Elko për të Drejtën e Gruas


Dr. Konstantin Qeparoi

Elko per te Drejten e Gruas

Nr. 2 nga 4

Dr. Konstantin, per librin e Elkos “Imazhi i Gruas nga Mitologjia ne Boten Reale”

Elko (Eleonora Koka) ja dedikon librin femrave në përgjithësi, që e kaluan jetën në luftë për të mbrojtur të Drejtat e tyre, në veçanti Persofoni e Katina Cakut (Vajzave të Valëve), Norës së Kelmendit, Shotës sokoleshë, Marie Shllakut martires së Kosovës, Marove himarjote, motrave suljote etj. Gjyshes Memë Norës, që e rriti midis Muzave, nënës Fotina që e bëri të ndjeshme për fatin e femrës, me këngët dhe vajet e saj.

Ajo thekson se vetëm në shqip Perëndia është femër, mqse këtë emër e kemi marrë që nga koha e matriarkatit. Perëndeshat e Homerit, të stërgjyshërve tanë ilirë, janë të barabarta në Parthenonin Olimpik me numrin e burrave.

Penelopi, Olimpia, Kleopatra, Deidameia, Teuta janë iliro-epirote, Margarita, autorja e epikës historike Skënderbejada, e vuri epopenë e Skënderbeut në një rang me Iliadën, Aeneiden, Jerusalem Deliveri, etj. duke treguar se gruaja qëndron në një nivel me burrat (Margarita krahasohet me Homerin, Virgjilin, Tason, Bokaçion, Petrarkën etj.).

Pena e Dora d’Istrias, anijet e Bubulinës, shpata e Norës së Kelmendit u përdorën më mirë se nga bashkëkohësit e tyre burra. Guximi i grave Suljote përsëritet tek Maro Lania, Maro Kondia, Princesha Argjiro që luftuan me turqit dhe turkomanët (Aliu). Shote Galica, Marie Shllaku, Marina Sirdani ishin sokolesha, janë burrneshat e kombit.

Marta e Martaneshit, Prena e Marte Trazhi, Mrik Lokja, Shkurte Cura, Jozefina Topalli janë cucat e maleve, zanat shqiptare për të cilat kënduan nga Gjergj Fishta, më i vjetri, deri tek Traboini, më i riu.

Drenushat dha Sokoleshat e Dardanise luftuan krah për krah me burrat e tyre. Këto emra që ato i merituan, janë simbol ideali, të ndjeshme, frymëzuese që sot shprehin ndjenja, lumturi. Në asnjë gjuhë tjetër nuk ka një përshtatje të tillë që nga emri-burri të formohet emri-simbol i gruas, burrnesha.

Në LNÇ morën pjesë 596 partizane që luftuan me heroizëm si burrat. Eleonora sjell këtu Heroinat: Pesofoni 20 vjeçare, Bulen 22 vjeçe, Tutulanin 19 vjeçe, Zonjën Çurre, Qeribanë, Katina Cakun etj.

Elko ju jep vend nderi Motrave Qiriazi, Marigosë, grave arbëreshe dhe arvanitase më të dëgjuara matanë kufijve të Shqipërisë Nënë. Jep gjithashtu shoqet e saj të shpërndara nëpër botë që me mall shkruajnë në shqip dhe këtë gjuhë ua mësojnë fëmijëve të tyre.

Ajo është nga Bregdeti, nga Himara dhe si e tillë është Vajzë e Valëve, të cilat kanë frymëzuar dhe vazhdojnë të frymëzojnë shumë poezi. Disa prej tyre janë vendosur dhe qëndrojnë me dinjitet në këtë libër të shkruar nga një poete për imazhin e grave iliro-shqiptare.

Vetë titulli i kapitullit “Nga filozofët paganë tek teologët modernë” mbulon qëllimin që autoria i ka vënë detyrë vetes, për të nxjerrë në pah si është trajtuar femra në shekuj. Titulli përfshin kohën, epokat, mençurinë njerëzore dikur në lashtësi dhe tani, si dhe seriozitetin se kush është marrë dhe kush merret me këtë çështje.

Diskutimet për natyrën e femrës, marrëdhënet midis gruas dhe burrit, karakterin natyror, virtytet e saj, vendi i tyre në shoqëri, filloi të diskutohet që kur njeriu njohu veten. Qysh kur Sokrati tregoi se njeriu ka aftësi të parashtrojë mendimin e tij, të bëjë përgjithësime dhe konkluzione, analiza praktike dhe teorike, filluan të shkruhen vepra filozofike.

Kërkohej të njihej Universi, të fshehtat e botës. Homeri dhe Platoni u futën në natyrën e femrës, por ishte filozofi Aristotel që ka ndikuar më shumë, për të mos thënë në mënyrë absolute, në mendimin e njerëzimit deri në ditët tona. Ai u bë baza e mendimit të Biblës, të Kuranit, të despotizmit mesjetar, të kanuneve dhe ligjeve që e trajtojnë femrën si më poshtë:

Ne librin Imazhi i Gruas. . te Elko-s do te gjejme tiparet, karakteristikat, natyren e te dy sekseve te nxjera nga te thenat e dijetareve ne epoka te ndryshme si me poshte :

“Nga natyra burrit i janë dhënë cilësi aktive, me karakteristika të formuara në mënyrë perfekte, ndërsa femra është krijuar pasive, disi e deprivuar, prandaj dëshiron burrin që të bëhet e kompletuar... Burri identifikohet nga fortësia, gjykimi, guximi, qëndrueshmëria, kurse gruaja nga të kundërtat, mungesë arsyetimi, frikë, dobësi. Burri krijon formën e jetës së re, njeriut të ri, ndërsa gruaja kontribuon vetëm me material ndihmës…”

Më tej shton Aristoteli se “krijimi i femrës është një gabim, krijesë jo në formë të përsosur për të riprodhuar veten. Ajo është një deformim i natyrës”. “Në shtëpi dhe në shtet, prej natyre dhe nga ana biologjike, burri është kryesori, gruaja është ndihmëse, e varur”, - thotë Aristoteli.

Prometheu nuk vdiq kur e denoi Zeusi se ndihmoi, dha te tjereve . . . Atëherë ai krijoi Pandorën (që do të thotë për të gjithë) një krijesë të keqe, që ta shoqërojë gjithë jetën atë dhe burrat. Midis Adamit dhe Zotit kishte një femër (Eva), që dënoi të shoqin në kopsht dhe çoi Krishtin drejt kryqit. Në ligjet romake zot i shtëpisë dhe i pronës ishte burri.

Virtyti i femrës nuk është virgjëria, heshtja, bindja, siç e përcakton Giovani Bokaçio (1355) dhe pasuesit e tij, por virtytet që karakterizojnë edhe burrat, -guximi, trimëria etj. (Kristina de Pizan). Burri dhe gruaja kanë të njëjtat virtyte, (Platoni).

Në esencë burri dhe gruaja janë njëlloj, por gruaja është superiore. (Bartolemeo Coggio).

Femra është guximtare, aktive, kërkuese e së resë, e së drejtës, (Bajroni). Femra në pushtet është më e shkëlqyer se burri.

Media sot e trajton femrën si objekt seksi, object çlodhës. Demokracia, duke barazuar burrin dhe gruan me ligj, prish natyrën e njeriut, burrin e zbut e bën pulë, pulën e harbon dhe e bën laraskë. “Natyra i ka dhenë burrit forcën, për të siguruar ushqimin dhe mbrojtjen. Ai e ka vendin jashtë shtëpisë. Gruaja ka për detyrë të bëjë, të rritë dhe të edukojë fëmijët. Mbretëria e lumturisë së saj është shtëpia”. Duke u nisur nga këto teori të Aristotelit, gabimisht burri e quan veten primar, aktiv dhe femrën sekondare, pasive.

Libri është një kompleks studimi me të dhëna për të nxjerrë sa më mirë imazhin e femrës. Janë shkruar me qindra libra, sidomos në mesjetë, në vitet e Rilindjes 1300-1700. Pothuajse të gjithë autorët burra e nxjerrin femrën vartëse, në vend të dytë. Autoret femra e nxjerrin veten e tyre jo vetëm të barabartë, por edhe superiore. Dy letra të Kristina de Pizan drejtuar mbretit të Francës që kundërshton mendimin e Aristotelit dhe Bokaçios, kanë vazhduar të diskutohen për 300 vjet rresht.

Poeteshat femra anglishtfolëse janë përmbledhur në një vepër të vetme prej 2500 faqesh, botuar në New York më 1985 dhe libri trajton këtë problem. Më 2005 Profesoresha e City University of New York paguhet nga shoqata e femrave në Amerikë 11 milion dollarë, për të shkruar një temë për aftësitë e femrës. Ajo zgjodhi Margarita Sarocchi. Kjo femër e rrallë më 1530 ka shkruar një epikë historike. Epika historike që shkroi është vazhdim i Homerit, Virgjilit, Ovidit, Tasos, Petrarkës dhe qëndron në një nivel me ta. Titulli i librit është shumë interesant: Skënderbeidët ose Skënderbejada siç e quajmë ne.

Ajo trajton heroin tonë kombëtar Skënderbeun, Kalorësin e Krishterimit, të mbrojtjes së civilizimit evropian, të mbrojtjes së racës së bardhë, luftën e shenjtë.

Miltiadhi në Marathone, Leonida në Termopile, Themistokleu në Salamine nuk bënë më shumë se Skënderbeu në Krujë. Por tre rastet e para i studion gjithë bota, rastin tonë, megjithëse e ngriti në epikë Margarita, ngeli në heshtje për 500 vjet.

Libri u përkthye në anglisht nga italishtja më 2006 nga Profesoresha Rinaldina Russell. Vlerat e këtij libri sot studiohen, rekomandohen nga Universitetet amerikane, jo më shumë për të parë bëmat e Skënderbeut, sesa për të kuptuar aftësinë mendore, krijuese të femrës, të autores që e shkroi në italisht dhe të asaj që e përshtati në anglisht.

Ky libër u bë shkak që të nxisë Elkon për të shkruar për femrat shqiptare. Libri fillon me Perëndeshat, sepse sipas A. Kolës, kolosit më të madh të shqiptarizmit. (së bashku me At. Antonio Belliscin), ato e kanë emrin shqip. Termat ilir, epirot, shqiptar, gabimisht kanë dallim shumë të madh si në literaturë, ashtu edhe në praktikë në Shqipëri. Kur Elko thotë shqiptar është ilir, si në rastin e Perëndeshave. Kur thotë Olimpi, Epir, prapë është ilir d.m.th shqiptar, por edhe dorianët ishin shqipfolës, ilirë, kaonë, ajo i quan shqiptarë, si spartanët e lashtë. Penelopi i Odisesë apo Eleni i Minellës ishin dorianë, flisnin dorishten, dialekt shqip. Edhe Ptolemeu ishte shqipfolës epiro-maqedonas, si rrjedhim Kleopatra, Mbretëresha-Faraone e fundit e dinastisë së tij 300 vjeçare ishte shqipfolëse në orgjinë.

Prandaj mos u çuditni se kur femra lindi, kur njohu veten, fliste shqip (raca e bardhë, sipas Elkos mbeshtetur tek A/ Kola ). Për këtë ne liber pas gjashtë Perëndeshave vijnë Penelopi, Olimpia, Teuta, Kleopatra etj. që pasohen nga pasardhëset e tyre Bubulina, Dora D’Istria, Shota, Shllaku etj.

Perandoresha Leni, nëna e Shën Kostandinit ose Kostandinit të Madh është shqiptare. Perandoresha tjetër Theodhora e Justinianit, nipit të Perandorit Justin, është gjithashtu shqiptare.

Figura e mbretëreshës Donika Kastrioti është marrë nga Margarita Sarocchi. Gjatë Rilindjes Laskarina, Elena dhe dhjetëra femra të tjera janë dëgjuar për aktivitete shoqërore më tepër se burrat bashkëkohorë. Në libër jepen arvanitase dhe arbëreshe që autoritetin e femrës e kanë ngritur lart, në kohën që kanë jetuar. Ato nuk u dalluan nga burrat për paaftësi mendore, por përkundrazi, janë aktive, superiore.

Tek heroinat Persofoni, Shota, Bubulina, Nora, M. Shllaku a mund të thuash se virtyti i femrës është morali, virgjëria? Në asnjë mënyrë jo. Ato ishin heroina, ishin luftëtare, martire të lirisë. Dhe udhëhoqën burrat më mirë se çdo personalitet i njohur. Bulia, Maro Lania, M.Kondi, Katina ishin femra të rralla, që tregon se gjinia femërore edhe në luftë ishin trimëresha, besnike të idealit, gra, bashkëshorte, nëna, heroina.

Sorkadhet apo drenushat dardane nuk i ka veçuar. Ato sot kudo që janë, janë aktive për liri, pavarësi, bashkim. Ato kanë guximin të kundërshtojnë psikologjinë patriarkale, konceptet e burrave në lidhje me “mbretërinë e lumturisë, shtëpinë”.

Dhunë, violencë, përdorim force vërehet kudo në familje. Në libër Eleonora sjell konstatimin e saj se kjo dukuri jo vetëm ekziston, por është në rritje edhe në vendet me sistem demokratik të përparuar.

Nora është himarjote. Ajo e ka për nder të nxjerrë në pah femrën himarjote dhe kush nuk ju ka kënduar këtyre “Vajza të Valëve” të detit Jon.!. Sa mirë do të jetë që kjo vepër e Elkos të vazhdojë, qoftë edhe në forma të ndryshme. Në Amerikë, duhet bërë një antologji e femrave poetesha, shkrimtare, artiste të dëgjuara shqiptare. Renditja sipas alfabetit, secila dy-tre faqe, pa biografi, pa fotografi, por copëza nga pjesët më të mira të veprës së tyre që tregojnë se femra është në çdo drejtim, jo më poshtë se burrat.

Folem me lart per librin: Imazhi i Gruas nga Mitologjia ne Boten Reale, me autor

Elko / Eleonora Koka, Himare 2008, faqe 215

Nga filozofia pagane tek teologet moderne (Pjesa I e librit, pa komente)

Aristoteli, Imazhi i femrës, Roli i gruas në familje, Roli i gruas në kishë, Debate,

Fantazmat, Vepra e femrave, Probleme që vazhdojnë sot, Gratë në demokraci.

Qysh në lashtësi e deri më sot vazhdon të diskutohet për gruan. Në përgjithësi, ajo, a është bërë vallë e barabartë me burrin nga Krijuesi? Truri a është i njëjtë, aftësia mendore, gjykimi, vizioni, parashikimi, përshtatja në rrethana të reja, reagimi si organizëm ose si rrjedhim i veprimit të trurit për rreziqet ose kushtet jo të përshtatshme për jetën, a janë te gruaja të njejat si edhe te burri? Po në shoqëri, në familje, në shtet a i ka të drejtat të barabarta? Zakoni, ligji ç’thonë dhe si realizohen ato të drejta nëse kanë diçka pozitive?

Në lashtësinë e hershme, matriarkati njihet, ka ekzistuar. Nëna ishte prindi, familja, shtëpia, ligji. Por nuk do të flasim shumë për lashtësinë, se në të vërtetë gruaja e ndjen mungesën e drejtësisë, ndihet e ofenduar, me fillimin e civilizimit, me krijimin e jetës shoqërore në fis, qytet ose shtet.

Civilizimi evropian dhe amerikan i ka bazat në civilizimin Heleno-Romak dhe në kristianizëm. Bibla e Hebrenjve dhe Bibla e Re shprehen negativisht për rolin e gruas, sepse janë bazuar në filozofinë e Aristotelit.

Paganizmi ka Perëndi dhe Përendesha. Panteoni Olimpik ka 6 Perëndi dhe 6 Përendesha. “Krejtësisht nga natyra burrit i janë dhënë cilësi aktive, me karakteristika të formuara në mënyrë perfekte, ndërsa gruaja është krijuar pasive, e deprivuar disi, prandaj dëshiron burrin në mënyrë që të bëhet e kompletuar” [2](1).

Burri identifikohet nga fortësia, gjykimi, guximi dhe qëndrueshmëria, kurse gruaja nga të kundërtat, mungesë arsyetimi, frika, dobësia. Aristoteli besonte se “burri krijon formën e jetës së re, njeriut të ri, ndërsa gruaja kontribuon vetëm me material ndihmës”.

Vazhduesit e Aristotelit thonë se roli i burrit në human generation është aktiv dhe më me rendësi. Sipas pikëpamjes së Aristotelit, burri prej natyre ka detyrën për të riprodhuar veten. Krijimi i femrës është një gabim, krijesë jo në formë të përsosur për të riprodhuar veten. Çdo femër e lindur, sipas terminologjisë së Aristotelit, është një deformim i natyrës.

Psikologjia helene u ndikua nga Aristoteli. Teorikisht thuhej: “Femra është e butë, e dobët dhe e prirur për dekurajime, ankime dhe mashtrime. Duke mos qenë e kompletuar, dëshiron të plotësohet nga lidhjet me burrin. Kurse burri është intelektual, aktiv dhe e kontrollon pasionin” (2)

Atëherë Universi thjeshtohej në:

toka, zjarri, ajri, uji.

si rrjedhim kemi: i thatë, i nxehtë, i ftohtë, i lagët

që jep tiparet: melankolik, kolerik, sanguin, flegmatik

ku dy të parat përbëjnë: burrin dhe të tjerat: gruan

Organi kryesor i femrës është mitra. Ajo në greqishten e vjetër quhet hyshtër.

( histeri ). Mitra krijon pasionet që e bën shpeshherë femrën me epsh, mashtruese, llafazane, të paarsyeshme dhe ndonjëherë histerike. Nga kjo femra humbet energji, vetëkontrollin, bëhet kapriçioze, mund të dobësohet ose sëmuret.

Doktorët Henry Maudsley dhe S. Weir Mitchell, shpjegojnë se “menstruacionet, barra dhe dhënia gji fëmijës, e kthejnë femrën në shëndet të plotë, i heqin çdo simptomë neurastenike”(3). Biologjia e Aristotelit pati pasoja sociale dhe politike. Në shtëpi dhe në shtet burri është kryesori, gruaja është ndihmëse, e varur. Por mësuesi i Aristotelit, Platoni thotë se burri dhe gruaja kanë të njëjtat virtyte: për të mbajtur shtëpinë dhe pronën, në qoftë se gruaja është e edukuar, mund ta kryej njëlloj si burri.

Me lindjen e kristianizmit nga viti 325 pas Krishtit deri më 1300, bota u fut në errësirë. Në rilindjen evropiane 1300-1700, pati ndikim filozofia helene; - primar është roli i burrit, sekondar, i varur është roli i gruas, por femra krijon familjen. Një grua është fillimi dhe mbarimi i familjes së saj.

Në ligjet romake zot i shtëpisë dhe i pronës ishte burri. Femra nuk posedonte asgjë si tek babai, ashtu edhe tek burri. Autoriteti i babait dhe i burrit ishte me ligj. Gruaja kishte ekzistencë private, jo personalitet publik (shoqëror).

Sipas Biblës fillimisht Perëndia krijoi burrin, Adamin, në shembullin e tij, pastaj krijoi femrën, Evën. Testamenti i Ri bën me faj vetëm gruan për gjynahun fillestar. “Eva u krijua e dyta dhe me pjesë të Adamit, d.m.th se nuk është në një rang me Adamin”, - thonë interpretuesit. Eva u gënjye nga shejtani që iu paraqit si gjarpër dhe Adami u gënjye nga Eva. Por filozofët teologë, që nga Tertullion deri tek Thoma Aquini, bëjnë përgjegjës vetëm Evën.

Ajo nxiti veprimin, ajo gënjeu burrin e saj, ajo solli dënimin e madh. Mosbindja e saj detyroi Krishtin të vdiste në kryq. Dy dijetarët më të mëdhenj, Shenjt Augustini e Shenjt Thomas Aquini, besojnë që gratë janë fizikisht dhe shpirtërisht inferiore ndaj burrit.

Jacques de Vitry deklaron: “Midis Adamit dhe Zotit ishte vetëm një femër, që dënoi të shoqin në kopsht dhe e çoi Krishtin drejt kryqit”. Burri dhe gruaja janë të barabartë sipas Palit (4). Koka, udhëheqja e çdo burri është Krishti, udhëheqësi i çdo gruaje është burri i saj dhe koka e Krishtit është Perëndia (5)

Tortellion në librin “On the Apparel of Women”, St. Jerome në librin “Against Jovinian” dhe Augustin në librin “The Literal Meaning of Genesis”, transmetuan gjithçka negative për gruan në kulturën mesjetare kishtare6. Libër famëkeq ka qenë “Malleus Maleficarum” (Çekiçi i Fantazmave, 1486).

Imazhi i gruas në literaturën mesjetare.

Çdo gjë pagane, që e trajton me dinjitet femrën është shkruar në greqisht, qoftë edhe nga filozofët romakë. Çdo shkrim në gjuhën latine, u bë nga shkrues të krishterë. E gjithë literatura latine, histori, poema, epika, e portretizon femrën negativisht si mashtruese, e çmojnë si shtëpiake, ndonjë rast besnike si virgjëresha Mari, shenjtore (si Nënë Tereza), ose martire si Zhanë D’Arka. Në literaturën angleze imazhi i gruas ka qenë jo i mirë, përfshirë këtu edhe Shekspirin. Filozofi i shekullit të trembëdhjetë, Tertulliani thotë për femrën: ‘’Ajo është një tempull i ndërtuar mbi kanalin e ujërave të zeza”(7)

Kultura e krishterë ku është mbështetur kultura e civilizimit perëndimor është me moton: ‘’Baba dhe Biri,’’ ndërsa nuk përmendet ndonjëherë “Nëna dhe Bija”. Pozitivisht në këtë periudhë kemi vetëm ndikimin e ‘’Virgjëreshës Mari’’ ose ‘’Nënës së Bekuar’’. Megjithatë virgjëria e Maries krijoi kultin e “Virgjërisë”. Figura e Mari Magdalenës është shumë e goditur, që në përgjithësi merr nën mbrojtje të gjitha femrat.

Jean Jacques Rousseau, filozofi francez, megjithëse përparimtar, pati ndikime negative për figurën e femrës. Në “Emile” edukimin e femrës e merr komplet në marrë­dhënie me burrin: “... t’i lutet atij, të jetë e përshtat­shme për të, ta bëjë veten të dashur që të nderohet nga ai, të edukojë ata kur janë të rinj, të kujdeset për ta derisa të rriten, të këshillohet me ta, t’i mbështesë ata dhe t’jua bëjë jetën të ëmbël e të këndshme, këto janë detyrat e femrës gjithë kohën ... ‘’(8).

Në shekullin e 19-të në Angli lindi kulti Viktorian, ku Nina Auerbach për herë të parë i quan femrat “Engjëjt në shtëpi”, ku botoi edhe një libër me këtë titull. Pra modeli i femrës ishin Engjëjt dhe Mbretëreshat. Këto engjëllushe e kanë vendin e “Paqes në Shtëpi” - thote Luiza May Alkott në librin e saj “Little Women” (1689), dhe më tej shton se “Mbretëria e lumturisë së femrës është shtëpia”(9)