top of page

Fatmir Terziu: KËSHILLA PËR KRIJUESIN E RI LETRAR

  • 1 day ago
  • 2 min read

KËSHILLA PËR KRIJUESIN E RI LETRAR

 

Jemi ende në një kasolle, sado që të na duket postmoderne, e madhe, e bukur, e thurrur me lavdi e dekorata, me çmime e tituj. Eh, jemi aty edhe pse nuk duam ta kuptojmë. Ndaj, para se të na kapin si qen duke ulëritur në errësirën e një bote që shpesh nuk na njeh, krijuesi i ri letrar duhet të mësojë të dëgjojë heshtjen. Sepse aty, në atë kasolle të braktisur nga shpirtrat dhe ëndrrat, nuk është vetëm frika ajo që gërryen, por edhe e vërteta që pret të thuhet. Mos u tremb nga e panjohura, ajo është territori yt më i lirë, tuneli yt drejt dritës.

Para se të na mallkojnë si profetë të rremë, duhet të kemi guximin të shohim atë që të tjerët e shmangin. Të dëgjosh jo vetëm zërin e njerëzve, por edhe të kafshëve, të bimëve, të gurëve, sepse vargu, poezia, fjalia, tregimi, proza, novela, romani, nuk është privilegj i fjalës, por i ndjeshmërisë. Mos këndo himne nënshtrimi. Letërsia nuk lind për t’u përkulur në djepin apo në krevatin postmodern të ninullës së gjyshes, apo të nënës, por për të zgjuar nga ninullat që të kujtohen kur ti hedh hapat e parë të jetës.

Para se të na turpërojnë si zullumqarë, grykës, tregtarë të fjalës, kujto se shkrimi, pena, lapsi, vargu, fjalia, letërsia nuk janë thjesht plaçkë tregu, mall për shitje. Ato janë frymëmarrje, janë kujtesë, janë përgjegjësi. Mos e shit shpirtin për një duartrokitje të lehtë. Bota mund të duket e korruptuar, e nxituar, e mbushur me erëra që të çojnë drejt kompromisit, por poeti, shkrimtari, krijuesi i vërtetë është ai që ndalon, që dyshon, që zgjedh të mbetet i pastër edhe kur kjo ka një çmim.

Para se të na mbysin si admiralë të humbur në detet tona të brendshme, jo vetëm në tonat e madhështisë Jon dhe Adriati, as dhe në ato ku kaojmë nga gjendjeditësia e jonë, duhet të mbajmë fort busullën e ndërgjegjes. Sepse pa të, çdo fjalë humbet drejtimin, çdo varg bëhet një dallgë pa brigje. Mos kërko të sundosh me poezi, ajo nuk është pushtet. Poezia është shërbim, ndaj njeriut, ndaj së vërtetës, ndaj asaj drite të brishtë që na mban gjallë.

Dhe në fund, mbaje mend këtë, shkruaj shqip, shkruaj në Gjuhën e bukur shqipe, me të 36 shkronjat e saj, sepse thelbi i gjërave nuk i zbulohet atij që kërkon të duket, por atij që pranon të dëgjojë, të presë, të përkulet përpara misterit të jetës, përpara gjuhës së bukur të nënës. Poeti nuk është ai që flet më shumë, por ai që ndjen më thellë. Shkrimtari nuk është ai që bredh vetëm në ëndrra, por ai që ulet e bisedon qetë e bukur me ëndrrat, edhe kur ato janë të trazuara. Shkruaj, pra, shkruaj, por mos harro kurrë pse.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page