top of page

Elez Daci: PËR POETIN ÇIDHNAK, FALI NDREKA

ree

DORËSHKRIM POETIK – PËR POETIN ÇIDHNAK, FALI NDREKA


Nga Elez Daci


 Nga Brethari, me krenari për Grykë-Nokën, Çidhnën e mbarë Dibrën

Në çdo zemër të Dibrës rreh një zë i lashtë,

zë që ngjitet nga gryka e lumit, nga mali e nga shkrepi,

ku lindin burrat me shpirt mali e fjalë drite,

ku lindin poetët që i japin frymë gurit e dashurisë.

Aty, në Çidhnën tonë të urtë, lindi Fali Ndreka!

bir i maleve, bir i mallit, bir i vargut të pjekur si vera në lis.


Dhe sot, në zemër të Italisë, në Novarë,

ai ngriti flamurin e fjalës shqipe me dinjitet,

duke bërë që zëri i Dibrës të kumbojë sërish,

jo nëpër gryka e përroje, por nëpër salla nderi e dritash.

Tre libra — tri frymëzime, tri dëshmi jete 3<simboli

u promovuan si kurora të mendjes e shpirtit të tij.

“Dallgët e jetës”, si rrjedha e Drinit që s’njeh ndalesë,

“Jeta dhe natyra”, si një psherëtimë e tokës që e ushqeu,

dhe një varg i pandalshëm që lidh mërgimtarin me atdheun.


Në atë sallë solemne të Prefekturës së Novarës,

ku fjalët fluturonin si shqiponja mbi Alpe,

Agim Bajrami poeti i njohur i Durrësit

i fali zë fjalës së Faliut me respekt të lartë.

Ndërsa shkrimtarja italiane Maria Teresa Necchi

e lexoi shpirtin e tij me ndjeshmërinë e një mike që kupton dhimbjen,

atë mall të pashuar që mbart çdo mërgimtar shqiptar.

Jehona e Çidhnës ushtoi fort në atë mbrëmje.

Ajo grykë e maleve tona, që e ka parë stuhinë e kohërave,

dukej sikur merrte frymë përmes vargjeve të tij.


Grykë-Noka, Çidhna, Dibra e Madhe e gjithë trojet shqiptare,

u ndjenë më afër përmes fjalës së Faliut,

si të ishte një urë drite që lidh atdheun me botën.

Çmimi letrar “Ymer Elshani” s’ishte thjesht një trofe,

por një përkulje përpara penës që e mban fjalën gjallë,

përpara një dibrani që s’e harron origjinën,

edhe pse dita e tij zbardh në një vend të huaj.

Në çdo varg të tij ndjen aromën e kashtës së korrikut,

tingullin e curleve në malin e Kërçinit,

atë mall që s’e zbut as distanca, as vitet, as asnjë kufi.


Sot, kur flet për letërsinë shqiptare në diasporë,

emri i Fali Ndrekës shkëlqen si pishtar që ndriçon udhën e rinisë.

Ai është shembulli se si fjala e Dibrës nuk shuhet,

se si një Çidhnak mund të mbajë gjallë shpirtin e maleve,

edhe nën qiellin italian, me penën që flet në gjuhën e shpirtit.

E unë, Brethari, me mall e krenari,

e shkruaj këtë dorëshkrim për ta lënë dëshmi në kujtesë:

jemi bij të së njëjtës rrënjë, të së njëjtës dhe,

ku fjala nuk blihet, por lind me nder,

ku malli s’është plagë, por urë që bashkon.


Krenar që jam Çidhnak!

Krenar që një bir i Dibrës

Fali Ndreka

po i jep jehonë fjalës shqiptare në botë!

Zoti e bekoftë penën e tij, dhe rrënjën e tij që s’u tret kurrë!

Me respekt e dashuri,

Brethari – zëri i rrënjëve tona.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page