top of page

Ekspozicioni logjik i vargut


Anila Toto

Ekspozicioni logjik i vargut

Rreth poezisë së Anila Totos


Dr Fatmir Terziu


Poezia e Anila Totos është një ekspozicion logjik që transferon dukuritë me të cilat dramaticiteti aestetik i ndjesisë komunikon me tërësinë. Është një arsye që trajton një ‘konflikt’ të pashpallur ku mëdyshet vendimtarja për të zgjidhur heshtazi ose qetazi edhe përshpirtjen jetësore të rrëfyeses mes vargut të bardhë. Duket si një imitim i absurditeteve rrethanore, të cilat vijnë mes figuracioneve të plota duke vepruar dhe madje edhe duke intonuar. Kështu është poezia “Lisi”. Është një aestetikë mpleksjesh në këtë poezi ku vargu rreket mes të lartës (një tragjedi poetike e pashpallur) dhe të ultës (një komedi e strukur). Ja si qetëson zhdërvjelltësinë e fjalës dhe vargut vetë poetja tek kjo poezi për të na dhënë stabilitet mendimi dhe thellësi kuptimi: “Lisi i moçëm, me fat, i moçëm lisi,/Pyllin zaptuar e rrënjëve me ngatërrohet,/Biri i Tokës, i Tokës, i Dheut biri,/Mik i Diellit, Lirisë, Diellit të shokëve./Lart Zoti. Natyra kuçke rri përbri,/Afërdita kthen krahët dëshperuar larg të iki,/E unë ferra, s'mund ta fsheh zilinë,/Lisi me vjedh Diellin, tokën dhe lirinë./Lisi i moçëm, me fat, i moçëm lisi.” (Toto, pozia: Lisi). Por edhe pse në traditën poetike të asaj poezie që prodhon dramë në brendinë e saj, duhet të ketë një ‘prijës’ në rastin e poezisë së Totos, ky ‘prijës’ i heshtur, i padukshëm është vetë liria mendimtare apo e quajtur ndryhse folozofike me të cilën lirika si pozicion poetik gjen forcën mes shprehive të elementeve të tjera ndërlidhëse. Më saktë këto elemente mund të qartësohen duke ndjekur poezinë “Unë”. Tek kjo poezi poetja arsyeton duke mos synuar asnjë sistem filozofik, por, ndryshe nga poezitë e tjera, vë theksin mbi mendimin e caktuar dhe e shtjellon atë deri në fund: “Të kam dashur,/Çmëndurisht të kam dashur,/ Dhe pse dashuritë thonë.../ S'rrojnë përjetësisht,/ Nuk dihesha fajtore,/ As cipëplasur,/ Largohesha,/ E mashtroheshim/ Vetmisë...” (Toto: Poezia, Unë). Por meqë Toto ka edhe anekse të tjera ku pozia e saj gjen kënde ridimensionimi dallimi i saj në lëminë e vargjeve poetike që shprehin mendime është jo i lehtë. Sidomos tek pozia e saj “Hija” kjo bëhet akoma më e komplikuar. Ajo në këtë rast është një lirikë moderne që ngjizet mes vargut të saj të lirë, ku emra të shquar si Bodler, Artur Rembo dhe Stefan Malarme i dhanë ngjyrim poezisë moderne evropiane. Sot modele të tilla ndiqen nga mjaft poetë me emër në Botë.

Komponenti ‘thyerës’


Poezia e Totos mund të konsiderohet edhe në një udhë me atë të cilësuar si ‘thyerëse’ të traditës poetike, dhe me këtë rast sado që thyerja është e ndjeshme, ajo nuk është ndonjë arsye me kënd të tipizuar, por e renditur në përpjkejen legjitime të poetes për të krijuar këndin e saj poetik.

Nocioni vargor mes kumtit logjik të aritmetikës së dyshit, ku perceptimi konfiguron vetë jetërrjedhën, na vjen mes vargjeve të Totos, si një risk didakt: “Ç'të të kërkoj më shumë .../Kërkoj/Të mos vish në ënderr !/Ti, /Je vetë ëndrra ./Të them se nuk ka më ajër/Kur Ti nuk je ./Ne të dy i japim ajër/Njerëzimit ./Çfarë magjie ka kjo dashuri/Kur une vij dhe Ti je, brenda./Nuk duhen shkallë për t'u ngjitur/As derë per të trokitur./Ti, pjesë e jetës, /as' të ëndërruar,/Tashmë, një drojë/E harruar!” ky nocion vargor qartësohet edhe në lidhje me pikëtakimin tonë me botën, atë botë të cilën Toto e rilezon mes perceptimit logjik. Poezia “Kjo Botë” formon në vetvete një ideologji poetike. Kjo ideologji rrëfen, dikton, fsheh dhe sygjeron artmaterien me të cilën ne vetë njerëzit e riciklojmë arsyen në lidhje me perceptimin e botëjetës sonë. Ja vetë vargu i Totos si na vjen në ndihmë: “Kjo botë reklamash na do manekinë!/ Të menaxhueshëm na do, kjo botë rrethore,/ Unë që për veten krijova lirinë,/ Botës antike ç'ti ndihem shtatore?!/ As luftëtare,/ as... / dezertorë!/Merreni shpirtin, ndajeni në copa/Atyre që s'kanë, t'u japim nga pak./ Të na ndihet mik edhe vetë epoka./ Me shpresë të lindim, një kryeëngjëll aty lart./Kontaktoni me zotin para se te vdisni

Ka gejtje te reja, qe i dime, per bes'/Mos e ktheni me fund gjithe Perendimin,,/Nje gote Diell ç'do mengjes!” (Toto, poezia: Kjo botë).

Logaritmi didakt


Në të kuptuarit e tij, nocioni logjik i perceptimit, mes arsyes së vetë logjikës së funksionit ne ndjejmë edhe vetë logaritmin didakt dhe kapacitetin e poezisë. Toto mes kësaj arsyeje perceptuese të gjuhëzgjedhjes ka regjistruar vargun dhe ritmikën e tij në një ideologji poetike, që është në të njëjtën kohë trans-sociale dhe kulturalisht specifike.

Nocioni se poezia është një ligjërim i një tjetër lloj argumentimi, nocioni se poezia ofron qasje në rezultatet e paarritshme nga ndonjë mjet tjetër përfaqësues, se vargu i saj mbështetet apo gjen shtrat në traditën e praktikës poetike, në këtë rast është edhe një arsye tjetër në konsideratë. Toto mes vargun dhe ritmit të tij na jep jo pak herë privilegjin e nënkuptuar në nocionin e poezisë si një ligjërim i një kahu të duhur, ku trajtesa nuk është vetëm një arsye sociale, didakte, por edhe kulturologjike, identitare. Ndryshe si do të lexoheshin vargje të tilla: “Kapeni të dielën, ndaleni se na iku.../ Mëngjesit, kafese, rehatit, muhabetit./ Zhurmat e fëmijeve, tekat, qeshur, grindur,/ Humba sensin e kohes dhe sa orë mbeti?!..” Pra ne jemi ato që i vërtitemi sociales, didaktes, ne jemi ato që kemi identitaren tonë mes të djelave, mes kapjeve ditore të cilat na diktojnë identitetin e fateve tona. Këtu zë fill edhe ‘logjika e metaforës’ që Toto e shfrytëzon me potencialin zëvendësues dhe kombinator të gjuhës në një shkallë të tillë që mund të thuhet hapur: vargje të tilla janë vetë logjika që qeveris tempin e ndreqshëm e të pandërgjegjshëm metafizik të fateve të dittjetëve të njeriut. Këtu gjejmë nocionin elitist të traditës poetike të Eliot, nocionin zanafillës demokratik të gjuhës poetike të Pound ku mes studiuesve britanikë të vargut arrijmë të pikëtakojmë se për prodhimin poetik dhe pritjen nuk duhet të të jetë faktorë imponimi apo ndikimi nga klasa. Anila Toto e kupton mirë këtë teksa na dikton “Merreni shpirtin, ndajeni në copa/Atyre që s'kanë, t'u japim nga pak./Të na ndihet mik edhe vetë epoka./Me shpresë të lindim, një kryeëngjëll aty lart...”


Konkluzion


Duke përfunduar në këtë ndalesë rreth vargut poetik të Anila Totos, ndjej të arsyeshme të them se tërësia sintaksore, kuptimet perceptuese dhe ato të figurëzuara në poezinë e saj, i japin krijimtarisë së poetes vlonjate tonin, ritmin e duhur, dhe përcaktojnë udhën e saj të qartë e të guximshme në mjaft raste për të thyer dhe përthyer korniza të ngurta. Udhëtimi i saj është i mirëstudiuar, pikëtakimin e ka në dorë lexuesi.


21 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page