Elvira Zeneli: PUTHJA
- 3 days ago
- 3 min read

PUTHJA
Një puthje e lehtë si era e hënës mbi det të qetë,
rrjedh si dritë e argjendtë që ngjitet mbi male yjore,
prek shpirtin pa zë, si një reflektim i qiellit në pasqyrën e kohës,
dhe zgjon ndjenja të fshehura si galaktika të harruara.
Në atë çast, koha shpërbëhet si rërë në duar,
bota shkrin në mjegull,
mbetet vetëm një vëzhgim i pafund i heshtjes,
që flet më thellë se çdo rrufe qiellore.
Është zjarr i brendshëm që nuk digjet,
një meteor që ndriçon heshtjen e shpirtit,
një kujtim që fluturon mbi lumenjtë e ëndrrave,
si aurora që pikturon qiellin me ngjyrat e pafund.
Në atë puthje gjej universin tim të fshehur,
ku zemra rreh në ritmin e galaksive,
një dashuri që s’njeh kufij,
por udhëton përtej hënave, yjeve dhe kohës,
dhe jeton si dritë nëpër dimrin e përjetshëm.
Çdo frymë e tij është një vrimë e zezë që mbart dritë,
një melodramë kozmike që lidh shpirtin me pafundësinë,
një puthje që shndërrohet në nebula,
dhe rritet si qielli që lind mbi horizontin e një ëndrre.
DRITA JOTE
Më mbushet zemra kur të shoh,
Ndërsa mendimet më spërkaten nga drita,
M’u krijua djegja… shpirti m’u ngroh,
Asgjëja ra në agoni, gjersa të prita.
Një furtunë e çmendur drite u shfaq në çast,
Nga mungesa jote shpirti më përvëlohet,
Është një etje mëkatesh
që më rri ngjat,
Një etje prej të marreje, që s’më largohet.
Ndërsa drita përbrenda fillon e me mbush,
Në zemër kurorën shumëngjyrëshe mbjell,
Kurorën që gjer sot s’ta ka dhuruar askush,
Porsi shtajzovalle magji tek Ti përcjell.
C’është kjo dritë sysh që më ekzalton?
Teksa përpiqem të fle, përbrenda trazohem,
Ti me dritën tënde edhe errësirën shpon,
Përmes lumturisë, në imagjinata harrohem…
KËMISHA E BUZËQESHJES TĒNDE
Këtë mbrëmje
vesha këmishën e buzëqeshjes tēnde.
Jo çdo “e dashur” di
të qepë trille kaq të brishta mbi një zemër.
Ajo u shqep ngadalë
dhe prej saj doli trupi im,
i fshehur aty brenda prej kohësh,
si një mendim që kërkon të bëhet frymë.
Ti nuk më bëre dot të qesh
sado u përpoqe këtë mbrëmje;
kurrë s’kisha veshur një këmishë kaq të rëndë,
as një heshtje kaq të thellë sa e jotja.
Sepse dashuria, ndoshta,
është vetëm një mënyrë për t’u zbuluar
para shpirtit të tjetrit,
pa frikë nga nata që na rrethon.
Dhe në errësirën që mbeti mes nesh
pashë një dritë të vogël në sytë e tu;
e vesha sërish buzëqeshjen tënde mbi lëkurë,
si një përqafim që më mëson çdo natë të rilind.
KUR DIGJET LARGËSIA
Kur nata bie rëndë mbi sytë e mi,
heshtja më zhvesh nga durimi;
largësia digjet si plagë e hapur,
por zemra s’njeh kufij —
ajo vrapon drejt teje, pa frikë.
Trupi im fle nën një qiell të huaj,
nën një dritë që s’di emrin tënd,
por shpirti të kërkon me etje,
udhëton pa frymë, pa pushim,
sepse dashuria njeh vetëm një drejtim...
Kur malli shpërthen,
të ndiej thellë në gjakun tim,
si zjarr që s’ka nevojë për flakë,
si dorë që më mban edhe në mungesë,
si zë i brendshëm që më ndalon të dorëzohem.
Dashuria nuk jeton në vende;
ajo ngrihet në mish e në shpirt,
më merr frymën sa herë mungon
dhe më mban gjallë
vetëm me shqiptimin e emrit tënd.
Largësia është veç një provë e ashpër,
një mur që e rrëzojmë me durim e dëshirë;
ajo ndan trupat, jo betimin,
sepse ne jemi rrugë
që kthehen gjithmonë te njëra-tjetra.
Dhe kur koha të thyhet më në fund,
zemrat tona do të përplasen sërish,
jo të lodhura, por më të etura,
sepse ata që digjen vërtet për njëri-tjetrin
nuk humbin kurrë —
ata dinë të presin.








Comments