Elvira Zeneli: Edhe nën tokë do të të shkruaj
- Jan 26
- 3 min read

Edhe nën tokë do të të shkruaj
Nga një tryezë poste që kurrë s’mbetet shkretë,
ku rrinë kujtimi, brenga, zemra dhe heshtja vetë,
si pëllumba letrat degdisen që me natë,
i ndiej tek flatrojnë drejt një shtegtimi të gjatë.
Dhe ja, ku jam rrethuar me burra e me gra,
të plagosur nga mungesat, nga ndarjet e mëdha.
Letra, pusulla, fjalë që nisen në hapësirë,
ëndrra ende pa çelur, mendime pa gdhirë,
të gjitha marrin rrugën drejt vatrës, drejt pragut,
si ndjenjë dërguar ndjenjës, si gjak dërguar gjakut.
Dhe po të jem nën tokë,
që vdiqa ti mos thuaj,
më shkruaj dhe nën tokë,
se unë do të të shkruaj.
Një shtresë e trashë pluhuri mbulon letrat që s’duhen,
aty zverdhen faqet, aty gërmat shuhen,
aty humbasin radhët.
Ku malli derdhur qe, aty jep shpirt gëzimi.
Pasi cepat u brenë, aty rropaten thellë
si ndjenjat e kaluara,
ashtu dhe dashuritë e tashme.
Dhe po të jem nën tokë,
që vdiqa ti mos thuaj,
më shkruaj dhe nën tokë,
se unë do të të shkruaj.
Po kur të shkruaj unë, do dridhet kallamari:
do skuqet boja e zezë me flakërima zjarri.
Se kur të shkruaj unë, do shkruajnë eshtrat e mia,
do shkruaj gjaku im, gjithë gulç nga dashuria.
Do marrë letra udhë, si shpend në zjarr kalitur,
me dy flatra të forta dhe një adresë të ndritur.
Si zog që për fole qiell-ajër do të ketë,
mishin, gishtërinjtë e tu dhe frymëmarrjen vetë.
Do mbetesh ti i zhveshur, tek dridhesh ngadalë,
i gatshëm ta ndiesh letrën pas gjoksit tënd të valë.
Dhe po të jem nën tokë,
që vdiqa ti mos thuaj,
më shkruaj dhe nën tokë,
se unë do të të shkruaj.
Një letër dje kam parë si mbeti pa zot,
mbi sy tek i flatëronte dikujt që s’ngrihej dot.
Letrat që mbesin gjallë dhe për të rënët tregojnë:
që regëtijnë si njerëz, veç sy s’kanë të shikojnë.
Kur dhëmbëqenzit rriten, unë ndiej pranë veshit tim
emrin e letrës sate, tamam si një gjëmim.
Dhe mos e marrsha zgjuar, në gjumë do e marr atë letër,
do të puth me mall —
edhe po pata vdekur!
Në vetminë e harrimit
Të çohem dua prej këtij vendi,
Vetminë time s'dua ta trishtoj më shumë
Gjethet nuk ledhatohen në luhatje prej erës,
Zhaurima e lumit nuk e mban qetësinë,
Vyshkja prej stinës ka ndaluar
Është ngrirë fryma qiellore
Në brengën time!
Drejt dimrit si tê bëj me pabesinë e shēndetit tënd
Nuk e duron as prekjen e fjalës në gjoks;
Pasqyra e Princit ta ndritë shpirtin!
Ti shpejton të hedhësh hapat me shqetësim,
Si të ishte ajo cipë e bukurisë,
Ndëshkimi im!
Në vetminë e harrimit largohem
Nga prapa më vjen malli i kujtimeve;
S’ka qortime dhe vêrejtje prej teje,
Por sytë qê të flasim me një besim dhe në heshtje.
Eci nëpër dimër e mbështjellë me gëzofin e pikëllimit!
E hidhur me përcjellë ajo këngë e ajo melodi
Me kitarë, me qeshje me lot;
S’e dinë akoma poetet e poetët,
Magjinë që ti ke në gjoks;
Fjalët i ke lënë pa kohë kur të kanë prekur nga epshi
E kërshëria ime s’është më
As e gjallë, as e vdekur!
Më vjen si një ëndërr e bukur
Si ai Princi i përrallës
Mërzinë ma mbjellë në kokë!
Lutem për ty, tê jesh mirë çdo ditē!
Erdhe …
Erdhe si pika e vesës në agim,
si një potpuri lëndinash të largëta;
si një melodi e re në shpirtin tim,
si një valë e butë, erdhe — si një varg.
Erdhe me buzëqeshjen që rrezaton,
erdhe papritur, porsi një magji;
erdhe si jasemini që aromë lëshon,
me vështrimin tënd që djeg në thellësi.
Erdhe me shkëlqimin porsi diamant
— ah, kurrë që të venitesh s’dua! —
qëndro ashtu si je: i artë, i fortē
me kurora lulesh, me ëndrrat e tua prej fisniku.
Erdhe të më zgjohësh nga dremitja e gjatë,
të më thuash se ende paskam shpresë;
ti, mendjendrituri, më erdhe këtë natë,
si kristal i brishtë — mos më ler të pres.
Erdhe që ëndrrat, me hijeshinë tënde,
t’ua shtosh dritën, t’ua zbukurosh frymën;
erdhe… dhe s’dua kurrë të ikësh më,
erdhe t’i kthesh të gjitha stinët në pranverë.
Ah, ky shpirti im, si zjarr perëndimi,
që të mos shuhet, tek unë erdhe;
teksa më pushton dëshira për fluturim,
ngrohtësinë më të rrallë në mua e derdhe.









Comments