“Elitat e mohuara... Krenari Kombëtare”


“Elitat e mohuara... Krenari Kombëtare”

“Elitat e mohuara... Krenari Kombëtare”

Nga: Armela Hysi

Në periudhën të cilën jetojmë, që gjëmon nxitim e qerthullim (pas bishtit tonë, siç duket kaq qartë shumicën e rasteve, ose pas erës siç thoshte i madhi biblik, Solomo), gjëja më e vyer që mund të bëjmë me atë pakëz kohën tonë të lirë, është të zgjedhim miqtë më të dashur, për ta kaluar së bashku. Kështu një nga më të mirat mundësi për këtë, janë përherë e padyshim, librat. Miqtë më të çmuar që mund të gjejë njeriu për të gjitha momentet. Kjo s’ka ndryshuar që kur ata u shpikën, por dihet që në ditët e sotme mundësia për të botuar lirë dhe shpejtë vendos pa asnjë hezitim kushtin primar të hulumtimit për atë që do investosh, në vazhdim. Por janë disa libra që s’mjafton thjesht t’i lexosh, pasi shpesh përmbajtja e tyre ka një tjetër rol dhe predispozicion. Një i tillë është libri që më ra në dorë kohët e fundit nga shkrimtarja, “Mjeshtre e Madhe” dhe “Akademike” Vilhelme Vranari Haxhiraj, a siç e thërrasim ne miqtë e saj lexues, Vivra: “Elitat e mohuara... Krenari Kombëtare”. I mirëvlerësuar si enciklopedi, ky libër vjen pas rreth 40 botimeve të zhanreve të ndryshme të shkrimtares vlonjate, që në tre dekadat e fundit ka sjell për lexuesin shqiptar. “Elitat e mohuara... Krenari Kombëtare” është një studim i Vilhelme Vranari Haxhiraj për mbi nëntëdhjetë figura të kombit tonë që janë lënë enkas në harresë në periudhën gjysmëshekullore të diktaturës komuniste, që kaloi atdheu ynë i përvuajtur, por dhe nuk mund të thuash që tanimë janë ngritur në piedestalin që u përket. Ky zë i larti e i qartë i Vivrës duke thërritur në Panteon këta emra, faqe më faqe, është jo vetëm revolta që ajo shpreh të mishëruar në pothuaj 500 faqet që përmban ky libër me shënimet mbi jetën e veprën e secilit, por është dhe një vënie e një guri për të ngritur kështjellën e fortifikimit kundër padrejtësisë që i është bërë jo veç atyre figurave personalisht, por tërësisht kombit. T’i mohosh figurat e shquara një kombi, është jo thjesht përçmim, por demagogjia më e rëndë publike që edhe i huaji pushtues ka për frikë ta bëjë me simbolet, sepse një komb më mirë duhet të japi jetën sesa simbolet; është përçundimi më tragjik. Personalisht në vitet e liberalizimit të teknologjisë dhe internetit tek nisa të zbulojë me leximet e shpeshta dëshmitë e krimeve barbare të kryera në kohën diktatoriale, pyesja pareshtur veten, si mundet t’ia bëj njeriu-njeriut dhe shqiptari-shqiptarit diçka të tillë? Por kur harta e kësaj mynxyre nisi të formulojë konture më të qarta, pyetja u formulua në: Si mund t’ia bësh kombit tënd një gjë të tillë? Pasi alibia mjerane e politikës dhe ideologjisë në këtë shtrirje, bie krejt dhe nuk qëndron më. Nuk ka ideologji të pastër që të justifikojë krimet ndaj një kombi. Është thjesht etja verbuese për pushtet dhe gjak. “Elitat e mohuara... Krenari kombëtare” nuk është një libër ideologjik, është një përqendrim enciklopedik me përshkrime të detajeve më të rëndësishme, të disa prej personaliteteve shqiptare, të cilat njohim pak a dhe dikush-dikush aspak. Për këtë është një vlerë kombëtare. Cilësova numrin, mbi nëntëdhjetë figura intelektuale, edhe pse katalogu i pasqyrës së lëndës radhit nëntëdhjetë emra, emri i nëntëdhjetë e një në këtë listë të elitës së mohuar është vetë autorja Vilhelme. Edhe me këtë libër ajo jo vetëm, ka nxjerrë shpirtin prej Nevetes, siç shprehet në hyrje të librit, për realizimin e tij, me përgjegjësi morale e vullnet ajo ka sjellë edhe një herë në pah dashurinë e mohuar të sajën, prej diktaturës për librin dhe dijen, për shkrimin krijues e intelektual. Autorja i ka ndarë në katër grupime ideore këto elita, që përfshijnë: Elitat e vlerësuara, por të para nën dritën klasore e ideologjike; Individualitete të vlerësuar nga shtete të tjerë ku ata ndërtuan veprën e tyre; Elitat e mohuara dhe Personalitete të shquara që jetojnë e punojnë sot në atdhe apo emigracion, që japin vlera të veçanta. Thash më sipër dhe theksoj se ky libër, nga Shtëpia Botuese Nacional, me redaktore zonjën Lejla Gorishti dhe parathënie mësuesin e historisë dhe analistin letrar z. Kadri Tarelli, nuk mund të jetë thjesht për një lexim nga ana jonë, por është një libër që duhet të përmbahet në bibliotekat e familjeve shqiptare dhe të prezantohen me të fëmijë e të rinj. Kështu këta do të ndjejnë se njerëzit e shquar të kombit tonë kanë ecur edhe mbi vështirësi, edhe mbi mohim, por kanë dalë të ndërtojnë vepër që i nderon ata dhe tërë sa iu përkasin, familjes, qyteteve të tyre, kombit, e gjinisë njerëzore. Sepse njerëzit, secili nga ne, i përkasim përveç vetes edhe kësaj ideje hallkash shoqërore. Ndërgjegjësimi është peshë dhe rëndësi njëherazi për secilin. Kjo dije, dhe kjo frymë, do të sjellë dhe mendësi më të emancipuar, por dhe më largpamësi tek fëmijët. Duke i njohur me njerëz të shquar e arritjet e tyre, u kemi treguar rrugën ku duam ne të ecin fëmijët tanë. Përndryshe është rruga e zhargoni i saj ajo që do u tregojë ku e si do të ecin, fëmijët tanë; po nuk e bëmë ne këtë rol me koshiencë dhe nëpërmjet librit e kulturimit të tyre. Në këto ditë zije që po kalon kombi ynë, tek afrojnë festat e fundvitit, një libër i tillë, është dhurata më e mirë që mund t’u bëjmë fëmijëve tanë për t’i sensabilizuar që atdheu jemi ne njerëzit e tij dhe zemrat tona të bashkuara.

Me respekt

#Armela #Hysi

0 views

Shkrimet e fundit