top of page

Elvira Zeneli: Drita e Brendshme

ree

 

 

Vallja e Misterit

 

Në degët e thata të natës,

nis një valle e heshtur,

gjuhë flake që luten,

jo që digjen,,

dhe ajri merr frymën time si sekret.

 

Zjarri më njeh,

rrëshqet mbi lëkurën e shpirtit,

pikon dritë në sytë e mi,

si prekje që s’guxon të quhet emër.

 

Në rrymën që zbret nga flaka e shenjtë,

iluzionet bien si petale hiri,

shkëndijat shkruajnë shenja

në shtigje ku ecim vetëm me zemër.

 

Shpresa dhe pritja,

me mijëra sy qiellorë,

ngrejnë trupin në lutje,

dhe vallëzojnë vallen e misterit,

bukuri që lind nga përkulja.

 

Përtej kësaj djegieje të butë,

s’është fundi,

por misteri që na thërret nga brenda,

humnera ku dashuria s’ka frikë,

trishtimi i shenjtë

që di të presë pa u shuar.

 

 

Drita e Brendshme

 

Femrat duan të duken,

Si drita që ndriçon,

Por jo të gjitha janë,

Rreze apo neon.

Pamja si fjala po jehon,

Karakteri thelbin ndriçon,

Buzëqeshja dhe mirësia,

Trëndafil që fluturon.

Fjalë të turpshme pëshpërit,

Xhelozinë e kanë ndjenjë,

Modestia rrit hijeshinë,

Zemra e shpirti dashurinë.

Hijeshia vjollcë rrethuar,

Që djeg netët kur i pret,

Mes pasionesh kreshpëruar,

Të bën femër të vërtetë.

Hijeshia mbetet e gjallë,

Që të shtyn e dashuron,

Çdo veprim, çdo buzëqeshje,

Hirin e shpirtit përvëlon.

Si gjithë këto femra që rrethojnë,

Të ngrihen të mbushura nga shpirti im,

Të mos jenë flutura të trazuara,

As vetë fjala plot trishtim.

Për çudi ende ka kohë,

Të vazhdosh të fluturosh.

Femra, femrën mos xhelozo,

Me mirësi sërish të fillosh!

 

Fjala që mbetet

 

Mbi heshtjen time, paqja u shtri lehtë,

kur syri yt më pa me dritë të sinqertë.

Malli u ngrit ngadalë, si erë pranvere,

dhe dashuritë tona morën ngjyrë të zjarrtë.

U përpoqa të ngrihesha, por fryma m’u ndal,

një çast i heshtur, ku zemrat gërshetoheshin pa fjalë.

Kësaj bote dua t’i mbjell një dashuri të heshtur ,

një dashuri që çel nga një buzëqeshje e pafaj,

dhe përhapet si dritë e lirë në çdo hapësirë.

Besën s’e thyej kurrë;

fjalën e mbaj si premtim të përjetshëm.

Fjala ime qëndron, nuk shkelet,

dhe njeriu që di të vlerësojë dashurinë e njeh dhe e mban.

Dhe në fund, dashuria triumfon mbi heshtjen,

flakë e përhershme që ndez çdo shpirt,

bashkon zemrat në një përqafim pa fund,

dhe çdo fjalë e mbajtur shndërrohet në jetë.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page