Elvira Zeneli: Tufë poetike
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Oct 22
- 4 min read

Ti, Dritë apo Rreze?
Nga cila ëndërr dole, dritë e zemrës sime?
Si rrezet e diellit ti ndriçon, ta dish.
Je ëndërr, je erë, je zjarr që më djeg,
Puthjet që më prekin e më ikin sërish.
Nëse je gonxhe — kush të ka mbirë?
Nëse je zë — kush të ka thirrë?
Nëse je diell — kthehu zemrës time,
Zemrën ma more vetëm me shikime.
Mos je thëllëz që nuk kapesh dot,
A një engjëll që humbe në botë?
Kush të ka gdhendur në dritë e në zjarr,
Si statujë e shpirtit, e butë e rrallë?
Fol, moj thëllëz, që këndon mbi derë,
Mos je nga mali ku fjala s’ka frerë.
Jam bijë arbërore, si bijë e diellit,
Fluturoj e lirë si shqiponjë e qiellit.
Jam si yll i ndritshëm,
Që vallëzoj mbi zemër.
Një ditë do të flasë,
Me dashurinë, pa shqiptuar emër!
Notat e shpirtit tënd
Nëse të kam lënduar me ndonjë fjalë,
Të lutem, më fal —
E brishtë jam në stacionin tënd,
Vetmisë i ngrita dorën që ta ndal.
Ah, vetmia jote, njësoj mua më dhemb…
Në brigje të heshtura mbrëmjesh kam shkelur me mall,
Pulëbardhat më rrinin në pëllëmbë, si stoli deti e bardhë.
Por kur ta pashë shpirtin, u ndala në një valë pa kthim,
E jeta më dha kurorë, si mbretëreshë në mbretërinë tënde të bardhë.
Kam parë sytë e hënës me vështrimin e ndrojtur,
Me buzët që më dridheshin, bisedonim çdo natë.
Por kur të gjeta, u ktheva në kështjellë të pamposhtur,
Në bedenë e kalasë, si shqiponjë në fluturim të gjatë.
Do të shkelim mbi qiej të ngrysur e të egërsuar,
Se miqësia nuk është lule që falet —
Është lulishte, e ne, lulishtarë të kërrusur,
Që mbi çdo gjethe e petale ndalet…
Në ëndrrat e mia, unë tek ti do të vij,
Aty ku ti po fle e loti në sy m’u tha.
Kam marrë me vete ca nota melodie në gji —
Do, Re, Mi, Fa, Sol, Si… dhe La.
Vendlindja ime
Vendlindja ime…
është vendi ku linda.
E qara e parë… nën qiellin tim,
hapi i parë… mbi tokën time,
fillimi i jetës… i ëndrrës… i gëzimit.
Vendlindja ime…
rrugicë e lojës së fëmijërisë,
ku qeshnin fëmijët… me pluhur në faqe.
Abetarja e parë… duart që dridheshin,
kënga e mësueses… që s’harrohet kurrë.
Vendlindja ime…
rrahje zemre, kujtim dashurie.
Puthja e parë… si pranverë në shpirt,
aromë verore… që digjet ngadalë,
por s’bëhet hi.
Vendlindja ime…
është buka e Nënës në magje,
e ngrohtë si diell në mëngjes.
Përqafimi i Babait në derë të shtëpisë,
kur vinte i lodhur… po me dritë në sy.
Dashuria e motrës… e butë, si erë.
Zëri i vëllait… që më thërret nga larg.
Në zemrën time… janë të gjithë bashkë,
si degë të gjalla… të një rrënje të vetme.
Vendlindja ime…
është mësuesja e parë,
shoqja e bankës… buzëqeshja e pastër.
Aty filloi udhëtimi im i gjatë,
aty u ndez… zemra ime e parë.
Vendlindja ime…
është dashuri pa hile,
që më do… e e dua përjetë.
Ajo më pret… me krahë të hapur,
në çdo kthim… në çdo kujtim të shenjtë.
Besa dhe e Vërteta
Kur shoh hënën e kristaltë,
degën e kuqe të vjeshtës që rrjedh ngadalë,
prek hirin pranë zjarrit të fshehtë,
gjithçka tek ti më thërret
– e pastër, si e vërteta që nuk shuhet asnjëherē.
Miqtë e fjalës pranë i kam,
i respektoj si diellin ku rrënjë ka zënë.
Por historia shpesh shtrembërohet e fshehur,
e vërteta tretet, hesht çdo fjalë e mbetur.
Kanë gjykim të madh ata,
mbi të trishtëmet rrafshira,
por fjala kthehet për interesa,
si kromozome te qelizat e nxira.
Por ama, nëse pak nga pak resht së më dashuri,
do të resht së të dashuri pak nga pak.
Nëse papritur më harron,
mos më kërko më, se atëherë do të të kem harruar.
Miqtë e mi rrojnë me dritën,
e prekin, e ndjejnë pa tjetërsimin,
historisë nuk ia zhveshin misterin,
i qëndrojnë fjalës si Rozafa besimin.
Nëse era e detit më lë në breg,
ku rrënjë kam zënë pa të thënë fjalë,
do të ngre krahët e mia, do të kërkoj tokë tjetër,
sepse forca nuk shuhet, s’harrohet asnjëherë.
Si fëmijë me ndjenjat vrapojnë,
në vallëzim të besës mbretërojnë,
por e vërteta tjetër rrotullohet,
një arenë ku fshehtësia shpesh sundon valë.
Por, nëse çdo ditë, çdo orë,
ndien se je caktuar për mua me ëmbëlsi mizore,
oh dashuria ime, oh e imja,
tek unë gjithë zjarri përsëritet, tek unë asgjë nuk shuhet.
Më vret kur thyhet e vërteta,
për interesa të fshehta, me shpresa të rreme,
por aty ku familja më uli me nder,
edhe si atome të shpërthyer diku, do të kthehem.
Dashuria ime ushqehet me dashuri rinie,
dhe derisa të jetosh, në krahët e tu çapkënërie,
pa u larguar prej krahëve të mi,
sepse aty qëndron besa, kujtesa dhe fjala e burrit.
Në buzën e shpirtit shoh kohëz dashurie,
të mos shteroj shija e mendimit,
në sytë tuaj sërish mall e ndjej,
që në shpirt të mos kem mundime!
Zgjim i shkrumbshëm
I pashë lisat që i largohen tokës
e vrapojnë drejt qiellit
po s'kanë ç'u bëjnë rrënjëve,
as eshtrave në varre
që i mbajnë fort!
Sikur të mundej të shkëputeshin,
shigjeta zemërimi do bëheshin,
fatit t'i nguleshin në mish!
Ndaj,
i ktheva sytë nga deti
tek zgjohej dhe shtrinte dallgën mbi rërë,
siç zgjas unë krahët mbi shtrat lehtë-lehtë
kur zgjohem nga malli për ty,
vetëm me një pikë në planin ditor:
Afërdita
u krijuar nga shkuma e bardhë e valëve!
Zgjim i shkrumbshëm
I pashë lisat që i largohen tokës
e vrapojnë drejt qiellit
po s'kanë ç'u bëjnë rrënjëve,
as eshtrave në varre
që i mbajnë fort!
Sikur të mundej të shkëputeshin,
shigjeta zemërimi do bëheshin,
fatit t'i nguleshin në mish!
Ndaj,
i ktheva sytë nga deti
tek zgjohej dhe shtrinte dallgën mbi rërë,
siç zgjas unë krahët mbi shtrat lehtë-lehtë
kur zgjohem nga malli për ty,
vetëm me një pikë në planin ditor:
Afërdita
u krijuar nga shkuma e bardhë e valëve!









Comments