në Shqipëri, Turqi e deri në gazetat patriotike në Amerikë.
Më 26 Nëntor 1912 në Vërçë u ngrit flamuri i Pavarësisë. Në shpalljen e pavarësisë në Vlorë më 28 Nëntor 1912, Vërça dërgoi delegatin e saj, patriotin Asllan Shahini.
Vërça dhe i gjithë Gramshi u bënë shesh lufte Luftës së Parë Botërore. Autori këtë përiudhë, nga më të rrezikshmet për mbijetesën e popullit shqiptar, e paraqet me hollësi. Në shumë faqe të librit, ka kaq shumë data kryengritjesh, kaq shumë organizime, kaq shumë drejtues e udhëheqës, ushtarë të përfshirë në luftën për rezistencë.
VËRÇA DHE PJESMARJA E SAJ NË LUFTËN E DYTË BOTËRORE
Autori këtë pjesë të historisë së zonës e ka përshkruar kaq gjatë e qartë, saqë kjo do të meritonte një libër voluminoz më vehte. Ajo që e habit lexuesin është fakti se si kjo krahinë gjithmonë mbeti zgjuar, gjithmonë ishte aktive në të gjithë rrjedhën patriotike të kohës. Kjo periudhë e lavdishme fatmirësisht ka shumë më tepër dokumenta për të ilustruar këtë vatër patriotike që ngjan si prush zjarri, të cilin nuk e mbuloi kurrë hiri i kohës, dha dritë dhe ngrohtësi patriotike edhe në zonat përreth dhe shumë më larg.
Autori Meçan Hoxha, me aftësinë e historianit, etnografit dhe sociologut të vërtetë, përshkruan përmes dokumenteve historinë e kësaj treve në Luftën e Dytë Botërore, duke krijuar idenë se aty ndodhet e gjithë Shqipëria. Madhështinë e kësaj lufte e shohim në pjesëmarrjen e madhe të luftëtarëve, në emrat e spikatur të udhëheqësve popullorë, në jehonën e kronikave të shtypit të kohës. Patriotizmin masiv dhe vlerat e kësaj zone duam t’i shohim jo vetëm në libra, por edhe në filma e kronika televizive. Koha do ia rezervojë një mundësi të tillë.
KULTURA , ETNOGRAFIA, ZAKONET, TRADITAT,LEGJENDAT DHE TË VËRTETAT E VËRÇËS
Për meritë të autorit, por edhe të vetë pasurisë së zonës, libri sjell kaq shumë lëndë, saqë lexuesi bëhet kurioz ta vizitojë këtë trevë, të lexojë më shumë për njerëzit e saj.
VËRÇA DHE GRAMSHI NË PERIUDHËN E PAS ÇLIRIMIT DERI NË VITET 1990
Sistemi i ekonomisë së centralizuar shtetërore dhe i shoqërisë së mbyllur 45- vjeçare socialiste, si kudo në Shqipëri, solli në këtë krahinë progres në mjaft fusha: arsim, kulturë, emancipimin e gruas, infrastrukturë, elektirfikim, art, sporte, përsosjen e gjuhës shqipe etj .
Bie në sy fakti që krahina ka qenë oponente herë nën zë dhe herë me zë të fortë kundra dobësive që shfaqi sistemi, si: në kolektivizimin ekstrem të pronësisë, praninë e luftës së klasave, pagesat e ulta etj. E gjithë kjo periudhë është përshkruar me realizëm në rrafshin ekonomik, social e psikologjik, pasi autori ka qenë i pranishëm dhe aktiv në jetën vërçiote.
VËRÇA DHE GRAMSHI NË RRJEDHAT E DEMOKRACISË SË PAS VITEVE 1990.
Si një zonë rebele dhe gjithmonë zgjuar gjatë gjithë historisë, Vërça dhe Gramshi e pritën me kënaqësi kalimin në sistemin demokratik. Nuk shënohet asnjë ngjarje frenuese e sistemit të ri demokratik dhe asnjë rezistencë për të mbrojtur sistemin e vjetër monopartiak.
Vërça iu gëzua ndryshimeve demokratke, por nuk është indiferente ndaj abuzimeve ndaj lirisë së fituar. Largimi i popullsisë e ka dobësuar forcën, dinamizmin e saj. Ndonëse treva zbukurohet në peizazh dhe infrastrukturë, emigrimi dhe migrimi sjell pesimizëm e mërzitje. Autori është shpresëplot se këto bukuri natyrore e njerëzore do ridimensionohen shumë shpejt. Vërça do të jetë rehatuese për banorët e vet, siç do të jetë tërheqëse për miqtë, vizitorët, turistët.
Libri është i ngjeshur në fakte, dokumente, dëshmi, konkluzione, opinione... Materialet e tij do mjaftonin për të bërë 2-3 libra të tjerë. Koha, mbase do e vërtetojë gjykimin tim modest. Ky libër është një udhëzues i mirë për këtë zonë. Ai meriton të jetë në biblioteka, në Ministrinë e Bujqësisë, të Arsimit, të Turizmit, në çdo shtëpi gramshioti, të çdo dashamirësi e miku vërçiot.
Unë do të theksoja se në këtë botim ka vlerë edhe puna e redaktorit dhe korrektorit Idris Dermyshi. Ai dhe autori janë konsultuar gjatë për cilësinë e librit, falë origjinës vërçiote, mirëkuptimit dhe vlerave që përfaqësojnë.
Thuajse, e gjithë krijimtaria e studiuesit Meçan Hoxha i kushtohet Gramshit dhe vlerave të tij. Nuk njoh studiues më të përkushtuar për Gramshin. Plot mirënjohje, po e mbyll shkrimin: - Faleminderit, Gramshologu Meçan Hoxha !








Comments